...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Denoncim: “Spar” mashtron qytetarët me skema pa perspektivë

Njoftimi i fundit nga biznesi i madh “Spar” për daljen jashtë përdorimit të kartave dhe pikëve të konsumatorit është një skemë mashtrimi e dyfishtë

Genta Kaloçi

06/08/2019 - 15:55

Një vendimarrje e tillë të bën të mendosh disa herë; përse ndodhin këto gjëra me ne - konsumatorin shqiptar. Paguajmë çmime marramëndëse për mallra të dyshimta dhe njëkohësisht vjedhin shtetin me bilance të ndryshme që sërish bien në kurrizin tonë!Kësaj i thonë vjedhje me lezet. Shpjegimet nga ana e biznesit për kartat e reja, ndryshim sistemi, zerim pikësh e të tjera si këto, janë tregues se diçka nuk shkon mirë. Kur thyen kaq lehtë marrëveshjen dypalëshe mes biznesit dhe konsumatorit sa herë të teket, është tregues manipulimi, mashtrimi dhe hapësire shkeljesh të tjera ligjore pse jo edhe ndaj shtetit. 

Megjithatë disa pika sqarimi për të dy palët; për biznesin dhe konsumatorin, për mos u kapur leshko. Pavarësisht ndryshimit të sistemit, pikët përse duhet të zerohen, ose të mos përfshihen, ose të mos përdoret karta, ndërkohë që s'është vendosur sistemi i ri? Konsumatorit nuk i interesojnë detajet, shpjegimet, justifikimet tuaja prej hajduti. Kjo kohë ndërmjetëse është në favor të biznesit kundër konsumatorit, pa shënuar hyrje-blerjet e konsumatorit në sistem përveç pikëve që mund të shtonte. 

Përse duhet të sorrollaten njerëzit me pyetje të tilla nëpër telefona me përgjegjsit e financës së biznesit? Ky veprim do të duhej të ishte anashkaluar, nëse veprohej me respekt ndaj konsumatorit shqiptar. Ndërkohë kjo duhej bërë direkt te kasa në momentin e vendosjes së sistemit të ri pa na rrokanisur trutë me idiotësira të këtij lloji qesharak. Mashtrimi juaj është ekzemplar në mënyrën sesi justifikoheni. Klientit nuk i interesojnë detajet e ndryshimeve të sistemit të funksionimit të brendshëm, sepse kur unë psonis siç bëra pardje nuk ka të drejtë biznesi të më refuzoj kartën dhe pikët në momentin e blerjes. Ky akt mosrespekti ndaj konsumatorit dhe vjedhje hashiqare sy për sy duke ndryshuar rregullat e marrëveshjes dypalëshe biznes konsumator është një tregues tjetër i shkeljeve të shumta financiare që bëhet me mbajtjen e disa librave bilanci. 

Gjithçka tjetër, ndryshime të ndryshme brenda biznesit tuaj duhet të bëhet automatikisht në sistem si psh futja e pikëve në sistemin e ri e të tjera. Sorrollatja është tipike e biznesit mashtrues në një shoqëri pa ligje, ku qytetari vidhet në qindra mijra marifete dhe forma. Ndryshimet duhen bërë automatikisht nga sektori IT dhe konsumatorit nuk u interesojnë shpjegimet dhe justifikimet tuaja të dala boje të këtij lloji jo profesional. 

Kjo sjellje tregon vetëm një gjë, se për ti shpëtuar detyrimeve ndaj klientit, ndryshoni çdo vit kartat, siç keni vepruar disa herë deri tani. Sjellje të tilla nuk janë rastësi, përkundrazi metodikë e mashtrimit për t'iu shmangur pagesave, pikëve ndaj konsumatorit, kontrollit të shitjeve (hyrje) që vihen re sa herë janë përdorur kartat e klientit. Nuk është çështja te pikët, se ne si konsumator nuk fitojmë asgjë nga biznesi mashtrues shqiptar, por mënyra sesi veprohet është ulëritëse. Vihet re se sa herë që mblidhen pikë, nxirrni marifetet me kartat e reja, sistemet e reja e të tjera si këto (i kam përjetuar mbi 2-3 herë personalisht në biznesin tuaj). Kjo është një çështje minore. Por problemi është shumë i thellë dhe përcakton politikat e mashtrimit të biznesit të madh në vend me ndihmën dhe bashkëpunimin e strukturave të kontrollit shtetëror.

Megjithatë duhet të dini se nuk ju shpëtojnë këto marifete për të fshirë të dhënat ekonomike nga sistemi për të mbajtur dy tre libra të bilanceve financiare.  Të gjithë duheni futur në kontroll elektronik, bizneset e mëdha për të kontrolluar detyrimet, mashtrimet dhe vjedhjet që bëni ndaj konsumatorit me çmimet dhe ofertat tuaja. Në këtë maskaradë kanë përgjegjsi dhe institucionet e kontrollit shtetëror që bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh. Në shumicën e rasteve inspektorët lajmërojnë për kontrollet fasadë për të mbushur dokumenta falso në sirtarët e shtetit kur arka e shtetit është gjithmonë bosh.

Shpresojmë që shteti ta “kapë lepurin me qerre”!   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA