...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mirela, trimja që skuqi me bojë kriminelen e çarsimit

Ylli Përmeti

18/11/2016 - 12:39

Mirelën, veprimtaren që skuqi ministren e arsimit me salcë domateje, e kam njohur në protestat tona të viteve të fundit. Nga bisedat tona të pakta, mbaj mend kur më tha, pas një proteste, kur e pyeta, se nëse po punonte paralel me studimet, se punonte e kërcënuar me papunësi sepse punëdhënësit nuk i pëlqente veprimtaria e saj politike, dhe mund të mbetet pa punë pavarësisht se keqshpërblehësh. Më tregoi, gjithashtu, aq sa mund të tregojnë dy veprimtarë në ecje e sipër dhe pas lodhjes nga protesta, se gjendja e saj ekonomike nuk ishte aspak e mirë. Megjithatë, “unë nuk gjunjëzohem”, më tha. “Do të luftoj edhe për të tjerët”.

 

Kjo këmbëngulje ma ngrohu zemrën e ftohur nga ftohtësia e të rinjëve shqiptarë dhe më shtoi shpresën se vendi ynë mund të bëhet, pavarësisht vështirësve që kanë ngritur elitat borgjeze. Në të vërtetë, Mirela në protesta ka qenë shumë dinamike. Për mos të thënë udhëheqëse e rrallë: sepse udhëhiqte qoftë me punën e saj parapërgatitore —për protestë— qoftë me punën e saj në protestë: duke bërë thirrje për drejtësi e barazi dhe organizim dhe, luftë kundër padrejtësive dhe pabarazive. Në kohët tona —të tolerancës me padrejtësitë dhe pabarazitë dhe apatisë— të rinj të tillë, dhe për më tepër, gocë, janë të rrallë dhe të vyer. Si e tillë, ajo është e dashur për të gjithë ata që e njohin dhe kanë mundësi ta vlerësojnë drejtë për përpjekjen e saj për barazi dhe drejtësi sociale dhe jo për ata që nuk e njohin dhe s’kanë mësuar të vlerësojnë. Si mund, fundja, të vlerësojnë njerëzit një njeri që as e kanë njohur as kanë mësur të vlerësojnë drejtë? Nga kush do të mësojnë? Nga të padrejtët?  

 

Ky është, fundja, roli i edukimit: të edukojë njerëzit të vlerësojnë drejtë. Ndaj dhe kërkojmë dhe luftojmë, çdo çast, në jetën tonë sociale dhe të ndërgjegjshme, të vlerësohemi drejtë për përpjekjet dhe vlerat tona. Mirëpo, kjo është një betejë dhe luftë e gjatë dhe shpesh, e dhimshme: siç është aktualisht, jo vetëm me njerëzit që sundojnë jetën tonë por edhe me shoqërinë. Sepse të parët —sundimtarët— zgjidhen nga njerëz që vetëm drejtësinë nuk njohin. Dhe kështu ata riprodhojnë padrejtësitë dhe pabarazitë...në kohët tona, ekstreme. Të dytët —të ashtuquajturit “qytetarë”— reflektojnë pikërisht botëkuptimin e të parëve, jo vetëm në botën materiale, por edhe në botën intelektuale: arrogantë dhe të padrejtë të parët, njëlloj janë dhe të dytët. Kanë krijuar një botë –materiale dhe “intelektuale”— që është tejet e ulët për njerëzit. Si mund, fundja, t’i rezistojnë “qytetarët“ plutokracisë — kur përmes saj lumturohen, ose të paktën kështu besojë se lumturohen sundimtarët — dhe veprojnë njëlloj? Këta janë njerëzit me të cilët përballemi: të zhytur në iluzionin e botës materiale dhe mungesën veçanërisht të virtytit të drejtësisë. Si të tillë, ata kanë kurthuar veten dhe është e vështirë t’i nxjerrim nga baltaku ku kanë rënë me protesa dhe virtyte: sepse e para buron nga kuptimi i padrejtësive dhe varet nga zhvillimi i virtyteve, veçanërisht i virtytit të drejtësisë. Me të tillët, të dashur studentë dhe veprimtarë, ne do të përballemi deri në vdekje...                   

 

Shënim: përgjatë kohës që veprimtarja ishte në polici, për rreth 10 orë, sikur të kishte bërë ndonjë krim, dy qendrime publike më shqetësuan: njëri nga Majkua, i cili, në vend të solidarizohësh me studentet u solidarizua me “viktimën”, ministren; dhe tjetri, ishte nga një i ashtuquajtur, gazetar, Mero Bazja, i cili, pandroje dhe pa bërë asnjë hetim rreth veprimtares dhe studentes në fjalë, shkroi duke vënë në dyshim, mes të tjerash, shpirtin e saj ‘guerilas’!    

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA