...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pretendimi i Kurtit për aneksimin e veriut dhe strategjia serbe

Qeveria e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme në të tilla deklarata që e tregojnë dhe e paraqesin qeverinë në mungesë profesionalizmi e, më së shumti, një deklaratë e tillë është fyese për...

Dritan Goxhaj

08/10/2023 - 18:49

Çdo lloj veprimtarie ushtarake, e bërë ajo qoftë nga një ushtri e rregullt, qoftë nga një grup i armatosur paraushtarak, duhet parë gjithnjë në tri aspekte ose drejtime. I pari është aspekti strategjik, i dyti është aspekti operacional dhe i treti ai taktik. Aspekte këto që në gjuhën/terminologjinë ushtarake u referohemi si objektiva. Këto tri objektiva duhen parë edhe në rastin e sulmit të armatosur të bërë nga ana e grupit paraushtarak serb në Veri të Kosovës në datën 24 shtator të këtij viti.

Për ta bërë më të thjeshtë këtë analizë duhet të shohim dhe fillojmë analizën nga dy objektivat e fundit, të cilat përbëjnë veprimet konkrete në terren për të bërë të mundur në fund realizimin e objektivit strategjik por, në këtë rast, do ta nis analizën time nga objektivi i parë, ai strategjik. Kjo nis gjithnjë me pyetjen “Cili është objektivi strategjik i këtij aksioni të armatosur?”

Bazuar mbi historinë politike dhe ushtarake botërore, e dimë se objektivin strategjik e cakton udhëheqësia politike. Në rastin tonë udhëheqësia politike e këtij grupi përcaktohet qartësisht edhe nga përkatësia etnike e këtij grupi. Kemi të bëjmë më një grup të pastër etnik serb, udhëheqësi i të cilit është anëtar dhe nënkryetar i një organizimi politik një-etnik, i regjistruar ligjërisht në Republikën e Kosovës, organizim ky i cili, që prej krijimit të tij e në vazhdimësi edhe në këto momente, i ka shërbyer dhe ka deklaruar mbrojtje vetëm të interesave politike të qeverisë së Serbisë.

Kjo tregon se udhëheqësia politike e këtij grupi është qeveria serbe, e cila i shpalos dhe i mbron interesat e saj politike nëpërmjet Presidentit të shtetit të Serbisë, bashkëkriminelit të luftës të Millosheviçit, Aleksandër Vuçiçit. Kjo do të thotë se objektivi strategjik i këtij grupi dhe këtij aksioni është përpiluar dhe caktuar nga qeveria e Serbisë, por që është shprehur dhe miratuar nga presidenti i saj.

Vetëm disa orë pas sulmit dhe aksionit të këtij grupi të armatosur, presidenti i Serbisë e bëri publike këtë objektiv. Ai deklaroi se ky sulm ose aksion ishte gjoja si një reagim i brendshëm i serbëve të Kosovës. Pra, objektivi strategjik ka qenë që të krijonte idenë se serbët e Veriut të Kosovës janë ngritur në një kryengritje të armatosur në mbrojtje të të drejtave të tyre, gjoja të shkelura nga qeveria e Kosovës. Ndërkohë, qeveria e Kosovës, nëpërmjet kryeministrit dhe ministrit të brendshëm të saj deklarojnë një objektiv edhe më të madh strategjik nga ai që deklaron organizatori, financuesi dhe drejtuesi real i këtij grupi, Vuçiçi.

Qeveria e Kosovës thotë: “Qëllimi i këtij aksioni të armatosur të këtij grupi ishte aneksimi i Veriut të Kosovës”. Kjo deklaratë na sjell tek analiza e objektivit të dytë, atij operacional. A ekzistonin kapacitetet operacionale të këtij aksioni për të kryer një aneksim? Që të arrijmë të kuptojmë a qëndron apo jo ky pretendim, duhet të analizojmë numrat, pasi vetëm numrat, sasia e forcave në terren na e sqaron këtë gjë. Deri më tani, qeveria e Kosovës deklaron se numri i anëtarëve të armatosur të këtij grupi është 120, por që mund të variojë deri edhe në 150 vetë, që do të thotë se kemi të bëjmë vetëm me një kompani. Por a mundet një kompani, pavarësisht nga lloji i armatimit që posedon, të arrijë të aneksojë Veriun e Kosovës? Sërish vijmë te shifrat. Territori për të cilin pretendohet se është synuar aneksimi shtrihet në një sipërfaqe prej 4800 km2, pra, gati sa gjysma e Kosovës, e cila është gati 12000 km2. A munden 150 veta të aneksojnë një territor prej 4800 km2?

Për të kuptuar këtë, le të bëjmë një paralelizëm të vogël duke u kthyer pak pas në kohë. Le të kthehemi te lufta e UÇK-së në vitet 1997-1999. Në fund të kësaj lufte, nga qershori e deri në shtator, UÇK-ja i dorëzoi KFOR-it në procesin që njihet dhe përcaktuar në Marrëveshjen e Rambujesë si çarmatosja e UÇK-së 37,000 armë automatike dhe gjysëm automatike të gjata. Kjo do të thotë se kaq ishte edhe numri real i UÇK-së. Nga këta 37 mijë anëtarë, 10 mijë i përkisnin forcave të ardhura nga diaspora pas thirrjes dhe shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm të Qeverisë së Përkohshme të dalë nga Rambujeja. Këta 10 mijë u përdorën për të sulmuar kufirin administrativ të atëhershëm midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë dhe të sotëm midis Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

Me një veprim të thjeshtë matematikor na rezulton se nga 37 po të heqim 10 mbeten 27. Pra, 27 mijë veta ishte numri i forcave të UÇK-së, të cilat ndodheshin brenda territorit të Kosovës në 1999 duke luftuar kundër 146 mijë forcave serbe. Duhet të kemi parasysh se vetëm rreth 15-20 mijë ishin forca luftarake të UÇK-së, pjesa tjetër, pra 7 mijë, ishin forca logjistike që nuk merrnin pjesë në luftime direkte, por vetëm kur ua impononte situata.

Të gjithë e dimë se UÇK-ja, për arsye të mungesës së kapaciteteve të saj operacionale, nuk zhvilloi dhe nuk dislokoi trupa të saj në atë pjesë të territorit të Kosovës i cili njihet si Veriu i Kosovës. Pra, UÇK-ja i zhvilloi aktivitetet e saj operacionale vetëm në pjesën e mbetur të territorit, nga lumi Ibër e këtej, në një sipërfaqe territori prej vetëm 7200 km2. Në këtë territor UÇK-ja kishte 2 divizione luftarake, pra 27 mijë forca dhe, me gjithë këtë sasi forcash, sërish nuk ishim në gjendje që ta realizonim vetëm çlirimin e këtij territori. Na u desh ndihma e NATO-s që të arrinim çlirimin.

Pra, UÇK-ja luftonte në një territor 1.5 herë më të madh se ai i Veriut të Kosovës, për të cilin sot qeveria e Kosovës pretendon se Serbia do të arrinte të bënte aneksimin me vetëm 150 veta. Pra, nga ana operacionale, arritja e këtij objektivi është i pamundur. Edhe në rast se ky numër do të shkonte në 1500 veta, sërish nuk do të mund të bënte aneksim, por do të mund të krijonte idenë e një kryengritjeje, ide të cilën e shpalosi Vuçiçi, por që tani nuk e përmend më, pasi i kanë shpjeguar se ajo deklaratë i ka dhënë përkatësinë juridike të këtij aksioni.

Ndaj, qeveria e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme në të tilla deklarata që e tregojnë dhe e paraqesin qeverinë në mungesë profesionalizmi e, më së shumti, një deklaratë e tillë është fyese për KFOR-in dhe në veçanti SHBA-në, sepse pandashmërinë territoriale të Kosovës e garanton ushtarakisht NATO nëpërmjet KFOR-it dhe politikisht SHBA-ja, që këto të fundit e treguan me urdhërin ndaj Serbisë për të tërhequr forcat e saj ushtarake nga kufiri me Kosovën, forca këto që filluan menjëherë tërheqjen pas deklaratës së SHBA-së.

Dhe këtu vijmë te objektivi taktik i këtij operacioni paraushtarak serb në Veri. Ky grup i armatosur, i ardhur nga Serbia dhe nga i cili vetëm 30 u shfaqën publikisht, ishte udhëzuar nga gjeneralët dhe ata që e kanë konceptuar këtë operacion që të vendoseshin në afërsi të Manastirit pasi nga të gjitha këndvështrimet ai përbënte pikën më strategjike për të bërë të mundur realizimin e objektivit strategjik dhe operacional.

E para, kjo është pika më e afërt e kufirit me Serbinë që, nëpërmjet një terreni tepër të thyer e të vështirë malor, do i mundësonte këtij grupi tërheqjen pa u rrezikuar shumë, ashtu si edhe ndodhi. E dyta, kjo pikë u zgjodh pasi, duke qenë një objekt fetar, përbën një pikë nevralgjike për të gjithë botën sllave në veçanti dhe atë të krishterë në përgjithësi. E treta, ky objekt, ashtu si edhe gjithë objektet e tjera fetare në Kosovë, janë në ruajtje nga KFOR-i.

Le të bëjmë lidhjen e këtyre tri pikave me njëra-tjetrën nga ana taktike që të kuptojmë thelbin e kësaj ndërhyrjeje të jashtëligjshme të Serbisë në Kosovë.

Në fillim, këta persona zunë disa pozicione rreth manastirit dhe qëllimisht vranë edhe një polic të Policisë së Kosovës në mënyrë që të ndodhte ndërhyrja e armatosur e policisë ndaj kësaj force. Dhe policia ndërhyri duke zhvilluar një përleshje disa orëshe me këto forca të cilat, edhe pse posedonin armatim të atillë si në sasi, ashtu edhe në cilësi për t’i bërë ballë një ndërhyrjeje të tillë të policisë, sërish u tërhoqën në drejtim të manastirit duke u strehuar në të. Ata e bënë këtë tërheqje me luftim të vogël për të arritur që ta karikonin në maksimum Policinë e Kosovës, të cilën donin ta fusnin në kurth. Kurthi i tyre ishte që në këtë eufori luftimi disa orëshe, kur policia të shihte se grupi po tërhiqej, ajo pastaj ta sulmonte këtë grup kur ky të ishte vendosur në manastir dhe këtu pastaj serbët të kryenin një masakër ndaj murgjve që ndodheshin aty dhe këtë t’ia tregonin më pas gjithë botës.

Por Policia e Kosovës u tregua tepër e përmbajtur dhe tepër profesionale, krejt e kundërta e qeverisë dhe në veçanti e ministrit të saj, i cili gjatë asaj kohe deklaronte: “Do i përgjigjemi luftës me luftë”. Pasi serbët u futën në manastir, policia kontaktoi menjëherë me KFOR-in dhe të gjitha veprimet e saj i koordinoi më pas me KFOR-in.

Kjo tregon se ky pozicion u zgjodh nga ana taktike që në rast se Policia e Kosovës do binte në këtë kurth e të sulmonte manastirin, kjo do e vinte Kosovën në armiqësi direkte me NATO-n, e cila mbron objektet fetare; do e vinte direkt në armiqësi me BE-në dhe me të gjithë vendet ortodokse të saj, në mënyrë që pastaj Serbia t’u kërkonte këtyre vendeve të anulonin njohjen e tyre të Kosovës.

Dhe në fund, një sulm ndaj këtij objekti fetar do të realizonte objektivin strategjik të shtetit serb dhe Vuçiçit, të këtij operacioni, që të armiqësonte të gjithë serbët e Kosovës me qeverinë e Kosovës dhe ata të ngriheshin në protesta të paarmatosura, gjë që do t’i jepte mundësinë Vuçiçit dhe Serbisë që të kërkonte ndarjen e Kosovës dhe ta konsideronte këtë si kryengritje popullore, kryengritje kjo që dështoi.

Mund të them që ky plan i mirëmenduar dhe i mirëorganizuar nga ana e Serbisë nuk arriti dot asnjë prej tri objektivave që kishte. Ky dështim erdhi vetëm si rezultat i reagimit profesional të Policisë së Kosovës dhe përvojës së saj 20 vjeçare.

Qeveria e Kosovës, sot më shumë se kurrë, duhet të tregohet e përmbajtur e jo euforike. Ajo duhet të ndalojë deklaratat dhe të merret vetëm me grumbullimin e provave dhe fakteve dhe ta padisë Serbinë për terrorizëm shtetëror në gjykatën ndërkombëtare. Për ta bërë këtë, do i duhet patjetër ndihma e Shqipërisë.

Prandaj, Kosova dhe gjithë shqiptaria duhet t’i kërkojnë qeverisë së Shqipërisë që të ngrejë jo vetëm këtë akuzë në gjykatën ndërkombëtare por, duke shfrytëzuar faktin se tani ajo udhëheq Këshillin e Sigurimit të OKB-së, të planifikojë, organizojë dhe kërkojë një mbledhje të veçantë të këtij Këshilli, ku të evidentohet qartësisht ky terrorizëm shtetëror i Serbisë dhe, me këtë rast e në veçanti për këtë arsye, të kërkohet ndryshimi i Rezolutës 1244. 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA