SHBA-ja dhe BE-ja zhgënjehen me vendimin e qeverisë “Kurti” për targat
Nga 1 nëntori deri më 21 nëntor fillon masa e qortimit, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe nga 21 janari do të përdoren targat provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill nuk do të lejohen targa tjera në Kosovë.
Voa
30/10/2022 - 13:30
Qeveria e Kosovës vendosi tri ditë para skadimit të afatit të vendosur prej saj, të “shkallëzoj” zbatimin e vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.
Shtetet e Bashkuara u shprehën të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e partnerëve të ndërkombëtarë për ta shtyrë afatin për zbatimin e vendimit për dhjetë muaj, ndërsa ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill tha mbrëmë gjatë një debati në Konferencën e sigurisë në Beograd, se është i zhgënjyer që për shkak të çështjeve të vogla teknike janë lënë anash tema të mëdha.
“Jam shumë i zhgënjyer me këto, jam i zhgënjyer të shoh që çështjet si energjia elektrike në veriun e Kosovës vazhdojnë të diskutohen me muaj të tërë pa asnjë rezultat për shkak të gjërave të vogla në ndërkohë ne kemi një situatë të brishtë dhe mund t’ju se shekuj nga tash ne nuk do të jemi dhe njerëzit nuk do të jenë duke diskutuar për targat e makinave në Kosovë. Do të flasin për këtë sulmin barbar nga Rusia ndaj fqinjit të saj dhe kjo është çështja që duhet të gjithë t’i shqetësoj, si ushqimi, energjia dhe jemi duke folur për armët nukleare së fundmi që është shumë më e rëndësishme se targat e makinave”, tha ai.
Partitë opozitare në Kosovë kritikuan qeverinë e vendit për siç thanë dëmtimin e interesave strategjike të vendit. Bernard Nikaj nga Partia Demokratike e Kosovës tha sot gjatë një konference me gazetarë se qeveria po tërhiqet nga zbatimi i vendimeve të saj dhe po e vendos Kosovën në pozicione të kundërta me partnerët ndërkombëtarë.
“I gjithë debati i ditëve të fundit ka qenë i fokusuar në çështjen se a do të zbatohet vendimi legjitim i qeverisë nga data 1 nëntor, apo do të aprovohet kërkesa e SHBA-ve për shtyrje të zbatimit të vendimit për 10 muaj. Në fund, kryeministri ka vendosur në mënyrë të njëanshme që ta shtyjë zbatimin e vendimit për gati 6 muaj, duke u tërhequr nga qëndrimi i tij, por edhe duke e sjellë Kosovën në pozitë të pafavorshme në raport me SHBA-të dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”, tha zoti Nikaj.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku shkroi në rrjete sociale se “është tejet brengosës fakti që qeveria e Shteteve të Bashkuara shprehet e zhgënjyer dhe e shqetësuar nga veprimet e qeverisë së Kosovës”, ndërsa nënvizoi se Kosova ka çdo të drejtë në vendosjen e ligjshmërisë siç dhe e ka domosdoshmëri bashkërendimin me aleatët historik në ndjekjen e synimeve të veta strategjike.
Me vendimin e qeverisë janë vendosur disa afate për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës. Sipas qeverisë nga 1 nëntori deri më 21 nëntor fillon masa e qortimit, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe nga 21 janari do të përdoren targat provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill nuk do të lejohen targa tjera në Kosovë.
“Kjo është mënyra që edhe ta zbatojmë rendin e ligjin por në anën tjetër ta kemi përgjigjen tonë për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë në vendin tonë, por jo vetëm”, tha kryeministri Kurti.
Por vendimi u prit me reagime nga Lista Serbe, subjekti kryesor i serbëve të Kosovës. Nëpërmjet një komunikate kjo listë tha se “shqiptimi i masës së parë të gjobës do të jetë shkak për përgjigje dhe rezistencë të ashpër të popullit serb”, ndërsa nënvizoi se njoftimi i kryeministrit Kurti “nuk është gjë tjetër veçse dëshirë për të vazhduar me planin e dëbimit të serbëve nga vatrat e tyre shekullore”.
BE-ja si SHBA-ja
Bashkimi Evropian shprehu të shtunën zhgënjimin që qeveria e Kosovës nuk dëgjoi këshillat e bllokut dhe të Shteteve të Bashkuara për zgjatjen e afatit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës.
Në një komunikatë të BE-së thuhet se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat e vjetra “por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative”.
Ndonëse vendimi është një hap në drejtimin e duhur, thuhet në komunikatë, ai nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët”.
Më tej komunikata thekson se marrëveshja e vitit 2016 parashikonte një proces të renditur dhe të përcaktuar qartë me një afat kohor 12 mujor për procesin e konvertimit “i cili nuk është ndjekur. Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe Shtetet e Bashkuara. Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur” këshilla, thuhet në komunikatë.
Bashkimi Evropian nënvizon se është e domosdoshme ruajtja e qetësisë. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo retorikë që mund të rrezikojë qëndrueshmërinë në terren, veçanërisht në veriun e Kosovës”.
Qeveria e Kosovës vendosi të premten të “shkallëzoj” zbatimin e vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës. Me vendimin e qeverisë janë vendosur disa afate për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës. Sipas qeverisë nga 1 nëntori deri më 21 nëntor fillon masa e qortimit, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe nga 21 janari do të përdoren targat provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill nuk do të lejohen targa tjera në Kosovë.
“Kjo është mënyra që edhe ta zbatojmë rendin e ligjin por në anën tjetër ta kemi përgjigjen tonë për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë në vendin tonë, por jo vetëm”, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Shtetet e Bashkuara u shprehën të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës refuzoi kërkesat për ta shtyrë afatin për zbatimin e vendimit për dhjetë muaj.
Vendimi nxiti edhe reagime të opozitës në Kosovë e cila kritikoi qeverinë se po dëmton interesat strategjike të vendit.
Përfaqësuesit e serbëve në veriun e Kosovës paralajëruan se do t’i kundërvihen vendimit të qeverisë në rastin e parë kur autoritete do të shqiptojnë gjobë për këtë çështje.
Në vitin 2011 Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për përdorimin e targave me mbishkrimin RKS (Republika e Kosovës) ose KS si targa me status neutral si një masë e përkohshme për një periudhë pesëvjeçare. Në vitin 2016 palët u pajtuan që të vazhdonin vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet, përkatësisht deri në vitin 2021.
Price: I kërkuam Kosovës shtyrjen e plotë e jo të pjesshme të vendimit për targat
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price tha të hënën se Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar i kërkoi Kosovës shtyrjen dhjetë muajshe të vendimit për konvertimin e targave të makinave dhe jo shtyrje të pjesshme.
“Ne kemi qenë të qartë, publikisht dhe privatisht, se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara kërkon një shtyrje të plotë të zbatimit të këtyre çështjeve. Ne nuk kërkojmë një shtyrje të pjesshme, nuk kërkojmë zbatim në faza. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar qeverisë së Kosovës një shtyrje të plotë”, tha ai duke theksuar se po vazhdojnë diskutimet me palët në rajon dhe më Bashkimin Evropian.
Nga e marta autoritetet në Kosovë pritet të zbatojnë vendimin e qeverisë për konvertimin shkallë – shkallë të targave të makinave të lëshuara nga Serbia, ndërsa ministria e Punëve të Brendshme paralajmëroi gjoba deri në 150 euro pas datës 21 nëntor për ata që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia. Sipas kësaj ministrie nga data 21 Janar 2023, ata duhet të pajisen me targa të përkohshme ndërsa pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet lëvizja e tyre brenda territorit të Kosovës.
Perditesuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 49 reads



