...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Sot, 18 vjetori i eksodit biblik të Kosovës

Bedri Islami (Dita)

16/04/2017 - 16:56

Eksodi i shqiptarëve të Kosovës në pranverën e vitit 1999 ishte biblik, por, ndërsa ishte biblik për nga madhësia, përmes së cilit u dëbuan mbi 1 milionë njerëz, ai kishte përmasa më të mëdha tragjike nga ajo që është shkruar në Librin e Shenjtë.

Për më tepër, i ndodhur 2 mijë vite më pas, përmasa e tij tragjike është edhe më e ndjeshme. ndoshta tani, pas 15 viteve, e kemi të vështirë të rrokim atë që ndodhi në ato ditë, javë e muaj tmerri, pasi shumë gjëra, herë pas here, ikin nga vemendja e zbehen, por edhe ajo që ka mbetur tashmë në kujtesën njerëzore, është e lemerishme.

Pak kush kishte menduar se do të ndodhte kjo në përmasa të jaashtëzakonshme.

Njerëzit kishin varur shpresat në dy struktura, përmes edhe një besimi të jashtëzakonshëm se, e gjithë stina e bombardimeve të NATO-s do të ishte e shkurtër; dhe në UÇK-në, e cila ishte vendosur pranë tyre. Pastaj erdhi koha e qametit.

Ish kryeministri serb, Milutinoviq, e kishte parathënë në Rambuje se,” çështjen e shqiptarëve do e zgjidhim për disa javë”, dhe atë që kishin menduar ta bënin hradualisht, tani po e përshpejtonin.Shiu i plumbave ishte i tmerrshëm. Djegjet ishin të jashtëzakonshme.Vjedhjet e plaçkitjet ishin gjëja më e lehtë për t’u pranuar. Vrasjet ishin tepër mizore, më shumë se çdo vrasje tjetër, pasi po ndodhnin në mesin e shpresës. Njerëzve u kishte mbetur vetëm qielli, edhe ai i errësuar nga tymrat; u kishte mbetur rruga drejt Shqipërisë, vendi i ëndrrave por që për shumë do të njihej për herë të parë përmes makthit; dhe Bllaca, një portë hyrëse për në Maqedoni e cila do të mbetej shumë herë e mbyllur.

Në atë kohë isha zgjedhur drejtues i Lëvizjes Popullore të Kosovës, organizatës që themeloi, ngriti dhe drejtoi ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Pak ditë më parë se të fillonte ky tmerr i makthtë, së bashku me Hashim Thaçin ishim takuar në kufirin mes Zvicrës dhe Gjermanisë, dhe u kishim dërguar një kujtesë strukturave të Brukselit për atë që mund të ndodhte, por as nuk e kishim marrë me mend se gjithçka do të ishte kaq katastrofike.

Do të sjell tre shembuj nga tre vende të ndryshme, si u përjetua ky eksod tragjik, dhe më pas, një shënim të shkurtër, si parathënie e një shkrimi të ardhshëm.

Shembulli i parë: në Kosovë.

Krusha e Vogël është vendlindja e njerës nga figurave më të shquara të Lëvizjes Çlirimtare dhe të mendimit politik shqiptar, Ukshin Hoti. Në vitin 1993, pikërisht në varrimin e tre dëshmorëve të këtij fshati jashtëzakonisht piktoresk e mentar, Ukshin Hoti do të shpallte domodoshmërinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe devizën e tij politike se “Kush është për republikën e Kosovës të vijë pas meje, kush është për bashkimin kombëtar, le të prijë dhe unë do i shkoj pas”.

Krusha e vogël ishte ndoshta e para që e ndjeu tmerrin e hakmarrjes serbe që në netët e para të bombardimeve. Ishte 25 marsi i vitit 1999 kur i gjithë fshati u rrethua nga çetnikët serbë dhe forcat ushtarake shtetërore. Së bashku me natën erdhi edhe ankthi i vdekjes. Banorët, deri në atë moment, nuk e kishin menduar ikjen; vdekjen e kishin menduar, por dëbimin, jo.

Shtëpi më shtëpi, njërën pas tjetrës, forcat serbe plaçkitnin fillimisht, i nxirrnin njerëzit nëpër natën e marsit, ashtu si kishin qenë në momentin e thyerjes së portës, i linin për disa kohë në mesin e oborrit, pastaj i ndanin meshkujt në një anë, pavarësisht nga mosha që kishin, shtëpive u vinin flakën dhe nëpër ndriçimin e tij njerëzit shihnin për herë të fundit të afërmit e tyre. Nëpër luginin e Krushës së Vogël po shfaqeshin dhjetra e dhjetra zjarre të lartë, njëra pas tjetrës shëpitë digjeshin dhe dëgjohej thyerja e tyre, si një ulërimë mbytëse që njerëzit nuk po mund ta bënin.

Në një shtëpi të vogël, diku nga mesi i fshatit, ultësirë e zakonshme, grumbulluan 112 meshkuj nga 178 që kishte gjithsejt fshati asaj nate. I vranë të gjithë qetësisht, pa asnjë ndjenjë njerëzore, si bishat. Sapo kishte filluar të zbardhte mëngjezi i 26 marsit. Shumë nga trupat e të vrarëve i ngarkuan në kamionë ushtarë dhe i nisën drejt një rruge të panjohur, ndoshta drejt galerive të Trepçes, ku u dogjën qindra e qindra kufoma.

Prej 112 meshkujve të vrarë, 87 prej tyre nuk dihet se ku e kanë varrin e tyre, janë zhdukur; vetëm 26 prehen në fshatin e tyre. Nga 145 shtëpi që kishte fshati para 25 marsit 1999, vetëm 8 prej tyre u dogjën pjesërisht, të tjerat , të gjitha, u dogjën dhe u shkrumbuan.

Në fshat, pas masakrës ngelën 82 gra të veja dhe 145 fëmijë jetim. Për të përmbyllur gjithë këtë tragjedi, në momentin e fundit, disa javë më pas, ata vranë dhe zhdukën edhe liderin e mendimit politik shqiptar, Ukshin Hotin.

Pasi bënë masakrën, egërsisht, nën tmerrin e armëve, u thanë njerëzve se kishin vetëm 15 minuta kohë që të zhdukeshin nga faqja e dheut, të merrnin arratinë, dhe filloi kështu pjesa tjetër e tragjedisë, eksodi.

Kjo ndodhi në Krushën e Vogël, 25 dhe 26 mars 1999. Prej kësaj date filloi edhe dëbimi i shqiptarëve, përmes vrasjeve, djegjeve, masakrave.

Shembulli i dytë: jashtë Kosovës.

Gani Lipa është një figurë e njohur mes atyre që u bënë krah në Lëvizjen Çlirimtare. Njeri i dashur, i arsimuar, gjithnjë pozitiv, mik i afërt i Fehmi Lladrovcit. E kisha njohur prej kohësh Ganiun. Nga jeta e tij po tregoj vetëm një ngjarje rrenqethëse, e cila ka lidhje pikërisht me eksodin.

Në ditët kur sapo kishte filluar dëbimi i shqiptarëve po ndodhnin dy fenomene që e përforconin njëra tjetrën. Nga Kosova po largoheshin me dhunë më shumë se 1 milionë njerëz, drejt Kosovës po niseshin disa mijra djem të rinj në rradhët e UÇK-së. Në të gjitha këto ditë kishin organizuar metingje të mëdha solidariteti dhe denoncimi në qytetet më të mëdha perëndimorë. Kudo. Njëri prej tyre dhe në Mynih, aty ku banonte edhe Gani Lipaj.

Të gjitha lidhjet me Kosovën ishin ndërprerë. Kishin mbetur vetëm, stacionet e lajmeve, emisionet informativë, nga e gjithë bota, sidomos Euronjuz. Po bëhej normale që kudo, nëpër të gjitha shtëpitë, emisionet të regjistroheshin, përmes tyre lëvizej harta e shpërnguljes, e masakrave, e vendeve të lira, e kalimit të njerëzve, dëgjohej për të afërm, kishte ndjenjë pritje të ankthtë, trishtim për terrin ku ndodheshin të afërmit e tyre, deri sa më në fund një zile telefoni qetësonte gjithçka ose trishtonte gjithçka.

Gani Lipa, ku ne kishim vajtur mysafirë për një kafe, po regjistronte emisionin e lajmeve. Befas spikeri tha se në fshatin Vrellë, afër Banjës së Pejës, forcat serbe kishin bërë një masakër të re. Ganiu ngriti kokën dhe tha,”është fshati im”.

Spikeri vazhdoi.. forcat serbe kanë sulmuar, djegur e më pas kanë vrarë disa pjestarë të familjeve shqiptare…Në ekran dolën dy shtëpi të djegura. Gani belbëzoi, “shtëpitë tona”. Mes të vrarëve janë edhe disa gra të familjes Lipaj, të cilat, forcat serbe, pasi i vranë , i hodhën në një pus. Ganiu, tani krejt i zbardhur, tha ” Njerëzit e mi”.

Pastaj në Tv, me pamje nga korespondenti i luftës i Euronjuz, shikoheshin duke nxjerrë nga pusi disa trupa. Ganiu tha me një zë që nuk mund të harrohet, “është nëna ime, Sale”. Pastaj nxorrën edhe dy kufoma të tjera. Ai i njohu. Vetëm belbëzonte si në një ëndërr të frikshme, “është mbesa ime, Qendresa, 14 vjeç, është mbesa tjetër, Mirdona, 13 vjeç”.

Nga ajo varrezë e përgjakshme dhe rreth saj ishin 10 vetë të vrarë, të masakruar, të dhunuar, të gjithë njerëzit e afërt të gjakut të mikut tim, Gani Lipaj. Një tmerr i jashtëzakonshëm, që kishte sjellë mesazhin e tij mijra kilometra larg.

Ganiu ishte zverdhur, nuk lëvizte, koha kishte ngrirë, të gjithë gjymtyrët ishin bllokuar, as sytë nuk lëviznin më, asgjë.kishte mbetur e shikonte ato pamje, të cilat po i regjistronte. Spikeri vazhdonte të tregonte se banorët e mbetur gjallë nga kjo masakër, kishin marrë rrugën drejt Shqipërisë, si e vetmja portë shpëtimi.

Ishte gjithçka e lemerishme. Një burrë fisnik, mijra kilometra larg shikonte se si forcat serbe i kishin vrarë zemrën e familjes, Nënën, mbesat, ende rinore, pastaj sikur filloi të merrte veten, u bë njeri i lëvizshëm, dhe tha lehtësisht, “ia kemi borxh Kosovës”. Jam i bindur se Ganiu e ruan ende atë kasetë, ndoshta e sheh krejt rallë, kur është fillikat, e njoh dhe ia di mrekullinë e shpirtit, por, po ashtu e di, se kjo ishte dita më tragjike e jetës së tij.

Shembulli i tretë: Në zyrën e kryeministrit Majko

Rrallë herë kam parë një njeri aq të shqetësuar për gjithçka që po ndodhte, se sa Pandeli Majko, kryeministri 30 vjeçar i Shqipërisë. Trazimi i tij i kalonte së tepërmi caqet e funksionit të tij shtetëror; tek ai ishte bërë bashkë meraku i burrit të shtetit dhe i njeriut të mirë. Impulsiv, dhe, disi romantik për nga natyra, ai kishte kuptuar dy gjëra të rëndësishme: kjo kohë ishte dëshmi historike në tragjizmin e saj dhe shteti shqiptar duhej të bënte përmes saj dëshminë e vet, dhe, pak kujt në jetën e tij si burrë shteti i takon të përballet me ngjarje të tilla, në të cilat njerëzorja është më themelore se të gjitha, dhe se ai, vetinë e tij të njeriut të mirë, kishte momentin ta bënte të njohur.

Zotin Majko e kisha takuar disa herë, edhe në Shqipëri, në zyrën e tij, ku po rrinim edhe asaj dite në mesin e dëbimit masiv të shqiptarëve, por edhe jashtë saj, në Bon, në Këln, në Zvicër. Pavarësisht nga luhatjet e fillimta, që ndodhën në të gjithë hierarkinë e shtetit shqiptar (përjashtim bënte vetëm zoti Meta) ai ishte i përkushtuar ndaj luftës.

Asaj dite zoti Majko ndjehej që ishte i lodhur tej mase. Sapo ishte kthyer nga njëri prej udhëtimeve në Kukës, dhe e gjithë pamja e tij dëshmonte se dhimbja tashmë ishte bërë pjesë e atyre ditëve, e ndoshta nuk do të mund të shkëputej për shumë kohë. Në një anë të bibliotekës, në zyrën e tij të madhe, kishte një foto të presidentit amerikan, Xhon Kenedi, të cilin mendoj se e kishte idhull.

Po tregonte për ndodhitë e eksodit, ishte i zemëruar me palën maqedonase që kishte mbyllur edhe një herë kufirin, pastaj shfreu për një deklaratë të Berishës, e çmendur si gjithnjë. Ai, në vetminë e tij të asaj kohe, sapo kishte thënë se vendimi i qeverisë për të shpërndarë të dëbuarit shqiptarë të Kosovës nëpër të gjitha rrethet e Shqipërisë, ishte antikombëtar, sikur Shqipëri të ishte vetëm Kukësi apo Vuçidoli, ku kishte vite që nuk kishte shkelur.

Ishte një situatë e jashtëzakonshme. Çdo ditë kufirin e kalonin me dhjetra mijra vetë, të shkatërruar, të mjeruar, shumë herë të uritur deri në thelbin e jetës së tyre; fëmijë ku shpresa kishte ikur nga fytyrat e tyre, ku dhimbja ishte bërë e pranishme, nëna të trishtuara në të gjithë pamjen e tyre, dhe kjo duhej përballuar. Shqipëria ishte rritur në pak javë me një të tretën e saj, dhe nëse e rikthejmë kujtesën, viti i prapshtë i shkatërrimit, 1997, kishte vetëm dy vite që kishte ikur. Ne folëm për këtë, pastaj ai më tha se të gjitha shtëpitë do të hapen për shqiptarët e Kosovës.

Pastaj erdhi në zyrën e tij zoti Paskal Milo, shefi i diplomacisë shqiptare. Para luftës e gjatë saj isha takuar disa herë me të. Shqetësimi i tyre ishte në pritjen e mundshme të Rugovës në Shqipëri, të të vizituar kampet e ngritura dhe njerëzit e tij të dëbuar përdhunisht. Ishin të trazuar sepse asgjë nuk dihej, do të vinte apo jo. Zoti Milo po i tregonte për përgatitjet që ishin bërë, të ngjashme me ato që i bëheshin burrave të shtetit, megjithëse në atë kohë Rugova ishte një i mërguar i zakonshëm; por përsëri e gjithë ajo që ishte në përgatitje tregonte se shteti shqiptar do e trajtonte atë më mirë se të gjithë liderët e tjerë.

Nuk kishte asnjë hatërmbetje ndaj tij, megjithëse ai kurrë nuk kishte thënë diçka të mirë për këtë qeveri; asnjë merak se Rugova pak javë më parë kishte qenë tek Millosheviqi dhe se kishte bërë një deklaratë të çuditshme për ndaljen e bombardimeve; asnjë mërzi për trajtesat e tij të heshtjes. Më shumë se gjithçka, kisha bindjen, se pritja e tij do të ishte një shenjë përafrimi dhe kujdesi për ata qindra mijra, më pas do të bëheshin deri në 700 mijë, të cilët pritnin një mesazh shprese nga kushdo që mund t’ua sillte atë.

Zoti Milo tregoi hollësisht për të gjitha përgatitjet. Ende nuk dihej në se do të vinte apo jo në Shqipëri. I kisha dëgjuar me vemendje, kjo ishte një e drejtë e shtetit shqiptar, vetëm se në fund i thashë se Rugova nuk do të vinte në Shqipëri.

“Ke ndonjë burim iformacioni?”, më pyeti zoti Majko.

“Jo, – i thashë, – thjeshtë mendoj se nuk do të falenderojë Shqipërinë”.

Rugova nuk erdhi në Shqipëri. Më kot e pritën dhjetra e qindra mijra njerëz. Ai shkoi në kampet e ngritura në Maqedoni, shtetarët e së cilës, sipas urdhërit që merrnin, herë i hapnin portat e më shpesh i mbyllnin. Tmerri i Bllacës është i ngjashëm me shumë tmerre të tjera.

Disa ditë më pas, kur u ritakova me zotin Majko, krejt i qetë më tha se shteti shqiptar do e kishte pritur zotin Rugova si më të lartin lider të një shteti, edhe si mesazh paqeje dhe qetësie për njerëzit që presin, edhe si urë bashkëpunimi, por kjo nuk e ndryshon asgjë.

Shënim në fund

Këtë shënim nuk do të doja ta bëja. Kur u përkujtua 15 vjetori i eksodit në prillin e 2014-s, mes tjerave, zoti Rama, tha se në politikën ndaj Kosovës nuk e ndan asgjë me Berishën dhe se ai, si shefi i qeverisë së sotme, e falenderon atë për çka ka bërë për Kosovën.

Zoti kryeministër, më ndjeni, jeni i gabuar. Ajo që ka bërë Berisha për Kosovën është shfaqja e hidhur e dëshmisë historike të shtetit shqiptar.

Kurrë mos befshi atë që ka bërë ai dhe kurrë mos i paçi idetë dhe ndjesitë e tij.   

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA