Pse drejtësia penalizon edhe opozitën (PS-në) për 21 janarin?
Nëse “drejtësia e re” zbaton vërtet arsyetim juridik lidhur me ngjarjen e “21 janarit”, ajo do të dënojë së pari urdhëruesit e vrasjes së protestuesve, pushtetarët, dhe vrasësit, policët, dhe së dyti, partinë “socialiste”: sepse shkaku fillestar e lëvizjes së qytetarëve për të protestuar ishte qeveria e kohës, partia “demokratike”, dhe shkaku dytësor, opozita
Ylli Përmeti
21/01/2017 - 13:45
Nëse “drejtësia e re” zbaton vërtet arsyetim juridik lidhur me ngjarjen e “21 janarit”, ajo do të dënojë së pari urdhëruesit e vrasjes së protestuesve, pushtetarët, dhe vrasësit, policët, dhe së dyti, partinë “socialiste”: sepse shkaku fillestar e lëvizjes së qytetarëve për të protestuar ishte qeveria e kohës, partia “demokratike”, dhe shkaku dytësor, opozita. Kështu “drejtësia e re” që përmendi kryeministri Rama në 6 vjetorin e ngjarjes së 21 janarit, penalizon edhe vetë partinë “socialiste”.
Nga ana tjetër, protestat lejohen në Kushtetutat moderne sepse elitat që i administrojnë ato në vend të përdorin arsyen kundrejt grupeve shoqërore që nuk pajtohen me një ose disa politika, lejojnë protestën në emër të “demokracisë” dhe përdorin policët për t’i kontrolluar protestat ose kundër-dhunën e organizuar.
Një shembull është protesta e 21 janarit në Shqipëri. Me të vetmin ndryshim se ajo u nxit nga pushteti, u organizua nga partia “socialiste”, dhe u la pa udhëheqje kur ajo ishte e nevojshme, dhe në mëshirën e pushtetit “Berisha” i cili kishte treguar se jo vetëm që nuk e kursente plumbin por edhe e nxiste përdorimin e tij (’97). Do të ishte, rrjedhimisht, normale që afshi i turmës të shkaktojë kaos dhe Berisha të vrasë qytetarë në mes të ditës. Në pamundësi për të dënuar shkaktarët, në përvjetorin e “21 janarit”, opozita kishte përgatitur një kortezh emocional dhe të trishtueshëm, e cila na kujtoi të “drejtën” anglo-saksone dhe agjencitë policeske për zbulimin e krimit dhe vendosjen e drejtësisë!
Berisha, ndërkohë, pa ndroje, si shkaktar kryesor i masakrës së “21 janarit”, shkoi në Lushnjë për të kujtuar Kongresin e saj, i cili nuk përkonte me datën historike. Donte, në fjalë të tjera, të çorientonte popullin me “patriotizmin” e tij. Por ndërsa Berisha ka çdo arsye për të çorientuar popullin, qeveria “Rama”, si bashkëkontribuese në krimin e “21 janarit”, vazhdon ende, pas tre vjetësh në qeverisje të vendit, të justifikohet se “dosja është mbyllur nga Gjykata e Lartë”, se qeveria s’e ka tradhëtuar “21 janarin” dhe se nga kjo çështje duket qartë se nga cilët është “kapur” drejtësia!
Megjithëse për “Gjykatën e Lartë” Rama ka të drejtë, se ajo është vërtetë e “kapur” nga Berisha...ku ai s’ka të drejtë, është lidhur me faktin se ai dhe partia që përfaqëson, është bashkëkontribuese në gjakderdhjen në fjalë: sepse nuk e udhëhoqi protestën por e la atë në aftësinë administrative të Berishës dhe policisë së Bashës kur e dinte mjaft mirë se Berisha nuk do t’i kursente plumbat. Kështu, nëse kjo çështje gjykohet vërtetë nga një gjykatë e pavarur, ajo do të konsiderojë bashkëkontribuesit në krim pavarësisht se peshorja anon nga qeveria Berisha.
Në fjalë të tjera, ajo do të vendojë se edhe opozita është përgjegjëse për gjakderdhjen!
Ndërsa kjo është njëra anë e çështjes, tjetra, janë qytetarët, shumë prej të cilëve, si në çdo ngjarje tjetër —dhe meqënse përjashtohen nga politikë-bërja, ushtrimi i drejtësisë sociale dhe zhvillimi i arsyetimit juridik— kishin gjykime të ndryshme: disa argumentonin se përgjegjësia (dhe me të drejtë) e pasojave të revoltës binte mbi udhëheqjen “socialiste”: sepse ajo ishte nxitësja e revoltës; dhe disa të tjerë (dhe me të drejtë) ngarkonin me përgjegjësi barbarizmin e “demokratëve”. Por, megjithëse qytetarët konsiderohen nga Kushtetutat e “demokracive” parlamentare ‘sovranë’, ata vetëm sovranë nuk janë: sepse ata e delegojnë pushtetin dhe nga burim pushteti kthehen në skllevër vetëm për të paguar taksa: supozohet, për të siguruar të ardhmen nga mirë-administrimi i qeverive.
Qoftë edhe nëse konsiderojmë komponentin e ‘zemërimit’, kundrejt keqadministrimit të vendit, i cili luan rol vendimtar në protesta, mund të themi se ishte qeveria në pushtet shkaktare e tij dhe opozita thjesht shfrytëzoi zemërimin duke organizuar protestën: sepse ‘nxitësi’ i një akti të dhunshëm, dhe veçanërisht publik dhe të organizuar, dënohet nga drejtësia ose konsiderohet ‘kontribues’ në krim.
Kjo është arsyeja që Kushtetuta rregullon, organizon dhe përcakton kufizimet e protestuesve. Ndryshe nga ky arsyetim, qeveria “Berisha”, në ofensivë të paturpshme, pas ngjarjes, propagandoi se goditjet ‘vdekjeprurëse’ erdhën nga turma duke shpërnjohur videot që u transmetuan në televizione dhe duke shpërnjohur ekspertët e mjekësisë...se ‘plumbat kishin ardhur nga brenda ndërtesës së Kryeministrisë, duke gjykuar daljen e plumbit në trupin e viktimës!
Sipas këtij arsyetimi, policia masakroi popullin që e mban gjallë: sepse ajo nuk përdori doktrinën e forcës së shpërpjestuar —një doktrinë që përdoret nga e “drejta anglo-saksone” dhe përgjithësisht në vendet perëndimore— e cila çarmatosë policët dhe i pajisë ata me ‘armë elektrike’, me qëllim që të paralizojë apo/ose çaktivizojë përkohësisht protestuesit: d.m.th. se “policia nuk duhet të ushtrojë më shumë dhunë/forcë se protestuesi ose duhet të ushtrojë të njëjtën forcë”. Nëse policia ushtron më shumë forcë, ajo dënohet. Shkurt, nga kjo ngjarje mund të nxjerrim dy mësime kryesore:
- Për shoqërinë: se njerëzit, përpara se të dënojnë protestat “pa leje”, duhet të konsiderojnë me mjaft kujdes kuadrin institucional, natyrën e protestave dhe punën e bërë nga pushteti vendor dhe qendror për të shmangur protestat: nëse kuadri institucional është “demokracia” përfaqësuese dhe natyra e protestës është e drejtë dhe ajo varet nga pushteti dhe pushteti nuk është përpjekur të zgjidhë problemet e njerëzve që protestojnë, përmes dialogut gjithëpërfshirës dhe arsyetimit, atëherë shkaktari kryesor i çdo proteste është vetë pushteti. Protesta, rrjedhimisht, buron nga mosveprimi i pushtetit. Si e tillë, “me leje” apo “pa leje”, ajo është e drejtë dhe e ligjshme.
- Për policinë: se policia përpara se të ushtrojë dhunë duhet të vlerësojë gjendjen e përgjithshme të protestuesve se nëse ata janë të rrezikshëm për paqen publike dhe nëse gjykon drejtë, duhet të përdorë “dhunë përpjestimore”.
Konkluzioni është se dhuna sistemike dhe represioni shtetëror (për mos të thënë terrorizmi shtetëror), gjithashtu dhe kundër-dhuna (përfshirë terrorizmin popullor), janë komponentë të murosur në çdo shoqëri që karakterizohet nga një pabarazi e pushtetit politik dhe ekonomik. Dhe, nëse shkaku përfundimtar i dhunës politike në të gjitha format e saj është asimetria e pushtetit, atëherë është e qartë se e vetmja rrugë jashtë ciklit të dhunës është eliminimi i kësaj asimetrie dhe veçanërisht eliminimi i dhunës sistemike - kjo përfshinë themelimin e institucioneve politike dhe ekonomike të reja që synojnë ndarjen e barabartë të pushtetit në të gjitha format, midis, gjithashtu edhe brenda shteteve, dhe krijimi paralel e një kulture të përputhshme me të.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 120 reads



