...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Drejtori i FBI-së: ‘Rusia është kërcënuesi më i madh në tokë’

SHJ

04/05/2017 - 08:19

Për ta kuptuar problematikën, sugjerojmë të lexohet studimi i Ylli Përmetit, “Superfuqitë ushtarake dhe mundësitë e shpërthimit të një lufte botërore”, pjesa e tretë.

Në dëgjesën e radhës në Senat, drejtori i FBI-së, Xhejms Komi (James Comey) tha se Rusia është “kërcënuesja më e madhe se çdo komb tjetër, sa i përket qëllimit dhe aftësisë së saj”.

Ai tha, mes të tjerash, se FBI-ja ka filluar një hetim për mundësinë e përzierjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane për të cilin “demokratët” u gëzuan. Por ata ishin kritikë për ndikimin që pati FBI-ja për hapjen e hetimeve për email-et e Hilari Klintonit.   

Efekti i FBI-së në imazhin e Klintonit

Shefi i FBI-së James Comey tha se nëse dikush mendon se agjencia e tij mund të ketë pasur ndikim te fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të 2016-s, kjo e bën të ndjejë një farë neverie.

Disa ditë përpara votimeve, FBI-ja rihapi një hetim rreth përdorimit të një serveri privat nga kandidatja demokrate Hillary Clinton kur ishte sekretare e shtetit.

Zoti Comey, drejtor i Byrosë Federale të Hetimeve, agjencia kryesore ligjzbatuese e vendit, tha përpara një komisioni të Senatit se kishte qenë në një dilemë të madhe para se ta bënte publik rihapjen e hetimit.

Hetimi rihapej ndërkohë që vetëm disa muaj më parë hetuesit kishin deklaruar se zonja Clinton nuk kishte bërë asgjë të paligjshme. Por zoti Comey tha se do të kishte qenë "katastrofike" nëse nuk do ta bënte publik informacionin.

"Ishte një zgjedhje e vështirë, por unë ende besoj se ishte e drejtë," tha shefi i FBI-së. “Të fshihje këtë hetim, kjo do të kishte qenë vdekje për FBI-në”, tha ai.

FBI-ja normalisht përpiqet të mos i bëjë publike hetimet rreth kandidatëve përpara zgjedhjeve, në mënyrë që të mos ndikojë në rezultatin e votimit.

Por zoti Comey tha se "për asnjë çast të vetëm" nuk kishte menduar se rihapja e hetimit mund ta ndihmonte zotin Trump të fitonte në zgjedhjet e nëntorit.

Të martën, zonja Clinton fajësoi pjesërisht zotin Comey për humbjen në zgjedhje. Ajo tha se ishte duke fituar, kur vetëm 11 ditë përpara votimeve, zoti Comey bëri publik hetimin e ri.

Hetimi erdhi pasi FBI-ja zbuloi në një kompjuter mijëra e-maile të zonjës Clinton, të kohës kur ajo kishte qenë sekretare e shtetit.

Kompjuteri i përkiste ish-kongresmenit Anthony Weiner, bashkëshorti i ndarë i zonjës Huma Abedin, ndihmëse kryesore e zonjës Clinton. Voa 

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA