...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ndërsa u akuzua për 9 shkelje kuvendi votoi shkarkimin e presidentit Meta

Sipas raportit të miratuar prej tij, Kreu i Shtetit rezulton të ketë kryer së paku 9 shkelje, duke nisur që nga betimi i tij si president të cënimi i procesit zgjedhor, i marrëdhënieve me partnerët strategjikë të Shqipërisë, imazhit dhe reputacionit të vendit, figurës së vetë institucionit të Presidentit apo dhe abuzim me kompetencat kushtetuese të Presidentit.

Voa

09/06/2021 - 17:46

Parlamenti votoi sot në favor të shkarkimit të presidentit Iir Meta. Vetëm një numër i vogël deputetësh votuan kundër. Nisma për shkarkimin e kreut të Shtetit u ndërmorr nga socialistët të cilët e akuzuan atë për qëndrimet e mbajtura përpara dhe gjatë fushatës elektorale. Edhe Komisioni hetimor i ngritur posaçërisht arriti në përfundimin se zoti Meta ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës. Presidenti nga ana e tij e ka quajtur të paligjshme nismën e ndërmarrë nga parlamenti, Vendimi i parlamentit do të kalojë tani në duart e Gjykatës Kushtetutese.

Në favor të shkarkimit të të presidentit Meta votuan 104 deputetë, ndërsa 7 ishin deklaruar Kundër dhe 3 të tjerë kishin abstenuar. Për shkarkimin e zotit Meta, nevojiteshin, dy të tretat e parlamentit, ose 94 vota.

Në 30 vite pluralizëm në Shqipëri, vendimi sotëm shënon rastin e parë të shkarkimit nga ana e parlamentit të presidentit të vendit.

Procedurat e parlamentit u zhvilluan me shpejtësi dhe Komisioni hetimor e mbylli aktivitetin e tij për tre javë. Komisioni mori në shqyrtim të gjitha deklarimet publike të zoti Meta për të vërtetuar përfshirjen e tij në fushatën për zgjedhjet e 25 Prillit. Sipas raportit të miratuar prej tij, Kreu i Shtetit rezulton të ketë kryer së paku 9 shkelje, duke nisur që nga betimi i tij si president të cënimi i procesit zgjedhor, i marrëdhënieve me partnerët strategjikë të Shqipërisë, imazhit dhe reputacionit të vendit, figurës së vetë institucionit të Presidentit apo dhe abuzim me kompetencat kushtetuese të Presidentit.

Të gjithë këto shkelje janë vlerësuar nga komisioni se “shkelje të rënda të Kushtetutës”.

Presidenti Meta nga ana e tij ka folur gjatë gjithë kohës për një “nismë ilegjitime të parlamentit”. Ai nuk u paraqit të mbronte pozicionin e tij as në Komisionin hetimor dhe nuk shfrytëzoi as të drejtën që i njihet për t’u paraqitur dhe në seancën e sotme. Si për të dëshmuar indiferencën e tij ndaj vedimmarrjes së sotme, ndërsa në parlamenti vijonte me diskutimet, ai organizoi në presidencë një aktivitet kulturor me këngë e valle nga Ansambli Folklorik i Dibrës “Hazis Ndreu”.

Pavarësisht vendimit të sotëm të parlamentit, fjalën e fundit do të duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA