...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ideologjia fetare shkak për radikalizimin e rinisë shqiptare?

Edukimi fetar kaotik dhe i paorientuar tek librat themelorë fetarë mund të çojë tek radikalizmi

Voa

30/05/2019 - 07:53

Instituti për Studime Ndërkombëtare bëri të ditur të mërkurën se një ndër shkaqet e radikalizimit të rinisë shkaqe është edukimi fetar kaotik, i ardhur nga jashtë vendit. Ky është një nga përfundimet e studimit mbi shkaqet e radikalizmit dhe fillesat ideologjike të tij në Shqipëri.

Instituti publikoi studimin “Feja dhe doktrina: rrënjët ideologjike dhe shkaqet e radikalizmit në Shqipëri”, ku paraqitet një pamje e gjerë mbi përhapjen e ideologjive radikale në Shqipëri.

Drejtuesi i Institutit dhe i studimit, Albert Rakipi, tha se edukimi fetar kaotik dhe i paorientuar tek librat themelorë fetarë mund të çojë tek radikalizmi. Shqipëria u befasua kur qindra shqiptarë shkuan në luftën në Irak dhe Siri, tha zoti Rakipi, sepse ekstremizmi dhe radikalizmi fetar janë të huaj për islamin shqiptar.

“Deri në vitin 2012 debati rreth fesë dhe radikalizmit ka qenë periferik. Politika, shteti dhe feja kanë pasur marrëdhënie të fortë, veçanërisht para Luftës së Dytë Botërore. Gjatë Luftës së Ftohtë Shqipëria ka qenë larg debateve radikale fetare. Shqipëria ka qenë e imunizuar nga xhihadizmi” - tha zoti Rakipi.

Sipas tij, radikalizmin e ka ushqyer shteti i dobët në çështjet sociale, ndaj shumica e shqiptarëve që iu bashkuan Shtetit Islamik, ishin nga zona të varfra.

Zoti Rakipi tha se edukimi fetar në dekadën e parë pas diktaturës komuniste ishte kaotik, informal, pa infrastrukturë, pa programe shkollore të miratuara. Në këtë periudhë ndodhi një konvertim nga islami i moderuar në një islam më konservator, më ekstremist.

“Çështja e financimeve është thelbësore për t’u mbrojtur nga ndikimet e huaja. Radikalizmi nuk buron vetëm nga shteti i dobët ose faktorë ekonomikë, sepse Shqipëria ishte më e dobët në vitet 90-të se sa në 2012, por ka edhe faktorë të tjerë kulturorë” - tha zoti Rakipi.

Autorët e studimit pohuan se faktorët ideologjikë janë të rëndësishëm në shtysat e radikalizmit.

Gjatë tranzicionit ngritja e radikalizmit u duk qartë, pohuan ata, sepse filloi krijimi i një perceptimi të ri mbi islamin në Shqipëri, mbi transformimin e fesë dhe ringjalljen e saj, me bashkëpunim nga jashtë, me mbështetje dhe financim nga organizata të huaja.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA