...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Procedim penal Bashës dhe deputetëve të PD-së për bllokimin e rrugëve

Shqiptarja.com

25/04/2017 - 15:30

Policia e Tiranës ka nisur procedim penal për kryetarin e PD Lulzim Basha, deputetët e opozitës që e organizuan dhe protestuesit që janë identifikuar gjatë tubimit të ditës së djeshme në kryeqytet.

Lulzim Basha në krye të aksionit opozitar së bashku me deputetët e Partisë Demokratike bllokuan rrugët për një orë në dy pika në Tiranë dhe në tre pika të tjera në rrethe në Lushnje, Elbasan dhe në Milot.

Basha, deputetët dhe protestuesit akuzohen për tubim të paligjshëm dhe bllokim të qarkullimit.

Vepra penale për bllokim të qarkullimit dhe tubim të paligjshëm dënohet nga gjobë deri në tre vite burg.

Policia e Shtetit i kërkon Prokurorisë të procedojë penalisht organizatorët e protestës së Partisë Demokratike.

Përgjatë zhvillimit të tubimeve janë dokumentuar shkeljet e ligjit dhe përgjegjësitë e organizatorëve, konkretisht shkelje konform nenit 262 të Kodit Penal ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme’ si dhe nenit 293 të Kodit Penal ‘Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit’.

Policia ka përpiluar materialet procedurale në ngarkim të organizatorëve dhe do ti dorëzojë në prokurori.

Policia ka kërkuar edhe ndihmën e mediave për dokumentin e plotë të protestës për të identifikuar të gjithë protestuesit që ishin të pranishëm në tubimet e organizuara dje nga opozita në Tiranë dhe në rrethe.

Organizatorët e protestës se PD

Edi Paloka

Flamur Noka

Gerti Bogdani

Edmond Spaho

Aldo Bumçi

Arben Ristani

Kozma Dashi

Bedri Miha

Astrit Veliaj

Liljana Elmazi

Aldo Bumçi

Helidon Bushati

Irma Kopliku,

Alban Zeneli

Albina Deda

 

Baza ligjore dhe përgjegjësia për tubimet

Në nenin 293 i Kodit Penal

“Vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.

262 i Kodit Penal

“Organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve të personave në sheshe dhe vende të kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta apo kur nga organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie të lejes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Pjesëmarrja në një grumbullim apo manifestim të paligjshëm edhe pas paralajmërimit të bërë për shpërndarje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj. Po kjo vepër, e kryer më shumë se një herë ose kur ka sjellë pasoja të rënda, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet”.

Neni 5 i ligjit për tubimet

  1. Në rast tubimi në sheshe ose vendkalime publike, organizatori dhe drejtuesi janë të detyruar të njoftojnë me shkrim shefin e komisariatit të policisë jo më vonë se tri ditë para datës së zhvillimit të tubimit.

Neni 8 i ligjit për tubimet

Ndalimi i zhvillimit të një tubimi

Kur ka arsye të motivuar se zhvillimi i një tubimi në një shesh ose vendkalim publik përbën një rrezik real për sigurinë kombëtare, sigurinë publike, parandalimin e krimit, mbrojtjen e shëndetit ose të moralit ose mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të të tjerëve dhe ky rrezik nuk mund të ndalohet me masa më pak shtrënguese, shefi i komisariatit të policisë mund të ndalojë zhvillimin e tubimit ose të vendosë për kohën dhe vendin e zhvillimit të tubimit.

Neni 9 i ligjit për tubimet

Shpërndarja e një tubimi

  1. Një tubim në një shesh ose vendkalim publik mund të shpërndahet nga forcat policore me uniformë, vetëm në rastet kur: a) mënyra e zhvillimit të tubimit është e tillë që mund të dëmtojë në mënyrë konkrete rendin publik dhe sigurinë e personave./ shqiptarja.com

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA