Kurti i përgjigjet drejtorit të CIA-s me “sovranitet” dhe “demokraci zhvillimore”
Megjithëse nuk e thotë troç, Kurti i thotë publikisht Bërnit, se Kosova është “sovrane” dhe çështjet e sigurisë po i “menaxhon” (në fjalët e tij) “suksesshëm”
Ylli Përmeti
23/08/2024 - 14:56
Në fjalët e tij:
“Marrëdhëniet e fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duam t'i forcojmë e zgjerojmë edhe më tej. Vizita e Drejtorit të CIA-s, diplomatit briliant William Burns, ishte një mundësi fort e mirë për të biseduar një gamë të gjerë temash dhe për të thelluar e avancuar bashkëpunimin tonë strategjik, në shërbim të paqes demokratike dhe sigurisë euro-atlantike në rajon e më gjerë.
Kosova është shembull suksesi i demokracisë zhvillimore, ku anti-korrupsioni është bërë rritje ekonomike kurse qeverisja e mirë është bërë mirëqenie shoqërore. E njoftova z. Burns me progresin e vendit tonë, të cilin e ruajmë dhe mbrojmë teksa e ngrisim më tej dhe shtojmë. Qeveria e Republikës së Kosovës gjithashtu po i menaxhon sfidat e brendshme të sigurisë suksesshëm, e drejtuar nga forca e ligjit të drejtë me institucione e mekanizma të shtetit tonë demokratik. Në tri vitet e fundit, gjersa Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% e buxheti shtetëror për 35%, për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes, i kemi dedikuar 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor. Çlirimi e pavarësia e vendit tonë, mbështetja e përhershme amerikane në aq shumë fusha, ishin e janë gjë e drejtë dhe e duhur që ia ka vlejtur fort për të gjithë.
Shpreha edhe përkushtimin e pareshtur drejt vlerave e parimeve të përbashkëta që ndërlidhen me lirinë dhe demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe orientimet e palëkundura drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. E falënderoj Drejtorin e CIA-s, William Burns, për mbështetjen e vazhdueshme dhe këtë vizitë historike në vendin tone”.
Qendrimi` Kurtit ka shumë të meta që lidhen me ngjizje apo koncepte që vetëm ai u jep ndonjë kuptim. Për shembull, quan “demokracinë” e Kosovës “demokraci zhvillimore” në vend ta quajë “demokraci në zhvillim” përtej faktin që nga këndvështrimi` realitetit ajo s`është as në “zhvillim”, sepse shtrembërohet dhe ka censurë. Qendrimi` tij ka dhe të meta të tjera, madje trashanike, jo vetëm në sintaksë por dhe fjalë shqipe, përtej fjalëve të huaja. Për shembull, thotë “bruto produkti vendor” në vend të “prodhimi bruto vendor”; apo “ngrisim” në vend të “ngrejmë” etj.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 59 reads