...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Amerikanët godasin sërish Bashën: ka marrë pará ruse

Viti 2017, emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së

Voa

14/09/2022 - 09:14

Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014 dhe Presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën, sipas një zyrtari të lartë amerikan.

Sipas zyrtarit që foli me median, ky është përfundimi në të cilin arrin një raport i komunitetit amerikan të zbulimit i cili ka analizuar financimet e Rusisë “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda”.

Sipas një burimi me njohuri mbi raportin amerikan të zbulimit, Shqipëria është një nga këto vende.

“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”, tha burimi i qeverisë amerikane.

Burimi nuk dha hollësi të mëtejshme për rastin e Shqipërisë. Por viti 2017, emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja.

Firma lobuese amerikane kishte dekaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo kishte marrë gjithsej tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.

Pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera, sipas deklararimit janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

Në një artikull të gjatë hulumtues rreth këtyre pagesave për Muzin Capitol, revista amerikane Mother Jones ngrinte dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP” me bazë në Skoci, për aktivitete lobimi në favor të PD-së para zgjedhjeve të vitit 2016 në Shqipëri, qëndronin biznesmenë rusë.

Në deklarimet e firmës Muzin për Departamentin e Drejtësisë thuhet se pagesa ishte bërë nga Partia Demokratike. Megjithatë shifra prej 500 mijë dollarësh figuron në kontratën me Biniattën dhe jo me PD-në, sipas Mother Jones.

Autoritet shqiptare hapën hetime lidhur me këto pagesa, duke thënë se “paratë janë paguar nga një kompani kompani offshore dhe se Partia Demokratike nuk ka raportuar në mënyrë të rregullt, pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, paratë e shpenzuara, duke iu shmangur kështu legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave”.

Më pas prokuroria u tërhoq nga akuza për pastrim parash dhe Gjykata pushoi çështjen e ngritur për falsifikim dokumentash ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishajt lidhur me pagesat për firmën Muzin.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dhënë shpjegime të ndryshme për pagesën 500 mijë dollarëshe, duke u shprehur në fillim se ajo u dha nga shqiptaro-amerikanët, por më pas është shprehur se “Çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai. Janë marrëdhënie të firmës Muzin me palë të treta”.

Veç Shqipërisë, sipas burimit të administratës amerikane, në raport përmenden edhe Bosnja dhe Mali i Zi, respektivisht për financimin e fushatës së udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorak Dodik për zgjedhjet e vitit 2018 dhe fonde për partinë pro-ruse Fronti Demokratik.

Zyrtari amerikan tha për median se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar me aleatë dhe partnerët për të mbledhur më shumë informacion për rrezikun e financimit rus për partitë politike.

“Ajo që është më tronditëse për këtë studim është se shohim praninë e financimit të fshehtë rus në mbarë botën...Po i paralajmërojmë këto parti të huaja dhe kandidatë se nëse pranojnë fshehurazi paratë e Rusisë, ne kemi mundësinë t’i ekspozojmë, dhe do t’i ekspozojmë”, shtoi ai.   

Basha mohoi akuzën ndërsa Berisha kërkon hetim

Në një postim në Twitter, zoti Basha shkroi se “Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus”. Viti 2017, përkon me deklarimet e firmës lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’, se në atë vit, ajo kishte marrë tre pagesa, me një vlerë totale prej 675 mijë dollarësh për të punuar në favor të Partisë Demokratike. Kjo e fundit ka pranuar pagesën e vetëm 25 mijë dollarëve, ndërkohë që kompania Muzin, ka deklaruar se 150 mijë dollarë janë paguar përmes shoqërisë ‘Biniatta Trade LP”, e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë - një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale. Investigime të ndryshme mediatike në atë kohë, ngritën dyshime për fije të shumta lidhjesh të kompanisë Biniatta, të cilat çonin drejt Rusisë.

Akoma më i paqartë mbeti burimi i 500 mijë dollarëve të tjerë që sipas ‘Muzin Capitol Partners’ ishte paguar direkt nga PD. Në dokumentin që firma Muzin ka paraqitur në Departamentin e Drejtësisë figuron shifra 500 mijë dollarë dhe thuhet se ajo është bërë nga Partia Demokratike. Megjithatë shifra prej 500 mijë dollarësh figuron në kontratën me Biniattën dhe jo me PD-në, sipas Mother Jones.

Për to zoti Basha dha dy shpjegime të ndryshme. Në nëntor të vitit 2017 ai e kishte shpjeguar pagesën me fonde të mbledhura nga një numër i madh shqiptaro-amerikanësh, pa kaluar përmes PD-së. Ndërsa në mars të vitit 2018 deklaroi se “çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai. Janë marrëdhënie të firmës Muzin me palë të treta”.

Në reagimin e sotëm, zoti Basha vë në dukje se dhe hetimet për këtë çështje në Shqipëri, nuk kishin zbuluar asnjë financim rus. “Kur pretendime të tilla u qarkulluan në disa media, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë çdo pretendim për financime të huaja”, shkroi ai në postimin e tij në Twitter.

Zoti Basha u mor i pandehur nga Prokuroria e Tiranës në qershor të vitit 2019, dhe në një replikë ndaj deklarimeve të tij, Prokuroria u shpreh se përmes një komunikate zyrtare se “PD ka deklaruar vetëm 25 mijë dollarë, por nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 mijë dollarësh. Në dokumentat e mbërritura nga SHBA-ja dhe Skocia dalin qartë pagesat e bëra dhe të padeklaruara, pra PD nuk ka bërë asnjë deklarim për këto pagesa në kundërshtim me ligjin”, theksohej në deklaratën e prokurorisë. Në Janar të vitit 2020 Gjykata e Tiranës, pushoi çështjen, ndërkohë që vetë prokuroria u paraqit me dy qëndrime të ndryshme.

Por sot, Partia Demokratike, e cila drejtohet tanimë nga ish kryeministri Sali Berisha, duke komentuar informacionet e fundit nga Shtetet e Bashkuara për këtë çështje foli për “akte personale të Lulzim Bashës”, të denoncuara dhe më parë. “Gjithë përgjegjësitë bien mbi Lulzim Bashën, i cili për orekset, agjendat, hallet dhe shkeljet personale, vendosi të rrënonte sovranitetin e Partisë Demokratike dhe të merrte zvarrë vullnetin e demokratëve”, u shpreh PD-ja përmes një deklarate të zëdhënëses së saj Floriana Garo.

Partia Demokratike tha se “kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë”, ndërsa njoftoi se “do t’u kërkojë forumeve të saj ngritjen e një grupi pune për ndërmarrjen e një auditi të imtësishëm nën drejtimin e një Komisioni të Posaçëm. Raporti i auditimit do t’i prezantohet Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Grupit Parlamentar, dhe do të publikohet”, u shpreh zonja Garo.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA