Pasojat e skemës së kërkesë-regjistrimit të studentëve

Lëvizja Për Universitetin
05/04/2017 - 09:07
Shënim: në shumë raste, dhe në mënyrë të përsëritur, “Lëvizja për Universitetin”, pjesë e protestave të se cilës kemi qenë edhe ne, përdor akuzën “politika klienteliste”. Kjo është një akuzë që përdoret nga partitë borgjeze në pushtet. Ato e përdorin qëllimshëm që të tregojnë se kur ato të vijnë në pushtet, nuk do të jenë ‘klienteliste’. Por kjo akuzë zhvendos edhe vëmendjen e publikut nga karakteri juridik i këtyre politikave: se ato janë, në sytë e drejtësisë, së pari ‘kriminale’. Kështu me një term zhvendosin vëmendjen e publikut nga karakteri juridik që kanë këto politika dhe nënkuptojnë se ata nuk do të jenë —nëse vijnë në pushtet— “klientelistë”...
Pas publikimit të udhëzimin nr. 13, me datë 22 korrik 2016 nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në të cilin përcaktoheshin procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në universitete, dhe pas miratimit të kritereve të pranimit në to nga ana e senateve akademike, studentët u gjenden përballë një situate të panjohur dhe të paparashikuar prej tyre. Qe pikërisht ndryshimi i papritur i kritereve dhe përdorimi i formulës së re (raundet dhe post-raundet e shumta) nga MAS, e cila krijoi një situate kaotike dhe pasigurie te studentët. Kështu, me këtë pyetësor synojmë të hetojmë ndikimin që pati ndryshimi i kritereve dhe mënyrës së regjistrimit te studentët.
Metoda që kemi zgjedhur për ta paraqitur këtë gjendje nuk është ajo e analizës së drejtpërdrejtë të formulës apo kritereve në vetvete, por vëzhgimi dhe analizimi i pasojave dhe ndikimit që formula dhe kriteret e reja kanë pasur te studentët. Pyetja e direkte e vetë studentëve është mënyra më e përshtatshme për të pasur një panoramë sa më të gjerë dhe sa më të qartë të gjendjes së përgjithshme të krijuar nga formula dhe kriteret e regjistrimit në universitete. Në këtë mënyrë, procesi i regjistrimit duhet vlerësuar në raport me ndikimin që ai ka pasur te studentët dhe mbi bazën e mënyrën se si është proceduar në aplikimin e tij. Pasojat e këtij procesi jemi përpjekur t’i matim me anë të një pyetësori i cili përmban si pyetje sasiore ashtu dhe cilësore, gërshetimi i të cilave na ndihmon që problemin ta rrokim në tërësinë e tij, si në aspektin formal, të matshëm në mënyrë sasiore, ashtu edhe në atë subjektiv.
Sikur të jetonim në një vend normal, një hulumtim i tillë do duhej të ishte kryer tashmë nga institucionet përgjegjëse, siç është MAS-i apo institucionet vartëse të saj, në mënyrë që këto të fundit të kishin një panoramë të qartë rreth pasojave që formula e re e përdorur apo i tërë procesi ka pasur te studentët.
TË DHËNA TË PËRGJITHSHME
Numri total i studentëve të intervistuarve është 385. Mes tyre 91 intervista janë të plotësuar online, në mënyrë elektronike, gjë që na ka dhënë mundësinë që të arrijmë edhe studentë nga universitete qyteteve të ndryshme. Kështu, 16.4 % e të intervistuarve janë studentë nga Universiteti “Fan. Noli” i Korçës, “Luigj Kurakuqi” i Shkodrës, “ Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit, “ Aleksandër Moisiu” i Durrësit dhe “ Ismail Qemali” i Vlorës. Pjesa tjetër janë nga Universitetit i Tiranës, Universiteti Mjekësor i Tiranës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe nga universitetet e ndryshme private.
- 5 % janë studentë që banojnë në Tiranë.
- 5 % janë studentë që banojnë në qytete të tjera.
- 6% e studentëve janë regjistruar në universitetet e Tiranës.
- 4 % e studentëve janë regjistruar në universitetet e qyteteve të tjera.
Në vijim po shtjellojmë pyetjet konkrete të pyetësorit.
1) A ju duket i drejtë ndryshimi i kritereve në muajin shkurt? 2) A janë vendosur në mënyrë të drejtë kriteret nga universitetet?
Sipas 86 % të studentëve ndryshimi i kritereve është i padrejtë. (Fig. 1)
E njëjta situatë është edhe për sa i përket pyetjes së dytë, ku për 72 % të studentëve kriteret nuk janë vendosur në mënyrë të drejtë. (Fig. 2)
Arsyeja kryesore se përse ish-maturantët e vlerësojnë negativisht si ndryshimin e kritereve, ashtu edhe futjen e kritereve të reja buron nga fakti se i tërë mundi, e tërë përgatitja dhe thellimi disavjeçar në njohuritë e tyre në lëndë të caktuara, që me sistemin e mëparshëm përbënin kriter kryesor për t’u regjistruar në degën e preferuar, nuk janë marrë pothuajse aspak në konsideratë nga senatet e universiteteve gjatë caktimit të kritereve të reja. Megjithatë, në thelb, ky penalizim vjen si pasojë e shpalljes me vonesë të kritereve nga ana e universiteteve. Diçka e tillë ua ka pamundësuar maturantëve të përshtatnin pozitivisht studimet e tyre në përputhje me kriteret e reja. Sipas studentëve kriteret do duhej të ishin shpallur shumë kohë më përpara, në mënyrë që ata të kishin mundësi të zgjidhnin lëndët që përputheshin me kriteret e vendosura apo të përqendroheshin më shumë në kriterin i cili kishte peshën më të madhe në degën që ata preferonin.
Për sa u përket kritereve, siç dihet, ato ndryshonin nga një universitet në tjetrin. Për shembull në kriteret e shpallura nga Senati akademik i Universitetit të Tiranës, 50 % të peshës e zinte mesatarja e shkollës së mesme dhe 50 % nota mesatare e grup-lëndëve të vendosura nga fakultetet. Universiteti i Mjekësisë kishte tri kritere: mesataren e shkollës së mesme, mesataren e maturës shtetërore dhe atë të lëndëve formuese. Në Universitetin Politeknik të Tiranës 70 % të peshës e kishte mesatarja e përgjithshme, ndërsa 30 % nota në Matematikë, Fizikë dhe Kimi. Sikur këto kritere të mos dilnin në shkurt, por më përpara, studentët do kishin pasur mundësi për të bërë ndërhyrjet përkatëse, sipas kritereve të degëve të preferuara.
3) A kanë qenë pjesë e kritereve lëndët me zgjedhje?
Situata qartësohet më tej nga përgjigjet e pyetjes nëse kanë qenë ose jo pjesë e kritereve lëndët me zgjedhje (Fig. 3). Rreth 50 % e studentëve përgjigjen se lëndët me zgjedhje nuk kanë qenë pjesë e kritereve, ndërsa 41.4 % përgjigjen se kanë qenë, çka tregon se rreth gjysma e maturantëve është penalizuar nga kriteret e reja pasi ato nuk kanë marrë parasysh lëndët me zgjedhje.
4) A jeni penalizuar në renditje nga mospërfshirja në kritere e lëndëve me zgjedhje?
Për të kuptuar më qartë ndikimin që përcaktimi i kritereve ka pasur në zgjedhjet e studentëve, i kemi pyetur ata nëse janë penalizuar ose jo nga mospërfshirja në kritere e lëndëve me zgjedhje (Fig. 4). Rreth 73.9 % e studentëve janë përgjigjur se janë penalizuar, kurse shifra e të papenalizuarve arrin në 20.8 %. Meqenëse maturantët u kanë kushtuar shumë kohë dhe mund këtyre lëndëve, ata kanë edhe notat më të mira në këto lëndë, gjë që do të përbënte një plus të madh po të merreshin në konsideratë. Mospërfshirja e këtyre lëndëve në kritere duket se ka pasur një ndikim të madh edhe në fitimin e degës së preferuar, pasi nga të dhënat rezulton se rreth 64 % e tyre nuk e kanë fituar preferencën e parë. Përveç kësaj, 70 % e atyre që janë penalizuar nga mospërfshirja në kritere e lëndëve me zgjedhje, përgjigjen që e kanë fituar degën e tyre vetëm pas raundit të parë. Kjo tregon qartë se ç’ndikim të madh ka pasur mospërfshirja në kritere e lëndëve me zgjedhje.
Figura 4. A jeni penalizuar në renditje nga mospërfshirja në kritere e lëndëve me zgjedhje?
5) A kanë ndikuar në mesataren tuaj lëndët me zgjedhje që nuk janë zhvilluar në gjimnazin tuaj?
Në përcaktimin e mesatares një ndikim të madh kanë luajtur edhe lëndët me zgjedhje që nuk janë zhvilluar në disa gjimnaze (Fig. 5). Kështu, 74.4 % e studentëve janë përgjigjur se këto lëndë kanë ndikuar në mesatare. Në fakt nëse e shohim në raport me fitimin e degës së preferuar, vërejmë se rreth 65% e tyre janë përgjigjur që nuk e kanë fituar degën e preferuar. Lëndët që nuk janë zhvilluar nëpër disa gjimnaze kanë pasur një peshë të madhe në përcaktimin e mesatares. Vlen për t’u përmendur që studentët në fjalë vijnë si nga Tirana (58.8 %) ashtu edhe nga qytetet e tjera (41.2%), çka do të thotë se për sa i përket moszhvillimit të lëndëve me zgjedhje nuk përbën ndonjë dallim nëse studion në një gjimnaz të Tiranës apo të rretheve.
6) A ju duket e drejtë vendosja e mesatares të përgjithshme në kriteret pranimit?
Për sa i përket pyetjes mbi vendosjen e mesatares së përgjithshme në kriteret e pranimit, 66.4 % janë përgjigjur që u duket e drejtë (Fig. 6). Vendosja e mesatares mes kritereve të pranimit është cilësuar si e drejtë pasi i jep një peshë të madhe studimeve dhe përpjekjeve disavjeçare të maturantëve. Universiteti Politeknik i Tiranës në këtë aspekt është universiteti që i jep më shumë peshë mesatares së shkollës së mesme, me 70 % të pikëve.
7) Si e vlerësoni në tërësi formulën e regjistrimit (raundet, ndryshimin e tyre)?
Për ta sqaruar më mirë këtë pyetje le të bëjmë një eksursus të asaj që ka ndodhur specifikisht me vendimet e MAS-it për sa i përket procesit të regjistrimit, formulës, raundeve e me radhë.
Më 22 korrik 2016 , Ministria e Arsimit dhe Sportit publikon në faqen e saj zyrtare udhëzimin nr. 13, ku përcaktoheshin procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në universitete. Sipas këtij udhëzimi, për të aplikuar në programet e studimit të ciklit të parë kandidatët duhet të hynin në Portalin e Maturës Shtetërore dhe aty mund të zgjidhnin deri në 10 programe studimi nga lista e IAL-ve publike dhe jopublike (ose universitetet private). Pas kryerjes së procesit të përzgjedhjes IAL-të duhet të publikonin listat përfundimtare të fituesve brenda datës 12. 9. 2016. Të gjithë kandidatët që ishin shpallur fitues, pra që u rezultonte emri në këto lista, dhe donin të vazhdonin studimet në degën e preferuar, nga data 13 deri me 20 shtator 2016 duhet të kryenin regjistrimin në një prej degëve.
Pas mbylljes së raundit të parë, udhëzimi përcaktonte edhe procedurën e aplikimit dhe regjistrimit në raundin e dytë, sipas të cilit kandidatët që nuk ishin shpallur fitues në raundin e parë kishin të drejtën të riaplikonin përsëri në 10 degë studimi. Procesi i aplikimit në këtë raund zgjaste nga data 22 deri më 29 shtator. Pas shpalljes së fituesve udhëzimi përcaktonte se nga data 16 deri me 20 tetor kandidatët duhet të regjistroheshin në një nga programet ku ishin shpallur fitues.
Mangësia e kësaj formule, gjë që ua kemi thënë edhe përfaqësuesve të MAS, është se me udhëzimin nr. 13 do të duheshin një numër shumë i madh raundesh për të regjistruar shumicën e maturantëve. Fatkeqësisht diçka e tillë nuk u pranua zyrtarisht nga funksionarët e ministrisë. Megjithatë, nxjerrja dhe fshirja e njëpasnjëshme e udhëzimeve tregon se gjendja ishte vërtetë kaotike, çka na dha të drejtë në paralajmërimet tona.
Kështu, më datë 7. 10. 2016, MAS-i nxjerr udhëzimin nr. 24 i cili ndryshonte pothuajse tërësisht udhëzimin nr. 13. Sipas tij “kandidatët të cilët nuk janë regjistruar brenda datës 16 tetor 2016 konform përcaktimeve të këtij udhëzimi humbin të drejtën për t’u regjistruar në fazat e mëtejshme të parashikuara më poshtë në programet e studimit ku ata rezultonin fitues gjatë raundit të dytë.” – ky është një paragraf, që në ndryshim nga udhëzimi fillestar, i pastron listat nga fituesit e paregjistruar. Sipas Lëvizjes Për Universitetin, ky udhëzim shkatërronte tërësisht konceptin e meritë-preferencës të cilin MAS-i dhe qeveria e kishin trumbetuar me shumë zell. Për ta kuptuar më qartë po ju sjellim një shembull:
“Lindita është një maturante që dëshiron të studiojë Mjekësi të Përgjithshme, ajo ka grumbulluar 955 pikë në këtë program studimi, por renditet 8 pozicione poshtë vijës së kuqe në raundin e dytë. Ndërkohë, në raundin e dytë ajo ka fituar në programe të tjera studimi, për shembull Stomatologji me po 955 pikë, degë të cilën Lindita në dëshirat e saj e ka si preferencë të dytë. Tashmë, Lindita gjendet përballë një dileme të madhe, që paraqet mundësi e rreziqe. Opsioni i parë: Ajo dëshiron Mjekësi, por që të vijojë garën duhet të heqë dorë nga Stomatologjia – dhe gjithë degët e tjera ku ka fituar – sipas udhëzimit 24, duke rrezikuar në këtë mënyrë të mos fitojë as njerën e as tjetrën për shkak se vija e kuqe në programin e studimit Mjekësi mund të zbresë për shembull vetëm me 4 pozicione. Më keq akoma, ndoshta Lindita mund edhe të mbetet pa shkollë nëse Mjekësia është e vetmja degë ku ajo mund të konkurronte pas raundit të dytë. Ndërkohë në Stomatogji, pas zbritjes së vijës së kuqe, është regjistruar një student tjetër, Plarenti, me 945 pikë, duke pasur më pak pikë se Lindita. Opsioni i dytë: ndoshta, Lindita e frikësuar nga kjo panoramë e opsionit të parë vendos të mos rrezikojë dhe vendos të regjistrohet në Stomatologji. Por, në fazën pasardhëse ajo shikon se vija e kuqe në mjekësi ka zbritur me 15 pozicione dhe, nëse do kishte guxuar, ajo do të ishte fituese. Për fatin e saj të keq, vendin e saj e ka zënë Edi, Iliri, Nora, etj., që të gjithë me më pak pikë se Lindita.”
Përveç kësaj, Udhëzimi nr. 24 e ndante 4-ditëshin në dy faza, ku faza e parë në thelb paraqiste të njëjtat dilema e rreziqe që treguam për raundin e dytë, pasi edhe këtu maturantët që nuk regjistrohen në degët ku janë fitues e humbasin të drejtën të vijojnë garën në po këto degë në fazën e fundit.
Më tej MAS nxori Udhëzimin 24/1, i cili e shtynte regjistrimin deri në datën 27 tetor. Sipas udhëzimit, i gjithë procesi i regjistrimit duhej mbyllur në datën 1 nëntor, në një kohë kur nëpër fakultete kishte vende bosh dhe maturantë pa një universitet.
Ajo që aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin kanë thënë që në fillim, nëpërmjet shkrimeve dhe daljeve publike në media, është se skema e re e aplikimit dhe regjistrimit në universitete jo vetëm që u jep përparësi universiteteve private, por, si pasojë e ngatërresave të domosdoshme për të çuar ujë në mullinjtë e këtyre të fundit, prodhon padrejtësi, pasiguri e çoroditje të shumanshme te maturantët.
Kështu, pyetjes se si e vlerësoni në tërësi formulën e regjistrimit (Fig. 7), 41.4 % e studentëve janë përgjigjur që e vlerësojnë si shumë të keqe dhe 27.34% si të keqe. Në tërësi janë mbi 68 % e studentëve që e cilësojnë formulën e re si të keqe ose shumë të keqe, gjë që hedh poshtë çdo pretendim të ministres, zyrtarëve të tjerë të ministrisë dhe kryeministrit për një proces të ri regjistrimi të suksesshëm, meritor dhe të drejtë.
8) A jeni regjistruar në presion në raundin e dytë e më pas? (Ndryshimi i udhëzimit 13: nëse nuk regjistroheshit në një program studimi ku ishit shpallur fitues e humbisnit mundësinë e atij programi në fazat e mëvonshme.)
Siç e përmendëm edhe më lart, më 7. 10. 2016, MAS-i nxjerr udhëzimin nr. 24 i cili ndryshonte pothuajse tërësisht udhëzimin nr. 13, sipas të cilit “ kandidatët të cilët nuk janë regjistruar brenda datës 16 tetor 2016 konform përcaktimeve të këtij udhëzimi humbin të drejtën për t’u regjistruar në fazat e mëtejshme të parashikuara më poshtë në programet e studimit ku ata rezultonin fitues gjatë raundit të dytë.” Sipas Lëvizjes Për Universitetin, pikërisht ndryshimi i këtij udhëzimi ka shkaktuar kaos dhe pasiguri të madhe në zgjedhjet e studentëve. Kështu, pyetjes nëse janë regjistruar ose jo në presion në raundin e dytë e më pas, 65 % kanë pohuar se janë regjistruar në ndikimin e presionit (Fig. 8).
Se në ç’mënyrë ka ndikuar ky presion, e nxjerrim nga analiza e të dhënave, sipas të cilave 71.4 % e studentëve që janë regjistruar në një universitet privat e kanë bërë në presion. Frika dhe presioni se mos humbisnin të drejtën për të studiuar i ka shtyrë shumë studentë që të bënin një zgjedhje të cilën nuk do ta kishin bërë në një situatë normale. Lëvizja Për Universitetin e ka thënë që në krye të herës që e gjithë skema e regjistrimit në thelb të saj kishte krijimin e një gjendje kaotike e cila do t’i shtynte maturantët, në presionin dhe frikën e humbjes së të drejtës për të vazhduar universitetin (siç dëshmojnë ata vetë), që të aplikonin e të regjistroheshin në universitetet private.
9) A e fituat atë preferencën tuaj të parë ?
Për sa i përket pyetjes mbi preferencën, nga të dhënat rezulton se 60.4 % e studentëve nuk e kanë fituar preferencën e tyre të parë, ndërsa e kanë fituar atë 19.2% e tyre (Fig. 9).
Përkundër deklaratave të panumërta mediatike të ministres dhe kryeministrit, në të cilat trumbetohej me zë të lartë suksesi i madh i formulës së re në lidhje me meritën dhe preferencën, shohim që në realiteti qenka krejtësisht ndryshe. Procesi i regjistrimit, me formulën e re, raund pas raundi u mundësonte vetëm një numri të vogël studentësh që të zgjidhnin degën e preferuar dhe të shpalleshin fitues, dhe linte jashtë skemës një numër të madh studentësh të cilët e meritonin të ishin fitues. Ndërkohë, programe studimi që në të shkuarën kanë qenë shumë të preferuara, si për shembull Farmacia, nuk arritën t’i plotësonin kuotat, për shkak të mungesës së aplikantëve, të cilët prej panikut u regjistruan në programe të tjera studimi. Në anën tjetër, në programe që në të shkuarën kishin si kufi real të pranimit mesatare shumë të larta, si për shembull disa degë inxhinierike dhe ekonomike, këtë herë rezultuan me mesatare shumë të ulët. Kjo nënkupton se shumë studentë që i kanë preferuar këtë programe, nuk kanë arritur të regjistrohen në to, por kanë nxituar prej panikut të regjistrohen në degë të tjera më pak të preferuara.
10) Në cilin raund e fituat degën në të cilën jeni të regjistruar aktualisht?
Siç dihet, procesi në fillim kishte vetëm dy raunde aplikimi dhe tre faza regjistrimi (një pas raundit të parë dhe dy pas të dytit). Me zhvillimin e procesit u shtuan edhe disa faza të tjera, të cilat nuk ishin parashikuar nga zyrtarët e ministrisë, por që qenë të domosdoshme për të regjistruar shumicën e studentëve të cilët, për shkak të keqfunksionimit të formulës, kishin mbetur pa të drejtë studimi në universitete. Kështu, nga pyetësorët rezulton të jenë rreth 74 % studentët që e kanë fituar universitetin në raundin e dytë dhe në postraundet e tij, dhe një pjesë e konsiderueshme pas 20 tetorit, data në të cilën ministria parashikonte ta mbyllte procesin (Fig. 10).
11) A keni aplikuar në raundin e dytë në universitete private?
Pyetjes nëse kanë aplikuar apo jo në një universitet privat, vetëm 16.9 % e studentëve i janë përgjigjur pozitivisht. Shqetësimi që kemi ngritur në krye të herës bazohej në faktin që ishte pikërisht formula e cila, pas raundit të parë, për shkak të amullisë dhe pasigurisë që shkaktonte, i shtynte studentët të aplikonin dhe të regjistroheshin në një universitet privat pa dëshirën e tyre (tarifat e larta dhe mungesa e degëve të rëndësishme të studimit). Kështu, nga këta 16.9% studentë, që janë shprehur se kanë aplikuar në një universitet privat, 98% e tyre e kanë bërë këtë vetëm në raundin e dytë dhe në post-raunde (Fig. 11). Po të marrim në konsideratë faktin se universitetet private kanë pasur gjithnjë kuota të lira dhe, ndryshe nga universitetet publike, aty nuk funksiononte vija e kuqe që i digjte studentët, sa më e largët të ketë qenë dita e regjistrimit të studentëve në to, aq më tepër vërtetohet hipoteza se studentët që janë regjistruar në to e kanë bërë vetëm nga halli: nga frika e të mbeturit pa shkollë në kushtet ku kuotat e universiteteve publike ishin pjesërisht të bllokuara.
12) Nëse po, a jeni shpallur fitues në ndonjë degë prej tyre?
Përkundër asaj ç’ndodhte me studentët që aplikonin në universitetet publike të cilët, bazuar në kriteret ose kuotat, mund të mos shpalleshin fitues, në universitete private rezulton se 94 % e atyre që aplikonin shpalleshin fitues në një degë prej tyre, ndërsa vetëm 1.5 % nuk shpalleshin fitues (Fig. 12). Kjo me shumë gjasë vjen prej faktit që kriteret e aplikimit në këto universitete ose kanë qenë lehtësisht të ndryshueshme sipas dëshirës së pronarit apo rastit, ose nuk kanë ekzistuar fare. Përveç kësaj, një tjetër arsye mund të gjendet në mosrespektimin e numrit të kuotave nga ana e këtyre universiteteve, çka do përbënte një shkelje të rëndë të vendimeve dhe rregullave, për shkak se kuotat e çdo dege përcaktohen nga MAS-i mbi bazën e kapaciteteve efektive (salla mësimi e studimi, numër pedagogësh, etj.) që kanë në dispozicion universitetet.
Një fakt tjetër shqetësues është se nga të dhënat e pyetësorit vërehet që ka të regjistruar në universitetet private të cilët nuk kanë aplikuar në një universitet të tillë, çka do të thotë se këto universitete, përsëri në kundërshtim me rregullat, kanë regjistruar studentë edhe pa qenë të regjistruar.
Gjatë procesit të regjistrimit, siç tregohet në denoncimin publik të bërë nga Lëvizja Për Universitetin më 20 tetor, u pa që universitetet private kishin përdorur një skemë korruptive të shtimit të kuotave fiktive për të rritur numrin e studentëve (shih fotot më poshtë).
Siç dihet, Ministria e Arsimit dhe Sportit ndërtoi një skemë regjistrimi që u mundësonte studentëve të ndiqnin online se kur shpalleshin fitues në një degë të caktuar dhe sa larg ishin prej degëve të tjera të preferuara. Kur lista e fituesve binte derisa prekte emrin e tyre, sistemi ia nxirrte atë degë me ngjyrë të gjelbër duke i dhënë mundësi maksimumi 48 orë për t’u regjistruar. Nga ana tjetër, në adresën https://klasifikimi.ualbania.rash.al/ ministria kishte ndërtuar një tabelë elektronike ku në njërën kolonë ishin kuotat që ajo u kishte miratuar universiteteve degë pas dege dhe në tjetrën kuotat e lira, pra sa vende bosh kishin ngelur nga të regjistruarit deri në fazën aktuale. Logjika e thjeshtë do që kuotat e lira të jenë të barabarta ose më të vogla se numri i përgjithshëm i kuotave në çdo degë.
Po çfarë ndodhi? Në të gjitha universitetet publike (hiq disa raste në Universitetin e Arteve) kuotat e lira ishin më të pakta se kuotat e përgjithshme. Sakaq, pothuajse në të gjitha universitetet private, në shumë degë të tyre kuotat e lira rezultonin më të mëdha se numri i kuotave të miratuara për ato degë. Spikat këtu Universiteti Evropian i Tiranës, i cili në çdo degë kishte më shumë kuota të lira se kuota të miratuara nga ministria.
A mund të ishte lajthitje kompjuterike kjo? Të ishte kështu, rrëmuja e shifrave do t’i prekte njëlloj universitetet, si publike edhe private.
Çfarë përfitonin universitetet private nga shtimi fiktiv i kuotave në programin kompjuterik? Kthehemi në fillim, kur thamë se çdo studenti që rezultonte fitues i dilte e gjelbër dega me të rënë viza e të regjistruarve. Kësisoj nëse universiteti privat X kishte në degën Y 10 kuota të miratuara dhe 20 kuota të lira, njoftimi se u ka lindur e drejta për t’u regjistruar u shkonte jo 10 ose më pak studentëve, por 20 të tillëve. Kësisoj ata rrisnin fiktivisht numrin e të regjistruarve dhe ritmin e regjistrimit. Në të njëjtën degë universiteti publik Z kishte 10 kuota të miratuara dhe vetëm 5 të lira. Kësisoj në 48-orëshin e fazës së regjistrimit mundësia u jepej vetëm 5 studentëve të renditur me rezultatet më të larta.
A mund ta bënin vetë universitetet private këtë truk? Jo sepse sistemi kompjuterik kontrollohej nga një agjenci – Rrjeti Akademik Shqiptar – e mbikëqyrur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Kësisoj kupola drejtuese e ministrisë është përgjegjëse ligjërisht për gjithçka botohet në portal dhe për të gjitha efektet e tyre.
Siç duket, pronarët e pangopur të universiteteve private dhe zyrtarët e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit e kanë thelluar allishverishin e nisur prej vitesh me studentët. Nuk u mjaftuan me miratimin e një ligji arsimi që çon fonde shtetërore drejt universiteteve private dhe as me hartimin e një skeme aplikimi dhe regjistrimi që krijon panik te studentët duke i shtyrë drejt privatëve.
Fotot e shumta me poshtë tregojnë kuotat universitet pas universiteti, privat dhe publik. Shumica prej tyre janë marrë pak përpara se portali të bllokohej dhe pasqyrojnë kuotat total dhe kuotat e lira të vlefshme për studentët që ishin regjistruar deri në datën 18 tetor, çka tregon se sa vende ka pasur për regjistrim në fazën që mbaronte në 20 tetor. Të nesërmen portali në fjalë zhduku çdo informacion për universitetet private, çka mund të shihet në disa prej fotove të fundit.
13) Për sa ditë ju ka mbetur jeshil rreshti i degës/-ve të privatit në portal?
Përgjigjet e kësaj pyetjeje e shfaqin në mënyrë shumë të qartë natyrën e procesit të regjistrimit të krijuar nga MAS-i. Nga të dhënat e grafikut të mëposhtëm (Fig. 13) shohim se rreth 31% të studentëve u ka qëndruar vija jeshile deri në fund të procesit të regjistrimit.
Për ta kuptuar më qartë këtë pyetje po ju sjellim këtu më poshtë analizën denoncuese të bërë nga Lëvizja Për Universitetin në lidhje me këtë çështje.
Në këtë link (https://klasifikimi.ualbania.rash.al/Home/Kendi) maturantët, duke futur ID-në e tyre, shikonin në kohë reale nëse ishin shpallur fitues në një ose disa degë, sa larg fituesit të fundit ishin në degë të tjera dhe nëse ishin shkualifikuar në degë të tjera. Ngjyra jeshile e rreshtit tregonte se ku ishin shpallur fitues, e kuqja se ishin akoma në garë ndonëse nuk ishin shpallur fitues, kurse grija se ishin shkualifikuar. Sipas udhëzimeve të ministrisë, studenti i shpallur fitues në një degë universiteti dhe që nuk regjistrohej brenda fazës dyditore në atë degë, në fazën tjetër konsiderohej i shkualifikuar për degën në fjalë. Kësisoj nëse në atë fazë dega X i dilte me ngjyrë jeshile, në fazën tjetër i dilte me ngjyrë gri.
Sipas rregullave të nxjerra nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, për të rritur shpejtësinë e regjistrimeve pavarësisht preferencës së studentëve, çdo student i shpallur fitues në një fazë regjistrimesh dhe që nuk regjistrohej në të e humbte këtë të drejtë në fazat e tjera. Kështu, në vend të tij mund të regjistroheshin studentë që gjendeshin poshtë vijës së kuqe (pragut të fituesit të fundit në atë fazë). Në këtë mënyrë, në universitete vija e kuqe binte fazë pas faze.
Mirëpo, siç u raportua që përpara 1 nëntorit, në disa degë të universiteteve publike, si ato të Shkencave të Natyrës apo të Farmacisë, vija e kuqe kishte rënë deri në fund dhe, pavarësisht se kishte kuota bosh, nuk kishte më aplikues të mundshëm. Si shpjegohet kjo kur, bie fjala, në një degë me 100 vende të lira kanë kandiduar në fillim 1000 vetë? Pikërisht nëpërmjet “djegies” së atyre që nuk janë regjistruar në fazat e mëparshme kur u shpallën fitues. Këta jo medoemos janë regjistruar diku tjetër, por edhe mund të kenë mbetur pa shkollë fare.
E ilustrojmë këtë rast me një student hipotetik që ka aplikuar edhe në degën e Mjekësisë, edhe në atë të Farmacisë. Ai mund të jetë shpallur fitues në degën e farmacisë që në fazën e parë të regjistrimeve. Mirëpo nuk është regjistruar sepse ka shpresuar që fazë pas faze vija e kuqe te Mjekësia do të zbriste deri te pozicioni i tij në renditje. Mirëpo kjo nuk ndodhi. Kështu që ky student sot është pa shkollë sepse te Mjekësia nuk arriti të futej se u zunë kuotat apo mbaruan fazat e regjistrimit deri në 1 nëntor, kurse te Farmacia nuk mund të futej pas fazës së parë sepse u dogj.
Si kanë konkurruar universitetet publike dhe private sipas kësaj skeme? Nga sa kuptohet prej deklaratës së drejtorit të RASH-it, të dhënave nga uebsajtet e universiteteve private dhe fotove që kemi marrë ditën e fundit të regjistrimit më 1 nëntor, universitetet private nuk kanë pasur kritere në renditjen e aplikuesve. Ose edhe nëse kanë pasur, ato nuk kanë pasur rëndësi në përcaktimin se kujt i lindte e drejta i pari për t’u regjistruar. Sakaq, në çdo universitet publik kanë ekzistuar kritere të tilla dhe aplikuesit renditeshin nga ata me mesatare më të lartë tek ata me mesatare më të ulët.
Çfarë mundësish logjike ka pasur për universitetet private që nuk i rendisin aplikuesit sipas mesatares? Të gjithë aplikuesit shpallen fitues. Sipas shembullit të mësipërm, ndonëse në atë degë privati ka vetëm 50 kuota të miratuara dhe 100 aplikues, numri i fituesve është 100. Pra 100 vetëve u del jeshil rreshti i asaj dege të privatit ku kanë aplikuar. Ka dy mundësi interpretimi: Ose se mund të regjistroheshin të 100 aplikuesit, ndonëse ministria kishte miratuar vetëm 50 kuota për atë degë privati; ose se, megjithëse në fund nuk regjistroheshin dot më shumë se 50 vetë, lajmërimin se kanë dalë fitues e kanë marrë të 100 dhe mund të regjistroheshinn 50 të parët në kohë (jo në mesatare) që paraqiteshinn në derën e atij universiteti privat. Në errësirë të plotë se ç’po ndodhte me privatët askush jashtë atyre që fusin duart në sistem nuk e di nëse është materializuar mundësia e parë ose e dytë.
Gjithsesi, le t’u bëjmë një favor privatëve dhe të hamendësojmë se nuk i kanë kapërcyer kuotat e miratuara nga ministria. Si privilegjohen ata nga mosrenditja e aplikuesve? Ka sërish dy mundësi. Nëse për universitetet private do të vlente e njëjta logjikë si për publiket (kush nuk regjistrohet në fazën që është shpallur fitues, e humb këtë të drejtë në fazat e ardhshme), atëherë që në fazën e parë të gjithë do të shpalleshin fitues. Nëse nuk do të regjistroheshin në atë fazë, askujt nuk do t’i lindte e drejta për t’u regjistruar në fazat e ardhshme. Kështu, nëse kemi 100 aplikues/fitues për 50 vende dhe në fazën e parë janë regjistruar vetëm 20 vetë, në fazën e dytë nuk do të kishte më asnjë fitues sepse 80 të tjerët do të ishin djegur duke pritur të regjistroheshin në degë të tjera. Pra në universitetet private do të ndodhte që në fazën e parë të regjistrimeve, më 16 tetor, ajo që ndodhi ditët e fundit të tetorit me degët e Farmacisë apo të Shkencave të Natyrës.
Mundësia e dytë, dhe këtu nis shkelja e ligjit ose favorizimi i privatëve, është se duke mos pasur renditje, të gjithë aplikuesit në universitete private konsiderohen fitues në çdo fazë. Domethënë se aty nuk ka vijë të kuqe si te publikët. Kësisoj ata që shpallen fitues te privatët mund të regjistrohen në to në çdo kohë, pa u “djegur”. Si imazh, kjo shfaqet në faktin se rreshti i universitetit privat në tabelën që kontrollon çdo maturant mbetet jeshil në çdo fazë. Kurse në universitetet publike një herë del i kuq (nuk ke fituar, por je X vende larg vijës së kuqe), jeshil (ke fituar dhe ke kohë vetëm këto dy ditë për t’u regjistruar) dhe gri (je shpallur fitues në fazën e kaluar, por ngaqë nuk je regjistruar, je djegur për atë degë).
Marrim rastin e një studenti që ka aplikuar edhe në degë universitetesh publike edhe në degë privatësh, si këto në të cilat po ilustrojmë me foto më poshtë. Në çdo fazë, degët e publikut i dalin kryesisht me të kuqe, kurse te privatët vetëm jeshile. I ndodhur larg vijës së kuqe te degët e publikut, ai shtyhet të regjistrohet te privatët ku është shpallur fitues pavarësisht se, po të renditej në bazë të mesatares, mund të mos shpallej i tillë. Nga ana tjetër, ndonëse atij i del jeshile në çdo fazë dega e privatit, askush nuk shpall zyrtarisht se privati nuk ka vijë të kuqe, pra se rreshti i asaj dege do të mbetet gjithnjë jeshil. Sikur të ishte kështu, atëherë ai mund të priste se mos dilte në fazat e ardhshme fitues te ndonjë degë publiku, me idenë se regjistrimin në privat e ka gjithmonë të sigurt.
Nga ana tjetër, duke mos pasur vijë të kuqe dhe djegie studentësh, universitetet private e kanë të garantuar se deri në fund nuk do të kenë fatin e Farmacisë dhe Shkencave të Natyrës, domethënë se edhe po të kenë kuota të lira nuk do të kenë më aplikues (të cilët do të ishin djegur në fazat e mëparshme). Po të kishte vijë të kuqe te privatët, mendja ta do që fazat e regjistrimeve në to të ishin shumë herë më të pakta se në universitetet publike. Në universitetet publike raporti midis numrit të aplikuesve dhe kuotave në total të miratuara nga ministria ka qenë 10 me 1 deri në 20 me 1, kurse në privatë shkonte zakonisht 2 me 1. Pra për 100 vende të lira te dega e Farmacisë në Universitetin Mjekësor kanë aplikuar rreth 1000-2000 vetë. Për të njëjtën degë në universitete private me të njëjtat kuota të hamendësuara në total kanë aplikuar 200 vetë. Kësisoj, rënia e vijës së kuqe deri në pikën ku nuk ka më aplikues, pavarësisht se ka kuota të lira, te privatët duhet të shkonte deri në fund shumë më shpejt sesa te publikët. Kjo nuk ka ndodhur, përderisa në foto tregohet se si edhe në ditën e fundit privatët vazhdojnë të kenë studentë për t’u regjistruar.
Fotot e mëposhtme e vërtetojnë hipotezën e mësipërme. Marrim në analizë foton e parë, këtu poshtë.
Ndiqni shifrat në universitetet publike (me të kuqe)! Ditën e fundit i njëjti student është 240 vende larg fituesit të fundit në degën e Menaxhim-Transportit në Universitetin “Aleksandër Moisiu”. Kuota të lira në fillimin e atij raundi regjistrimi ka pasur vetëm 2. Kuota të lira në raundin e ardhshëm (nëse do të kishte) ka vetëm 1, çka do të thotë se në dyditëshin në fjalë njëri është regjistruar. Pra ai praktikisht nuk ka më shpresë të regjistrohet te publiku edhe sikur raundet të vazhdonin pambarimisht.
Shikoni tani se si shfaqet situata e tij në degët e privatit ku ka aplikuar! Sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, dega Financë-Bankë e UET-së ka 210 kuota të miratuara në total. Sakaq, në kolonat e “kuotave në këtë raund” dhe “kuotave të lira në fazën e ardhshme” shfaqen përkatësisht shifrat 325 dhe 322. Nga të dhënat që ka publikuar vetë UET-ja, në degën Financë-Bankë kanë aplikuar 413 vetë. Nga kjo kuptojmë se deri në fazën në fjalë në UET janë regjistruar 413-325=88 studentë. Sakaq tre prej tyre janë regjistruar përgjatë fazës për të cilën po flasim. Mirëpo lajmërimin se mund të regjistrohen (ngjyrën jeshile në rreshtin e degës ku ka aplikuar) nuk e marrin 210-88=122 aplikantë, por 325 të tillë, duke shtuar kësisoj probabilitetin që në atë fazë dhe në të ardhshmen (nëse do të kishte pas 1 nëntorit) të regjistroheshin të gjithë studentët. E njëjta gjë vlen për të gjitha degët e privatëve.
Çfarë përfundimesh nxjerrim nga kjo situatë?
Qeveria i ka futur universitetet publike dhe private në të njëjtën lojë, por lojtarët kanë luajtur me rregulla të ndryshme. Universitetet publike mund të bënin gol vetëm me këmbë dhe me kokë (renditja sipas mesatares, djegia e atyre që nuk regjistrohen në fazën kur janë shpallur fitues, lajmërimi i më pak studentëve në njësi të kohës për t’u regjistruar, rënia e vijës së kuqe deri te aplikanti i fundit etj). Kurse universitetet private mund të bënin gol edhe me dorë e me çdo gjymtyrë tjetër, madje mund të përdornin edhe shkopinj, biçakë, të fusnin tifozë në fushë e kështu me radhë (mosrenditja sipas mesatares, mosdjegia e askujt që nuk regjistrohet në një fazë apo në tjetrën, lajmërimi i të gjithë aplikuesve në të njëjtën kohë se janë fitues, mospasja e vijës së kuqe etj.) Sepse, në fund të fundit, kishin blerë si federatën (ministrinë) që kishte bërë rregullat, ashtu edhe arbitrin (RASH-in) që kontrollonte zbatimin e tyre.
Foto shoqëruese:
14) A ju kanë kontaktuar përfaqësues të universiteteve private gjatë kohës së pritjes? Nëse po, çfarë ju kanë thënë?
Një tjetër pyetje që u kemi drejtuar studentëve, përgjigjet e të cilës mund të na ndihmojnë për të kuptuar më qartë faktorët që i kanë nxitur ata që të regjistroheshin në një universitet privat, ka qenë nëse pjesëtarë të këtyre universiteteve i kanë kontaktuar ose jo gjatë kohës së pritjes. Nga të dhënat vërejmë se rreth 37% e tyre përgjigjen që i kanë kontaktuar, ndërsa 15.3 % thonë të kundërtën (Fig. 14).
Për ilustrim po sjellim disa rrëfime studentore. Njëri prej tyre thotë se i kanë dërguar email-e dhe mesazhe të ndryshme gjatë kohës së pritjes; një tjetër se i kanë telefonuar për ta pyetur nëse e konfirmon regjistrimin; një tjetër akoma dëshmon se e kanë kontaktuar dhe i kanë thënë që duhet të regjistrohesh sepse përndryshe humbet mundësinë për të shkuar në universitet etj. Shohim pra që ka pasur kontakte të vazhdueshme nga ana e përfaqësuesve të universiteteve private dhe këto kontakte kanë pasur për qëllim nxitjen, ushtrimin e presionin apo frikësimin e studentëve në mënyrë që këta të regjistroheshin në një nga universitetet private.
15) Përshkruani ndjenjat dhe mendimet tuaja pas dhe gjatë kohës së pritjes për t’u shpallur fitues!
Të pakët ata që janë përgjigjur se kanë pasur një ndjesi pozitive përgjatë procesit të regjistrimit. Ndjesitë e shprehura janë të shumta, por më të përmendurat janë frika, pasiguria për të ardhmen, presioni i vazhdueshëm psikologjik, ankthi dhe dëshpërimi. Të tilla ndjenja negative për shumicën e studentë kanë vazhduar edhe pas shpalljes fitues, pasi dega e fituar nuk ka qenë as dega e preferuar dhe as ajo e merituar.
Tension dhe frikë pasi mund të humbisnim të drejtën e studimit, si pasojë e disa vendimeve të çastit, të pathëna – është dëshmia e një studenti. U ndjeva i pashpresë, pasi mu duk sikur kisha punuar kot gjithë këto vite. Mendoja të zgjidhja rrugë të tjera të jetës duke e përjashtuar mundësinë e universitetit – rrëfen një tjetër. Isha shume e stresuar dhe më ishte ulur shumë vetëvlerësimi sepse mendoja se meqë nuk kisha fituar në asnjë degë nuk e meritoja – thotë një studente. Në ankth gjatë gjithë kohës – thotë një student, pasi ishim në pikëpyetje mbi procedurat. Përjetova një ankth të paprovuar më parë, por mbi të gjitha një zemërim sepse kuptova që kishim rënë pre e eksperimenteve me reformën – thotë një tjetër.
16) Sipas jush, e respekton formula e përdorur nga ministria meritën dhe preferencën?
Kësaj pyetjeje rreth 73% e studentëve i janë të mendimit se nuk e respekton as njërën dhe as tjetrën (Fig. 15). Një prej arsyeve është fakti që, siç u tha më lart, rreth 60% e studentëve nuk e kishin fituar preferencën e tyre të parë në asnjë nga raundet. Sidoqoftë, nga të dhënat vërejmë se janë jo të paktë ata që e kanë fituar preferencën e parë, por përsëri pohojnë se formula e re nuk i respekton as meritën dhe as preferencën. Arsyet e tjera duhen nxjerrë nga përgjigjet e pyetjeve të mësipërme, si ato mbi kriteret e shpallura nga universitete, mosmarrja në konsideratë e lëndëve me zgjedhje, përjetimet negative gjatë pritjes etj.
17) Si e vlerësoni procesin e regjistrimit në universitete në tërësi?
Procesin në tërësi, rreth 54 % e cilësojnë si të keq dhe shumë të keq, ndërsa rreth 40% si të mirë dhe shumë të mirë (Fig. 16). Gjatë gjithë procesit të regjistrimit, siç rezulton nga të dhënat, shumica e studentëve janë përballur me disa situata tepër të vështira, të paparashikuara prej tyre, të cilat u kanë shkaktuar pasiguri, frikë se mos nuk e fitonin të drejtën për të studiuar, ankth dhe stres të madh. Sa më të mëdha kanë qenë këto ndjesi negative, aq më e madhe ka qenë ndjesia e çlirimit dhe e fitores në fund të procesit. Kështu, me gjithë vuajtjet dhe padrejtësitë e pësuara, pas shpalljes fitues në një nga degët e studimit (për 60 % nuk ka qenë dega e preferuar), studentët në fund të fundit janë ndjerë të lehtësuar. Kjo e shpjegon dhe faktin se përse 40% e studentëve shprehen se e vlerësojnë si pozitiv procesin në tërësi.
PËRFUNDIME
Në përfundim të këtij pyetësori, nga pasqyrimi dhe shqyrtimi i të dhënave, shohim të konfirmuara shumë prej kritikave, analizave dhe denoncimeve që ka bërë Lëvizja Për Universitetin. Ky proces regjistrimi nuk dëshmon thjesht paaftësinë e qeverisë, por edhe frymën favorizuese e klienteliste që ka ndjekur qeveria me disa universitete private, që ka nisur që prej ngjizjes të ligjit të arsimit të lartë në vitet 2014-2015, e gjitha në kurriz të studentëve dhe universiteteve publike.
Më 1 nëntor qeveria mbylli procesin e regjistrimeve në universitete dhe, siç e patëm parashikuar që në shtator, kurdo që të vinte fundi i këtij procesi, do të mbeteshin kuota të lira në universitetet publike dhe studentë të mbetur jashtë dyerve të universiteteve. Nga të dhënat që gjendeshin në portalin e Ministrisë së Arsimit dhe Rrjetit Akademik Shqiptar, numri i kuotave të paplotësuara të universiteteve publike ishte jo i pakët. Në Universitetin e Tiranës rezultonte që të kishin mbetur të paplotësuara rreth 11% e kuotave, ndonëse edhe më tepër studentë kandidatë kishin mbetur jashtë. Ndërsa në shtyp deklarohej se rreth 5% e kuotave kanë mbetur të paplotësuara dhe rreth 2600 studentë kanë mbetur pa mundësi regjistrimi në asnjë universitet.
Vërejmë gjithashtu se i tërë procesi, që nga formula e aplikuar e deri te kriteret, ka qenë i stisur në të atillë mënyrë që jo vetëm të cenohej merita e preferenca, por nga kaosi, pasiguria dhe frika, studentët të regjistroheshin në universitetet private pa dëshirën e tyre. Futja e universiteteve private në të njëjtën listë me universitetet publike, kontaktet e vazhdueshme në formën e presionit me studentët nga ana e përfaqësuesve të universiteteve private, shoqëruar më frikën e mosfitimit të së drejtës së studimit, kaosin dhe pasigurinë e vazhdueshme, rezultojnë t’i kenë nxitur studentët që të aplikonin e të regjistroheshin në disa nga degët e universiteteve private. OP
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 67 reads




























