...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Meta i përgjigjet “Venecias” me të njëjtën monedhë: me ‘tejkalim’ kompetencash

Sipas Zotit Meta, ekspertët e Komisionit kanë qenë shpesh kontradiktor në vlerësimet e tyre, të pabalancuar në paraqitjen e fakteve e madje se janë ata që kanë tejkaluar kompetencat dhe mandatin e tyre

Voa

04/10/2019 - 20:14

Presidenti Ilir Meta shprehu sot kritika të shumta ndaj projekt-opinionit të Komisionit të Venecias, i cili vlerësonte se Kreu i Shtetit kishte tejkaluar kompetencat e tij me anullimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit dhe caktimin më pas të një date të re. Sipas Zotit Meta, ekspertët e Komisionit kanë qenë shpesh kontradiktor në vlerësimet e tyre, të pabalancuar në paraqitjen e fakteve e madje se janë ata që kanë tejkaluar kompetencat dhe mandatin e tyre

Janë të paktën 10 momente për të cilat Presidneti Ilir Meta nuk pajtohet me projekt opinionin e Komisionit të Venecias dhe po aq pyetje që ai ka shtruar duke kërkuar që ato të marrin vlerësime nga anëtarët e këtij Komisioni, i cili njihet gjerësit për ekspertizën e specializuar në çështjet Kushtetutese.

Duket se në thelb të kundërshtimeve të Kreut të Shtetit është fakti se sipas tij vlerësimet ligjore “janë të pamjaftueshme nëse nuk vendosen në dritën e rrethanave ekstreme ku janë zbatuar”. Kështu sipas presidentit “projekt-opinioni është shpeshherë kontradiktor” dhe se sipas tij “krijohet përshtypja se ekspertët e Komisionit të Venecias janë udhëhequr apriori nga disa ide fikse duke bërë që faktet dhe analiza të mos kenë përputhje racionale me konkluzionet e projekt-opinionit”.

Po ashtu sipas tij “paraqitja e fakteve dhe rrethanave në projekt-opinion është e pabalancuar dhe e paplotë” duke shtuar se “shmangia dhe pamundësia e një procesi të plotë faktmbledhës që dëshmojnë përmasën e thellë dhe të gjerë të krizës politike në Shqipëri sjell vlerësim të gabuar edhe të situatës juridike”. Presidenti Meta shkon më tej kur thekson se “projekt-opinioni nxjerr disa konkluzione që tejkalojnë mandatin e Komisionit të Venecias si organ këshillimor, dhe për të cilat nuk është pyetur nga Kuvendi i Shqipërisë” apo se “ekspertët në disa raste kanë tejkaluar kompetencat e tyre këshillimore, duke i veshur vetes atributet e gjykatësit”.

Në projekt-opinion, ekspertët e Komisionit të Venecias, duke patur parasysh situatën e krijuar në Shqipëri, theksojnë se presidenti Meta mund të ketë patur synime legjitime, por se ai nuk ka patur asnjë bazë ligjore për vendimin e marrë. “Presidenti mund të anullojë zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore vetëm në një situatë e cila plotëson kriterin për marrjen e masave të emergjencës. Edhe atëherë Presidentit i nevojitet një bazë ligjore specifike – ad hoc – për të shtyrë zgjedhjet”, nënvizohet në përfundimet e Komisionit, ndërsa saktësohet se “anullimi i zgjedhjeve është i mundshëm vetëm në situatat të cilat plotësojnë kërkesën për deklarimin e një gjendje të emergjencës. Megjithatë, rregullat e aplikueshme kushtetuese për situatat e emergjencës nuk janë ndjekur në këtë rast. Nuk ka patur as konsensus politik, i cili do të kishte lejuar përcaktimin e një baze ligjore ad hoc”.

Në letrën e tij presidenti Meta vëren se “disa vlerësime dhe konkluzione të ekspertëve të Komisionit të Venecias bien në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese Shqiptare dhe me frymën mbi të cilën është ndërtuar Kushtetuta, përsa i takon rolit dhe kompetencave të Kreut të Shtetit”, ndërsa thekson se “ekspertët kanë tejkaluar objektin e punës së tyre duke ndërhyrë në kompetencat dhe vlerësimin e OSBE/ODHIR, institucioni më i lartë i autorizuar për monitorimin dhe trajtimin e çështjeve zgjedhore”. Por në projekt opinion ekspertët e Venecias trajtojnë situatën e krijuar nga bojkoti i opozitës, i cili ishte dhe një ndër argumentat e presidentit Meta për të anulluar datën 30 Qershor duke qenë se në ato zgjedhje nuk merrnin pjesë forcat kryesore të opozitës. Dhe sipas ekspertëve “bojkoti i zgjedhjeve nga partitë politike, edhe në qoftë se ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit nuk mund të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Për ndryshe, këto parti do të merrnin fuqinë për të penguar plotësisht çdo palë zgjedhje”.

Por sipas Presidentit shqiptar “projekt-opinioni dhe mënyra se si është ndërtuar, rrezikon krijimin e një precedenti problematik për një rend shoqëror demokratik” pasi siç shprehet ai “çdo lider autokrat do të frymëzohet për të shtyrë opozitat që të dalin jashtë sistemit, apo të pamundësojë me forma të fshehura pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje”.

Në përfundimet e tyre ekspertët e Komisionit të Venecias theksojnë se “Presidenti ka tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese duke anulluar dhe duke shtyrë zgjedhjet vendore përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve vendore pa një bazë ligjore specifike. Megjithatë, elementët e parashtruar më sipër mund të çonin në konluzionin se këto akte mund të mos kenë qenë të një natyre mjaftueshëm të rëndë për të autorizuar një shkarkim të Presidentit”.

Zoti Meta në mënyrë indirekte kërkon të bëjë përgjegjës Komisionin e Venecias për situatën aktuale politike ndërsa shprehet se “ky projekt -opinion rindezi polarizimin politik pikërisht kur palët rivendosën një urë dialogu”. Ndërsa më herët, përpara publikimit të projekt-opinionit zoti Meta kishte vlerësuar Komisionin e Venecias, duke duartrokitur ftesën që ky Komision të bënte vlerësimin e situatës.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA