...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Një përpjekje fashiste kërkon të kthejë boshnjakët kundër shqiptarëve në Sanxhak

Një politikë të tillë, së paku në letër, nuk e ka kërkuar asnjë regjim serb duke u nisur nga ai i Nikolla Pashiçit e deri tek ai i Milosheviçit

Ismet Azizi

08/05/2020 - 14:36

Ka kohë që portali “Sandzacke.rs” zhvillon fushatë mediatike kundër Ismet Azizit, Ali Dacit dhe shoqatës ‘Kosova për Sanxhakun’. Fushata është tërësisht kundër bashkëpunimit dhe afrimit të mëtejmë mes shqiptarëve dhe boshnjakëve të Sanxhakut që është qëllimi ynë i dyanshëm. Tanimë, siç është vërtetuar, ky bashkëpunim dhe afrim pengon dikë në Sanxhak. Për këtë arsye portali kanalizon në mënyrë të paparanueshme ‘mospajtimet’ në formën më të papranueshme. ‘Mospajtimet’ kanë formë të politikës shoveniste serbomadhe që gjithmonë ka pasur për qëllim zhvillimin e urrejtjes mes boshnjakëve dhe shqiptarëve dhe si rezultat edhe largimin e dy popujve dhe krijimin e një hendeku të pakapërcyeshëm mes Sanxhakut dhe Kosovës së bashku me Shqipërinë. 

Para disa ditësh kjo prirje i ka kaluar të gjithë kufijtë dhe është paraqitur me pamfletin propagandues të titulluar “INICIJATIVA: Zabraniti učešće na izborima za BNV svima koji provode “albanizaciju”, që është botuar në ‘Sandzacke.rs’.”Në këtë pamflet aktorët shkojnë aq larg saqë kërkojnë nga boshnjakët që të deklarohen publikisht kundër shqiptarëve. Është kërkuar edhe ndalimi i qarkullimit të njerëzve, në këtë rast i shqiptarëve, si dhe heqja e të drejtës së votës atyre që deklarohen apo ndihen shqiptarë në Sanxhak. Autorët e këtij pamfleti kërkojnë që shqiptarëve të Sanxhakut, nëse dëshirojnë të përfshihen në politikë apo aktivitete kulturore, duhet ta bëjnë në rajonin e Luginës së Preshevës! 

Kjo është një kërkesë që bënë një sygjerim të rrezikshëm për shpërnguljen e shqiptarëve nga Sanxhaku duke mos gëzuar as të drejtat themelore njerëzore.

Një politikë të tillë, së paku në letër, nuk e ka kërkuar asnjë regjim serb duke u nisur nga ai i Nikolla Pashiçit e deri tek ai i Milosheviçit. Por tani po kërkojnë nga Sanxhaku, nga radhët e atyre që ende e quajnë veten boshnjakë.

Asnjëherë më parë nuk ka patur nisma të tilla, të cilat nuk mund të cilësohen si shumë të rrezikshme. Madje, kjo nismë përmban aspekte të veprës penale edhe sipas sistemit juridik të tanishëm të Republikës së Serbisë. Prandaj, nuk kemi se si të mos e parashtrojmë pyetjen: kush janë këta njerëz që mundohen t’ia kalojnë edhe regjimeve serbe që janë anti-boshnjake dhe anti-shqiptare?

Në fakt kjo nismë është shumë e rrezikshme pasi përmban aspekte fashiste. Është e paimagjinueshme që në Sanxhak në shek. XXI dhe pas dështimit të një politike serbomadhe, të cilën e ka dënuar bota, tashti të lajmërohet një politikë tjetër që ia kalon kësaj të parës. 

Shoqata ‘Kosova për Sanxhakun’, e drejtuar nga Ismet Azizi, edhe një herë shfrytëzon rastin ta përsëris faktin se veprimtaria jonë nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç atij që e ka deklaruar publikisht—ruajtja e miqësisë mes shqiptarëve dhe bosnjakëve— dhe këtë do ta vazhdojë ta bëjë pa marrë parasysh pengesat që paraqiten në këtë rrugë.

Ne jemi në rrugë të drejtë dhe shpresojmë që nisma të tilla fashiste do të ndalen dhe ne do të vazhdojmë bashkpunimin tonë dhe t’i ruajmë lidhjet e tona të cilat historikisht kanë qenë të ngushta.

 

Në emër të shoqatës ‘Kosova për Sanxhakun’ , Ismet Azizi. 

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA