...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ushtarët e UÇK-së luftuan për bashkim kombëtar dhe jo për ‘pavarësinë’ e Kosovës

17 shkurti është thjesht datë historike e një etape historike drejt qëllimit tonë të madh: bashkimit tonë si komb

Labinot Gjini

18/02/2025 - 12:53

Po e përcjell me vëmendje se si ndër vite po rrafshohet e vërteta jonë historike dhe bashkë me të, identiteti ynë kombëtar! Institucionet tona arsimore po krijojnë një gjeneratë të hibridizuar e cila nuk ka histori; nuk ka ngjyra; nuk ka identitet dhe nuk ka rrënjë etno-kulturore; nuk ka gjuhë të njësuar; nuk ka simbolika të forta; nuk ka komb e atdhe.

Kur je në Kosovë sot, të duket sikur je me një shoqëri postapokaliptike ku gjithçka që ishte më parë është zhdukur dhe një jetë e re porsa ka filluar. Bashkë me të edhe rrëfimet e njerzëve të cilët mundohen t`i japin shpjegim të kaluarës së panjohur. Interpretimet vijnë lloj-lloj dhe bashkërisht ndërtohet një interpretim i historisë, paçka që nuk është e vërtetë ajo që po thuhet. Askujt nuk i bëhet vonë: as profesorit; as kryetarit të një komune; as kryeminitrit; as kryetarit të një partie; as drejtorisë për kulturë; as kryetarit të OVL-së; as intelektualit; dhe as vetë historianit.

Nuk është me rëndësi a është e vërtetë apo është mashtrim ajo çka tregohet. Me rëndësi është që të gjithë janë ose tē mashtruar ose të ndriçuar me të vërtetën historike. Në Kosovën tonë duket se një masë e mirë e kanë zgjedhur bashkarisht mashtrimin. Andaj edhe i dëgjon duke thënë “dëshmorët kanë rënë për Pavarësinë e Kosovës” dhe postimin e bëjnë me flamur të Ahtisarit. Fëmijët i veshin me ngjyra ahtisariane në shkolla dhe biznesët valviltin flamurin, po ashtu, të ahtisarit, por nuk e shfaqin atë kuq e zi: sikur ta kanë detyrim juridik!

Në të njejtën kohë, e vërteta i është lënë atyre që nuk janë nē pozitē për ta thënë apo për ta marrë seriozisht. Kush do t`i thotë këtyre njerzëve se dëshmorēt e kombit kurrē nuk luftuan dhe as nuk derdhën gjak për “Pavarësinë e Kosovë". Aq më pak për flamurin e Ahtisarit; as që u njohën me të dhe as nuk u kishte kaluar kurrë më e vogla ndjenjë për të: ata u betuan nën flamurin kombëtar dhe për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha tokave shqiptare; luftuan me flamurin kombëtar; ranë në beteja me të dhe u varrosën të mbuluar me të.

Për ta dhe të gjitha gjeneratat e atdhetarëve ishte në synim Shqipëria si një komb-shtet i bashkuar nën flamurin e Skenderbeut; për ta dhe të gjitha gjeneratat ishte historia jonë e përbashkët; gjuha jonë e njësuar; kultura e padalluar e territori i pakufizuar ndërshqiptar. Ky ishte dhe mbetet synimi; ky ishte dhe mbetet flamuri; kjo ishte dhe mbetet ideja e çdo shqiptari që pak merrë vesh nga politika dhe historia. Të tjerat janë mashtrime dhe vetëmashtrim i përkohshëm i të gjithë atyre që kurrë nuk arritën të jenë kategori “qytetare”, por mbetën kategori e turmave që e shtynë njëri-tjetrin padashje drejt humnerës.

Kjo gjendje shoqërore nuk e përjashton faktin se 17 shkurti mbetet një datë e rëndësishme në ecurinë tonë historike drejt synimeve tona dhe nuk e përjashton detyrimin tonë si institucion për ta nderuar flamurin e Ahtisarit si kategori juridike. Por çfarë i shtyn këto institucione dhe këta njerëz ta përkthejnë atë në interpretime të paqena dhe t`i japin atij një vlerë popullore e qytetare kur ai nuk e ka?!

Këtë e bënë vetem padija e njeriut të izoluar dhe të pamësuar; e bënë raporti i pandërtuar me botën dhe raporti i ngushtë me kohën dhe historinë. Të duket sikur qytetari ynë shpesh jeton vetëm në një kohë: të tashmen, sepse as e kaluar dhe as e ardhmja nuk janë kohë të njohura për të. Njërën nuk e njeh, tjetrën nuk e projekton dot. Bash prodhim hibrid i dalë drejtpërdrejt nga pakua e Ahtisarit.

Urime 17 shkurtin të gjithë atyre që nuk u është ndalur ora historike!

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA