...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Qeveria “Rama” zbulon qëllimin për Metën dhe Berishën

Ndryshimi i emrit të LSI-së pritësh, për dy arsye kryesore: sepse Berisha ka krijuar frymën e “lirisë” me foltoret e tij kundër sorosistëve të tipit Rama dhe ndërkombëtareve dhe sepse si Berisha ashtu dhe Meta kërcënohen me hetim dhe burgim nga mafia sorosiste.

SHJ

26/07/2022 - 09:20

Shënim: ndryshimi i emrit të LSI-së pritësh, për dy arsye kryesore: sepse Berisha ka krijuar frymën e “lirisë” me foltoret e tij kundër sorosistëve të tipit Rama dhe ndërkombëtareve dhe sepse si Berisha ashtu dhe Meta kërcënohen me hetim dhe burgim nga mafia sorosiste. Kjo e fundit, në fjalë të tjera, detyroi Berishën të krijonte iluzionin se po “demokratizonte” partinë dhe tani Metën të ndryshojë emrin e partisë duke i dhënë asaj misionin e “lirisë”! Për të realizuar “lirinë” në fjalë ai do të përdorë referendumin i cili citohet në Kushtetutë por klasa politike (pjesë e së cilës është dhe Meta) nuk e ka përdorur kurrë, sepse nuk donte ta çlironte popullin.

Por qoftë edhe referendumet nuk e çlirojnë popullin përsa kohë që partitë politike nuk ndryshojnë qasje të përgjithshme të sistemit dhe populli nuk e kërkon kuptimin e drejtë të lirisë politike, sepse liria politike nuk shprehet thjesht me pluralizëm partish ose me krijimin e shumë partive, siç na tregojnë partitë neoliberale të kohëve tona, por kryesisht me lirinë në vendimarrje, jo thjesht për të votuar në referendume pasi partitë politike mashtrojnë popullin për çështjen që e ftojnë të votojë “drejtpërdrejt” por për t`u mbledhur në asamble popullore ku shqyrtohen çështjet dhe miratohen nga vetë populli në kushte barazie pushtetore dhe jo si tani ku pasanikët blejnë të varfërit dhe u diktojnë atyre vullnetin e tyre... 

Raporti sipas Voa-s:   

Nga LSI në partinë e “lirisë”, kundër mafias sorosiste (ndër)kombëtare dhe korrupsionit

Ish presidenti Ilir Meta nuk priti as 24 orë nga përfundimi i mandatit të tij si kreu i Shtetit, për t’ju rikthyer jetës aktive politike në krye të asaj force politike që themeloi në shtator të vitit 2014, por që nga mbrëmja e hënës, nuk do të quhet më LSI (Lëvizja socialiste për integrim) por partia e Lirisë. Ndërsa paradite shkoi të rimerrte kartën e tij të anëtarësisë, duke deklaruar se nuk ishte aty për të marrë drejtimin e LSI-së, në mbrëmje, ishte ai që njoftoi emrin e ri, duke folur në Konventën e partisë.

Një konventë e cila miratoi dy ndryshime në statut që i hapën rrugën pikërisht, ndërrimit të emrit, që e identifikonte qartësisht me të majtën, dhe shuarjes së strukturave drejtuese të LSI-së. Një komitet organizator që do të drejtohet nga zoti Meta, do të jetë përgjegjës për veprimtarinë e partisë, deri në thirrjen e Konventës së saj kombëtare.

Ish presidenti u prit me borohoritje dhe me tufa lulesh kur mori fjalën. Një fjalim i mbushur me tone nacionaliste, në mbrojtje të “një atdheu në rrezik” dhe të interesave të Kosovës që sipas tij ish kryeministri Edi Rama ishte përpjekur t’i shiste. “Kam parë një rrezik të jashtëzakonshëm për sovranitetin e këtij vendi, për pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, fituar me aq mund, gjak e sakrifica, kam parë një plan të përllogaritur për të ekzekutuar pluralizimin politik në Shqipëri dhe për të patur një fasadë demokraci”, u shpreh zoti Meta.

Ish presidenti foli për “një bandë e cila në 5 vite realizoi një grusht shteti me procedura”, pa harruar të akuzojë po ashtu ish drejtuesin demokrat Lulzim Basha, se kishte vepruar në sinkron me kryeministrin Rama. “Sot me gjithë shqiptarët e ndershëm të shpallim non grata kleptokracinë, rilindjen mavi dhe atë pjesë të rilindjes blu të pazareve të 17 majit”. Përmendja e termit “non grata” nuk duket rastësor, përsa kohë ky term ka marrë së fundmi një përdorim të shpeshtë, pas rastit të ish kryeministrit Sali Berisha, i cili duket se do të jetë aleati i tij politik, në betejën që ka ndërmarrë.

Ish presidenti përmendi sërish atë që e quan “mafie ndërkombëtare” që vepron kundër interesave të Shqipërisë. “Nuk jam këtu për asgjë tjetër veçse për t’u kërkuar që t’u tregojmë të gjithëve atyre shqipfolësve gjakprishur që nuk kanë lidhje me ne, por dhe gjithë botës, se ne jemi një popull me dinjitet, popull europian, që padrejtësisht kjo mafie për interesa të saj por dhe të asaj mafies ndërkombëtare që e kërkon Shqipërinë si një vend për pastrimin e parave dhe si një qendër e bazë logjistike për krimin e organizuar, t'i themi që ky është vendi ynë, me të cilin askush nuk mund të luajë”, u shpreh ai.

Sipas zotit Meta zgjidhja do të ishte vënia në jetë e mekanizmit të referendumit, që sipas tij “do të jetë shpata e Demokleut mbi të gjithë uzurpatorët e pushtetit, oligarkët e pangopur, garancia se sovraniteti nuk i përket popullit vetëm në letër, dhe se ata që prekin kushtetutën dhe sovranitetin do të kenë fatin e zi”, deklaroi ish presidenti. 

Antikorrupsioni në krye të detyrave të Partisë së Lirisë

Ish presidenti Ilir Meta, bëri të ditur se do të drejtojë forcën opozitare, Partia e Lirisë, duke mbajtur në qendër të vëmendjes luftën kundër korrupsionit.

Vetëm 24 orë pasi mbylli mandatin e tij si President i Republikës, zoti Meta ndërroi emrin e Partisë së themeluar prej tij, Lëvizja Socialiste për Integrim, shkriu dhe rindërtoi gjithë strukturat e saj.

Ai tha se partia e tij do të ishte gjithëpërfshirëse ndaj rrymave politike, për sa kohë që asnjë parti tjetër në Shqipëri nuk kishte tipare të qarta politike, të majta apo të djathta. Ish Presidenti i Republikës, Ilir Meta, bëri sot të ditur se do të drejtojë sot e tutje një parti gjithëpërfshirëse nga pikëpamja politike.

Kjo është po ashtu një përpjekje për të fshirë, bashkë me emrin e partisë së vjetër, edhe të gjithë lidhjet e saj me të majtën dhe me zyrtarë, që kanë spekuluar në pushtet nën logon e saj. Forca e tij politike do të quhet këtej e tutje Partia e Lirisë, ndonëse ajo do të mbështetet në të njëjtat struktura degësh, që u shkrinë dhe u ngritën sërish.

Në konferencën e parë të shtypit si drejtues partiak pas pesë vjetësh në presidencë, zoti Meta përsëriti të njëjtat akuza për korrupsion ndaj qeverisë dhe ndaj kryeministrit Rama.

“Korrupsioni, korrupsioni, korrupsioni është shqetësimi kryesor i shoqërisë shqiptare dhe i yni si parti politike” , tha zoti Meta.

LSI u krjua 18 vjet më parë pas debateve në radhët e Partisë Socialiste, kur zoti Meta ishte nënkryetar për shumë vite. Gjatë këtyre dy dekadave, edhe pse me pak mandate në Kuvend, LSI ishte një forcë e rëndësishme për të ndryshuar peshoren e pushtetit. Ajo u fut herë në koalicion qeverisës me Partinë Demokratike e herë me Partinë Socialiste, duke marrë ministritë më të rëndësishme, që lidhen me ekonominë, mjedisin dhe infrastrukturën.

Në këto 30 vite pluralizëm, LSI bëhet partia e dytë në Shqipëri, pas Partisë së Punës, që ndërron emrin për të hapur një fazë të re, duke lënë pas veprimtarinë e mëparshme. Drejtuesi i saj, Ilir Meta, tha sot se partia e tij do të jetë gjithëpërfshirëse e rrymave politike, përsa kohë asnjë parti tjetër nuk ka tipare të spikatura dhe nuk u qëndron besnike parimeve tradicionale të majtës dhe të djathtës shqiptare.

“Ne jemi Partia e Lirisë. Liria nuk është as e majtë as e djathtë. Kushtetuta nuk është as e majtë as e djathtë” , tha zoti Meta.

Në zgjedhjet e pjesshme vendore LSI u regjistrua në koalicionin Shtëpia e Lirisë, me grupin rithemelues të PD-së, që tani drejtohet nga ish kryeministri Sali Berisha, ndërsa grupimi tjetër i zotit Enkelejd Alibeaj është në pritje të vendimit të Apelit mbi të drejtat e përfaqësimit të saj.

Ndërsa kritikon shpesh rrugën e ndjekur nga ish kryetari i PD-së Lulzim Basha, në raport me PD-në, zoti Meta pritet të qëndrojë afër politikave të ish kryeministrit Berisha, i cili është shpallur non grata nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar për korrupsion dhe lidhje me grupet e krimit të organizuar.

Nga ana tjetër zoti Meta i mbijetoi dy përpjekjeve të Partisë Socialiste për ta shkarkuar nga detyra e presidentit, ku ata e zgjodhën me shumicën e votave të tyre. Tani pas një morie akuzash nga posti i presidentit për abuzimet e qeverisë Rama, zoti Meta deklaroi se rrëzimi i qeverisë socialiste është angazhimi i partisë së tij më të re Partia e Lirisë.

Qeveria “Rama” sulmon Metën me akuzën e ish-sigurimsit    

Një shkresë që Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit, i ka dërguar parlamentit, bën të ditur se emri i ish presidentit Ilir Meta figuron në dokumentat e krijuara nga strukturat e ish Sigurimit të Shtetit. Zoti Meta ka marrë më herët çertifikatën e pastërtisë nga dy Komisionet e mëparshme të ngritura në vitet ’90, por dhe nga vetë Autoriteti i Dosjeve, në prill të vitit 2017.

Por sipas një njoftimit të këtij institucioni, anëtarët e tij janë ndeshur me informacione dhe të dhëna mbi një personazh me profil të lartë politik. Institucionit iu kërkua nëpërmjet postës elektronike që të verifikohej figura e ish presidentit, në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit, gjë që ka sjellë në zbulimin e emrit të zotit Meta në këto dosje.

Mbi rastin nuk jepen detaje të shkallës së implikimit dhe angazhimit të mundshëm të ish kreut të shtetit në strukturat famëkeqe të ish sigurimit. Vetë zoti Meta sot hodhi poshtë në mënyrë kategorike që kjo të ishte e vërtetë.

“Siguroj të gjithë qytetarët që Ilir Meta është këtu pas 30 vitesh angazhimi politik, sepse ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë i pastër në ndërgjegjen e tij dhe në të vërtetat e tij e do vijojë dhe 30-40 vite të tjera”, deklaroi ai duke lënë të kuptohet se ishte në dijeni të rastit. “Ata e dinë më mirë se kushdo se çfarë ka, çfarë s’ka dhe sa e manipuluar është ajo dosje që thonë ata. Me një email anonim elektronik, dhe jam i sigurt që kur të bëhet publik, do të gajaseni të gjithë, na qenka zbuluar se qenka një I.M.”. Ish presidenti akuzoi në mënyrë të drejtëpërdrejtë Autoritetin e Dosjeve se është përdorur për qëllime politike. “Autoriteti i manipulimit dhe falsifikimit të të vërtetave që përdoret si instrument propagandistik”, u shpreh ai.

Në shkresën dërguar parlamentit, autoriteti shpjegon se rasti i fundit por dhe të tjera të ngjashme, për figura po ashtu të rëndësishme, e shtynë atë, që për të disatën here, t’i kërkojë ligjvënësve disa ndryshime ligjore, për të hequr pengesën që kush ka çertifikatë pastërtie nga komisionet e mëparshme, të mund të verifikohet sërish, si dhe parashikimi ligjor që për të zgjedhurit të bëhet i detyrueshëm verifikimi për lidhjet me ish Sigurimin që në momentin që ata kandidojnë, dhe atyre t’u ndalohet pjesmarrja në garë nëse rezultojnë të kenë bashkëpunuar me strukturat e diktaturës.

Kryetarja e parlamentit LIndita Nikolla organizoi sot takime me krerët e grupeve parlamentare dhe drejtueesit e Komisionit të Ligjeve dhe Sigurisë ku i njohu me shkresën e Autoritetit të Dosjeve.

“Rasti është tronditës dhe parlamenti duhet të reagojë patjetër. Rasti ngre pyetje të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe për forcat politike”, u shpreh zonja Nikolla ndërsa tha se ka shprehur “gatishmërinë time për ta mbledhur Kuvendin në çdo kohë që forcat politike do të kenë nevojë”, për të realizuar ndryshimet ligjore të propozuara nga Autoriteti.

Por për zotin Meta, edhe lëvizja e kryetares së parlamentit, është e nxitur nga kryeministri Edi Rama “për nevojat e tij personale për të shmangur vëmendjen nga çështje më urgjente, siç është ajo e inceneratorëve, dhe nga të gjitha aferat e tjera të zeza”. 

Polemika Rama dhe Meta 

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot (30 korrik) se beson tek Autoriteti i Informimit mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit “i cili thotë shkresërisht, se Iliri që doli nga Presidenca para pak ditësh është i njëjti Ilir, që doli edhe nga dosja e Sigurimit”.

Mes ish presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Rama nisën komente të ndërsjellta në Facebook lidhur me çështjen e hapur prej disa ditësh nga Autoriteti i Dosjeve mbi bashkëpunëtorin I.M. të Sigurimit të Shtetit.

“Padiskutim që unë i besoj trupës së drejtuar nga Genta Sula e vetë asaj” - ka shënuar zoti Rama në një shkrim të publikuar përmes Facebook-ut.

Ai thekson se këtë histori nuk i takon politikës ta ndajë, po vetëm Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit.

“Politika thjesht duhet të vërë në dispozicion të atij Autoriteti mjetin e kërkuar ligjor, duke votuar në Kuvend ndryshimet e kërkuara nga vet Autoriteti. Me ato ndryshime i hapet rruga një hetimi të plotë mbi aktivitetin e bashkëpunëtorit me inicialet I.M në shërbim të Sigurimit të Shtetit, po edhe për të tjerë me iniciale të tjera, të cilët deri më sot e kanë fshehur identitetin e tyre, pas klauzolës së privilegjit që u ka krijuar kontrolli kaotik e politik i viteve '90” - komentoi zoti Rama.

Ish presidenti Ilir Meta ka hedhur poshtë komentet sipas të cilave ai ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në vitet studentore, duke renditur episode, që e largojnë nga detajet e paraqitura nga Autoriteti i Informimit mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Zoti Meta publikoi sot në Facebook një karikaturë nga revista e Sigurimit të Shtetite vitit 1983, e cila sipas tij është krijuar nga kryeministri Edi Rama.

“Partia e Punës e kishte Edi Ramën karikaturistin e preferuar të shkrimeve propagandistike kushtuar Sigurimit dhe spiunazhit. Ndërsa Partia Socialiste e ka Edi Ramën, Kryetarin e bandës së inceneratorëve. Ne do të fokusohemi për të zbardhur grabitjet e tij galopante dhe për t'i dhënë ndëshkimin e merituar” - shënon zoti Meta në faqen e tij në Facebook, përkrah fotove nga revista.

Ish presidenti Meta ka deklaruar se “Autoriteti i Dosjeve do të mbajë përgjegjësi ligjore për falsfikimet dhe shkeljet e rënda që bëri me shkresat e fundit drejtuar Kuvendit”.

Autoriteti i Dosjeve i propozoi Kuvendit ndryshime ligjore në Kodin Zgjedhor dhe në Ligjin për të drejtën e informimit mbi dokumentet e Sigurimit të Shtetit për t’i hapur rrugën verifikimit të plotë të ish bashkëpunëtorëve të tij, edhe nëse ata kanë marrë më herët çertifikata të pastërtisë së figurës.

Autoriteti e ka ilustruar këtë nevojë për ndryshime ligjore me inicialet e 6 personave, që mendon se janë bashkëpunëtorë të ish Sigurimit të Shtetit, mes tyre edhe I.M., e megjithatë u kanë shpëtuar verifikimeve dhe kanë vazhduar karrierën gjatë viteve të demokracisë

Menjëherë pas kësaj nisme të Autoritetit, dy grupet më të mëdha parlamentare i kërkuan Kuvendit ndryshime në ligjet, që kanë të bëjnë me sekretin shtetëror dhe me dokumentet e Sigurimit të Shtetit.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi de-klasifikimin si sekrete shtetërore të gjithë dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit nga viti 1944 deri në 1991.

Ndërsa socialistët kërkuan që Autoriteti për Informim mbi Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit të ketë lirinë e verifikimit të pastërtisë së zyrtarëve dhe kandidatëve për deputetë dhe kryebashkiakë, sa herë që ka zgjedhje, Amendamentet e socialistëve në Kodin Zgjedhor kërkojnë verifikimin e kandidatëve për deputetë dhe kryebashkiakë në çdo palë zgjedhje parlamentare dhe vendore.

Dosjet e Sigurimit famëkeq të Shtetit, krimet e tij, drejtuesit, urdhëruesit dhe bashkëpunëtorët e tyre janë një histori e pandriçuar asnjëherë në Shqipëri, gjatë 31 viteve të tranzicionit dhe të demokracisë, edhe pse janë ndërruar 8 kryeministra dhe 10 qeveri nga shumicat socialiste dhe demokrate, që kanë zevëndësuar njëra tjetrën në pushtet.

Plani i qeverisë “Rama”

Shumica socialiste krahas miratimit të projektligjit propozuar nga autoriteti dosjeve që i hap rrugë bërjes publike të emrit të bashkëpuntorit të ish sigurimit politikanit, me inicialet IM, pritet të shkojë edhe më tutje.

Mes rreshtave këtë e paralajmëroi kryeministri Edi Rama.

“Kjo duhet jo vetëm për këtë bashkëpunëtor, po edhe për të tjerë. Kuvendi duhet të diskutojë mbi idenë e hedhur që edhe spiunët e Sigurimit të kthehen në subjekte të Ligjit për Pastërtinë e Figurës së të Zgjedhurve (i quajtur ndryshe Ligji i Dekriminalizimit).”

Megjithëse kryeministri nuk jep detaje specifike për këtë Top Channel nga një burim pranë PS në dijeni të kësaj iniciative tha se bëhet fjalë për vendosjen e një neni në ligjin e dekriminalizimit për ndalimin e kandidimit për poste publike, përfshi atë deputetit, të të gjithë atyre të cilët kanë mbajtur pozicione partiake në Partine e Punës së Shqipëri.

Një i tillë aktiv në politikën shqiptare dhe po ashtu deputet në Kuvendin e Shqipërisë është ish sekretari Partisë së Punës Sali Berisha.

Zoti Berisha u pranua kandidat për anëtar i Partisë Komuniste, qysh në moshën 21 vjeçe, në vitin e dytë të universitetit, ndërsa në moshën 24 vjeç, u pranua anëtar i PPSH. Pas antarësimit në Partinë e Punës Sali Berisha u zgjodh  më pas 4 herë sekretar partie, i Qendrës Universitare e Spitalore-Tiranë ku ai punonte si mjek.

Shumica socialiste me këtë operacion të nisur në emër të pastrimit të politikës nga bashkëpuntorët e ish sigurimit të shtetit tenton që me një gur të vras dy zogj. Të diskreditojë dhe të ndalojë nga kandidimi politikanin I.M për të cilin autoriteti dosjeve thotë se është ish presidenti Ilir Meta, gjë të cilën ai e mohon kategorikisht.

Nga ana tjetër të largojë njëherë e mirë nga parlamenti e ti jap fund të qënurit deputet të Non Gratës amerikane Sali Berisha. Edi Rama la të kuptohet se legjislatura e ardhshme parlamentare që pritet të nis në shtator do të ketë prioritet këtë çështje.

Megjithatë burime nga PS i thanë Top Channel, se nuk e përjashtojnë mundësinë e skenarit për mbledhjen e komisionit parlamentar të ligjeve dhe parlamentit në Gusht një seancë të posaçme për miratimin e dy projektligjeve që vinë nga autoriteti dosjeve dhe një tjetri për dekomunizimin me propozues fraksion Alibeaj në PD.

Qëndrimet e deritanishme të Enkelejd Alibeajt në parlament e më pas ato të Kreshnik Collakut janë në një gjatësi vale me ato të shumicës socialiste për miratimin e projektligjeve me propozues autoritetin e dosjeve.

Një situatë win win si për PS në miratimin e dy projektligjeve edhe me votat e fraksionit Alibeaj ashtu edhe për deputet e tij demokratë në miratimin e dekomunizimit.

E në fund potencialisht dy humbësit e mëdhenj  Berisha dhe Meta ata që deri më tani e kanë parë veten si dinozaurët e paprekshëm të politikës shqiptare.

Me shumë gjasa barometri, temperaturës politike pritet të vijojë të jetë i lartë, bashkë me motin e Gushtit duke mos pritur freskun e Shtatorit. Dita

Përditësuar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA