Dhuna ndaj të moshuarës në Pejë dhe përgjegjësitë institucionale
Gjykuar nga përgjegjësitë institucionale dhe nga gjendja mendore e infermiereve, ato duhet të riedukohen dhe të mos linçohen nga publiku i cili nuk kupton përgjegjësitë institucionale
SHJ
03/11/2022 - 14:02
Ngjarja me të moshuarën në azilin e Pejës tregon pikë së pari përgjegjësinë e institucionit ose azilit: sepse nga ai pritet të punësojë punëtorë të kualifikuar―me kualifikim në këtë rast kuptohet se infermieret kanë kaluar nga kuptimi i sjelljes së njerëzve me aftësi të kuafizuara siç janë të moshuarit në përgjithësi dhe pacientët me alzheimer në veçanti, sepse thuhet se viktima vuante nga kjo sëmundje.
Nga ana tjetër, vetë infermieret, njëra që e dhunon dhe të tjerat që e filmojnë dhe qeshin, tregojnë se zbavisin me viktimën, hamendësisht sepse ajo vuante nga alzheimeri dhe nuk do të mbante mend dhunën e ushtruar. Gjendja e tyre mendore, në fjalë të tjera, është sa e një fëmije: sepse vetëm fëmijët (madje jo të gjithë fëmijët) zbavisin me dhimbjen e të tjerëve.
Kështu, nëse ka ndonjë mësim për të nxjerrë nga ngjarja përkatëse, ai duhet të kërkohet nga institucioni i azilit dhe nga mungesa e inspektimit të tij nga institucionet shtetërore, sepse pavarësisht se azilet marrin leje për të ushtruar një lloj shërbimi, ata duhet të inspektohet herë pas here për të parë se sa përputhen me ligjin dhe kontratën e nënshkruar.
Qendrimet e anëtarëve të qeverisë “Kurti” dhe këtij të fundit, rrjedhimisht, se u tronditën (“shokuan” tha kryetari i qeverisë) e të tjera si këto, pa treguar përgjegjësitë e tyre, janë shtirëse ose hipokrite. Gjykuar nga përgjegjësitë institucionale dhe nga gjendja mendore e infermiereve, ato duhet të riedukohen (gjykata e Pejës vendosi t`i mbajë tre infermieret në paraburgim për një muaj) dhe të mos linçohen nga publiku i cili nuk kupton përgjegjësitë institucionale! --Ylli Përmeti
Raporti sipas Voa-s:
Policia e Kosovës arrestoi të mërkurën tri punonjëse të një shtëpie kujdesi ndaj të moshuarve në qytetin e Pejës rreth 80 kilometra në perëndim të Prishtinës, nën dyshimet për dhunë fizike ndaj një gruaje të moshuar.
Arrestimet u kryen pasi në rrjetet sociale u shpërnda një video regjistrim ku shihet njё punonjëse ndërsa ushtron dhunë ndaj një gruaje të moshuar që ishte nën përkujdesje.
“Tё dyshuarat janë duke u intervistuar nga hetuesit ... dhe nё bashkërendim tё plotë me prokurorin e shtetit do të merren veprime të mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Qendra për kujdes ndaj të moshuarve “Orenda” në Pejë, njoftoi nëpërmjet rrjeteve sociale se ka pezulluar nga puna katër infermiere lidhur me këtë rast.
“A.P suspendohet nga puna për veprën e kryer, ndërsa A.R, R.K, dhe G.N sepse kanë qenë në ndërrim me të dhe nuk e kanë lajmëruar rastin te përgjegjësi”, thuhet në njoftim.
Video regjistrimi i shpërndarë në rrjetet sociale, nxiti reagime në shkallë të gjerë të institucioneve e veprimtarëve humanitarë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një komunikate për media e dënoi dhunën ndaj të moshuarës ndërsa ftoi organet e drejtësisë ta trajtojnë këtë rast me përparësi.
“Dhuna është e papranueshme pavarësisht ndaj kujt drejtohet. T`i bësh cak dhune të moshuarit është krim i dyfishtë. Ata janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë, kontributi i tyre është themeli jonë”, shkroi presidentja Osmani.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, bëri thirrje për thellim të hetimeve.
“Abuzimi që pamë sot, nuk mund të jetë i vetmi prandaj qytetarët duhet të bashkëpunojnë me institucionet në rast të dyshimeve për keqtrajtimin e familjarëve në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, apo edhe në qendrat tjera të kujdesit ndaj këtyre kategorive”, shkroi ajo në rrjete sociale.
Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës kërkoi nga ministria e Shëndetësisë që t’u hiqet licenca të gjitha infermiereve të përfshira në këtë rast.
“Gjithashtu, Rrjeti i Grupeve t Grave kërkon nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve – Departamenti për Politika Sociale dhe të Familjes, që të largojë licencën e operimit të qendrës Orenda”, thuhet në reagimin e këtij rrjeti.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 44 reads



