Kurti, një dordolec me hundë të frikshme – L. Gjini
Dordoleci që herë ngrihet e herë shkrihet, herë i del hunda më e madhe e herë më vogël, herë tremb njerëzit dhe herë zogjtë, askush nuk mund ta marrë për një burrështeti
Labinot Gjini
25/06/2023 - 13:20
Në videon e mëposhtme është përmbledhur e gjithë fjala ime që pata në studiot e Kanal 10. Kuptohet se koha ishte shumë e shkurtër për ta përshkruar realitetin e gjendjes e cila po maskohet pas një propagande qeveritare ku injoranca, padituria dhe sjellja absurde po na shiten si “patriotizëm”. E vërteta e vetme është se Kosova është rifutur në një dimër të acartë dhe të gjatë sepse një dordolec bore nuk po e gjenë vetën në diellin e pranverës shqiptare.
Dordoleci që herë ngrihet e herë shkrihet, herë i del hunda më e madhe e herë më vogël, herë tremb njerëzit dhe herë zogjtë, askush nuk mund ta marrë për një burrështeti përveç se ca militant që mendojnë të na e mbushin mendjen se me borën e Shën-Gjergjit do të bëjmë ski.
Albin Kurti, jo vetem Kosovën si shtet, por edhe vetë shtetin shqiptar e ka futur në një qorrsokak me qëllim që t`i përmbys të gjitha fitoret tona të shekullit. Ai nuk jeton dot pa Serbinë dhe pa “vuçiçët” në politikë, andaj edhe Serbia dhe Vuçiçi ishin fjala e përditshme e tij përgjatë gjithë qeverisjes së tij. Pa Vuçiçin dhe Serbinë as fundjavën nuk po e kalojmë dot.
Falë Albinit dhe lëvizjes putiniste në Kosovë, Serbia dhe Vuçiçi është bërë mëngjesi, dreka dhe darka jonë e përditshme. Veç Serbi edhe Vuçiç po hamë.
Besa Serbia dhe Vuçiçi është edhe mjeti i domosdoshëm i Albinit për të ribërë raportet tona ndërmjet nesh si popull apo ndërmjet nesh si komb. Çdokush është kategorizuar këto vite ndërmjet Vuçiçit dhe Albinit si një dyzim që kërkon të krijojë një marrëdhënie të vetme, unikale dhe të pandashme të Kosovës dhe Serbisë―një marrëdhënie që mund të mbijetoj vetëm duke e parë çdo ndërhyrje të jashtme si të huaj; përfshirë këtu edhe atë të Tiranës.
Një marrëdhënie që kërkon personifikim në Albin e Vuçiç; një marrëdhënie që kërkon ngjarje të ngrohta që të rigjallërohet dhe mirëmbahet në afatin e gjatë. Kjo edhe e shpjegon se pse Albin Kurti i sakrifikoi interesat e Kosovës kur Vuçiçit po i bëhej varri në Serbi. Ai erdhi për ta shpëtuar, jo Vuçiçin në vetvete, por këtë marrëdhënie që e mbanë në pasqyrim Albinin e Vuçiçin; apo Kosovën e Serbinë. Një marrëdhënie që nuk e lë kurrësesi të zhvillohet një tjetër : atë të vetes (Prishtinës) me veten (Tiranën).
Nëse Albini nuk jeton dot pa Serbinë, ne duhet të mësohemi të jetojmë pa të. Duhet të mësohemi të jetojmë në pasqyrim me vetveten dhe me botën demokratike.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 125 reads



