Në Maqedoni 30% shqiptarë diskriminohen, në Kosovë 5% serbë privilegjohen - Bosch
Dita
30/04/2017 - 09:15
Robert Bosch, ish-ambasadori i Holandës në Kosovë ka reaguar ndaj deklaratave të Ivica Daçiçit, i cili kishte akuzuar në njëfarë mënyre shqiptarët për incidentet në Maqedoni.
Bosch i njohur për reagimet e tij të ashpra kur ushtronte funksionin e ambasadorit në Kosovë, i ka krahasuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni me ato të serbëve në Kosovë.
“Ai (Daçiç) nuk duket se do të kujdeset edhe për 30% të popullsisë shqiptare në Maqedoni, të cilët nuk mund të marrin pjesë plotësisht në jetën politike, dhe gjuha e tyre nuk është gjuhë zyrtare”, ka shkruar Bosch në Facebook.
“Krahasoni këtë me situatën e serbëve në Kosovë. Me 5% të popullsisë gjuha e tyre është gjuhë e dytë zyrtare. Ata kanë veto për çështje të rëndësishme si për themelimin e ushtrisë, e ku prezentë janë urdhrat e Beogradit. Së fundi, madje disa deputetë serbë në Kosovë thonë hapur se kryeministri i tyre është Vuçiçi, dhe kryeqyteti Beogradi. Për çfarë lloj lotësh krokodili bëhet fjalë”, thotë Bosch.
Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç e kishte cilësuar problemin e Maqedonisë si problem në gjithë Ballkanin dhe jo vetëm në këtë shtet./INA
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 269 reads



