Pjesë e opozitës serbe thirrje për bashkim dhe mbrojtje të “Kosovë-Metohisë”
Janë pajtuar dhe kanë nënshkruar një deklaratë, se patjetër duhet të insistohet në ri-integrimin e Kosovë-Metohisë në rendin kushtetues-juridik të Serbisë.
Adil Fetahu
04/10/2022 - 15:31
Një grup i përfaqësuesve të partive opozitare më ekstremiste të Serbisë, me në krye Matija Beçkoviçin, anëtar i çerdhes nacioaliste serbe - Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, është mbledhur sot në Beograd dhe ka nënshkruar e njoftuar një shpallje për bashkim në mbrojtje të Kosovë-Metohisë!
Siç njofton Beta (4 tetor),“Anëtarët e partive, Narodna Stranka, Zavetnici, Dveri, koalicioni NADA, një grup profesorësh dhe akademikësh, janë pajtuar dhe kanë nënshkruar një deklaratë, se patjetër duhet të insistohet në ri-integrimin e Kosovë-Metohisë në rendin kushtetues-juridik të Serbisë. Në deklaratën e Proklamatës, të cilën e ka lexuar akademiku Beçkoviç, thuhet se janë të papranueshme të gjitha propozimet me të cilat nënkuptohet ndarja, këmbimi i territoreve, dorëzimi i një pjese ose i tërë i territorit, heqja dorë nga Kosovë-Metohija, anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara, apo çfarëdo mënyre që rrezikon të ardhmën e futjes së tërë krahinës në përbërje të Serbisë.
Askush nuk e ka të drejtën as legjitimitetin të punojë në këtë drejtim as të nënshkruajë kurrëfarë akti ndërkombëtar të detyrueshëm që është në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë. E vetmja zgjidhje e pranueshme dhe e dëshirueshme për Serbinë është – ri-integrimi i plotë i tërë territorit të Kosovë-Metohisë, me të gjitha vendet e shenjta, me të gjithë banorët të cilët jetojnë atje dhe me të gjitha resurset natyrore, në rendin kushtetues-juridik të Serbisë.
Si pjesë e atij procesi (të ri-integrimit të plotë të Kosovës në Serbi), jemi të gatshëm të hapim dialog me përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosmetit, për ndërtimin e rendit të sundimit të së drejtës për të gjitha bashkësitë etnike dhe për të gjithë qytetarët, dhe për mënyrën se si do të bëhet ky ri-integrim kushtetues-juridik në dobi të të gjithëve”, thuhet në deklaratën të cilën e kanë nënshkruar krerët e partive ekstreme opozitare të Serbisë.
Duke marrë parasysh thirrjen e Vuçiçit pak ditë më parë dhe përbërjen e grupit në fjalë - nuk duhet të na çudisë përmbajtja e deklaratës.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 45 reads



