Kandidati i AAK-së në Viti sfidon kryetarin me plan zhvillimor
Në sajë të punimeve tona të deritanishme e kemi kuptuar se komuna e Vitisë ka dy probleme thelbësore. E para, është shkapërderdhja e aspekteve urbane nëpër zona rurale. E dyta është përqendrimi i një zone urbane në katër rrugë. Këto dy probleme janë shkaktare të një shfunksionimi të tmerrshëm që çon në një çrregullim sistemik të Komunës tonë.
SHJ
03/02/2023 - 13:17
Qeverisja mbi 9 vjeçare e Sokol Halitit i ka shkaktuar probleme tepër të mëdha komunës së Vitisë. Siç e kemi thënë edhe më parë, investimet ishin krejtësisht kot. Sokoli nuk ka qenë kurrë i udhëhequr nga një vizion i qartë për komunën e Vitisë. Njohjen, konceptet, teoritë drejtuese dhe përkushtimin mos ia kërkoni. Thjesht nuk i ka.
Kështu edhe ka mbetur Vitia pa krijimin e një perspektive të veçantë ekonomike; pa krijimin e një qytetarie të mirëfilltë; pa krijimin e një identiteti të vetë; pa krijimin e një dinamike kulturore e artistike. Kjo ka bërë që Vitisë t`i ikë perspektiva dhe me ikjen e saj, t`i ikë edhe popullësia.
Nëse mund t`i dëftojmë shkaqet e thella të një dëshpërimi, ne duhet edhe ti dëftojmë shkaqet që mund të çojnë tek kthimi i një shprese. Për t`ia kthyer perspektivën Vitisë, ne duhet t`ia kthejmë shpresën.
Një perspektivë e re për Vitinë kërkon reflektim serioz. Ajo nuk mund të jetë as një element i vetëm dhe as një sistem pa elementet që përbashkojnë atë. Deri më sot, punimet tona kanë ofruar disa elemente që lidhen njëri me tjetrin dhe që do të rezultojnë me një sistem që shpërfaq vizionin tonë dhe një perspektivë të re për Vitinë.
Në sajë të punimeve tona të deritanishme e kemi kuptuar se komuna e Vitisë ka dy probleme thelbësore. E para, është shkapërderdhja e aspekteve urbane nëpër zona rurale. E dyta është përqendrimi i një zone urbane në katër rrugë. Këto dy probleme janë shkaktare të një shfunksionimi të tmerrshëm që çon në një çrregullim sistemik të Komunës tonë.
Duke u nisur nga një reflektim serioz, Dega e AAK-së në Viti ka punuar mbi një perspektivë krejtësisht të re të zonave urbane dhe atyre rurale. E gjithë kjo për të paraqitur në perspektivë zona me kapacitet të një përqendrimi urban nga ato që ofrojnë aftësi më të mëdha për shfrytëzim bujqësor dhe turistik.
Në sajë të kësaj pune kemi ardhur në përfundim se qytetit të Vitisë duhet t`i shtohen, me status edhe katër zona të tjera urbane. Është fjala për Ramnishtën, Beguncën, Kabashin dhe Drobeshin.
Zgjerimi i zonës urbane do të ofronte në perspektivë:
1. Një përcaktim të ri të orientimit të investimeve në të ardhmen.
2. Mundësinë e krijimit të një qyteti policentrik. Pra nuk do të kishim vetem një qendër, por disa qendra me institucione të shpërqëndruara sipas funksioneve të tyre të veçantë.
3. Ruajtjen më të mirë të mjedisit dhe krijime më të mëdha dhe të qëndrueshme të zonave të gjelbërta.
4. Mundësinë, në kohë, e përqendrimit të popullësisë në këtë zonë urbane policentrike duke u larguar nga çmimet e larta dhe hapësirat e ngushta.
5. Orientimin e qytetit në kahje të një relievi më të lartë duke i ikur mundësive të përmbytjeve dhe zënies së tokave të bukës.
6. Rrjetëzimin me kosto të ultë të të gjitha shërbimëve elementare si të transportit, ujit, ngrohjes, internetit, higjienës, kanalizimit etj.
7. Ripërcaktimin e qendrave të ndryshme sipas funksioneve të veçanta si qendrat sportive, qendrat tregtare, institucionet specifike, qendrat kulturore, qendrat arsimore etj.
8. Ndjesinë e një barazie shoqërore që nuk lejon një hendek të madh mes një qendre dhe një periferie.
Kuptohet se reflektimi është shumë herë më i gjerë e më i thellë se kaq mes grupeve të punës të AAK-së, Dega në Viti, të cilat po bëjnë një punë me përkushtim të lartë për qytetarët tanë.
Në muajt në vijim do të kemi mundësi që t`i ballafaqojmë idetë tona në tribuna publike me qytetarët tanë ku edhe do të mund të zgjerohemi në lidhje me programin tonë.
Vizioni ynë policentrik i qytetit të Vitisë, ku u tha se Ramnishta, Begunca, Kabashi dhe Drobeshi, do të bëhen pjesë të zonës urbane, është pjesë e programit tonë.
Ne në këtë program, me miratimin publik të qytetarëve, do të përfshijmë edhe propozimet e tjera si hekurudhën, zonën këmbësore, nënkalimin, reformën arsimore, parkingun nëntokësor, terminal etj.
AAK-ja ka vizion për Vitinë dhe ajo do të bëjë të pamundurën për t`ia kthyer shpresën dhe perspektivën komunës tonë.
Kryesia e Degës, Viti
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 14 reads



