Mbështetësit e Belerit sfiduan policinë shqiptare në protestën e Himarës
Protestës do t`i bashkohet dhe kryebashkiaku i Athinës
SHJ
14/08/2023 - 13:02
Tre muaj pas përfundimit të zgjedhjeve vendore të 14 majit në Shqipëri kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri nuk ka mundur të bëjë betimin.
Ai ndodhet në burg me akuzën e "korrupsionit aktiv në zgjedhje" dhe pret të gjykohet nga Gjykata e Posaçme e shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Zoti Beleri i ka mohuar akuzat dhe e ka konsideruar hetimin ndaj tij sulm politik.
Ligji shqiptar për vetëqeverisjen vendore parashikon se mandati i kryetarit të bashkisë ndërpritet kur nuk paraqitet në detyrë më shumë se 3 muaj pandërprerë dhe sot 14 gushti shënon përmbylljen e këtij afati.
Organizata e pakicës greke “Omonia” thirri mbrëmjen e sotme një protestë në Himarë ku morën pjesë përkrahës të zotit Beleri, përfaqësuesit politikë të Koalicionit “Bashkë fitojmë “ dhe kryetarët e bashkive të dy qyteteve më të mëdha greke, Athinës dhe Selanikut dhe bashkive fqinje Gumenicvës dhe Korfuzit.
Folësit në tubim, mes të cilëve Ivi Kaso, Sekretari i çështjeve zgjedhore në Partinë Demokratike, Vangjel Dule, deputet i Partisë së të Drejtave të Njeriut, Ylli Manjani, ish Ministër i Drejtësisë kërkuan lirimin e menjëhershëm, kryerjen e betimit dhe marrjen e detyrës nga Fredi Beleri.
Dy kryetarë të bashkive më të mëdha në Greqi, ai i Athinës Kostas Bakojanis dhe kryetari i Bashkisë së Selanikut, Konstantinos Zervas u shprehën se ishin në mbështetje të kryetarit të zgjedhur të bashksië së Himarës.
“Paraburgimi është i paligjshëm, është shkelje e të drejtës dhe prezumimit të pafajësisë", tha kryetari i bashkisë së Athinës, Bakojanis. Sipas tij Beleri “ka të drejtë të betohet dhe të marrë detyrën për të cilën e votuan qytetarët”.
“Dëshirojmë të mirëpresim Shqipërinë në famljen europiane, duam që të jetojmë të gjithë së bashku në shtëpinë tonë europiane, por kjo shtëpi do themele të fuqishme demokracine, shtetin e së drejtës, të drejtat politike, janë principet tona dhe janë të panegociueshme”, tha Bakojanis.
Arrestimi i kandidatit opozitar Fredi Beleri dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit në Himarë ka sjellë kohët e fundit një acarrim në marrëdhëniet e Tiranës me Athinën, sepse ai përfaqëson Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila mbron të drejtat e pakicës greke në Shqipëri.
Athina zyrtare ka këmbëngulur se pengimi sipas saj i zotit Beleri për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës do të sjellë një përkeqësim serioz në marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe do të ndikojë mbi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Qeveria shqiptare është shprehur se pavarësia e organeve të drejtësisë duhet respektuar dhe duhet të priten me durim provat dhe fjala e drejtësisë dhe askush të mos nxitohet me përfundime politike”.
Fredi Beleri ndodhet në paraburgim që nga ndalimi i tij nën dyshimet për shitblerje votash dy ditë para zgjedheve ndërsa Pandeli Kokaveshi, personi tjetër nën akuzë, është lënë në masën e arrestit në shtëpi, prej gjendjes shëndetësore.
Bashkia e Himarës vijon të drejtohet prej vitit 2011 nga Jorgo Goro, përfaqësues i Partisë Socialiste, i cili në zgjedhjet e fundit humbi me një diferencë shumë të vogël votash me zotin Beleri. Voa
Shtypi grek pretendoi se autoritetet shqiptare u përpoqën për ta ndaluar protestën. Sipas televizionit SKAI, policia shqiptare lëshoi shkresë me të cilën “nuk miratohësh protesta me kërkesën e lirimit të menjëhershëm të Belerit”. Por përfaqësuesit e organizatës “Omonia” nuk e pranuan shkresën.
Policia shqiptare kishte njoftuar mëngjesin e të njëjtës ditë se nuk “dëshironte” të zhvillohësh mbledhja për Belerin, sepse nuk ishte protokolluar kërkesa ndërsa përfaqësuesit e Omonias thanë se kishin njoftuar autoritetet për mobilizimin. Protesta u zhvillua ditën kur skadon afati tre mujor që parashikon ligji për betimin e Belerit. Pas saj pritet që KQZ-ja të njoftojë zgjedhje të reja në Himarë.
Policia shqiptare tërhoqi vëmendjen e organizatorëve “për shqetësime që ndoshta shkaktojnë ekstremistë të cilët ndoshta vinin nga Greqia”.
Një ditë përpara zhvillimit të protestës së njoftuar nga “Omonia”, partia “demokratike” e Berishës propagandoi edhe një herë tezën e saj, përmes një ndër papagallëve të saj, Dritan Shehut, se “rrëmbimi” i Belerit “bie ndesh me çdo parim e të drejtë demokratike”, duke treguar se drejtësia e SPAK-ut është diktuar nga Rama për qëllimet e tij politike në Himarë, tezë të cilën e ka përqafuar dhe Athina dhe për të njëjtën arsye zhvilloi në Himarë një protestë me kërkesën e lirimit të tij dhe lejimit të ushtrimit të detyrës së kryeshkiakut.
Të njëjtën ditë në Himarë shkoi ―me helikopter― Toni Bler ndërsa ditën e protestës shkoi në Vlorë Meloni.
Ky raport është përditësuar në datën 15 gusht
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 36 reads



