...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Zbulohet “xhani” i Ramës për Erdoganin

Dita

08/05/2017 - 15:24

Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Drejtorin e “Turkish Airlines”, Ilker Ayci tha se me ndihmën e Presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan dhe kompanisë “Turkish Airlines”, linja e re shqiptare ajrore do të nisë fluturimet e para brenda këtij vitit.

Kryeministri tha se ky projekt vjen paralelisht me atë të ndërtimit të aeroportit rajonal në qytetin e Vlorës.

“Mirëpres një mik dhe një drejtues të një sipërmarrje të jashtëzakonshme si “Turkish Airlines” me të cilin diskutuam për projektin që e kam bërë të ditur më parë për ngritjen e një linje të re ajrore shqiptare që ka nisur të projektohet falë mbështetjes së posaçme të Erdoan dhe asistencës teknike të “Turkish Airlines”. 

Ne jemi të vetëdijshëm faktin se cilësia e shërbimit të transportit ajror, të shqiptarëve që lëvizin qoftë jashtë atdheut qoftë brenda, lë shumë për të dëshiruar. Natyrisht nuk flas për kompanitë e mëdha që operojnë në Shqipëri, por për shërbimin që u jepet njerëzve në shumë drejtime, me një cilësi dhe me një kosto bilete realisht që lë shumë për të dëshiruar. Ka qenë objektivi ynë që në fillim që të punojmë për një linje ajrore shqiptare dhe i jam shumë mirënjohës Presidentit të Turqisë, qoftë drejtuesit ekzekutiv të “Turkish Airlines”, që po na japin një ndihmë shumë të vyer dhe sot ne pamë konkretisht që jemi afër finalizimit të këtij projekti dhe jemi shumë shpresëplotë se në harkun e këtij viti do të fillojnë edhe fluturimet e para. Nuk dua të flas për data dhe afate sot, por është e sigurt që me asistencën e miqve tanë, një asistencë që do të shtrihet në të gjithë spektrin e shërbimit, ne më në fund do të bëjmë realitet një linjë ajrore shqiptare me flamurin tonë, ku të shërbehet, unë shpresoj shumë, me të njëjtën cilësi si në “Turkish Airlines””, tha Rama.

Ndërkohë, kryeministri tha se “paralelisht shoqërohet me projektin tjetër madhor të ndërtimit të aeroportit të ri rajonal të Vlorës, që përbën jo vetëm një objektiv, por edhe një domosdoshmëri për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe për nxitjen e mëtejshme të turizmit në Shqipëri. Puna vazhdon dhe edhe në këtë rast me mbështetjen e Presidentit Erdogan dhe falë konsorciumit tanimë të sprovuar të kompanive që ndërkohë ndërtojnë aeroportin e tretë të Stambollit, tashmë shumë shpejt, ne do të jemi në momentin kur do bëjmë të njëjtën gjë, pra do të paraqesim publikisht shprehjen e vullnetit për çuarjen përpara të projektit“.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA