Meta i kundërpërgjigjet ashpër ambasadores amerikane: mos ndërhy në punët e brendshme të Shqipërisë
Meta ambasadores amerikane: mos merr në mbrojtje kryeministrin Rama dhe mos ndërhy në punët e brendshme të Shqipërisë në mënyrë të njëanshme.
Voa
24/04/2021 - 16:09
Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, dhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, shkëmbyen replika të ashpra në mbrëmjen [e djeshme] lidhur me angazhimet përkatëse gjatë fushatës zgjedhore.
Presidenti Meta deklaroi gjatë një biesede në Syri.tv se i kishte shkruar ambasadores Kim që vrasja e një militanti socialist në Elbasan do të ishte parandaluar nëse ajo do të kishte reaguar për plagosjen e përfaqësuesit demokrat në Kavajë, do të ishte parandaluar vrasja në Elbasan.
Ndërsa zoti Meta ishte ende në bisedën televizive ambasadorja Kim shkroi një mesazh në “Twitter” se kërcënimet me sfurqe janë të papranueshme dhe meritojnë dënim, duke iu referuar deklaratave të fundit të presidentit.
“Është e papranueshme për këdo që të kërcënojë se qytetarët do të marrin sfurqet në 25 prill ose nëse nuk u pëlqen rezultati i zgjedhjeve. Ata që nxisin dhunë do të mbajnë përgjegjësi për rezultatet e fjalëve dhe veprimet e tyre. Ndal”, - shkroi ambasadorja Kim.
Por Presidenti Meta iu përgjigj menjëherë nga studioja televizive ambasadores amerikane, duke i kërkuar të mos marrë më në mbrojtje kryeministrin Rama dhe të mos ndërhyjë më në punët e brendshme të Shqipërisë në mënyrë të njëanshme.
“Ambasadorja amerikane më ka kërkuar mua si President, një ditë para mbledhjes së KED-së të pranoj unë Adrian Dvoranin. Këtë ajo e kërkoi jo në emër të Amerikës, po në emër të Edi Ramës” - tha Meta.
Meta: Incidenti i Elbasanit mund të ishte shmangur
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, deklaroi sot se ngjarja tragjike e Elbasanit ku u vra me armë një person dhe u plagosën 4 të tjerë mund të ishte shmangur, nëse prokuroria do të hetonte me shpejtësi një padi të opozitës një javë para se ajo të ndodhte.
Partia Demokratike denoncoi në Prokurorinë Speciale SPAK më 15 prill një grup prej 40 personash, që po kryenin në Elbasan krime zgjedhore, tha ai.
Por SPAK, sipas zotit Meta, e përcolli me disa ditë vonesë padinë në prokurorinë e Elbasanit, e cila është në konflikt interesi, ku humbën sërish disa të tjera, derisa shpërtheu incidenti tragjik, ku u përfshinë pikërisht këta njerëz që u paditën nga Partia Demokratike.
Ai tha se prokuroria e Elbasanit ka thirrur paditësin për ta pyetur më 30 prill, pra një javë pas zgjedhjeve, duke dëshmuar se nuk është e interesuar që asnjë krim zgjedhor të mos zbardhet para ditës së zgjedhjeve.
“U mbushën 72 orë nga ngjarja tragjike e Elbasanit dhe prokuroria ende nuk ka dhënë një version zyrtar për ngjarjen. Prokuroria dhe policia nuk po veprojnë për të zbardhur ngjarjen, por po e shtyjnë këtë pas datës së zgjedhjeve, kur faktet dhe provat ishin aty në mes të qytetit. Urgjentisht nevojitet zbardhja për të shmangur krime të tjera zgjedhore” - tha presidenti Meta.
Ai renditi një seri pyetjesh nëse ishin përfshirë në atë ngjarje persona me precedentë penalë, që shoqëronin kryeministrin Rama Ditën e Verës në Elbasan, ndaj të cilëve policia e shtetit duhej të reagonte.
Pjerin Xhuvani, 56 vjeç, mbeti i vrarë të mërkurën në Elbasan dhe 4 persona të tjerë u plagosën në një shkëmbim zjarri mes grupeve të militantëve partiakë të motivuar nga veprimtari elektorale nëpër qytet.
Policia ka kryer disa arrestime dhe prokuroria e Elbasanit po heton për incidentin e ndodhur në mes të qytetit dhe në prani të shumë dëshmitarëve okularë.
Policia dhe Prokuroria njoftuan se për ngjarjen në Elbasan janë arrestuar 11 persona nga të dy palët në atë konflikt.
Policia tha se është shpallur në kërkim shtetasi Klement Xhaferri, i dyshuar për tentativë vrasje në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave.
Për më shumë për qendrimet e Metës ndiqni video-bisedën që shoqëron këtë lajm.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 16 reads



