Kuvendi Kombëtar Qytetar si fuqizues i Kryengritjes Kombëtare, përshpejtues i rrëzimit të Ramës dhe çlirimit të Shqipërisë nga ‘kthetrat’ e oligarkive
Duke patur parasysh se Kuvendi Kombëtar do të kërkojë zbatimin e kërkesave të Kryengritjes Kombëtare, ku kryesorja është krijimi i një qeverie kalimtare nga radhët e kryengritësve, kuptohet se Kuvendi është fuqi politike gjithashtu, madje me fuqi më të madhe se partitë, dhe mund të përparojë frymën e re të krijuar —revolucionare— për një lëvizje të re politike.
Ylli Përmeti
21/09/2026 - 08:10
Kuvendi Kombëtar Qytetar u zhvillua dhe punoi fort, më 19 shtator, nga ora 12.30 deri rreth orës 7 të mbrëmjes, por nuk e themeloi atë, sepse në një nga parimet e tij të paltformës (ose bazës së parimeve për drejtimin e tij ku përfshihen dhe qëllimet) thuhet se Kuvendi nuk mund të themelohet pa qenë të pranishëm të paktën 150 anëtarë. Më 19 shtator ishin rreth 50 vetë të pranishëm ndërsa rreth 20 të tjerë ishin në linjë ndërkohë që kishin shprehur dëshirën për të ardhur mbi 200 vetë. Numri prej 150 anëtarësh buron nga bindja se ai përfaqëson shumicën e krahinave të Shqipërisë dhe si i tillë mund të ketë ligjshmëri kombëtare.
Pikërisht për këtë arsye, ai zgjeroi numrin e Këshillit Kombëtar, nga 5 në rreth 25, për të punuar dhe për të plotësuar numrin e anëtarëve. Pasi u qartësua detyra e Këshillit, ai krijoi dhe një “kryesi” të përbërë nga 5 vetë dhe me një drejtues por ai do të drejtojë me shumicën e votave dhe jo sipas “kokës së tij”. Meqënse këshilli fillestar ishte i përkohshëm dhe do të shkrihej pikërisht ditën e themelimit të Kuvendit dhe meqënse ky i fundit kishte pjesëmarrje të rëndësishme por jo të mjaftueshme, ai u shkri dhe u krijua një “kryesi” e re.
Kryesia e re do të jetë e përkohshme dhe “drejtuesi” do të ndryshojë çdo dy javë. Zvendësuesi i tij do të jetë nga “pesçja” e kryesisë. Kështu qetësuam dhe shqetësimet se Kuvendi nuk duhet të ketë një “udhëheqës” por do të jetë demokratik pavarësisht “urgjencës” që kemi për ta themeluar atë dhe për të përparuar me rrëzimin e Ramës dhe qeverisë tij.
Një çështje tjetër që u shqyrtua ishte si ta paraqesim atë ligjërisht. Pati mendime të ndryshme por shumica u pajtua ta quajmë “shoqatë”. Kjo lloj krijese ligjore ka të mirat e saj por ka dhe një të keqe: se ajo njihet ligjërisht dhe zyrtarisht nga shteti por nuk mund të jetë parti politike dhe të qeverisë vendin. Pikërisht kjo çështje ka ngritur shumë shqetësim —sidomos mes atyre që besojnë se nuk mund të qeverisim dhe partitë e vjetra do të vazhdojnë të qeverisin dhe plaçkisin, grabisin dhe shkatërrojnë atdheun— dhe për të njëjtën arsye kanë dyshime.
Megjithëse shqetësimet janë të drejta, unë po sqaroj edhe një herë se qëllimi i themelimit të Kuvendit Kombëtar Qytetar (ai tjetri që rrethohet nga Kryengritja është ‘partiak’ ose i përbërë nga anëtarët e partive politike, thjesht për të bërë dallimin) është të mbështesë Kryengritjen Kombëtare dhe kërkesat e saj dhe të veprojë si një organ i përhershëm për të ndaluar çdo padrejtësi në të ardhmen.
Lidhur me qëllimin e parë, Kuvendi mund të përshpejtojë rrëzimin e Ramës dhe të kursejë mundin e kryengritësve në shesh, duke përdorur strategjinë (dhe taktikat e saj) me ndikim më të madh dhe të shpejtë.
Lidhur me qëllimin e dytë, Kuvendi nuk zëvendëson vetëm OJQ-të e krijuara nga partitë tona politike dhe fuqitë e huaja (BE-ja, Sorosi dhe amerikanët në përgjithësi)—ose “shoqërinë civile”, siç njihet ndryshe, por i tejkalon ato në qëllime por dhe në mbështetje: sepse Kuvendi nuk do të mbështetet vetëm, siç është mbështetur nga mijëra mërgimtarë, me praninë e tyre apo me kundërshti të organizuara në sheshet e vendeve ku banojnë e jetojnë, por mund të mbështetet dhe me ndihma ekonomike (të derdhura në llogarinë e tij bankare), duke ia bërë atij punën më të lehtë dhe më të mundshme.
Duke qenë se ai mbështetet nga shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, ai është i pavarur nga fuqitë apo oligarkitë e huaja dhe jona.
Por duke patur parasysh se Kuvendi Kombëtar do të kërkojë zbatimin e kërkesave të Kryengritjes Kombëtare, ku kryesorja është krijimi i një qeverie kalimtare nga radhët e kryengritësve, kuptohet se Kuvendi është fuqi politike gjithashtu, madje me fuqi më të madhe se partitë, dhe mund të përparojë frymën e re të krijuar —revolucionare— për një lëvizje të re politike.
Si i tillë, ai është i dëshirueshëm, sepse përbëhet nga shqiptarët dhe mbështetet nga shqiptarët. Por kjo s`do të thotë se ai do të kundërshtojë mbështetjen e kombeve të tjerë që duan të mirën e Shqipërisë…kështu nis çlirimin e Shqipërisë nga kthetrat e oligarkive të huaja dhe vendase.
Në fund, po përmend një nga shqetësimet e mija që nuk pata mundësi —për shkak të kohës— ta shpalosja në Kuvend: se ka disa përplasje mes grupeve në shesh por besoj se mund të tejkalohen, jo vetëm për shkak të qëllimit të përbashkët por dhe pjekurisë që kanë ata. Kjo ishte dhe njëra nga anët e mira që mund të sjellë përpjekja e dytë për themelimin e tij: se ai në ditët në vijim mund t`i bashkojë ata në Kuvend. Shumë prej tyre kanë frikë nga Kuvendi ndërsa të tjerë s`e kanë të qartë (paqartësia shkakton në vetëvete një lloj frike).
Shpresoj që këto sqarime të shërbejnë për përbashkimin e tyre dhe nga fundi i javës tjetër të mblidhemi të gjithë e ta themelojmë atë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 10 reads



