Kapitalistët perëndimorë nga sytë këmbët: në vend të tyre, vijnë arabët
Në vitin 2016 numri i ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta (bashkëpronësi e huaj dhe shqiptare) u ul me të paktën 5.1% në raport me një vit më parë.
Monitor
15/12/2017 - 20:13
Të dhënat bëhen publike në studimin e fundit të Institutit të Statistikave dhe Bankës së Shqipërisë mbi bizneset e huaja në Shqipëri ku jepet më gjerësisht edhe kontributi i tyre real në punësim, eksporte, importe dhe investime.
“Në vitin 2016, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta kanë punësuar 16 % të totalit të punësimit dhe kanë kontribuar me 22,7 % në totalin e xhiros vjetore. Ndërmarrjet me pronësi 100% të huaj mbulojnë 71,4 % të totalit të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta, ndërsa ndërmarrjet e përbashkëta me mbizotërim të huaj mbulojnë 14 % të tyre” thuhet në raportin e INSTAT.
Origjina dhe aktiviteti
Vendet e Bashkimit Europian janë edhe ato që kanë më shumë investitorë prezent në Shqipëri. Sipas INSTAT në vitin 2016, ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e Bashkimit Evropian zënë afërsisht 2,5 % të ndërmarrjeve aktive gjithsej në Shqipëri dhe 70 % të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta.
Nga ana tjetër ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor përfaqësojnë 10,9 % të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta kurse ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e tjera zënë 19,1 %.
Ndërmarrjet nga shtetet e BE janë aktive kryesisht në shërbime 24.3% çka i dedikohet kryesisht zgjerimit të call center por edhe shërbimeve të tjera. Në tregti janë të angazhuara 18.6% e tyre, dhe në industri (13,6 %), ndaj totalit te ndërmarrjeve te huaja dhe te përbashkëta.
“Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, bazuar në numrin e të punësuarve, në vitin 2016 ndërmarrjet e vogla nga vendet e BE-së mbulonin 77,1 % të të gjitha ndërmarrjeve të BE-së, ndërsa kompanitë e mëdha mbulonin 1,3 %. Kjo përqindje e bizneseve të vogla dhe të mëdha lidhet me veprimtarinë ekonomike ku ata veprojnë” vlerëson INSTAT.
Bie numri i të punësuarve
INSTAT bën me dije se në vitin 2016, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta kanë punësuar 16 % të punësimit gjithsej, nga 17,7 % në vitin 2015. Shitjet neto të realizuara nga ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta përbëjnë 22,7 % të shitjeve neto të ndërmarrjeve rezidente në vitin 2016, ndërsa gjatë vitit të kaluar ky tregues ishte 24,6 %.
Përqindja e investimeve të realizuara nga ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta është 46,9 % e investimeve gjithsej të vitit 2016, ndërsa në vitin 2015 ishte 42 %.
Investimet e Huaja Direkte
“Investimet e Huaja Direkte janë një faktor kryesor i integrimit ekonomik ndërkombëtar dhe globalizimit. Statistikat e besueshme të IHD-ve kanë qenë gjithmonë thelbësore për hartuesit e politikave që përballen me sfidat e tërheqjes dhe shfrytëzimit të investimeve të huaja. Stoku i IHD është rritur me 14 %, në 2016 krahasuar me 2015. Në fund të vitit 2016, vendet e BE-së përbënin pjesën më të madhe të Stokut (59,3 %), të dominuara nga Greqia dhe Hollanda respektivisht me 21,7 % dhe 12,6 %” pohon INSTAT.
Të dhënat e INSTAT treguan se numri i ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta ra me 5.2% në vitin 2016. Nga të dhënat e përpunuara nga Monitor rezulton se të paktën 13 shtete kanë shënuar tkurrje të numrit të subjekteve që kishin aktivitet në Shqipëri, ku kryesojnë vendet e Europës Perëndimore.
Tkurrjen më të lartë në vlerë absolute e kanë raportuar bizneset me kapital grek, ose të përbashkët. 153 ndërmarrje greke janë mbyllur në vitin 2016, duke bërë që numri i subjekteve me pronësi nga ky shtet të bjerë me 23%, për të arritur në 522. Ndërmarrjet greke janë të dytat për nga numri në Shqipëri, me 9.3% të totalit.
Edhe sipërmarrjet italiane janë me rënie, teksa 91 subjekte janë mbyllur, me një reduktim prej 3.3%. Italia kryeson për numrin e ndërmarrjeve të huaja, me 2662 në fund të vitit 2016, ose 47% të totalit. Megjithatë, në Shqipëri është mjaft i përhapur fenomeni i italianëve që hapin një NIPT, por nuk kryejnë asnjë veprim. Kjo ka bërë që tatimet të kalojnë shumë prej tyre në status pasiv, pasi nuk kanë deklaruar aktivitet për të paktën 12 muaj. http://www.monitor.al/kutite-boshe-zbulohet-skema-e-evazionit-te-bizneseve-italiane-ne-shqiperi/
Bizneset nga Gjermania kanë mbyllur 37 subjekte, me një rënie prej 24%. Në Shqipëri ka gjithsej 511 biznese gjermane, ose të përbashkëta. Sipërmarrjet nga Gjermania nuk e preferojnë shumë tregun shqiptar për shkak të nivelit të lartë të korrupsionin dhe moszbatimit të ligjeve.
Në rënie kanë qenë dhe bizneset nga Kanadaja dhe Amerika, me përkatësisht -29 dhe -19 subjekte të mbyllura.
27 subjekte turike dhe 17 kineze janë mbyllur gjithashtu.
Rritjen më të lartë në 2016-n e kanë shënuar subjektet nga Kosova, me 35, duke e çuar numrin total në 556. Sipërmarrjet nga Kosova zënë vendin e tretë, pas Italisë e Greqisë, me 8% të totalit. Tre biznese të reja janë hapur edhe nga kompanitë serbe (total 46), ndërsa kanë rënë ato nga Mali i Zi dhe Maqedonia (përkatësisht -13 dhe -16).
Pas Kosovës, vërshimin më të madh e kanë pasur bizneset na Emiratet e Bashkuara, me 28 subjekte të reja, pothuajse dyfishim në raport me vitin e mëparshëm.

Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 73 reads



