Serbia tërheq diplomatët nga Shkupi
VOA
21/08/2017 - 15:12
Për vendimin e diplomacisë serbe njoftimet janë të pakta dhe autoritetet maqedonase thonë se nuk e dinë arsyen.
Sipas policisë maqedonase, ambasada serbe u kishte kërkuar autoriteteve në Shkup forcimin e sigurisë së objekteve të saj dhe ministria e rendit tha se e kishte bërë këtë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha në Beograd se tërheqja është bërë për shkak të aktiviteteve të kundërzbulimit ndaj institucioneve të Serbisë. “Brenda shtatë deri dhjetë ditësh gjërat do të jenë më të qarta”, u shpreh presidenti serb.
Personeli i ambasadës serbe është thirrur për konsultime urgjente në Beograd, thuhet në një njoftim të agjencisë serbe të lajmeve ‘Beta’.
Ambasadorja Dushanka Divjak Tomiç megjithatë nuk i kishte shpejguar agjencisë shkaqet e tërheqjes, ndërsa i kishte thënë se ministria e jashtme e Serbisë do të jepte më tepër hollësi ditën e hënë.
Ndërkaq, ministria maqedonase e punëve të jashtme ka pohuar për mjetet e informimit në Shkup se ka marrë një notë nga ambasada e Serbisë për tërheqjen e stafit, por pa u njohur me arsyet.
Ministria tha se është në komunikim me autoritetet në Beograd për të mësuar arsyet.
“Sipas përcaktimeve të Konventës së Vienës për marrëdhënie diplomatike, institucionet përkatëse të Republikës së Maqedonisë ndërmarrin masa për mbrojtjen e sigurisë së integritetit të ambasadës së Republikës së Serbisë në Shkup”, thuhet në një komunikatë të m.p.j.-së maqedonase.
Serbia kishte marrëdhënie të mira me qeverinë e mëparshme në Maqedoni, por kjo nuk mund të thuhet për qeverinë e tanishme.
Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, më se një herë ka theksuar gjatë muajve të fundit se vendi i tij kishte gabuar, që e kishte njohur fqinjin jugor me emrin kushtetues “Republika e Maqedonisë” dhe jo me referencën ndërkombëtare “FYROM”.
Ndërkaq, presidenti Aleksandar Vuçiç gjatë fushatës presidenciale e përmendte Maqedoninë në një kuptim negativ, siç shprehej ai, “ për kaosin që mbretëronte atje në prag të ardhjes së social-demokratëve në pushtet”.
Një agjent i shërbimit të sigurimit serb, ndërkaq qe vërejtur brenda ndërtesës së parlamentit të Maqedonisë gjatë trazirave të 27 prillit, kur turma e protestuesve hyri me dhunë dhe rrezikoi jetët e deputetëve, duke lënduar fizikisht kryetarin e LSDM-së Zoran Zaev dhe në veçanti duke i shkaktuar lëndime të rënda drejtuesit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
Autoritetet serbe patën thënë se agjenti po bënte punën e tij; se po shikonte nëse shtetas serbë ishin të përfshirë në ato trazira.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 22 reads



