Mbrëmjet seksuale me djemë të mitur në Afganistan: pasojë e fesë apo...?
SHJ
04/08/2017 - 06:09
Një dokumentar i televizionit “RT”, tregon se në Afganistan, burra mizorë dëfrejnë në mbrëmje të organizuara me ‘bachas’ (djemë për lojë seksuale) – djemë që vallëzojnë në veshje femrash. Pas mbrëmjes ata zgjedhin djalin që pëlqejnë në moshë të mitur (edhe 13 vjeç!) për seks. Pasi i rekrutojnë në rrjetin e lojës së djemve, i ushqejnë, mbathin dhe shfrytëzojnë deri në moshën 20 vjeç. Pastaj i martojnë. Ata nuk zgjedhin më të pashmit. Por më të varfërit: sepse, sipas tyre, të varfërit mund të kontrollohen lehtë! Ata mendojnë për të se është traditë kulturore.
Ligji në Afganistan ndalon meshkujt të komunikojnë hapur me femrat. Kush shkel ligjin mund të burgoset dhe të dënohet nga shoqëria. Në mungesë të gocave —sepse si vend musliman gocat nuk lejohen të ndërveprojnë me meshkujt— shkojnë me djemë. Islami e ndalon homoseksualizmin por ‘bacha’ nuk konsiderohet si sjellje homoseksuale! Kodi penal në Afganistan ndalon dhunimin dhe pederastinë por s’ka patur ligj të qartë kundrejt këtyre praktikave dhe si të tilla janë bërë një biznes me përfitime. Por pavarësisht këtyre paqartësive qeveria afgane do ta kriminalizojë praktikën e mbrëmjeve të tilla.
Qartësisht, bëhet fjalë për mizori që burojnë nga disa shkaqe: por shkaku kryesor është keqedukimi i “burrave” të pasur. Sepse pavarësisht se ligji ndalon ndërveprimin e meshkujve me femrat, supozohet se pasanikët e “rritur” nuk do të shkonin për seks me femra të mitura. Por edhe keqedukimi ka shkaqe: kryesori buron nga feja. Jo në kuptimin ligjor. Por në kuptimin që ajo nuk zhvillon aftësi kritike për njerëzit fetarë. Ligjet më të mirë, fundja, burojnë nga brenda, jo nga jashtë —ligjet e shpallur apo të shkruajtur në letër. Dhe aftësia për të kritikuar është një premisë e mirë e cila na përmban më shumë se ligji i shpallur nga qeveritë fetare.
Çfarë të shqetëson në dokumentarin përkatës është paturpësia e pasanikëve kur tregojnë pa ndroje se djemtë e mitur dhe të veshur si vajza i eksitojnë ata. Apo kur thonë se s’kemi alternativë tjetër – sepse ligji islamik na ndalon të zbavisim me vajza! Qartësisht, ligji është një shkak. Por shkaku përfundimtar është mungesa e virtyteve (etikë dhe intelektualë) — mungesa e edukimit dhe arsimit demokratik: sepse qoftë edhe nëse do të mungonte një ligj i tillë supozohet se një njeri i rritur, me virtyte etikë dhe intelektualë, jo vetëm që do të frenonte veten në veprimtari të tilla por do të kundërshtonte dhe dënonte çdo veprimtari të njëjtë.
Mungesa e virtyteve etikë dhe intelektualë duket edhe kur fetarët e fesë përktëse (pranë apo larg tyre) s’mbajnë një qendrim për këtë lloj “kulture” që është zhvilluar mes tyre. Ndalimi i praktikave përkatëse, rrjedhimisht, me ligj, nuk do të sjellë ndonjë ndryshim të rëndësishëm në sjelljen e pasanikëve përkatës: thjesht do të zhvillohen në fshehtësi ndryshe nga tani, siç mund të zhvillohen aktualisht në vende të tjerë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 1983 reads



