...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse kjo luftë ndaj Luftës Nacional-Çlirimtare?

Popujt nuk kanë mbijetuar vetëm për hir të përzgjedhjeve të përhershme strategjike, por edhe përmes përzgjedhjeve të përkohshme taktike

Zeno Jahaj (Dita)

26/11/2016 - 13:50

Prej një çerek shekulli, Luftës së Popullit Shqiptar për Çlirimin nga Pushtimi fashist e nazist i është shpallur luftë. Nga vetë shqiptarët. Sepse të huajt, çfarë patën për të thënë, e kanë thënë me kohë. Luftës që bënë vetë i kanë vënë emër e vlerë. Luftës së shqiptarëve gjithashtu. Madje edhe miliona ushtarakëve gjermanë e italianë – viktima të nazi-fashizmit, u bëhet respekti i duhur, natyrisht pasi janë çuar në gjyq përgjegjësit e asaj kasaphane.

Ne ende “vritemi” për të vrarë pikërisht vetë thelbin e asaj lufte: ta quajmë luftë, rezistencë apo përpjekje? Luftë antifashiste e antinaziste apo luftë civile? Çlirimtare apo nacional-çlirimtare? Të mbetet në histori apo të hiqet fare nga historia? Ta shkruajë vetëm krahu i majtë politik, (siç e pat shkruar), ta shkruajë vetëm krahu i djathtë politik (sikurse kërkon ta shkruajë), apo të dy krahët t’i japin kombit një kujtesë historike përfundimtare?

E pamohueshme është që historia e Luftës së Popullit Shqiptar për Çlirimin nga pushtimi fashist e nazist duhet rishkruar. Të vërtetës i ka zënë frymën ose legjenda, ose demonizimi. Rishkrimi duhet ta shpëtojë historinë e asaj lufte nga të tilla gangrena. Sepse edhe historia mund të vdesë, pikërisht nga gangrena të tilla.

Luftë, rezistencë apo përpjekje?!

Sipas të gjitha instituteve, lufta është përleshje e armatosur, së paku midis dy shteteve; kur shtetet përdorin forcat e armatosura; kur njëra nga palët kërkon të mposhtë palën tjetër dhe t’i imponojë asaj vullnetin dhe kur të dyja palët kanë qëllime diametralisht të kundërta.

Mbështetur në këto kritere, marrëdhënia e Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste me Shqipërinë plotësonte të gjithë kuadrin e marrëdhënies së luftës. Nuk bëhet fjalë që kjo marrëdhënie të ishte thjeshtë “rezistencë” apo “përpjekje”. Pushtuesit fashistë italianë dhe ata nazistë gjermanë nuk erdhën rastësisht në Shqipëri. Ata erdhën si forca të armatosura të shteteve të tyre, me plan ushtarak dhe me njësi ushtarake lufte, të mjafta në pikëpamje numri, forcash e mjetesh, për të krijuar supremaci dhe për të diktuar vullnetin e tyre me operacione luftarake, të cilat i kryen në të gjithë territorin e vendit. Prandaj, parimisht populli shqiptar ishte në luftë si me Italinë fashiste, ashtu edhe me Gjermaninë naziste.

Ndërkaq, praktikisht, reparte të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe populli shqiptar organizuan dhe zhvilluan veprime e luftime mbrojtëse, paçka se ato nuk rezultuan të suksesshme, paçka se zotësia e komandimit luftarak e Abaz Kupit apo heroizmi i Mujo Ulqinakut e qindra ushtarakëve të tjerë nuk e ndalën dot pushtimin fashist të vendit. Për më tej, krahët e armatosur antifashistë e antinazistë të vendit, të përfaqësuara në grupime të ndryshëm politikë, e vijuan luftën duke kaluar nga veprimet e luftimet mbrojtëse, në veprime e luftime sulmuese. Ato arritën madje të përballen e të zhvillojnë me sukses edhe operacione sulmuese deri në çlirimin e vendit, nën ndikimin dhe me mbështetjen e forcave ushtarake të Aleancës së Madhe ushtarake antifashiste, pavarësisht mungesës së pranisë fizike të këtyre të fundit në Shqipëri.

Prandaj, është e padiskutueshme që populli shqiptar, në raport me pushtuesit fashistë italianë dhe ata nazistë gjermanë, ishte në luftë,  jo thjeshtë në rezistencë apo në përpjekje. Rezistenca dhe përpjekjet ishin pjesë e luftës, jo lufta vetë.

Luftë antifashiste e antinaziste apo luftë civile?!

Përpara pushtimit fashist shoqëria shqiptare nuk ishte në asnjë lloj lufte të brendshme. Përplasjet midis dy krahëve politike shqiptarë lindën vetëm pas pushtimit të vendit. Kjo është një rrethanë kyçe që meriton të përsëritet: përplasjet midis krahëve politikë të Shqipërisë u kushtëzuan vetëm nga prania e pushtuesve fashistë e nazistë.

Aksioma bashkëplotësuese është se Italia fashiste dhe Gjermania naziste nuk erdhën në Shqipëri të ngarkuara nga dikush, apo të vetëngarkuara për të shuar ndonjë luftë civile. Ata erdhën për hesape të tjera. (Le të sjellim në kujtesë vetë historinë tonë të vonshme kur, më 1997, përplasjet midis krahëve politikë në Shqipëri, po e çonin vendin në luftë civile. Kësaj radhe, po, Italia erdhi për ta shuar këtë luftë, por erdhi si Itali Gjeopolitike, jo si Itali Fashiste).

Institutet thonë se luftë civile mund të lindë edhe kur njëra palë është në qeverisje e pala tjetër lufton t’ia rrëmbejë asaj qeverisjen me dhunë. Por në vitet e Luftës së Dytë Botërore asnjeri nga grupimet politike shqiptare nuk ishte në qeverisje që, për rrjedhim, grupimi tjetër t’i shpallte luftë civile për t’ia marrë pushtetin. Prej 7 Prillit 1939 deri në fund të vitit 1944, vendi u pushtua dhe u qeveris nga pushtuesit. Qeveritë kukulla që instaloi pushtuesi, nuk e kishin dhe as që mund ta kishin legjitimitetin për t’u cilësuar si qeverisje.

Për më tej, lufta civile mund të lindë për shkaqe ekonomike, pabarazi apo shtypje sociale. Përplasja midis dy krahëve politikë shqiptarë nuk erdhi as për këto shkaqe.

Përplasja nuk erdhi dhe as që mund të vinte kurrë në Shqipëri për shkaqe diferencash etnike, gjuhësore, apo klanore, për të cilat edhe mund të shkaktohet një luftë civile.

Çka mbetet, prandaj, e padiskutueshme, është se, përplasjet me armë midis dy grupimeve politike shqiptare të kohës së Luftës së Dytë Botërore lidhen me një moment të caktuar: pushtimi fashist dhe nazist i vendit.

Por edhe brenda kuadrit të pushtimit, ka zhvillime domethënëse që vërtetojnë se përplasja midis dy grupimeve politike shqiptare nuk arriti të shndërrohet në luftë civile.

Së pari, është fakt se, deri në kapitullimin e Italisë, të gjitha krahët politikë shqiptarë u orvatën, si për të zhvilluar luftimet ndaj okupatorit fashist, ashtu edhe për mundësimin e marrëveshjeve midis tyre.

Me kapitullimin e Italisë dhe fillimin e pushtimit gjerman, mosmarrëveshjet dhe përplasjet sidomos midis dy krahëve politikë, Lëvizjes Nacional Çlirimtare dhe Ballit Kombëtar, erdhën duke u intensifikuar. Ndërsa udhëheqësia e Lëvizjes Nacional Çlirimtare udhëzoi rrugën e konfrontimit me kundërshtarët politikë, udhëheqësia e Ballit Kombëtar  (e, më vonë, edhe ajo e Legalitetit), zgjodhi fillimisht mosveprimin kundër pushtuesin nazist e, në vijim, të parapëlqejë bashkërendimin me këtë pushtues kundër Lëvizjes Nacional-Çlirimtare. Pikërisht në këto kushte lindën përplasjet që rrezikuan të rrëshqisnin në luftë civile. Ato u shfaqën kryesisht në formë vrasjesh terrorizuese deri edhe në grup pjesëtarësh apo simpatizantësh të palëve kundërshtare, por edhe në formën e konfrontimeve të hapura luftarake midis dy krahëve të armatosur, ku mbetën të vrarë dhjetëra ballistë e partizanë.

Gjithsesi, zor se këto përplasje mund të cilësohen si “luftë civile”. Sikurse e shqyrtuam, asnjë institut dhe asnjë definicion serioz nuk e pranon që, në Shqipëri, në prag dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore të kishte premisë për luftë civile. As konfrontimet si më sipër nuk arritën në nivelin që njëra palë t’i diktojë palës tjetër vullnetin me armë.

Për më tej akoma, në një luftë civile, si rregull, bëhet e domosdoshme që të krijohen zonat përkatëse territoriale të krahëve politikë, nga ku secili grupim siguron influencë, autoritet, resurse njerëzore, materiale e financiare. Në kushtet e pushtimit dhe të administratës ushtarake italiane apo gjermane në Shqipëri, një ndarje apo identifikim i tillë territorial midis grupimeve politikë shqiptarë ishte i pamundur. Për rrjedhim, terreni për luftë civile ishte, nëse jo krejt i pamundur, të paktën, shumë i kufizuar.

Më në fund, një luftë gjykohet edhe nga numri i të rënëve. Numri prej dhjetëra të vrarësh midis krahëve të armatosur të organizatave politike shqiptare është, natyrisht, shumë i dhimbshëm. Ky numër flet gjithashtu se konflikti politik u përcoll edhe si konflikt civil dhe ky i fundit rrezikoi të përshkallëzohej edhe si luftë civile. Gjithsesi, ky numër nuk mund të krahasohet aspak me mijërat e dëshmorëve nga të gjitha forcat që u angazhuan në luftë kundër pushtuesve.

Katalizatori: diferenca në qëndrimin ndaj pushtimit

Çka diferencoi organizatat politike në Shqipërinë e kohës së luftës ishte pikërisht qëndrimi ndaj pushtimit. Qëndrimi ndaj pushtimit dhe ndaj pushtuesit ishte alternativa e ditës, jo vetëm në Shqipëri, por në tërë Evropën e në botë. Pushtuesi intrigoi forcat dhe personalitetet politike, intelektuale, fetare, qytetarët e fshatarët në tërë vendet evropiane dhe këta, detyrimisht, u përfshinë në përzgjedhjen “me” apo “kundër” pushtimit. Prej këtej lindën renditjet në aleanca politike, grupe e grupime. Prej këtej lindi Aleanca aspak e çuditshme e demokracive perëndimore me Bashkimin Sovjetik komunist. Prej këtej lindi edhe në Shqipëri aleanca fillestare midis Ballit Kombëtar, Legalitetit e forcave të tjera politike të krahut të djathtë me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare të udhëhequr nga Partia Komuniste si krah i majtë.

Në luftë e sipër, normalisht, u kristalizua edhe paslufta. Kështu, në luftë e sipër, u kristalizuan qëllimet sovjetike për përhapjen e komunizmit, ashtu sikurse u kristalizuan edhe detyrimet perëndimore për ta ndaluar këtë epidemi. Por Perëndimorët nuk e pushuan luftën kur nuhatën ambiciet Sovjetike. Prandaj e hapën Frontin e Dytë, që të ndalonin komunizmin të vinte deri në Itali e Francë siç ishin ambiciet e tij.

Përkundrazi, në Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore nuk zuri dot vend kjo kulturë gjeopolitike.  Në vend të saj u kristalizua, shumë herët madje, kultura e garës për pushtet. Udhëheqësia komuniste që e përvijoi këtë ambicie, e kanalizoi, sidoqoftë, në rrugën e rritjes së kontributit në luftën kundër pushtuesit. Në të kundërt, organizatat politike shqiptare të krahut të djathtë, edhe pse e nuhatën këtë ambicie të udhëheqësisë komuniste, nuk ndërmorën veprime të mjafta konkurruese me kontribute luftarake kundër pushtuesit. Vetëm një konkurrencë të tillë do të mund t’i identifikonte ato vetvetiu si bashkëdiktuese në zhvillimet e pasluftës. Për fatkeqësinë e vendit, por edhe të tyre, kur lufta shkonte drejt përfundimit, organizatat politike të krahut të djathtë dhe krahët e tyre të armatosur u tkurrën, pikërisht në një kohë kur Lëvizja Nacional-Çlirimtare erdhi duke u shumuar e forcuar.

Shumëkush mbahet pas idesë se, veçanërisht pushtuesit gjermanë erdhën në Shqipëri në kuadër të tërheqjes strategjike, rrjedhimisht si kalimtarë e, prandaj, do të duhej të mos i ngacmonim! Kësisoj, ngatërrohen, me ose pa qëllim, nocionet juridike me ato ushtarake, përkatësisht armëpushimi, dorëzimi apo kapitullimi si kategori juridike me tërheqjen në luftim si kategori ushtarake. Nuk besoj se ka mendje të kthjellët të gjykojë se pushtuesit fashistë erdhën si kalimtarë në Shqipëri, apo që gjermanët erdhën në Shqipëri vetëm në kuadër të tërheqjes strategjike. Le të kujtojmë se Hitleri, u detyrua ta fillojë pothuajse në pragdimër Operacionin “Barbarossa” kundër Ish Bashkimit Sovjetik me vetëm 152 divizione ushtarake nga 181 divizione që u planifikuan fillimisht, domethënë me 29 divizione më pak, të cilat i angazhoi për të vënë nën kontroll Ballkanin, duke humbur kështu muajt e artë të pranverës në këtë rajon ku Shqipëria përbënte një ndër nyjet kyçe strategjike. (Shkruhet se Fyhreri, në gjendje ekstaze, është shprehur: Më kthe, o Zot, javët që humba në Ballkan!)

Natyrisht pushtuesit mund të vepronin edhe si “kalimtarë” apo “në tërheqje”. Por teoritë ushtarake, jo vetëm ato shqiptare, i rendisin “tërheqjen” dhe “kalimin” thjeshtë si kategori luftimi: një forcë ushtarake, ashtu siç mund të sulmojë, ashtu edhe mbrohet, ashtu edhe tërhiqet, e po ashtu marshon, grupohet, rigrupohet, etj. “Tërheqja” apo “kalimi” nuk janë kategori juridike dhe nuk mund të barazohen me nocionet juridike “armëpushim”, “dorëzim”, apo “kapitullim”. Vetëm nëqoftëse luftimi ndalon për efekt të armëpushimit, dorëzimit apo kapitullimit, atëherë lindin të tjera detyrime nga legjislacioni ndërkombëtar i luftës dhe kush i shkel ato, vjen koha e dënohet. Luftimi nuk mund të ndalohet për shkak të tërheqjes apo kalimit të pushtuesit në territorin kombëtar të tjetërkujt. Përndryshe, i bie që as Anglo-Amerikanët e as Sovjetikët nuk duhet të shkonin deri në Berlin!

Fashizmi nuk është Italia Gjeopolitike, as Nazizmi nuk është Gjermania Gjeopolitike!

Vijmë te barazimi apo përzierja e Italisë Fashiste me Italinë Gjeopolitike dhe e Gjermanisë Naziste me Gjermaninë Gjeopolitike. Sipas kësaj mendjeje, meqenëse Italia është aleati ynë i përhershëm natyral dhe gjeopolitik, e po kështu edhe Gjermania, atëherë do të duhet të ishim menduar mirë për të përcaktuar qëndrimin ndaj fashizmit e nazizmit të cilët pushtuan Shqipërinë, për më tepër që këta garantuan edhe Shqipërinë e Madhe! Mendja që udhëhiqet nga kjo tezë, nuk thotë se cili do mund të kishte qenë qëndrimi, por pak a shumë le të nënkuptohet se qëndrimi më i dobishëm do mund të kishte qenë “asnjanësia”. Sipas kësaj mendjeje qëndresa apo lufta e organizuar “do t’i egërsonte italianët e gjermanët” e, për rrjedhim, “Shqipëria do kishte humbje të kota në resurse njerëzore e në pasuri materiale”, prandaj asnjanësia do mund të kishte qenë alternativa më e mirë.

Sigurisht që historia nuk bëhet me “sikur” dhe askush nuk mund të thotë se cili do kishte qenë drejtimi i ngjarjeve të mëtejshme në rast se qeveria shqiptare e pragluftës do të kishte deklaruar asnjanësinë. Por realitetet flasin që Shqipëria nuk mund të shpëtonte për të qenë e lirë nga kombinacionet politike, gjeopolitike e ushtarake të kohës. Koha kërkonte që udhëheqësia e vendit të përqendrohej në botën reale gjeopolitike dhe jo në pandehma pritëse idealiste.

Historikisht, Italia, së bashku me Austrinë, për interes gjeopolitik dhe jo vetëm, kanë qenë të interesuara që Shqipëria natyrale të ekzistojë. Ashtu sikurse edhe Shqipëria natyrale e ka pasur interes vital përkrahjen, mbështetjen dhe ndihmën e Italisë Gjeopolitike dhe të Austrisë Gjeopolitike. Por kësaj radhe, në Luftën e Dytë Botërore, Italia, e pushtuar për vete nga fashizmi, e pushtoi Shqipërinë jo për të siguruar ekzistencën e Shqipërisë, se atë e kishte pasur nën kontroll absolut pothuajse në tërë periudhën e Monarkisë së Mbretit Zog, por për të kapur hapësira të tjera duke u nisur nga territori shqiptar. Musolini ishte shprehur me kohë se Italia nuk duhet të mbetej “e burgosura” e Mesdheut. Përkundrazi, Italia duhet të kapte hapësira jetësore për dalje në Oqeanin Indian e Oqeanin Atlantik. Ai do ta shprehte këtë doktrinë fare qartazi pas takimit me Hitlerin në Firence, pas të cilit do t’i shkruante Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Marshall Badolios se “ne do të shohim se cila nga dy shtyllat e Mesdheut duhet të bjerë e para: Egjypti apo Greqia”.

Ndërkohë, Gjermania Gjeopolitike, pasardhëse gjeopolitike e Austrisë, e kështu me të njëjtën “gjatësi vale” me paraardhësen e saj, mbetet e interesuar që Shqipëria të ekzistojë, madje të faktorizohet në Ballkan. Sidoqoftë, Gjermania e Luftës së Dytë Botërore, e pushtuar për vete nga nazizmi, e pushtoi Shqipërinë jo për të siguruar ekzistencën e Shqipërisë, por pikërisht në kuadër të ashtuquajturës “lebensraum” – hapësira territoriale shtesë që duheshin pushtuar si domosdoshmëri për mbijetesën kombëtare apo rritjen e kombit dhe të tregtisë gjermane.

Interesi kombëtar i Shqipërisë në ato momente delikate ishte që, midis dy alternativave “Me Italinë Gjeopolitike” apo “kundër Italisë Fashiste”, të përzgjidhej kjo e dyta, sepse Italinë gjeopolitike këtu e kemi, përjetësisht. Shtatëdhjetë kilometra na ndajnë, por na bashkojnë rrënjët e degët. Po kështu, interesi kombëtar i Shqipërisë në ato momente ishte që, midis dy alternativave “Me Gjermaninë Gjeopolitike” apo “kundër  Gjermanisë Naziste”, të përzgjidhej kjo e dyta, sepse Gjermania Gjeopolitike e ka treguar me kohë dhe po e tregon edhe sot disponimin e qëndrueshëm për faktorizimin e Shqipërisë e të kombit shqiptar. Në këtë kuadër, mjafton të kujtojmë se edhe vetë Gjermania Gjeopolitike e Italia Gjeopolitike e dënuan përjetësisht nazizmin e fashizmin.

Merita e një klase politike është të gjejë orientimin e duhur kur formësohen aleanca strategjike të cilat përcaktojnë të nesërmen dhe fatet e vendeve të vogla. Që prej vitit 1920 u shpall qartazi se mbrojtësit natyralë të vendeve të vogla, midis tyre Shqipëria, ishin demokracitë e mëdha si SHBA e të tjerë, jo fashizmi, as nazizmi. Pikërisht me mbrojtësit e mëdhenj natyralë, për më tepër me demokraci të qëndrueshme, lindin e duhet të lindin aleanca strategjike.

Ndërkohë, përballë rrezikut fashist e nazist lindi edhe nevoja e përzgjedhjes së aleancave taktike. “I dashuri Stalin” i Ruzveltit ishte i tillë pikërisht në emër të kësaj përzgjedhjeje taktike, me qëllim thyerjen e Gjermanisë naziste e Italisë fashiste. Por kjo përzgjedhje e përkohshme nuk parakuptonte që SHBA do të sakrifikonte Gjermaninë Gjeopolitike apo Italinë Gjeopolitike. Përkundrazi, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Italisë Gjeopolitike do t’i bëhej ftesë të bashkohej në Samitin e Uashingtonit për të bashkëthemeluar Aleancën e vendeve demokratike të NATO-s. Pak vite më vonë kësaj Aleance do t’i bashkohej edhe Gjermania Gjeopolitike.

Kësisoj, popujt nuk kanë mbijetuar vetëm për hir të përzgjedhjeve të përhershme strategjike, por edhe përmes përzgjedhjeve të përkohshme taktike. Çurçilli, për shembull, ishte një antikomunist klasik. Por kjo bindje nuk e pengoi atë që, sipas një shprehjeje të perifrazuar të tij, të bënte aleancë edhe me djallin për të shpëtuar Anglinë!

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA