Makroni paralajmëroi Kosovën
Emmanuel Macron, paralajmëroi Kosovën për mbajtjen e premtimeve lidhur me shtensionimin e situatës me Serbinë,
Voa
16/10/2023 - 19:59
Perëndimi me përpjekje të reja për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë – Serbi
Përfaqësues të vendeve kryesore perëndimore, pritet të qëndrojnë të shtunën me 21 tetor në Kosovë dhe në Serbi, në përpjekje për të ripërtërirë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, mes shqetësimeve që pasuan sulmin e 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës në veri të saj.
Një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha të martën se i dërguari i posaçëm i bllokut për bisedimet Kosovë – Serbi, Mirolslav Lajçak, këshilltarët e lartë të udhëheqësve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, do të takohen të shtunën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Qëllimi i kësaj vizite është arritja e një përparimi konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit”, tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë mbështetës të mëdhenj të procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe të ardhmes evropiane të të gjithë rajonit.
“Kemi pritje të qarta nga palët që të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe të përmbushin pa vonesa dhe pa kushte detyrimet e tyre”, tha zëdhënësi Stano.
Kosova akuzon Serbinë për organizimin e sulmit ndaj policisë në fshatin Banjskë në veri më 24 shtator me ç’rast u vra një oficer policie dhe tre nga sulmuesit. Beogradi zyrtar mohon çfarëdo lidhjeje me grupin e armatosur që kreu sulmin përgjegjësinë për të cilin e mori Milan Radojçiç, ish nënkryetar i Listës Serbe, subjektit më të madh politik të serbëve në Kosovë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha të martën se “procesi i dialogut duhet të rimendohet”, pas sulmit të 24 shtatorit, duke ritheksuar thirrjet e Prishtinës për sanksionimin e Serbisë dhe përparësinë që duhet t’i jepet sigurisë në Kosovë.
Por diplomatët perëndimorë thonë se 24 shtatori dëshmoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier i tha Zërit të Amerikës javën që lamë pas se “zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një nga mënyrat për të rritur sigurinë e Kosovës”, duke theksuar se 24 shtatori tregoi se nuk ka kohë për të humbur.
“Ne duhet të ecim përpara urgjentisht me arritjen e mirëkuptimit të përbashkët se si të zbatohen plotësisht, në mënyrë efektive, detyrimet që janë marrë nga të dyja vendet sipas marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit të saj”, tha ambasadori Hovenier duke ju referuar marrëveshjes që u arrit në Bruksel me 27 shkurt dhe më pas në Ohër me 18 mars për normalizimin e marrëdhënieve.
Makroni paralajmëroi Kosovën
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, paralajmëroi Kosovën për mbajtjen e premtimeve lidhur me shtensionimin e situatës me Serbinë, mes thirrjeve drejtuar palëve për përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.
“Dua ta them një gjë shumë qartë. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Për sa i përket Francës, ato (vizat) janë hequr sepse Franca e mban premtimin e dhënë. Ndërsa fjala sot nuk po mbahet”, tha presidenti francez në Tiranë, duke i rikujtuar Kosovës që t’u përmbahet zotimeve qe ka marre para diplomatëve ndërkombëtarë.
Komentet e zotit Macron fillimisht u keqinterpretuan nga shtypi në Shqipëri dhe në Kosovë si mesazh se Franca po tërhiqej nga vendimi për liberalizimin e vizave. Vendimi i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.
Deklarata e tij e lidhur me “fjalën e dhënë” dukej se vinte në pah pakënaqësinë me qasjen e autoriteteve të Kosovës kundrejt thirrjeve të diplomatëve perëndimore për uljen e tensioneve në veri.
Presidenti Macron tha se Franca po i ndjek me vëmendje tensionet ndëmrjet Kosovës dhe Serbisë.
“Franca dhe Gjermania kanë bërë një propozim për një udhërrëfyes që besoj se është solid dhe i mirë”, tha presidenti Macron duke iu referuar marrëveshjes së arritur ne Bruksel dhe në Ohër më herët gjatë këtij viti në bazë të një propozimi franko-gjerman.
Tensionet mes palëve arritën një pikë të pashembullt që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, pas një sulmi të një grupi të armatosur serbësh me 24 shtaor në veri të Kosovës.
“Mendoj se është përgjegjësi e presidentit (serb Aleksandar) Vuçiç që të dënojë më vendosmërinë me të madhe aktin e 24 shtatorit. Kjo do kontribuonte në rivendosjen e qetësisë në kufi”, tha presidenti Macron duke shtruar pritjet nga të dyja palët.
“Hapat e ardhshëm dhe çfarë presim nga autoritetet e Kosovës dhe ato serbe janë të thjeshta: riorganizimi i zgjedhjeve në komunat ku këto janë bërë në kushte të papërshtatshme; pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje dhe në institucione dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga autoritetet e Kosovës. Kushtet duhet të plotësohen në këtë radhitje, në tërësi dhe plotësisht”, tha presidenti Macron duke theksuar se pret frymë përgjegjësie nga presidenti Vuçiç dhe nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës.
Përfaqësues të vendeve kryesore perëndimore, pritet të qëndrojnë të shtunën me 21 tetor në Kosovë dhe në Serbi, në përpjekje për të ripërtërirë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, mes shqetësimeve që pasuan sulmin e 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës në veri të saj. Diplomatët perëndimorë thonë se 24 shtatori dëshmoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe kthimin e palëve në tryezën e bisedimeve.
Mbledhja për Ballkanin Perëndimor nisi me premtime të mëdha
Në Tiranë sot nisi takimi i vjetor i Procesit të Berlinit me pjesëmarrjen e udhëheqësve të vendeve të Ballkanit perëndimor, përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian dhe të disa prej vendeve anëtare që janë përfshirë në këtë proces.
Në fokus të takimit të sotëm ishte zgjerimi dhe mbështetja që Brukseli synon të ofrojë, përmes Planit të ri për Ballkanin, të paraqitur nga presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.
Tensionet e fundit në Veri të Kosovës, zunë vend në fjalimet hapëse, duke vënë theksin te nevoja e vijimit të dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura mes palëve.
Kryeministri Edi Rama kishte zgjedhur ekspozimin e një pikture të italianit Gian Domenico Cerrini, e titulluar Rrëmbimi Europës dhe një kërcim me koreografi të artistit të njohur shqiptar Angjelin Preljocaj e cila ilustronte përmbajtjen e saj, për të mikpritur pjesëmarrësit e takimit të Procesit të Berlinit, nisma e lindur në vitin 2014 nga ish kancelarja gjermane Angela Merkel, për të përshpejtuar afrimin e vendeve të Ballkanit drejt Bashkimit Europian. Një rrugëtim që ka rezultuar tejet i gjatë, dhe pa një finish të qartë për shtetet e rajonit, por që tani është rikthyer ndjeshëm në vëmendjen e Brukselit.
Pas planit të investimeve për rajonin, Komisioni Evropian paraqiti sot dhe atë që presidentja e tij Ursula von der Leyen, e ka quajtur si plani i rritjes për Ballkanin. Një program i cili synon t’u ofrojë kandidatëve për anëtarësim disa avantazhe ekonomike, përpara se ata të bëhen anëtarë me të drejta të plota, si qasja në tregun e përbashkët. “Plani i rritjes është një stimul shumë i madh, një stimul për të hapur dyert në aspektin ekonomik por dhe për të kërkuar dhe hapjen e mëtejshme të kufijve brenda për brenda Ballkanit Perëndimor, që ato të kryejnë reformat e duhura, dhe me këto arritje vijnë dhe financimet për investime”, shpjegoi zonja Von der Leyen
Për presidentin e Këshillit Europian Charles Michel, është koha që BE-ja të mbajë premtimin për zgjerimin e saj, dhe për këtë, tha ai “duhet të bëjmë shumë që të jemi gati të dyja palët. Partnerë dhe miq tanë në rajon, e dini që duhet të realizoni angazhimet tuaja duke nisur me reformat e nevojshme, e në BE, ne duhet të përgatitemi për të mikpritur anëtarët e rinj. Duhet të jemi gati në të dyja anët deri në 2030 për t’u zgjeruar”.
Nga ana e tij kryeministri Edi Rama vuri theksin te diferencat e thella, sidomos ekonomike, mes vendeve anëtare dhe atyre të rajonit, duke hedhur idenë të një rishikimi ndoshta, të rrugëtimit nga momenti i bisedimeve deri tek anëtarësimi. “A do të ishte më e drejtë që të trajtohej inercia e kësaj ndasie duke futur statusin e vëzhguesit të vendeve që janë në tranzit nga çelja e negociatave deri tek anëtarësimi i plotë. Ky status i ndërmjetëm do të jepte disa privilegje, natyrisht pa të drejtë vote. Mund t’u jepte përfitime domethënëse të gjitha palëve duke rritur edhe unitetin politik mes Europës demokratike. Gjithashtu edhe rritjen e qeverisjes demokratike më Ballkanin Perëndimor. Nëqoftëse mund ta heqim këtë ide, të një marrëdhënieje të largët, e të funksionojmë si partnerë do të mund të kuptonim sfidat e përbashkëta, do të mund të ndanim më mirë barrat e kohëve, pa dyshim sfiduese, që shtrihen para nesh”, u shpreh zoti Rama.
Përfaqësuesit e lartë europianë, përmendën dhe në takimin e sotëm agresionin rus në Ukrainë, si dhe sulmin e armatosur të Hamasit ndaj Izraelit, për të vënë në pah, siç tha kancelari gjerman Olaf Scholz, nevojën e bashkëpunimit edhe në rajonin e Ballkanit. “Krizat e shumëfishta këtu në rajon, kanë theksuar nevojën urgjente për të punuar më fort së bashku e tejkaluar antagonizmat. Ka ardhur koha për të tejkaluar konfliket që kanë vijuar për shumë më gjatë e që vetëm ju mbajnë në vendnumëro. Përshkallëzimet e fundit në veri të Kosovës, kanë vërtetuar se sa e rëndësishme është kjo. Ne duhet të përfundojmë zbatimin e marrëveshjeve të cilat janë arritur me anë të dialogut të normalizimit të udhëhequr nga BE”, theksoi ai.
Ndonëse tensionet në Veriun e Kosovës nuk ishin pjesë e agjendës së takimit të sotëm, në drekën e punës temë e diskutimit ishte ajo e Marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe çështjeve dypalëshe, sepse siç theksoi presidenti i Këshillit europian “nuk mund të lejohet që konfliktet dypalëshe të na mbajnë peng. Nuk ka asnjë bashkëpunim pa pajtim. Nuk ka asnjë të ardhme të qëndrueshme pa pajtim, dhe pajtimi kërkon kurajo politike dhe fokus të sinqertë tek e ardhmja”, u shpreh zoti Michel.
Rapor i përditësuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 94 reads



