...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Normalizim me urgjencë kërkon perëndimi nga Kosova dhe Serbia

Ngjarjet e 24 shtatorit në veri të Kosovës e kanë bërë të qartë se si shtensionimi ashtu edhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, janë tani më urgjente se kurrë

Voa

21/10/2023 - 18:21

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha të shtunën në Prishtinë se ngjarjet e 24 shtatorit në veri të Kosovës e kanë bërë të qartë se si shtensionimi ashtu edhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, janë tani më urgjente se kurrë.

Zoti Lajçak i shoqëruar edhe nga i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e presidentit francez Emannuel Macron, të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni zhvilloi një takim më shumë se dy orësh me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, në kuadër të përpjekjeve për të ripërtërirë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e marrëveshjes që çon drejt kësaj rruge.

“Çdo kusht apo vonesë është i papranueshëm dhe ne gjithashtu presim që Kosova dhe Serbia të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre nga dialogu. Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin që Kosova dhe Serbia kanë hyrë në marrëveshje në rrugën e normalizimit më herët këtë vit”, tha zoti Lajçak. duke nënvizuar se kryeministri Albin Kurti ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të përparojë drejt Bashkimit Evropian

“Dhe ne këtu e theksuam nevojën për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë pa vonesë. Pa këtë nuk do të ketë të përparim në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian. Vlerësojmë gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të vazhduar së shpejti diskutimet tona”, tha ai.

Zoti Lajçak tha se diplomatët perëndimorë diskutuan me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe do të diskutojnë më vonë gjatë ditës edhe me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç një plan të tyre, por pa dhënë hollësi.

I dërguari evropian tha se ngjarja e 24 shtatorit ishte e pashembullt dhe shumë serioze dhe Bashkimi Evropian do të këmbëngulë në hetimin e plotë dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë.

Kosova akuzon Serbinë për organizimin e sulmit ndaj policisë në fshatin Banjskë në veri më 24 shtator me ç’rast u vra një oficer policie dhe tre nga sulmuesit. Beogradi zyrtar mohon çfarëdo lidhjeje me grupin e armatosur që kreu sulmin, përgjegjësinë për të cilin e mori Milan Radojçiç, ish nënkryetar i Listës Serbe, subjektit më të madh politik të serbëve në Kosovë.

Autoritetet në Kosovë thonë se procesi i dialogut duhet të rimendohet pas sulmit të 24 shtatorit, duke kërkuar sanksionimin e Serbisë dhe përparësinë që duhet t’i jepet sigurisë në Kosovë.

“Dialogu është më i rëndësishëm së kurrë, sepse nëse nuk ka dialog mund të përsëritet përshkallëzimi dhe kjo nuk është çka duam ne, as çka doni ju. Prandaj jemi këtu. E dyta, nuk ka alternativë tjetër pos dialogut, sepse dialogu sjell normalizim e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e hap rrugën evropiane për Kosovën dhe Serbinë”, tha i dërguari evropian Miroslav Lajçak.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA