Frimasonët e ‘shoqërisë së fshehtë’ përballen me sfidën më të madhe në historinë e tyre: po plaken
Shoqëria e njohur për ritualet dhe fshehtësinë përpiqet të tërheqë të rinjtë, ndërsa anëtarësia e saj po plaket
Financial Times
03/08/2026 - 09:21
Shoqëria e frimasonëve (ose “muratorëve të lirë”) në Angli po përballet me një nga sfidat më të mëdha të historisë së saj: plakjen e anëtarësisë dhe mungesën e brezit të ri. Organizata, e cila për shekuj është shoqëruar me rituale të fshehta, shtrëngime të veçanta duarsh dhe ndikim në politikë e biznes, po përpiqet të bëhet më e hapur për publikun.
Sot, frimasonët në Angli dhe Uells numërojnë rreth 175 mijë anëtarë, shumë më pak se kulmi prej gati 500 mijë anëtarësh që kishin në mesin e shekullit të kaluar. Drejtuesit e organizatës thonë se rekrutimi i anëtarëve të rinj është vendimtar për mbijetesën afatgjatë.
Tarifat vjetore të anëtarësimit variojnë nga 200 deri në 500 paund, ndërsa pothuajse gjysma e anëtarëve të rinj janë nën moshën 40 vjeç. Organizata beson se politika e tejdukshmërisë më të madhe ka ndihmuar në tërheqjen e brezit të ri.
Frimasonët e paraqesin veten si një shoqëri bamirëse dhe vëllazërore, e përqendruar te zhvillimi moral, veprimtaria humanitare dhe aftësitë në kumtim publik. Mbledhjet zhvillohen në lozha, ku vazhdojnë të ruhen ritualet dhe ceremonitë simbolike, ndërsa ndërtesa historike në Londër përdoret tashmë edhe si hapësirë pune nga anëtarët më të rinj.
Për të zgjeruar bazën e anëtarëve, organizata ka krijuar lozha universitare, organizon veprimtari për studentët dhe ditë të hapura, ku publiku mund të vizitojë mjediset dhe të njihet me trashëgimitë e saj.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për tejdukshmëri, frimasonët vazhdojnë të përballen me dyshime për ndikim të fshehtë. Një hetim i vitit 2024 zbuloi se afro një e treta e këshilltarëve të Qytetit të Londrës (City of London) kishin deklaruar anëtarësinë në Frimasonëri.Policia Metropolitane e Londrës vendosi që punonjësit të deklarojnë çdo lidhje të tanishme ose të kaluar me organizata masonike, duke thënë se ato mund të krijojnë cënim të paanshmërisë. Frimasonët e kundërshtuan këtë vendim në gjykatë, duke e cilësuar si të padrejtë dhe përjashtuese.
Historianët vërejnë se dikur frimasonëria tërhiqte zejtarë, zyrtarë dhe aristokratë, ndërsa më vonë u lidh ngushtë me profesione si drejtësia, llogaritja dhe qeverisja. Për dekada me radhë, anëtarësimi quhej një shenjë e të drejtave të posaçme dhe besueshmërie shoqërore.
Sipas disa anëtarëve të rinj, organizata ofron një bashkësi të vërtetë në kohën kur jeta sociale po zhvendoset gjithnjë e më shumë në internet. Megjithatë, disa paralajmërojnë se tejadukshmëria e tepërt dhe mundësia për të mësuar ritualet në internet mund të zbehë misterin, i cili ka qenë një nga anët më tërheqëse të Frimasonërisë.
Njohësit besojnë se edhe pse organizata po përpiqet të modernizohet, sfida për të tërhequr brezat e rinj do të mbetet e vështirë, pasi shumë të rinj parapëlqejnë forma më të përshtatshme dhe më pak të detyrueshme të jetës shoqërore.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 9 reads



