...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Miratohet udhëtimi pa viza në BE për popullin e Kosovës

Bashkimi Evropian tha se së bashku me Kosovën dhe Serbinë, ka krijuar sot një Komitet të Përbashkët Monitorues për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve

SHJ

18/04/2023 - 17:16

Parlamenti Europian ka miratuar dosjen për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kryetarja e PE-së, Roberta Metsola, njoftoi se s’ka pasur kundërshtime.

Kanë marrë fund pengesat për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Të martën, Parlamenti Europian ka miratuar vendimin final. Qytetarët e Kosovës do të lëvizin të lirë në Europë nga 1 janari i vitit 2024.

Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit [të ministrave të BE-së] dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar”, tha kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.

Një ditë më vonë, më 19 prill, do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.

Këshilli i Ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar.

Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024.

Kjo çështje ka qenë e lidhur me sistemin ETIAS të udhëtimit në Europë, përkatësisht me hyrjen e tij në fuqi.

Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 27 shtetesh evropiane.

Ky regjim mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo, me gjithë faktin se Komisioni Europian, që në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva. Monitor

Themelohet Komiteti Monitorues për zbatimin e marrëveshjes Kosovë - Serbi

Bashkimi Evropian tha se së bashku me Kosovën dhe Serbinë, ka krijuar sot një Komitet të Përbashkët Monitorues për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, një muaj pas pajtimit të palëve në Ohër për zbatimin e një plani evropian për këtë çështje.

Komiteti i Përbashkët i Monitorimit do të kryesohet nga i dërguari i posaçëm i BE-së për bisedimet Miroslav Lajçak. Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel Agron Bajrami dhe Serbia nga kryenegociatori i saj Petar Petkoviç.

Komiteti do të takohet rregullisht në Bruksel, thuhet në një njoftim të BE-së në të cilin theksohet se hollësitë do të përmbyllen dhe miratohen në takimin e parë të Komitetit, i cili do të mbahet pas takimit të radhës të nivelit të lartë që pritet të mbahet në Bruksel më 2 maj.

Me 18 mars në Ohër, presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u pajtuan të zbatojnë një plan të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përmbushjen e aspiratave të tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Marrëveshja e mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë në tërësi marrëveshjen dhe çdo refuzim për ta bërë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative.

Në fillim të këtij muaji kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, u pajtuan për tekstin e një deklarate mbi personat e zhdukur gjatë luftës, që pritet të miratohet në takimin e 2 majit. Voa

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA