Kuvendi i Kosovës shkarkon qeverinë Mustafa
DW
10/05/2017 - 15:08
Me 78 vota për dhe 34 vota kundër deputetët e Kuvendit të Kosovës rrëzuan qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa. Mocioni i mosbesimit i paraqitur u iniciua nga partitë politike opozitare, por në seancë u mbështet edhe nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, që ishte partnere e koalicionit me LDK-në në qeveri. Me rrëzimin e qeverisë Mustafa tani është në dorën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që të shpërbëjë Kuvendin dhe të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme. Ai mund ta mandatojë edhe dikë tjetër për formimin e qeverisë. Nëse Presidenti vendos që të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme, atëherë ato duhen mbajtur jo më larg se 40 ditë nga shpërbërja e Kuvendit.
Partitë politike opozitare duke arsyetuar paraqitjen e mocionit për rrëzimin e qeverisë Mustafa, para deputetëve prezantuan një varg argumentesh"pse duhet rrëzuar kjo qeveri ”.
"Mosfunksionimi i legjislativit dhe ekzekutivit dhe mungesa e vendimmarrjes në interes të vendit, marrëveshja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që rezultoi që është shkelur kushtetuta, demarkacioni që i humb territor Kosovës, mosfunksionimi dhe ngecja në liberalizim, moszhvillimi ekonomik, ikja e mbi 200 mijë qytetarëve të Kosovës, papunësia e madhe dhe shumë ngecje të tjera", deklaroi Valdete Bajrami, deputete e NISMA për Kosovën, duke lexuar mocionin e opozitës. "Konsiderojmë që e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e lira dhe të parakohshme dhe demokratike”, vazhdoi Bajrami.
Mustafa: "mocioni i mosbesimit pa asnjë bazë argumentuese"
Kryeministri Isa Mustafa, nga ana e tij e quajti "pamflet politik pa asnjë bazë argumentuese” mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë që ai udhëheq.
"Dobësitë dhe keqpërdorimet që janë krijuar nga qeverisjet e kaluara t'i vishen kësaj qeverie, kjo është sjellje e papranueshme. Vlerësoj se peticioni për rrëzimin e qeverisë ka për pasojë destabilimin e vendit, përmes krijimit e mosbesimit në institucione dhe vakuumin institucional, sikundër që ka për qëllim fshehjen e aferave korruptive që janë krijuar nga qeveritë e kaluara”, tha Isa Mustafa. Ai numëroi një varg të arritjesh, sipas tij, të kësaj qeverie dhe tha se qeveria e tij timonin e ka kthyer nga Perëndimi duke e larguar nga Turqia.
Përplasjet ndërmjet koalicionit qeveritar PDK-LDK, filluan pak kohë më parë. Shkas për këtë duket se ishte pikërisht çështja e demarkacionit me Malin e Zi, për faktin që nga të dyja kampet edhe nga PDK edhe nga LDK, kishte deputetë që nuk e mbështesnin kalimin e demarkacionit dhe rrjedhimisht koalicioni qeverisës nuk i kishte votat e mjaftueshme.
Prania ndërkombëtare në Kosovë, vazhdimisht ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë pro demarkacionit dhe që vendi mos të shkojë në zgjedhje, meqenëse Kosova nuk e ka luksin që të mbajë zgjedhje shumë shpesh.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 96 reads



