...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Sfida e Durrësit për të ringjallur traditën dhe ruajtur mozaikët (Video)

Mozaikët e vjetër të Durrësit, një dëshmi e një qyteti të pasur të antikitetit, rrezikohen prej pamundësisë për t’i mbrojtur. Shumë prej tyre janë të panjohur e mbeten të mbuluar nëntokë, ndërsa qyteti përpiqet të rigjallërojë traditën e ndërtimit të tyre.

Birn

03/01/2018 - 09:19

Mozaiku i “Bukuroshes së Durrësit” i cili shkul nga qyteti ku u gjet, në fillim të viteve 80’ dhe u trasferua në Tiranë për t’u vendosur në hyrje të Muzeut Kombëtar, është ndoshta me fat, nëse mund të quhet kështu shpërngulja e tij.  Disa mozaikë të ngjashëm të antikitetit e mesjetës së Durrësit, o gjenden në mëshirë të lagështisë në bodrume pallatesh, o janë rimbuluar nëntokë sepse nuk mund të sigurohet ruajtja e tyre.   

Regjisori Gjergj Vlashi, i cili kur ishte gjimnazist mori pjesë në zbulimin e një prej tyre, beson mozaikët janë më të mbrojtur nëntokë.  “Shiko ai u mbulu, por ajo mbulesë duket qe fatmirë se u rujt mozaiku dhe toka e run më mirë se sa e rujanë njerëzit”, thotë ai.

Por, ndërsa has vështirësi të ruaj zbulimet arkeologjike, qyteti bregdetar nuk ka hequr dorë prej artit të mozaikëve. Sëfundmi një nismë e Muzeut Arkeologjik synon që ta risjellë në vëmendje ndërtimin e mozaikëve, ndërsa restauratorë dhe një kompani e ndërtimit të mozaikëve, po u mësojnë fëmijëve teknikat e njërit prej arteve më të vjetra të qytetit.

Mungesa e fondeve rrezikon mozaikët

Megjithëse me peshë të veçantë historike dhe dëshmues të zhvillimit ekonomik dhe kulturorë të qytetit prej lashtësisë, mozaikët janë objektet arkeologjike që njihen më pak në Durrës. Ato që janë zbuluar kanë pësuar dëmtime të rënda pas zbulimeve, ndërsa mjaft të tjerë vazhdojnë të jenë të mbuluar në pritje të kohëve më të mira.

Qazim Kërtusha, restaurator në Muzeun Arkeologjik Durrës, i tha BIRN se ndërsa mendohet për të finacuar zbulimet, shumë pak fonde jepen për ruajtjen e gjetjeve arkeologjike përfshi mozaikët.

“Zakonisht nuk i vënë fonde pjesës konservuese, shumë pak. Restauratori duhet të shoqërojë gërmimin arkeologjik, të bëjë konservime edhe gjatë gërmimeve sepse qëllon që është i dëmtuar. Sepse nga njëherë zbulohet dhe e lëmë kështu. ‘S’kemi fonde për ta konservuar’, por atëherë pse e zbuluam, thjeshtë për ta botuar, na ngelet vetëm letra, vetëm fotografitë”, thotë Kërtusha.  

Restauratori Qazim Kërtusha

Kërtusha dhe specialistë të tjerë pranojnë se historia e re nuk ka qenë shumë dashamirëse me mozaikët e qytetit. Më i famshi ndër ta, “Bukuroshja e Durrësit”, i cili u bë i njohur në vitin 1959, 43 vjet pasi ishte zbuluar nga dy arkeologë austriakë në luftën e parë botërore u transferua në Tiranë në vitin 1981 dhe u vendos në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar.

Një tjetër, i cili u zbulua para 50 vjetësh në Kapelën e Amfiteatrit të Durrësit, dhe që është i vetmi mozaik në vendin tonë i ndërtuar vertikalisht në një faqe muri, megjithë kujdesin e vazhdueshëm të punonjësve, mbetet në mëshirë të ujërave dhe lagështisë që vazhdojnë ta dëmtojnë.

Mungesa e fondeve për ruajtjen dhe konservimin e ka lehtësuar shkatërrimin e pareteve ku janë vizatuar 1400 vjet më parë figurat e disa shenjtorëve. “Unë jam dëshmitarë kur është zbuluar ai, që ka qenë i veshur i larë në arë, sot ai mozaik ka një degradim, megjithëse janë bërë një sërë punimesh restuaruese. Ndërhyrja është emergjente, pasi është i një rëndësie të veçantë”, thotë Kërtusha.

Në të njejtën situatë ndodhet edhe mozaiku i Meandrit, që ndodhet në bodrumet e një pallati shumë pranë qendrës së qytetit. Punonjësit e Drejtorisë rajonale të kulturës, që e shpëtuan atë nga balta dhe papastërtitë nuk munden ta ruajnë nga ujrat nëntokësore.

Mozaiku me skena baritore i Bazilikës së Arapajt shumicën e kohës mbahet i bllokuar nën rërën me plasmas dhe hapet per publikun në raste shumë të rralla.

Mozaiku me Rozetë, një tjetër mrekulli e zbuluar në fillim të viteve 2000,  mbahet i mbyllur po ashtu në në bodrumin e një pallati, në të njëjtën rrugë ku në vitin 1947 u zbulua mozaiku me kalë deti.

E ndërsa gjetja e tyre u kremtua dhe gëzoi banorët e zonës, siç kujton edhe Regjisori Gjergj Vlashi në atë kohë gjimnazist, ruajtja e tyre duket e pamundur mbi tokë.

“Ne u përfshim sepse na u kërku në mënyrë vullnetare për ta hap këtë për ta zbulu këtë mozaik. Unë kam banu me familjen time karshi, dhe kur pamë këtu që erdhi muzeumi për të bërë zbulimin, na u propozu që ju çuna, të ri jeni, gjimanzista jeni dhe ne me entuziazmin djaloshar iu futëm kësaj pune. Vangjeli (Arekeologu Vangjel Toçi) na dha disa vegla dhe filluam të gërmonim.. Mozaiku nuk është shumë thellë nja 1 metër gjymës”, kujton Vlashi zbulimin.

Në të njejtën rrugë në Durrës me këto vepra të antikitetit janë zbuluar edhe disa mozaikë të tjerë, çka I bën arkeologët të mendojnë se lagjia pas teatrit “Aleksandër Moisiu” fsheh akoma pasuri të ngjashme të trashëgimisë kulturore.

Durrësi rizbulon ndërtimin e mozaikëve

Një trashëgimi që vijoi të kultivohej në Durrës edhe në vitet e pas luftës. Artistët Gavril Priftuli dhe Nikolet Vasia punuan në hyrje të Mauzoleut të Dëshmorëve.  Ndërkohë sëfundmi një nismë e Muzeut Arkeologjik synon tu mësojë fëmijëve  teknikat e ndërtimit të mozaikëve.

Restauratori Kërtusha tha se projekti ishte për të i një rëndësie të veçantë. Ai tregon se Durrësi qyteti i mozaikëve të antikitetit vetëm pak kohë më parë kishte filluar të importonte mozaikë nga jashtë. Kërtusha thotë se gjërat kanë filluar të ndryshojnë me një rikthim të pasionit, ndërsa shpjegon se ky është edhe qëllimi i projektit mes muzeut, restauruesve dhe kompanisë së mozaikëve.

Në një nga sallat e Muzeut Arkeologjik ata krijuan një laborator të vogël. Siç shprehet Saimir Bimi, drejtues i kompanisë, kënaqësia e punës së përbashkët është më e madhe.

“Arritja te fëmijët sjellja te brezi i fëmijve të sotëm i mozaikut sigurisht që është një e nesërme është vazhdimi i të nesërmes së mozaikut…”, thotë Saimir Bimi, për BIRN.

Mozaikët e Durrësit janë tregues i mirëqënies ekonomike të një shtrese qytetare, e cila qindra vjet më parë i ka lejuar vetes të jetojë mirë, pavarsisht nga kohët që kalonte bota pranë tyre. Por qyteti bregdetar deri tani nuk ka mundur ta dëshmojë këtë dimension të rëndësishëm të jetës së tij në antikitet dhe në mesjetë.

Zbulimi dhe rimbyllja për paaftësi teknike, betonimi “i heshtur” në themelet e pallateve apo transferimi i tyre nga një qytet në tjetrin duket se përbën një paralele me jetën e Durrësit, qytetit të tronditur dhjetra herë nga tërmetet dhe luftërat shkatërruese.

Por siç thotë skulptori i ri, Amarildo Reçi, historia e mozaikëve dhe qytetit të Durrësit nuk mund të mbyllet kështu. “Mozaiku është diçka që lidhet më shumë me shpirtëroren”, i tha Reçi BIRN, ndërsa tregon se ai ka trashëguar nga babai e mësuar prej skulptorëve të njohur të qytetit punën me mozaikë.

Reçi thotë se punë e vështirë dhe me detaje të punimit të guralecëve, një pasion për të familjarë e ka trashëguar edhe sepse beson që ajo është pjesë e qytetit të tij.   

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA