...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Marrëveshja për targat është fitore e vogël “taktike” - Vuçiç

Kryeministri Kurti tha se vendimi për targat është i qeverisë dhe si i tillë nuk mund të jetë objekt i negocimit. Ai tha se është i gatshëm për takime në Bruksel por që për temë kanë marrëveshjen përfundimtare.

Voa

21/11/2022 - 18:46

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e targave ndërsa tërhoqi vërejtjen për përgjegjësinë që u takon të dyja palëve për zhvillimet në terren.

Për rreth tetë orë me radhë zoti Borrell takoi ndarazi dhe së bashku kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, në një përpjekje për të ulur tensionet në veriun e Kosovës dhe shmangien e tyre në prag të fillimit të fazës së dytë të zbatimit të vendimit të qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Nga e marta sipas vendimit pritet të fillojë gjobitja e atyre që nuk i kanë konvertuar targat e makinave. Vendimi kundërshtohet nga Beogradi dhe serbët në veriun e Kosovës të cilët kanë paralajmëruar rezistencë ndaj zbatimit të tij.

"Të dy mbajnë përgjegjësi të plotë për dështimin e bisedimeve sot dhe për çdo përshkallëzim dhe dhunë që mund të ndodhë në terren. Ne paraqitëm një propozim që presidenti Aleksandar Vuçiç e pranoi, ndërsa kryeministri Albin Kurti jo”, tha zoti Borrell.

Ai tha se në mungesë të marrëveshjes do t’u bëjë thirrje solemne të dyja palëve.

“Së pari pres që Kosova të pezullojë menjëherë veprimet e mëtejshme për ri regjistrimin e makinave në veriun e Kosovës... Serbia të ndërpresë lëshimin e targave të makinave me shenjat e qyteteve të Kosovës përfshirë ato me shenjën KM”, tha zoti Borrell, duke theksuar se do të informojë vendet e Bashkimit Evropian për veprimet e palëve dhe mungesën e respektit ndaj detyrimeve ligjore ndërkombëtare.

“Dhe më duhet të them se kjo vlen posaçërisht për Kosovën”, tha ai duke nënvizuar se ua ka bërë të qartë të dy udhëheqësve që nëse anëtarësimi në Bashkimin Evropian është qëllimi i tyre përfundimtar, atëherë duhet të sillen në pajtim me këtë synim.

Presidenti serb Vuçiç, tha se pala serbe është pajtuar më kërkesën e zotit Borrell.

“Na presin net pa gjumë dhe shumë ditë të vështira, por ne do ta dëgjojmë dhe do t'i përmbahemi këshillave dhe kërkesave të Përfaqësuesit të Lartë. Ai u kërkoi atyre që të mos zbatojnë gjoba dhe ne të mos lëshojmë targa të reja KM, që ne e e kemi pranuar”, tha ai.

Ndërsa kryeministri Kurti u tha mediave në Bruksel se “propozimi ishte i papranueshëm pa u shoqëruar me angazhimin për marrëveshjen përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve”.

“Jam gati të vij këtu dhe të mbaj takime gjithmonë me të njëjtën strukturë dhe rend, për të arritur një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe çështje të tjera si ajo me targat e makinave. Por, njëra nuk mund të funksionojë pa tjetrën. Nuk mund të jemi të papërgjegjshëm dhe të mos trajtojmë çështjet aktuale, por nuk mund të kthehemi në udhëheqës shtetërorë që merren vetëm me targa makinash dhe nuk flasin për normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, tha kryeministri Kurti,

AI tha se në një propozim të hedhur më herët nga zoti Borrell dhe i dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ishte hedhur afati që deri në muajin mars të vitit 2023 të arrihet një marrëveshje. Por, sipas tij, zoti Borrell "hoqi dorë nga ky afat" dhe nga "propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë".

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë shfaqur shpresën për një zgjidhje praktike të çështjes së targave për të shmangur tensionet në veri ku nuk ka më pjesëtarë të policisë nga radhët e komunitetit serb e as punonjës të institucioneve tjera, pas vendimit të përfaqësuesve serbë të mbështetur nga Beogradi për të braktisur institucionet e Kosovës në veri.

Bashkimi Evropian e ka cilësuar situatën në veriun e Kosovës më të rrezikshmen që nga viti 2013.

Tensionet ne zonë që pasuan vendimin e qeverisë për targat i cili u mor me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për një shtyrje dhjetë muajshe, u shtuan në një periudhë diskutimesh për një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritën e një propozimi evropian që u bë i njohur si nisma franko-gjermane.

Zyrtarët evropianë kanë thënë se të dyja palët nuk e kanë refuzuar propozimin i cili mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet në Kosovë thonë se propozimi është një bazë e vlefshme për diskutime të mëtejshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërsa presidenti serb tha se Serbia as nuk e ka pranuar as nuk e ka kundërshtuar propozimin por është e gatshme për bisedime rreth tij.   

Afati shtyhet me 48 orë

Shtetet e Bashkuara u shprehën të zhgënjyera që Kosova dhe Serbia nuk arritën të pajtohen për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për targat e makinave që përdoren nga pakica serbe në veriun e Kosovës dhe kërkuan një afat 48 orësh për t’u dhënë një mundësi diskutimeve rreth kësaj çështjeje.

Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier tha se “SHBA-ja është e shqetësuar që udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë nuk qenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje sot për zgjidhje të krizës aktuale në Kosovë. Ne kemi kërkuar nga qeveria e Kosovës të pezullojë për 48 orë shqiptimin e gjobave për t'u lejuar Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të angazhohen më tej me palët për të gjetur një zgjidhje”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke e falënderuar ambasadorin Hovenier për, siç tha, përkushtimin dhe angazhimin e tij, pranoi “ kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh për vendosjen e gjobave për targat e paligjshme “KM” (dhe të tjera). Jam i lumtur që do të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, shkroi ai.

Më herët të hënën në mbrëmje zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price tha se si kryeministri i Kosovës Albin Kurti ashtu edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç "do të duhet të bëjnë lëshime për të siguruar që të mos rrezikohen dekada të paqes së fituar me vështirësi në një rajon të brishtë," tha zoti Price.

Vazhdojnë bisedimet për targat me kryenegociatorët

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç po takohen në Bruksel, me ndërmjetësimin e të dërguarit evropian për bisedimet ndërmjet të dy vendeve, Miroslav Lajçak, në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje lidhur me targat e makinave, që ka shtuar shqetësimet për tensione të reja në veriun e Kosovës.

“Shpresoj sinqerisht se do të arrijmë të gjejmë një zgjidhje sot për të ulur tensionet në terren dhe për të punuar drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shkroi zoti Lajçak.

Të enjten skadon një shtyrje 48 orëshe e vendimit të qeverisë së Kosovës për gjobitjen e atyre që nuk i kanë ndërruar targat e makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës.

Shtyrja u bë me kërkesën amerikane për t’u dhënë mundësi bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, zëdhënësi i të cilit Peter Stano tha se synim i takimit të sotëm është gjetja e një rrugëdaljeje në frymën evropiane nga situata aktuale.

“Bashkimi Evropian përsërit dhe kujton se presim sjellje evropiane nga të dyja palët për të gjetur zgjidhje dhe rrugëdalje evropiane nga kjo situatë aktuale që është një situatë e krizës, kriza më e keqe që kemi parë në vite në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Takimi i kryenegociatorëve pason atë të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç të hënën në Bruksel që nuk solli asnjë përparim.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kritikoi sot sërish shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrell për siç tha, ndryshim të agjendës dhe largimin nga tryeza e diskutimeve të planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Qëllimi i madh u hoq nga agjenda. Nevoja urgjente për propozimin evropian me mbështetje franko-gjermane u zhduk nga tavolina duke ju përshtatur qëllimit të Serbisë, presidenti i së cilës kishte ardhur në Bruksel jo për “Propozimin e Bashkimit Evropian”, por për targat”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se vendimi për targat është i qeverisë dhe si i tillë nuk mund të jetë objekt i negocimit. Ai tha se është i gatshëm për takime në Bruksel por që për temë kanë marrëveshjen përfundimtare.

“Takimi i nivelit të lartë duhet të jetë për qëllime të larta dhe unë natyrisht që pres se kjo do të vazhdojë. Sot në Bruksel ndodhet zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane, Dialog dhe Zhvillim, Besnik Bislimi. Mbase do të ketë edhe një takim në përpjekje, që brenda këtyre 48 orëve të arrihet dakordimi. Ne e kemi edhe vullnetin edhe qëllimin e mirë dhe gatishmërinë e vazhdueshme”, tha ai.

Me 1 nëntor qeveria e Kosovës filloi zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për shtyrjen e afatit. Ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill tha sot se shtyrja duhet të ndodhë për një vit për të hapur mundësinë e zgjidhjes së çështjeve më të rëndësishme ndërmjet palëve.

Punonjësit serbë u tërhoqën nga të gjitha institucionet vendase me 4 nëntor ndërsa sot protestuan në disa zona kundër vendimeve të qeverisë qendrore në Prishtinë.

Përfundimisht marrëveshje me tërheqjen e Vuçiçit

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje lidhur me targat në bisedimet ndërmjet kryenegociatorëve të të dy vendeve.

“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t'u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, shkroi zoti Borrell.

"Serbia do të ndërpresë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t'i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm, mbi propozimin e paraqitur në muajin shtator nga ndërmjetësuesi i BE-së dhe të mbështetur nga Franca dhe Gjermania”, thuhet në një deklaratë të zotit Borrell, në të cilën nënvizohet se “BE-ja do të sigurohet që çështjet dhe parimet kryesore që lidhen me normalizimin do të trajtohen në kontekstin e propozimit. Palët e kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura në bisedime duhet të zbatohen”.

Marrëveshja e së mërkurës pasoi një takim prej disa orësh ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç në Bruksel, me ndërmjetësimin e të dërguarit evropian për bisedimet ndërmjet të dy vendeve, Miroslav Lajçak.

Ajo u arrit disa orë para skadimit të shtyrjes prej 48 orësh të vendimit të qeverisë së Kosovës për gjobitjen e atyre që nuk i kanë ndërruar targat e makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës. Shtyrja u bë me kërkesën amerikane për t’u dhënë mundësi bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e falënderoi ambasadorin amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier dhe qeverinë amerikane “për angazhimin e tyre aktiv në arritjen e marrëveshjes në Bruksel. "Mbështetja e tyre për procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme”, shkroi ajo.

I dërguari evropian për bisedimet, Miroslav Lajçak, përvec kryenegociatorëve, falënderoi posaçërisht Departamentin amerikan të Shtetit dhe diplomacinë amerikane “për mbështetjen e paçmueshme”.

Të hënën në Bruksel kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç nuk arritën ndonjë përparim dhe zoti Borrel tha se palët janë përgjegjëse për çdo përshkallëzim, ndërsa fajin kryesor ia përshkroi Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kritikoi zotin Borrell për siç tha, ndryshim të agjendës dhe largimin nga tryeza e diskutimeve të planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Qëllimi i madh u hoq nga agjenda. Nevoja urgjente për propozimin evropian me mbështetje franko-gjermane u zhduk nga tavolina duke ju përshtatur qëllimit të Serbisë, presidenti i së cilës kishte ardhur në Bruksel jo për “Propozimin e Bashkimit Evropian”, por për targat”, tha ai.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, tha pas marrëveshjes së “është ruajtur paqja dhe qëndrueshmëria” dhe se pronarët e makinave me targa të lëshuara nga Serbia nuk kanë arsye të kenë frikë nga gjobat.

“Ato do të vazhdojnë të jenë në përdorim si deri më tani. Kjo do të thotë, ndër të tjera, se absolutisht të gjithë pronarët e makinave që kanë targa KM do të mund të regjistrojnë automjetet e tyre normalisht dhe të zgjasin vlefshmërinë e targave KM. I vetmi vend ku do të ndalemi, do të ndalim lëshimin e targave fizike tërësisht të reja KM deri në momentin kur të gjejmë një zgjidhje përfundimtare për targat”, tha ai.

SHBA-ja mirëpret marrëveshjen Kosovë – Serbi

Shtetet e Bashkuara mirëpritën marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve”.

Në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price përgëzohet marrëveshja e të dy vendeve “për t'u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, të cilin Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë si “rrugën më e mirë për të çuar përpara të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës”.

Në deklaratë mirëpritet “vendimi i palëve për të vënë interesat e të gjithë qytetarëve të tyre në krye të vendimmarrjes dhe që të ndërmarrin hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre. Të dyja palët bënë një hap gjigant përpara sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe qëndrueshmërisë në të gjithë rajonin”.

Shtetet e Bashkuara thuhet më tej, përshëndesin negociatat konstruktive dhe inkurajojnë përparimin e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, tha ndërkaq se pati një bisede të mirë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

“E falënderova për angazhimin konstruktiv në gjetjen e një rruge përpara për uljen e tensioneve dhe angazhimin për të punuar urgjentisht për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të cilin SHBA-ja e mbështet fuqishëm”, shkroi ai në rrjetin Twitter.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u shfaqën me vlerësime të ndryshme për pajtimin e një nate më parë në Bruksel për çështjen e përdorimit të targave të makinave në veriun e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi arritje përfshirjen e kësaj çështjeje në tesktin e deklaratës së zotit Borrell, ndërsa presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, u tha të enjten mediave serbe se Kosova kishte marrëveshje më të mirë para dy ditësh, se sa të mërkurën, duke e cilësuar atë një “fitore të vogël taktike” për Serbinë.

Bashkimi Evropian tha se pas kësaj marrëveshjeje është koha për t'u përqendruar plotësisht në propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, një nismë e cila u bë e njohur si propozimi franko-gjerman, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Partitë opozitare në Kosovë mbështetën marrëveshjen e mbrëmshme, ndërsa akuzuan qeverinë për veprime të papërgjegjshme gjatë javëve të kaluara. 

“Sikur të kishi vepruar përgjegjshëm zoti kryeministër, duke mos i vënë në pikëpyetje edhe aleancat tona më të rëndësishme strategjike me miqtë ndërkombëtarë, unë jam i bindur se këto katër javë të angazhimit tuaj do të duhej të ishin përqendruar në ekonominë në rënie, ngritjen e çmimeve e krizën e energjisë, tema që vërtetë e ndikojnë jetën e qytetarëve”, tha Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Me marrëveshjen për tabelat e kemi evituar rrezikun e parë, pra që të kemi viktima qofshin policë të Kosovës apo qytetarë serbë të veriut. Mirëpo dje me marrëveshjen nuk është zgjidhur situata në veri. Sfida që na pret është rikthimi në institucione i atyre që i kanë lëshuar vendet e punës, apo plotësimi i të gjitha vendeve vakante në rend dhe ligj“, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Atë që ka ndodhur javët e fundit e kemi parë të panevojshme, të dëmshme, tepër populiste. Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë tregon qasjen joserioze dhe paaftësinë tuaj përballë përgjegjësive që keni në raport me vendin dhe qytetarët e Kosovës”, tha Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Por, kryeministri Kurti tha se synimi i tij ishte përshpejtimi i arritjes së marrëveshjes përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

“Dakordimi i mbrëmshëm e vendos parimin e parë negociator të procesit të negociimit të franko gjermanes, evropianes, parimin që ne dhe Serbia jemi palë të barabarta prandaj edhe jemi të emërtuar si ‘parties’ apo palë. Një kornizë e tillë është përparim i fuqishëm në drejtim të faktit që propozimi do të jetë një marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht e obligueshme dhe me njohjen reciproke në qendër”, tha ai.

Pajtimi i mbrëmshëm nuk dha përgjigje në zhvillimet në veri, por derisa kryeministri Kurti tha se pret përshpejtim të procesit të normalizimit, presidenti serb tha se Serbinë e presin ditë të vështira me shumë trysni rreth Kosovës.

Përditësuar në datën 25/11/2022

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA