...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

AAK-ja diskuton një propozim-projekt zhvillimor për Lubishtën

Kjo për t’ia rikthyer perspektivën komunës tonë me qëllim që të sigurohet e ardhmja e banorëve të saj këtu dhe jo gjetiu.

SHJ

27/09/2023 - 07:51

Propozim-projekti ynë për Lubishtën është rrjedhojë e një analize të gjatë sistemike ku konfiguracioni gjeografik; zhvillimet historike; dinamikat shoqërore, ekonomike e kulturore të tanishme, dhe i gjithë potenciali i njohur dhe i panjohur i komunës tonë, janë marrë parasysh me qëllim që të hedhim në perspektivë një vizion të ri, të qartë, të duhur, të mundshëm dhe të matshëm. Kjo për t’ia rikthyer perspektivën komunës tonë me qëllim që të sigurohet e ardhmja e banorëve të saj këtu dhe jo gjetiu. Vizioni ynë është për një Viti evropiane, të sigurtë, të begatshme dhe konkurruese me çdo qytet tjetër Perëndimor.

Për të kuptuar drejtë propozim-projektet tona, duhet të mirren parasysh tri elemente thelbësore të vizionit tonë:

1. Vizioni ynë është sistemik. Me këtë duhet të kuptojmë se asnjë projekt i yni i veçantë nuk është i menduar në formë të ndarë nga vizioni ynë botëror. Ai është gjithmonë një projekt i menduar me projektet e tjera - si dhe - si pjesë e një modeli të përbashkët zhvillimor.

2. Në modelin tonë, zonat urbane dhe zona rurale janë qartësisht të përcaktuara. Kjo do të thotë se çdo investim bëhet duke respektuar kriteret e caktuar sipas asaj në është zonë urbane apo zonë rurale. Kjo nuk dallon fare në kuptimin e nivelit, cilësisë apo sasisë, por dallon në formë, përbërje apo natyrën e investimit. Për shembull, nëse trotuarët bëhen me beton në zonat urbane, trotuarët në zonën rurale do të bëhen, si për nga forma ashtu dhe përbërja, me elemente të tjera që e mundësojnë ruajtjen e ambientit të natyrshëm siç mund të jenë gurët natyralë.

3. Vizioni ynë gjithashtu do të realizohet dhe funksionalizohet në mënyrë rritëse ose inkrementaliste dhe kryerëse ose performative. E para do të thotë se do të shkojmë «gur më gur për ta bërë mur», kurse e dyta do të thotë se çdo «gur» i vendosur do të jetë motiv shtytës për «gurin» tjetër në kuptimin ekonomik të fjalës.

Andaj, kur i themi këto, ne mirëpresim që projektet tona të veçanta të lexohen së bashku me projektet e tjera dhe përbrenda vizionit dhe modelit tonë të gjërë për komunën e Vitisë. Gjithashtu, mirëpresim nga të gjithë që ky vizion dhe këto projekte të mendohen dhe shqyrtohen, jo vetem brenda një analize statike (brenda gjendjes së tanishme) por përbrenda një analize dinamike ku një element e shtynë tjetrin të zhvillohet apo, siç thotë populli, «molla piqet me mollët e tjera».

Kështu, projekti ynë për Lubishtën, përveç se do të jetë në dobi të drejpërdrejtë të banorëve të saj, ai do të jetë edhe në dobi të të gjithë qytetarëve të komunës tonë.

Si më poshtë do ta shpalosim në pika të shkurta propozim-projektin tonë për Lubishtën.

Turizmi - Lubishta do të jetë vazhdim i projektit turistik që do ta përshkruajë një itinerar malor (rrugë parku për këmbësor, kafshë, mjete motorrike malore etj.) që fillon nga malet në Vërban, përshkon malet e Goshicës, Smirës; kalon nëpër Mjak e Dëbëllëdeh për të arritur në Lubishtë dhe për të vazhduar për në vendarritjen e fundit: Letnicë. Përgjatë këtij udhëtimi parashihet të investohen (publiko-privat) një sërë aktivitetesh sportive, sfiduese, argëtuese dhe relaksuese me qëllim që të tërhiqet një fluks i madh turistësh në nivel kombëtar e ndërkombëtar.

Më afër qytetit - Me futjen e Ramnishtës dhe Beguncës në zonë urbane (pikë e programit tonë), Lubishta do të jetë zonë rurale e kufizuar me zonën urbane apo qytetin e Vitisë. Kësaj radhe, nuk është afruar Lubishta me Vitinë, por Vitia me Lubishtën. Sidoqoftë, kjo është e një rëndësie të veçantë për këtë vendbanim dhe do të mundësojë një raport tjetër në mes kësaj zone jashtëurbane dhe qytetit të Vitisë.

Qendra sociale - Pika më sipër, e bënë të kuptueshme propozim-projektin tonë për ndërtimin e një qendre sociale në Lubishtë.

Uji - Lubishta ka ujë me shumicë, jo vetëm për nevojat e veta parësore, por edhe për ta pasuruar ambientin dhe zbukuruar pamjen e saj në tërësi. Kështu, ne do të ndërtojmë një seri (6-7) gjola mbledhës të hapur të ujit përgjatë itinerarit Lubishtë-Letnicë për qëllime atraktive e turistike dhe disa mbledhës uji të mbyllur për nevojat e fshatit. Pra, ne premtojmë për një zgjidhje përfundimtare të ujit në Lubishtë. Sot as nuk mund ta kuptojmë se si një vendbanim me kaq shumë ujë natyral vuan për ujë. Pra, i gjithë sistemi i ujit do të ribëhet dhe uji nuk do të të jetë më një problem për këdo në Lubishtë. Uji në programin tonë është përparësia më e lartë. Në lidhje më këtë përparësi, vizioni ynë është krijimi i një liqeni të madh në Budrikë; ndërtimi i një apo dy gjolave mbledhës në çdo vendbanim ku ka ujë të rrjedhshëm dhe subvencionimi i mbledhësve të ujërva të shiut në nivel shtëpiak për çdo shtëpi; dhe krijimi i sistemeve publike për mbledhjen e ujërave të shiut në hapësirat publike.

Fabrika e ujit do të jetë një tjetër pasuri për këtë vendbanim. Ne do të investojmë përmes një kryqëzimi pubiko-privat për një fabrikë moderne të ujit të Lubishtës dhe produkti i kësaj fabrike do të mbështetet në çdo nivel me qëllim që ai të jetë konkurent e i fuqishëm në të gjithë vendin tonë.

Sheshi i Lubishtës është menduar të bëhet në hapësirën që shkon nga shkolla fillore deri tek çeshmja e ujit. Ai do të ndërtohet mbi kritere të veçanta për zonat jashtë-urbane.

Rrugët, ndriçimi, kanalizimi dhe shumë punë të tjera të kësaj natyre janë të padiskutueshme për ne sepse janë punë të qarta dhe detyrim i patejkalueshëm i detyrave të Komunës. Ajo që është e diskutueshme dhe që do ta diskutojmë gjithëherët me banorët, është se si të bëhen ato. Është fjala për përbërjën e materialit, formën, stilin, ngjyrat, kombinimet etj. Më lartë kemi folur për dallimin mes zonave urbane dhe ato rurale. Atëherë, ne nuk do të investojmë me të njejtat kritere në zonat jashtëurbane dhe në ato urbane. Pra, Lubishta do të ketë një investim specifik që i përshtatet nevojave të saja si zonë jashtëurbane me potencial turistik. Kjo do të thotë se çdo investim do t`i përshtatet qëllimeve, bukurisë së natyrës, ruajtjes së ambientit etj.

Mirëmbajtja - Sot në të gjitha vendbanimet jashtëurabane, por edhe në pjesët urbane, nuk ka mirëmbajtje të rregullt të hapësirave publike. Për pasojë, gjelbërimi rritet egër përgjatë rrugëve; sinjalistika dëmtohet; lulet thahen; llampat e ndriçimit nuk ndërrohen kur digjen; mbeturinat publike nuk mblidhen; varrezat dhe parqet nuk mirëmbahen. Kjo gjendje është e papranueshme. Aq më tepër në vendet që ne i konsiderojmë si zona të një rëndësie të veçantë siç është Lubishta. Kështu që në vizionin tonë është projektuar të krijojmë 4 kompani publiko-private, të cilat do të ndajnë secila nga 10 zona për t`i mirëmbajtur dhe lulëzuar ato. Lubishta me ne do të jetë njëri ndër vendet më të bukura, më të rregullta dhe më të pastra në nivel kombëtar. Dhe kjo pikë nuk është thjesht premtim, por zotim i palëkundur i yni.

Bujqësia është një çështje e ndëlikuar që kërkon një trajtim të gjatë dhe të veçantë. Ne do t`i kushtojmë një program të tërë bujqësisë në Viti duke e hedhur në një perspektivë reformuese. Atë që mund të themi sot këtu është se zonat malore dhe ato me sipërfaqe të pjerrta do të veçohen nga zonat e rrafshta për t`u trajtuar veçmas dhe kjo do të thotë se do të kenë një mbështetje më të lartë.

Arsimi është në një gjendje tepër të vështirë dhe ne kemi propozuar një reformë të thellë pasi kemi vizituar të gjitha shkollat e Vitisë. Lubishta nuk bënë përjashtim në këtë aspekt.

Shëndetësia është po ashtu një temë e veçant që do ta paraqesim me një trajtim veçmas në muajt në vijim. Edhe këtu Lubishta nuk do të bëjë ndonjë përjashtim për nga ana e analizës tonë.

Pra, për bujqësinë, arsimin dhe shëndetësinë do të kthehemi në Lubishtë për t`i diskutuar bashkarisht dhe gjerësisht këto tri tema.

Ky propozim-projekt që po ju dorëzojmë sot është angazhimi ynë i shkruar për zotimet e tona. Është kontrata jonë mes nesh. Andaj, ju ftojmë ta ruani dhe të na i kujtoni këto zotime që ju kemi bërë sot.

Megjithatë, mos harroni se në Lubishtë sërish do të kthehemi për ta pasuruar edhe më shumë vizionin tonë. Ky nuk është fundi. Është vetëm fillimi i një dialogu të mirëqenë qytetar.

Kryesia e Aleancës, Dega Viti/ 23 shtator 2023

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA