Athina kërcënon (prapë) me përkeqësim të marrëdhënieve
Nëse Shqipëria nuk përputhet [me kërkesën greke për të liruar Bejlerin] do të ketë pasoja lidhur me integrimin e saj në BE
Ylli Përmeti
03/08/2023 - 20:52
8 gusht: Athina kërcënon me përkeqësim të marrëdhënieve
Athina zyrtare vijon të këmbëngulë në lirimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës. Fredi Beleri i cili pret të gjykohet nga gjykata e Posaçme në Shqipëri, nën akuzën e "korrupsionit aktiv në zgjedhje".
Ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis i tha rrjetit shtetëror televiziv grek “ERT” se “këmbëngulja e palës shqiptare për të mos marrë masat e nevojshme për lirimin e zotit Belerit dhe mbi të gjitha për të mos lejuar atë që të bëjë betimin, që rrezikon shkarkimin e tij të mundshëm, do të nënkuptojë një përkeqësim serioz të marrëdhënieve dypalëshe me Shqipërinë”.
Zoti Gerapetritis në deklaratën e tij përsëriti qëndrimin e qevrisë greke se “paraburgimi i Belerit është i paligjshëm dhe cënon shtetin e së drejtës”.
“Nuk ka sesi të vazhdojë procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian kur ka një shkelje të tillë të shtetit ligjor dhe prezumimit të pafajësisë së zotit Beleri", tha ministri i jashtëm grek, Gerapetritis.
Sipas kreut të diplomacisë greke “mënyra e trajtimit të çështjes përbën një pengesë serioze në rrugën e përparimit të Shqipërisë drejt familjes europiane dhe tensioni i krijuar nuk është aspak i dobishëm për vendin fqinj”.
Prokuroria e Posaçme në Shqipëri, njoftoi pak ditë më parë se mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim rastin e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, nën akuzën e "korrupsionit aktiv në zgjedhje".
Zoti Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit nën dyshimet për shitblerje të votave dhe doli fitues, me një diferencë shumë të ngushtë votash, ndaj kantidatit rival Jorgo Goro.
Të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar kanë lënë në fuqi masën e arrestit në burg për zotin Beleri dhe kjo i ka pamundësuar të bëjë betimin për postin e kryetarit të Bashkisë së Himarës. Voa
3 gusht:
Shtypi grek njoftoi sot se zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian për mbrojtjen e mënyrës së jetës, Margarit Skinja, i ka dërguar një letër komisionerit të Fqinjësisë dhe Zgjerimit Oliver Varhelit, lidhur me Fredi Bejlerin. Letra u quajt “shuplakë” nga shtypi dhe pason letrën e dytë pas asaj të datës 19 korrik, ku thuhet mes të tjerash se “nëse Shqipëria nuk përputhet [me kërkesën greke për të liruar Bejlerin] do të ketë pasoja” lidhur me integrimin e saj në BE.
Më konkretisht, Skinja kërkon zgjidhje të shpejtë të çështjes dhe përmend rishqyrtimin e raportit të vitit 2023 mbi sundimin e ligjit, i cili do të miratohet nga Komisioni këtë vjeshtë.
Përfaqësuesi grek e lidh arrestimin e Bejlerit me qëllimin e qeverisë “Rama” për ta penguar në drejtimin e bashkisë së Himarës dhe për të përparuar me qëllimet e saj për të përvetësuar pronat e saj. Por ndërsa pretendimi i tij lidhur me pronat ka “grimca” të vërtetash, kërkesa e tij nuk përputhet me “sundimin e ligjit” të BE-së: sepse ai akuzohet me prova jo pa prova.
Kërkesa greke vjen dy ditë pasi Prokuroria e Posaçme kishte njoftuar se kishte përfunduar hetimet ndaj tij dhe kërkoi nga gjykata përkatëse gjykimin e tij për akuzën e “korrupsionit aktiv në zgjedhje” bashkë me bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshin.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 166 reads