...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rama mohon të pamohueshmen: Asnjë pagesë për foton me Obamën

Avokati i zotit Argeros citohet të ketë deklaruar gjatë procesit se klienti i tij kishte vepruar në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri

Voa

05/10/2019 - 06:56

Kryeministri Edi Rama mohoi mbrëmjen e së enjtes të jetë përfshirë në çështjen e një pagese prej 80 mijë dollarësh si donacion për fushatën elektorale të vitit 2012 të presidentit amerikan Barack Obama, e cila dyshohet të jetë ofruar për t’i krijuar atij mundësinë e realizimit të një fotoje me kreun e Shteteve të Bashkuara.

Çështja e cila bëri zhurmë në vitin 2016 kur autoritetet amerikane morën nën hetim dhe hapën një proces gjyqësor ndaj shqiptarit me banim në New Jersey, Bilal Sheshu, u rikthye në vëmendjen publike, pasi pak ditë më parë një gjykatë në Shtetet e Bashkuara dënoi me 4 muaj burg 61 vjeçarin William Argeros për kontribut të paligjshëm nga një i huaj në një komitet të përbashkët për mbledhjen e fondeve për presidentin Barack Obama. Avokati i zotit Argeros citohet të ketë deklaruar gjatë procesit se klienti i tij kishte vepruar në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri, i cili dëshironte një foto të realizuar me zotin Obama, dhe se kandidati ishte Edi Rama, kryeministri aktual i Shqipërisë.

Më herët, një Gjykatë në New Jersey, dënoi në vitin 2017 me kusht, Bilal Shehun, i cili kishte blerë dhe biletat për të marrë pjesë në një takim të mbledhjes së fondeve më 8 tetor të vitit 2012, në San Francisco.

“Kjo është një çështje e hetuar dhe gjykuar në SHBA dhe, po të kisha lidhje me të, nuk do isha një person tërësisht i papërfshirë, i papyetur dhe i pakonsideruar në asnjë aspekt nga ana e drejtësisë amerikane”, u shpreh zoti Rama gjatë një interviste në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në televizionin “News 24”. Ashtu si dhe më parë zoti Rama përsëriti se “nuk kam marrë pjesë në asnjë eveniment dhe kam bërë një foto dhe një takim me presidentin Obama. Nuk kam asnjë lidhje me asnjë lloj pagese. Zero”, deklaroi ai.

Duke ngritur dyshime të shumta mbi origjininën e këtyre parave që sipas saj janë paguar nga kryeministri, Partia Demokratike, ju drejtua dy ditë më parë Prokurorisë për të kërkuar hapjen e hetimeve ndaj kryeministrit, i cili sipas saj “ka konsumuar të paktën 3 vepra penale, nga veprimet e tij të kundërligjshme: Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

“S’kam asnjë problem me asnjë lloj hetimi. Dhe këtë jam gati ta them kudo”, u shpreh zoti Rama sipas të cilit, lëvizja e opozitës, “rivjen si një përpjekje për të kompensuar në sytë e publikut një çështje tjetër, e hapur, qartësisht e lidhur me një shkelje flagrante të ligjeve shqiptare dhe me dyshime të rënda për përfshirje të aktorëve të tretë përmes financimit të PD”, tha ai duke ju referuar lobimit të saj në Shtetet e Bashkuara përmes firmës amerikane ‘Muzin Capitol Partners’, e cila në dokumentacionin e dorëzuar pranë Departamentit amerikan të Drejtësisë, ka deklaruar se ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA