Shtëpia e Bardhë dhe BE-ja kërkojnë të kundërtën e qasjes së Kurtit
Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës që t'u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave që t'i kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative dhe të tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale. Ai gjithashtu përshëndeti gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të punuar për krijimin e kushteve për zgjedhje të reja
SHJ
26/05/2023 - 19:22
Një javë pas tensioneve palët të patërhequra pavarësisht thirrjeve perëndimore
Diplomacia perëndimore ka vazhduar thirrjet që Kosova dhe Serbia të marrin veprime për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës kur për më shumë se një javë po mbahen protesta para ndërtesave të komunave.
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, shkroi të shtunën në rrjetet sociale se ka biseduar për këtë cështje me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke e inkurajuar “të nxisë qetësinë mes serbëve të Kosovës, të ndërmarrë hapa për të ndihmuar në zbutjen e krizës në veri të Kosovës dhe të kthehet në rrugën e normalizimit dhe angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.
Po të shtunën, kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Bujar Osmani, publikoi një udhëzues prej nëntë pikash për të siguruar shtensionimin dhe normalizimin, paqen dhe qëndrueshmërinë në Kosovë.
Në një postim në rrjetet sociale zoti Osmani shkroi se pikë e parë e këtij udhëzuesi është që Kosova dhe Serbia të rikonfirmojnë zotimet për zbatim të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. Në pikën e dytë propozohet që Kosova të tërheqë njësitet e posaçme të policisë, ndërsa Serbia të heq gjendjen e lartë të gatishmërisë luftarake.
Më tej në propozim thuhet se policia e Kosovës me ndihmën e KFOR-it dhe EULEX-i të menaxhojnë sigurinë në terren. Mes tjerash thuhet se kryetarët e zgjedhur të komunave në veri duhet të dorëhiqen gjatë verës për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të reja që do të mabheshin deri në fund të vitit.
Kryesuesi i OSBE-së tha se organizata e tij do të mbështesë procesin zgjedhor dhe rritjen e mirëbesimit në mes të komuniteteve. Nën trysninë perëndimore udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar që zgjedhjet e reja duhet të mbahen në komunat veriore të banuara me shumicë serbë, por kanë akuzuar njëri tjetrin për tensionet.
Rama në BBC: BE dhe SHBA kanë të drejtë, Kurti është tërësisht i gabuar
Kreu i Qeverisë shqiptare, Edi Rama komentoi sot sërish tensionet në Veri të Kosovës. Në një intervistë për BBC ai deklaroi se SHBA dhe BE kanë të drejtë në qëndrimet e tyre, ndërsa Albin Kurti është duke gabuar.
Rama deklaroi më tej se ndërkombëtarët nuk po kënaqin Beogradin, por po çojnë Kosovën në një tjetër nivel në arenën ndërkombëtare.
BBC: Kosova ka qenë në qendër të lajmeve javët e fundit, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit në vijim të zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë etnikë të komunave. Kryetarët e komunave morën mandatet pasi zgjedhjet u bojkotuan nga popullata serbe. Kjo ishte një skenë në qytezën e Zveçanit të hënën, kur u shpërthyen përplasjet midis ushtarëve të drejtuar nga NATO-ja dhe protestuesve serbë, që po përpiqeshin të bllokonin hyrjen në zyrë të kryetarëve të sapozgjedhur të komunave. NATO-ja po planifikon të dërgojë më shumë paqeruajtës, pas plagosjes së 30 prej tyre u plagosën gjatë trazirave. Dhuna, ndërkohë, ka nxitur frikën e rindezjes së konfliktit në Ballkan, ndërkohë që një sërë aktorësh rajonal kanë ndërhyrë në përpjekje për të menaxhuar situatën. Kjo hartë tregon Kosovën, e cila gjendet e kufizuar midis Serbisë në veri dhe Shqipërisë në jug. Pak kohë më parë, fola me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Ja, çfarë kishte për të thënë ai
Kryeministri Edi Rama: Ka një situatë shqetësuese në veri të Kosovës, po nuk do ta vija shumë theksin te rreziku. Le të themi se kjo situatë është provokuar së pari nga serbët, të cilët braktisën institucionet, duke krijuar praktikisht një vakum dhe, së dyti, nga autoritetet e Kosovës, që këmbëngulën për vendosjen e këtyre kryetarëve në ndërtesa bosh, ku shumica e popullsisë është kryesisht serbe. Sa për ta sqaruar, zhvillimi i zgjedhjeve ishte gjë shumë e mirë, për të treguar se askush nuk mund të marrë peng procesin demokratik në Republikën e pavarur të Kosovës, por nuk ishte ide e mirë që, më pas, të këmbëngulej që këta katër kryetarë të hynin në ndërtesat bosh nën mbrojtjen e policisë, që solli ndërhyrjen e KFOR-it dhe plagosjen e padrejtë të ushtarëve të KFOR-t
BBC: Kryeministër, mos po ia drejtoni gishtin si fajtor këtu Albin Kurtit, Kryeministrit të Kosovës?
Kryeministri Edi Rama: Nuk jam këtu për të fajësuar, po përpiqem thjesht t’i përgjigjem pyetjes suaj, ndërkohë që mendoj se tabloja e gjerë është shumë më optimiste, pasi Serbia dhe Kosova, falë Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiçit janë tanimë në pikën më të afërt për arritjen e një marrëveshjeje historike. Besoj po ashtu se fakti që marrëveshja është kaq pranë, mbështetur në të ashtuquajturin propozim franko-gjerman, me rezultat përfundimtar njohjen e ndërsjellë, i ka dëshpëruar njëfarësoj të dy. Është njësoj si një çift në dyert e kishës përpara se të martohen, që i vijnë dyshime, por mendoj se do të jetë …
BBC: Atëherë pyetja është, a do të hyjnë në kishë? A mendoni se do të ketë marrëveshje?
Kryeministri Edi Rama: Mendoj se nuk ka asnjë shans në botë, siç do thoshte dikush… apo siç do thoshte ndonjëherë Shtëpia e Bardhë, që kjo marrëveshje të mos bëhet. Pyetja e vetme është “kur”. Dje ishim të gjithë udhëheqësit në Komunitetin Politik Europian në Moldavi, dhe të gjithë kishin bindje të patundur, sidomos Presidenti francez dhe Kancelari gjerman, se të dyja palët dhe Aleksandar Vuçiçi dhe Albin Kurti duhet të ulen njëherë e mirë dhe të arrijnë marrëveshjen dhe ta zbatojnë atë.
BBC: Albin Kurti ka thënë se Perëndimi po e mban me të mirë Serbinë dhe se reagimi nga ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar ka qenë një trysni e tepruar mbi Kosovën.
Kryeministri Edi Rama: Më vjen keq ta them, por kam saktësisht të njëjtin mendim dhe jo për shkak të ndonjë pozite servilizmi, por sepse kam bindjen se ShBA-ja dhe BE-ja kanë tërësisht të drejtë dhe Albini e ka gabim këtu, sepse nuk po përpiqen ta mbajnë Serbinë me të mirë, po përpiqen që më në fund ta çojnë Kosovën në një tjetër nivel, që do të thotë, në një shtet që njihet nga të gjithë, një shtet që mund të zërë një vend në Kombet e Bashkuara dhe në shumë institucione të tjera, ku mungon.
BBC: Po agresioni erdhi nga pala serbe, nga Beogradi.
Kryeministri Edi Rama: Cili?
BBC: Agresioni. Të ashtuquajturit banditë në pamjet që pamë me ushtarët e NATO-s.
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, po, është e vërtetë dhe nuk ka sesi të mohohet, por, nga ana tjetër, është po ashtu e vërtetë që dërgimi i këtyre kryetarëve të komunave kundër këshillës së mirë të gjithkujt – dhe kur them gjithkujt, e kam fjalën për miqtë dhe partnerët e mëdhenj të Kosovës, pa të cilët Kosova nuk do të ishte ajo që është sot – ishte një hap më i tepërt se ç`duhej. Thënë kjo, mendoj se Serbia ka reshtur së qeni rrezik për Kosovën që prej vitit 1999, e ka humbur njëherë e përgjithmonë Kosovën që në vitin 1999 dhe tani është koha për paqe. Është koha për normalizim. Është koha për t’u ulur. Është koha për të pranuar dhe për t’i dhënë Serbisë atë që ka qenë më parë në marrëveshje, që do të thotë, asociacionin e komunave me popullsi serbe dhe të drejtën e kishës ortodokse serbe që të ketë aktivitetin e saj brenda Kosovës dhe, nga ana tjetër, Serbia duhet të heqë dorë dhe të kuptojë që Kosova ka ikur dhe të pranojë njohjen e ndërsjellë.
BBC: Ky ishte Kryeministri shqiptar Edi Rama me të cilin fola pak më parë.
Pas disa orësh, edhe BE-ja në frymën e SHBA-së
Bashkimi Evropian u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për të ulur tensionet dhe të punojnë për vendosjen e qetësisë në veriun e trazuar të Kosovës, duke paralajmëruar se dështimi për të bërë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative për të dyja palët.
Në një deklaratë të lëshuar nga shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, në emër të 27 vendeve anëtare të bllokut dënohen “aktet e dhunshme kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe mediave në veri të Kosovës. Dhuna mund të ishte shmangur dhe duhet shmangur në të ardhmen”, thuhet në komunikatë, në të cilën theksohet se blloku qëndron fuqishëm në mbështetje të misionit të NATO-s dhe atij të BE-së për sundimin e ligjit në përmbushjen e mandateve të tyre.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për të shtensionuar situatën, t’i japin fund retorikës përçarëse dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pabashkërenduar. Qetësia duhet të rivendoset urgjentisht. Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të vendosura. Dështimi për të ulur tensionet do të çojë në pasoja negative”, thuhet në deklaratë.
“Presim që Kosova të veprojë në mënyrë që nuk e përshkallëzon situatën, dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet t'i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale. Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje” theksohet më tej në deklaratë në të cilën shprehet “shqetësimi për shkallën e gatishmërisë më të lartë të Forcave të Armatosura Serbe”.
Bashkimi Evropian po ashtu kërkon që Kosova dhe Serbia “të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës, e cila garanton siguri, dhe demokraci për të gjithë qytetarët dhe hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit. Kjo përfshin fillimin pa vonesë apo parakusht të mëtejshëm të punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thuhet në deklaratën e zotit Borrell.
Shtëpia e Bardhë kërkon të kundërtën e qasjes së Kurtit
Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten se zëvendës këshilltari amerikan për siguri kombëtare, Jon Finer u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë tha se zoti Finer kishte biseduar të enjten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe të premten me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, duke shprehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për situatën në veri.
“Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës që t'u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave që t'i kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative dhe të tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale. Ai gjithashtu përshëndeti gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të punuar për krijimin e kushteve për zgjedhje të reja”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë për bisedën me kryeministrin e Kosovës. Zoti Finer gjithashtu i bëri thirrje presidentit serb për marrjen e masave për qetësimin e gjendjes.
“Ai i kërkoi Qeverisë së Serbisë që të tërheqë forcat e saj të armatosura të stacionuara afër kufirit dhe të ulë gjendjen e gatishmërisë, si dhe t'u bëjë thirrje protestuesve që të ruajnë qetësinë në veri të Kosovës”, thuhet në njoftimin për telefonatën e së premtes.
Franca dhe Gjermania kërkojnë zgjedhje të reja në veri
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës.
“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron.
Ai shtoi shtoi se u kërkua që të ketë pjesëmarrje nga banorët lokalë të komunitetit serb dhe tha se "palët do të konsultohen dhe do të kthehen javën tjetër me përgjigje të qarta".
“Ajo që kërkuam nga të dyja palët është shumë e thjeshtë: organizimi sa më parë i zgjedhjeve të reja në këto katër komuna si angazhim nga ana e Kosovës, pjesëmarrje e qartë e partive serbe në këto zgjedhje dhe zgjidhje të shpejtë të çështjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nga ana e Kosovës”, tha presidenti Macron, duke nënvizuar se “secila palë do të këshillohet dhe do të kthehen javën e ardhshme me përgjigje të qarta”.
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili mori pjesë në takim tha se dështimi për t’i përmbushur të tri kërkesat “do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet tona”.
Osmani e konfirmoi se Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, ia bënë këtë kërkesë gjatë takimit të tyre në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, dhe shtoi se u tha atyre që "ne jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë, në bazë të ligjit të Kosovës për zgjedhjet lokale".
"Rreth 20 për qind në listat e votuesve mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes tij mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja. Ne jemi të gatshëm ta ndjekim ligjin", tha Osmani.
Ajo shtoi se Vuçiçit iu kërkua që të mos u bëjë presion qytetarëve lokalë në veri të Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhje.
"Ai nuk u përgjigj, por unë shpresoj që qytetarët do të lejohen që përdorin të drejtat e tyre", shtoi Osmani.
Macron gjithashtu tha se gjatë javëve të ardhshme do të ketë “vendim të qartë” për situatën në veri të Kosovës dhe se për këtë gjë u pajtuan gjatë takimeve me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe liderët lokalë – presidenten Osmanin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pas këtyre takimeve, Scholz tha se diskutimet me liderët lokalë ishin "serioze dhe intensive".
Duke iu drejtuar gazetarëve në Kishinau në margjinat e samitit të Komitetit Politik Evropian, Vuçiçi tha se ulja e tensioneve në veri të Kosovës dhe vendosja e garancive për shmangien e veprimeve të njëanshme ishin temat kryesore gjatë takimeve të tij me Macronin dhe Scholzin.
Vuçiçi e theksoi edhe rëndësinë që ka themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë për të. Ndërsa, Osmani tha se “duhet të sigurohemi që fokusi është në implementimin e plotë të marrëveshjes dhe jo vetëm të disa pjesë të saj”.
Takimet u zhvilluan në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau, ku po merr pjesë edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
“Theksova se është me rëndësi prioritare që institucionet në Prishtinë ta ndalojnë dhunën dhe t'i kthehen dialogut”, tha Vuçiqi, pas takimit me Borrellin.
Zyra e Presidencës së Kosovës njoftoi se me Borrellin është takuar edhe Osmani.
Lideri serb po ashtu u shpreh se delegacioni i Kosovës nuk ka dashur të takohet me delegacionin serb në Moldavi.
“Nuk u miratua nga liderët e tjerë. Serbia gjithmonë dëshiron bisedime dhe mua më duket se tani është më e qartë se kush është përgjegjës për dhunën në Kosovë”, u tha Vuçiç gazetarëve.
Pala kosovare nuk e ka konfirmuar se ka refuzuar takimin.
I pyetur se kur e pret një takim dypalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Vuçiq tha se nuk e di.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu ndërkaq përkushtimin e tij “për të punuar me Shtetet e Bashkuara për të ulur tensionet” në veri të Kosovës.
Përmes postimeve në rrjetet sociale ai tha se ka biseduar me zëvendës këshilltarin amerikan për siguri kombëtare, Jon Finer, dhe senatorët Chris Murphy, Pete Ricketts dhe Jeanne Shaheen.
“Ulja e tensioneve kërkon përfundim të menjëhershëm të dhunës nga turmat e mbështetura nga Beogradi kundër zyrtarëve të sigurisë deri në zgjedhjet e reja në ato komuna”, shkroi ai.
Të gatshëm të shqyrtojmë zgjedhje të reja në veri - Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se Kosova është e gatshme që të organizojë zgjedhje të reja në pjesën veriore të Kosovës. Osmani tha se këtë kërkesë e bënë presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.
“Unë i thash që jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë mundësi”, tha Osmani.
“Ata kërkuan nga Kosova që të gjejë një mënyrë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri që do tu jepte qytetarëve serbë mundësinë që të marrin pjesë dhe të zgjedhin kryetarë me legjitimitet më të madh”, tha Osmani.
Osmani tha se organizimin e zgjedhjeve të reja e lejon rregullimi ligjor i Kosovës dhe kjo sipas presidentes mund të bëhet përmes një peticioni që mund ta inicojnë qytetarët serb të komunave veriore.
“Kjo nënkupton që qytetarët serbë, pra rreth 20 për qind prej tyre që janë në listën votuese mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes tij mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja. Ne jemi të gatshëm ta ndjekim ligjin”, deklaroi presidentja Osmani.
Serbia ‘hakmerret’: arrestime dhe dhunë ndaj shqiptarëve
Një efekt i pamenduar nga Kurti, është sjellja e Beogradit me shqiptarët në Serbi: Raportohet se kanë filluar arrestimet e shqiptarëve që kalojnë në tokën e saj aq sa u detyrua ministria e punëve të jashtme dhe diasporës së Kosovës t`u bëjë thirrje qytetarëve që të shmangin kalimin nga ajo. Madje, sjelljen e Beogradit e reflektojnë dhe serbët në veri të Kosovës: raportohet se kanë filluar të sulmojnë shqiptarët vend e pavend! Nuk do të ishte e çuditshme që të shohim politika më represive ndaj pakicës shqiptare në Serbi.
Vuçiçi akuzon Kurtin
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë për rrjetin amerikan CNN, se, pala serbe i ka zbatuar të gjitha obligimet ndërkombëtare që dalin nga Marrëveshja e Brukselit, dhe se Kosova nuk e ka përmbushur një që i ka takuar – formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, më 2011. Palët i kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.
Vuçiçi ka pretenduar se prej kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ardhur në pushtet, janë kryer 353 sulme ndaj serbëve, të motivuara në baza entie, dhe se ky është numri më i madh i incidenteve të tilla prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Vetëm këtë vit, janë kryer pesë sulme me të shtëna ndaj civilëve të nacionalitetit serb. Serbët vetëm duan siguri për veten dhe familjet e tyre”, ka thënë Vuçiç.
Ai e ka mohuar akuzën e Kurtit se ai i ka shantazhuar serbët që të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë, dhe e ka pyetur nëse ka parë diku zgjedhje legjitime demokratike, me pak më shumë se 3 për qind dalje në zgjedhje.
Vuçiçi ka thënë se Serbia është e kënaqur me deklaratat e bëra nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, lidhur me krizën në Kosovë.
Sekretari Blinken ka thënë se i dënon fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat, sipas tij, po i përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin, derisa Macron ka thënë se Kosova është përgjegjëse për trazirat e shkaktuara.
Sipas tij, Serbia nuk e ka shkelur asnjë marrëveshje ndërkombëtare, në reagimin e saj ndaj krizës.
“Ne e kemi respektuar Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244 të OKB-së. Ne nuk kemi hyrë në Kosovë me ushtarë. Deri më tani ne kemi pasur bashkëpunim profesional me trupat e NATO-s në Kosovë dhe jam i bindur se ky bashkëpunim do të vazhdojë”.
I pyetur se si i komenton protestat e qytetarëve në veri të Kosovës, presidenti i Serbisë ka thënë se është shumë e rëndësishme që të ruhet paqja dhe stabiliteti.
“E di se ata janë të vendosur që t’i mbrojnë vatrat e tyre dhe unë u bëj thirrje që të protestojnë në mënyre paqësore".
Ushtria serbe paralajmëron ‘vijat e kuqe’
Ministri i mbrojtjes serbe raportohet të ketë thënë se serbët “e vrarë ose zhvendosur” janë një vijë e kuqe. Duke folur për një radio-telelvizion Vuçeviç vlerësoi rrezikun e përshkallëzimit të dhunshëm në veri të Kosovës si “të madh, ndoshta më të madhin e mundshëm”. Ministri serb tha se ushtria është e gatshme për të ndërmarrë çdo detyrë dhe se Beugradi ka përcaktuar çdo shkelje kundër interesat e saj kombëtare dhe jetike për shtetin.
Kurti bën një hap pas
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha të mërkurën se nuk do t’i largojë kryetarët e komunave veriore nga zyrat e tyre, me gjithë kërkesat e diplomacisë perëndimore dhe protestat e grupeve serbe në veri, që u përshkuan me akte dhune ndaj forcave paqeruajtëse këtë javë.
“Kësaj bande fashiste, ne nuk ia dorëzojmë Republikën tonë demokratike. Nëse duan protestë paqësore me kërkesa për zgjedhje të parakohshme, e kanë një kryeministër që gjithë jetën ka qenë aktivist politik dhe është më se i gatshëm t'i dëgjojë dhe ndoshta edhe të pajtohet me ta”, tha kryeministri Kurti.
Ai i bëri këto komente në një forum për sigurinë në Bratisllavë, ndërsa tensionet në veri të Kosovës mbeten të larta dhe protestuesit kërkojnë largimin e kryetarëve që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga serbët si dhe largimin e njësive të posaçme të policisë nga ndërtesat e komunave.
“Kjo që po bëj është detyra ime. Ka struktura paralele në pjesën veriore të vendit tonë. Nëse tani do të urdhëroja kryetarët e komunave që t’i lënë ato zyra dhe të shkojnë në një zyrë diku tjetër, do të ishte sikur po angazhohem për të krijuar një lloj të një strukture paralele me strukturat paralele, duke kopjuar metodën e udhëheqësve të serbëve të Kosovës. Unë do t'i bashkohesha ilegalitetit të tyre. Unë nuk mund ta bëj këtë”, tha zoti Kurti.
Ai theksoi ndërkaq se në çdo ndërtesë komunale në Kosovë janë nga disa deri dhjetëra policë në kohë normale dhe pret që kështu të ndodhë edhe në komunat veriore.
“Por përderisa është kjo turmë e dhunshme jashtë ndërtesave që kërcënon me sulme, që bënë grafite me shkronjën ‘Z’ duke treguar admirim për presidentin despotik (Vladimir) Putin dhe për agresionin rus në Ukrainë, e disa prej tyre duke qenë policë në policinë e xhandarmërinë serbe, ne duhet të kemi njësitë speciale në ndërtesat komunale”, tha kryeministri Kurti.
Makroni, autoritetet e Kosovës mbajnë një pjesë të përgjegjësisë për trazirat
Presidenti francez Emmanuel Macron tha të mërkurën se autoritetet e Kosovës mbajnë një pjesë të përgjegjësisë për trazirat të cilat janë rritur ndjeshëm që kur kryetarët shqiptarë të komunave morën detyrën në zonën veriore me shumicë serbe të vendit.
Ai tha në një konferencë për shtyp në Bratisllavë se shpreson që bashkë me kancelarin gjerman Olaf Scholz të takohet me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë më vonë këtë javë, duke ju referuar takimit të Radhës së Komunitetit Politik Evropian që mbahet në Moldavi.
“Ne u kemi treguar shumë qartë autoriteteve të Kosovës se ishte gabim që të shkohej më tutje me këto zgjedhje në këtë lloj konteksti, që është pothuajse një mospjesëmarrje e plotë”, tha presidenti Macron.
Kurti dhe Blinkeni përplasen për policinë
Në një intervistë për CNN Kurti e filloi historinë e krizës në ‘veri’ nga dorëheqja (5 nëntorit) e katër kryetarëve të komunave që i përkisnin Listës Serbe por pa treguar arsyet e dorëheqjes! Më tej ai sqaroi se policia u dërgua në ‘veri’ sepse kushtet e sigurisë u përkeqësuan dhe për të njëjtën arsye u shtynë zgjedhjet. Por nuk përmendi faktin se prania e policisë së Kosovës në veri shkel marrëveshjen e vitit 2013. Tha, në fjalë të tjera, dy gjysmë të vërteta në dy pohime.
Në fund ai sqaroi se policia e Kosovës nuk do të largohet nga veriu sepse ajo do të mbrojë kryetarët e zgjedhur demokratikisht. Pak orë më pas ministri i jashtëm amerikan, Blinken, i bëri thirrje palës serbe të ulë nivelin e gadishmërisë së ushtrisë ndërsa palës sonë të tërheq forcat policore, një kërkesë e kërkuar nga Lista Serbe gjatë protestës së 29 majit dhe e mbështetur nga BE-ja ose nga përfaqësuesi i politikës së jashtme të saj, Boreli.
Përpara bisedës me CNN, Kurti mbajti një qendrim ku nuk pranon fajësi, ndryshe ngasa e akuzojnë, dhe se ai do të mbante forcat e policisë në veri.
Kryeministri i Kosovës tha të martën gjithashtu për të përditshmen britanike The Guardian se dita e hënë ka qenë shumë e rëndë, dhe se “jemi me fat që nuk është humbur asnjë jetë". Për qendrimin e Blinkenit lidhur me vendimet e tij ai tha se “mendoj se, jo vetëm që është e padrejtë dhe e gabuar e edhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive”.
Borrell: Kosova të pezullojë operacionet policore në komunat veriore - protestuesit e dhunshëm të largohen
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të martën se është vënë në përpjekje për të organizuar një takim të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës.
Ai i bëri këto komente një ditë pas trazirave të dhunshme në veriun e Kosovës ku grupe protetsuesish serbë u përplasën me trupat e NATO-s, duke lënë pas vetes 30 ushtarë të plagosur.
“Aktet e dhunshme, ndaj qytetarëve, medieve, policisë dhe trupave të KFOR-it janë absolutisht të papranueshme dhe krijojnë një situatë shumë të rrezikshme”, tha zoti Borrel duke nënvizuar e Bashkimi Evropian qëndron fuqishëm në mbështetje të KFOR-it në përmbushjen e mandatit të tij në interes të paqes dhe qëndrueshmërisë në Kosovë.
Ai tha se ka biseduar më kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe u ka kërkuar të dyja palëve që urgjentisht të marrin masa për uljen e menjëhershme dhe pa kushte të tensioneve. Çdo hap i njëanshëm duhet të shmanget dhe qetësia duhet të rivendoset, tha ai.
“Si hap i parë, pres nga autoritetet e Kosovës të pezullojnë operacionin policor në ndërtesat e komunave në veriun e Kosovës dhe protestuesit e dhunshëm të tërhiqen”, tha zoti Borrell.
Bashkimi Evropian, tha ai, pret nga palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në bisedimet e lehtësuara nga blloku për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri, që garanton siguri për të gjithë qytetarët dhe për t’i hapur rrugën zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
“Jam duke punuar për organizimin e një takimi emergjent të nivelit të lartë politik në kuadër të dialogut”, tha zoti Borrell.
Ai tha se vendet anëtare të BE-së janë informuar për zhvillimet dhe po diskutojnë masat e mundshme nëse palët refuzojnë të ndërmarrin hapa drejt shtensionimit. Palët, tha ai, pritet të ndihmojnë bashkëpunimin e frytshëm rajonal dhe sigurinë në Evropë dhe të tejkalojnë trashëgimitë e së kaluarës.
“Ka pasur tepër dhunë, kemi mjaft dhunë tashmë në Evropë sot dhe nuk mund të përballojmë një konflikt tjetër. Shpresoj që zëri im të dëgjohet dhe njerëzit të sillen në pajtim më kërkesat”, tha zoti Borrell.
NATO-ja do të dërgojë forca shtesë në Kosovë pas dhunës së të hënës
Aleanca ushtarake e NATO-s tha se në përgjigje ndaj trazirave të fundit dhe plagosjes së 30 pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë, do të dërgojë trupa shtesë nga Forcat Rezervë Operacionale për Ballkanin Perëndimor.
Komanda e Forcave të NATO-s në Napoli tha se “po ndjek nga afër situatën në Kosovë dhe do të vazhdojë të bashkërendohet me KFOR-in për t’u siguruar se do të ketë të gjitha mundësitë dhe forcat që i nevojiten për të siguruar në mënyrë të paanshme një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se 700 trupa shtesë do të dërgohen në Kosovë.
“Po ashtu kemi vendosur në gatishmëri një batalion shtesë, që mund të dërgohet nëse është e nevojshme”, tha ai në një konferencë në Oslo, në të cilën dënoi dhunën ndaj forcave paqeruajtëse.
“Dhuna e kthen Kosovën prapa e po ashtu të gjithë rajonin dhe i vë në rrezik aspiratat euroatlantike. Prishtina dhe Beogradi duhet të hedhin hapa konkret për t’i ulur tensionet, të përmbahen nga veprimet e papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, që është rruga e vetme”, tha sekretari Stoltenberg.
Vendimi u mor një ditë pas trazirave të dhunshme në veri të Kosovës ku 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja mbetën të plagosur pas përplasjes me grupe protestuesish serbë.
KFOR- tha se nga pasojat e “dhunës së paprovokuar në Zveçan” 11 ushtarë italianë dhe 19 hungarezë pësuan plagë, përfshirë thyerje eshtrash dhe djegie nga mjetet shpërthyese, ndërsa tre ushtarë hungarezë kanë pësuar plagë nga armët e zjarrit.
Të martën forcat paqeruajtëse janë vendosur para ndërtesave të komunave veriore të Kosovës ku janë mbledhur grupe serbësh për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë, por situata aktuale është e qetë.
KFOR-i tha se shtimi i pranisë së tij në katër komunat e veriut të Kosovës ishte në funksion të uljes së rrezikut të përshkallëzimit.
“Trupat e KFOR-it u sulmuan më pas nga turma gjithnjë e më agresive... Ai iu përgjigj sulmeve të paprovokuara të një turme të dhunshme dhe të rrezikshme”, thuhet në komunikatë.
Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, po ndjek personalisht zhvillimin e situatës dhe shpreh solidaritetin e tij me ushtarët e NATO-s që u plagosën gjatë përleshjeve si dhe me familjet e tyre.
“Për të shmangur përleshjet ndërmjet palëve dhe për të ulur rrezikun e përshkallëzimit, paqeruajtësit e KFOR-it parandaluan kërcënimet ndaj jetëve të serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës. Të dyja palët duhet të marrin përgjegjësinë e plotë për atë që ndodhi dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm, në vend që të fshihen pas narrativave të rreme”, citohet të ketë thënë komandanti i KFOR-it.
Forcat paqeruajtëse thanë se do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të krijuar një mjedis të sigurt dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Kurti refuzon fajësinë dhe mban policinë në veri
Të dashur qytetarë,
Kryetarët e zgjedhur nga zgjedhjet e 23 prillit, përkundër daljes së ultë në zgjedhje për shkak të bojkotit të diktuar dhe detyruar mbi serbët e Kosovës, megjithatë janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave, dhe në shërbim të qytetarëve.
Prandaj, ata kanë mbështetjen tonë të plotë, të pakushtëzuar dhe të pandërprerë. Demokracia nuk mund të suspendohet, e as të mbahet peng. Ushtrimi i saj është garant i paqes dhe sigurisë, assesi kërcënim apo rrezikim.
Republika e Kosovës është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Me institucione qeverisëse dhe të sigurisë të cilat trajnimet profesionale dhe orientimin vleror e kanë nga dhe kah shoqëritë perëndimore.
E dje, na u dëshmua përfundimisht dhe të gjithëve, se kë kemi përballë: grupe të së djathtës ekstreme me maska, që vandalizojnë, sulmojnë, djegin çdo gjë që nuk e konsiderojnë serbe, e që lartësojnë simbole nacionaliste dhe shoviniste, si kryqi me katër S-ja dhe Z-ja e agresionit rus në Ukrainë.
Ekstremistët dhe milicët kanë emra të veçantë. Ata nuk janë populli. Komuniteti serb duhet të çlirohet prej tyre. Ne i kemi identifikuar shumicën e tyre dje dhe sot. Nuk mund të ketë individë e as grupe mbi ligjin e më të fuqishëm se shteti.
Të tillë janë kriminelët multi-milionerë si Milan Radojçiq e Zvonko Veselinoviq. Ata janë pronarë të mëdhenj të bizneseve e të kontrabandës, që i kushtëzojnë punëtorët e varfër të tyre, të dalin në protesta të dhunshme. Në fakt, kjo është mënyra e vetë shefave të tyre urdhërdhënës në Beograd ndaj administratës publike: mënyra e Aleksandar Vuçiq, Aleksandar Vulin dhe Ivica Daçiq.
Unë e di të dashur qytetarë që në grumbullimet dje dhe sot ka pasur edhe protestues paqësor. Por protestat dje e sot nuk ishin paqësore. Një protestë që sulmon policinë e cila e ruan rendin dhe zbaton ligjin, pjesëtarët e KFOR-it që e ruajnë qetësinë dhe stabilitetin, dhe gazetarët të cilët raportojnë mbi ngjarjet nga terreni, nuk janë protestë për komunën, por për pushtet. Në Kosovë, pushteti mund të merret vetëm përmes zgjedhjeve. Jo me dhunë dhe krim.
Policia jonë dhe KFOR-i atje janë kufiri ndërmjet ekstremistëve të dhunshëm dhe institucioneve paqësore. Orëve të fundit, institucionet tona kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët. Por përveç shqetësimeve dhe brengave, dje na u dëshmua para syve se edhe kërcënimet dhe rreziqet i kemi të përbashkëta.
Dhjetëra të lënduarve ju dëshiroj shërim të plotë dhe të shpejtë. Falënderoj kryetarët e komunave që përkundër vështirësive kanë shfaqur vullnetin e sinqertë për t’u shërbyer qytetarëve i cili dëshmohet edhe në këto situata. Falënderoj policët e Kosovës, që përkundër tensioneve dhe sulmeve, kanë kryer detyrat e tyre me profesionalizmin më të lartë. Falënderoj pjesëtarët e KFOR-it që përkundër synimeve të huaja për destablizim, po ruajnë paqen dhe sigurinë. Falënderoj gazetarët dhe mediat që përkundër rreziqeve dhe pasigurisë, na sollën me zë dhe figurë fytyrën e vërtetë të protestave të milicëve të dhunshëm. Dhe falënderoj veçanërisht qytetarët e Republikës për mirëbesimin dhe mbështetjen.
Hovenier: Kriza në veri të Kosovës ishte e panevojshme dhe dëmtoi marrëdhëniet e saj më SHBA-në
Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier tha të martën se qeveria e Kosovës nuk është bashkërenduar me Shtetet e Bashkuara për zhvillimet në veri dhe ka krijuar një krizë të panevojshme, duke dëmtuar edhe marrëdhëniet me Uashingtonin.
Në një takim me një grup gazetarësh të medieve vendase, ai tha se kriza ishte e panevojshme dhe paraqet kthim prapa në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe siç ka thënë sekretari i Shtetit Antony Blinken do të ndikojë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Shenja e parë e kësaj është vendimi i natës së kaluar i komandantit të Forcave amerikane në Evropë, Christopher Cavoli, për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet "Defender Europe 2023". Për Kosovën kjo stërvitje ka marrë fund”, tha ambasadori Hovenier.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti të marrë hapa për të shtensionuar situatën në veri, por ai nuk u është përgjigjur kërkesave.
“Po e shqyrtojmë çfarë hapash të tjerë do të ketë. Më duhet të them se në këtë moment, Shtetet e Bashkuara nuk kanë shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa prej interesave të Kosovës, siç është angazhimi me vendet mosnjohëse, apo puna aktive për të avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, tha ai duke shprehur keqardhjen për këto zhvillime.
Megjithatë ai shfaqi shpresën se kryeministri Kurti do ta pranojë këshillën amerikane dhe do të marrë menjëherë hapa drejt uljes së tensioneve në veri. Ambasadori Hovenier, tha se Shtetet e Bashkuara i kanë dy kërkesa për qeverinë e Kosovës: të mos ngulë këmbë që kryetarët (që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga partitë serbe) të punojnë nga ndërtesat komunale, dhe që t’i tërheqë zyrtarët policorë nga tri ndërtesat komunale në veri.
“Ne nuk e kuptojmë pse nuk mund të shfrytëzohen vende alternative, apo ndërtesa tjera publike, për kryerje të funksioneve të tyre”, tha ambasadori Hovenier, duke përmendur faktin që kryetarët e komunave në veri janë betuar në vende alternative.
“Ne besojmë se prania e Policisë së Kosovës në ndërtesa, e cila ka hyrë me forcë, është tejet sfiduese, prandaj i kemi kërkuar Qeverisë që të tërheqë policinë nga këto tri ndërtesa komunale”, tha ai duke theksuar se këto dy veprime do të ndihmonin në uljen e tensioneve.
I pyetur nëse vendimi i Serbisë për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë, paraqet kërcënim për Kosovën, ambasadori amerikan tha se “nuk është kurrë shenjë e mirë” që shtetet fqinje, me të cilat marrëdhëniet janë të tensionuara, i mobilizojnë forcat e tyre.
“Mirëpo në këtë pikë, ne jemi të shqetësuar për veprimet e qeverisë së Kosovës, që e kanë krijuar këtë krize në veri”, tha ai duke nënvizuar se ulja e tensioneve do ta kthente vëmendjen te zbatimi i plotë i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilën palët janë pajtuar në muajin mars.
"Të dyja palët duhet ta zbatojnë atë plotësisht. Ajo e zgjidh edhe situatën në veri. Kjo është një nga arsyet përse ne presim që qeveria të punojë urgjentisht në procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe", tha ambasadori Hovenier.
Haradinaj kërkon dorëheqjen e Kurtit
Albin Kurti e Vjosa Osmani për më pak se tre vjet në pushtet, nuk kanë lënë sukses pa e kthyer përmbys. Ata për kaq pak kohë e kanë kthyer Kosovën dhjetë vjet mbrapa. Përjashtimi i Kosovës nga ushtrimi i NATO-s “Defender Europe 2023” është alarm për sigurinë tonë nacionale. Duhet të jesh shumë dritëshkurtër që në këtë kohë kaq delikate, të armiqësohesh me krejt botën demokratike?
Shtetet investojnë me dekada për të krijuar miqësi dhe aleanca. Në rastin tonë, del një Albin Kurti e tenton t’i rrëzojë ato. Ka pasur edhe të tjerë në historinë tonë që kanë dashur t'i përmbysin këto aleanca, por Kosova ka qenë më e madhe se sa vogëlsia e tyre dhe ka triumfuar. Ajo nuk ka alternativë tjetër përpos të triumfojë edhe këtë herë.
Populli i Kosovës që është populli më properëndimor i kontinentit, do të dijë t'i ruajë miqtë dhe orientimin e vet. Është i vogël Albin Kurti t'ia nderrojë orientimin Kosovës dhe popullit të saj. Ai e ka vetëm një shans, që njëherë në jetën e tij t'ia bëjë një të mirë Kosovës! Të japë dorëheqje qysh sot!
Qytetarët reflektojnë rrëfenjën kryesore: fajin e ka Kurti
Kosova po ecën “tehut të thikës” duke i rrezikuar marrëdhëniet me partnerin e saj kryesor perëndimor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vlerësojnë disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë. Sipas tyre, zyrtarët e SHBA-së kanë dërguar mesazhe të qarta për Qeverinë e Kosovës, që të mos ndërmarrë veprime të dhunshme në veri të vendit dhe, siç thonë ata, autoritetet e Kosovës duhet t’i përfillin kërkesat dhe rekomandimet e SHBA-së.
Disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se pas ndërhyrjes së autoriteteve të Kosovës në komunat në veri pa konsultim me partnerët ndërkombëtarë, raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së tashmë janë të kërcënuara.
Agron Krasniqi, thotë se vetë deklarata e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, pasqyron situatën se në çfarë pike kanë arritur raportet Kosovë-SHBA.
“Si mund të jenë raportet ndryshe, kur ta jep përgjigjen vetë sekretari amerikan i Shtetit, Blinken. Ai i thotë kryeministrit [të Kosovës, Albin] Kurti që të marrë hapa konkretë dhe ta stabilizojë gjendjen. Ndërkaq, gjendja po shihet”, thotë Krasniqi.
...
Përfaqësuesit e partive opozitare, PDK-së dhe LDK-së, thonë se Qeveria e Kosovës duhet të reflektojë lidhur me vendimet e saj dhe të veprojë në përputhje me deklaratën e sekretarit amerikan të Shtetit, Blinken.
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, zëvendëskryetar i Komisionit parlamentar për punë të jashtme dhe diasporë, thotë për Radion Evropa e Lirë se kryeministri Kurti, në kontekstin e zhvillimeve në veri dhe deklaratave të zyrtarëve amerikanë, duhet të ndërmarrë hapa për uljen e tensioneve në veri, por edhe të japë përgjegjësinë për gjendjen aktuale atje.
“Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk e besoj që rrezikohen. Por, përgjegjësia është e jona dhe për këto veprime dikush duhet të japë llogari”, thekson Haliti.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, shpreson që deklarata e zotit Blinken i është adresuar Qeverisë së Kosovës dhe “pasojat që përmenden në marrëdhënie, të jenë me ata që e kanë shkaktuar” tensionet në veri dhe jo me popullin e Kosovës.
“Unë konsideroj që kërcënimin serioz ndaj raporteve të veçanta që Kosova i ka me SHBA-në, është kah e sjell kjo Qeveri dhe kryeministri i saj [Albin Kurti] me këto veprime, me këto sjellje dhe me deklarata, shpeshherë. Veprimet e njëanshme, sjelljet e tilla, natyrisht që i lëndojnë [marrëdhëniet Kosovë-SHBA]. Unë shpresoj që të mos përkthehen në mosmirënjohje kolektive. Përkundrazi, Kosova do ta ruajë mirënjohjen e përhershme dhe do të jetë falënderuese për gjithë atë kontribut [të SHBA-së për Kosovën]”, vlerëson Haziri.
Diplomati kosovar, Qëndrim Gashi, ish-ambasador i Kosovës në Francë, vlerëson se “nëpërmjet aksioneve të pamatura të Qeverisë së Kosovës” marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “tashmë janë dëmtuar”.
“Do të thotë, deklarata e sekretarit [amerikan të Shtetit, Antony] Blinken ishte e ashpër dhe fatkeqësia e jonë është se deklaratat e tjera, më pak të ashpra dhe jo të drejtpërdrejta, nuk janë marrë parasysh. Ne, si qytetarë të Kosovës, kemi arsye të shqetësohemi nga një mungesë vizioni, e cila e shoqëron politikën e jashtme të Kosovës qe një kohë”, thotë Gashi.
Ai shton se Qeveria e Kosovës – edhe pas porosive që kanë ardhur nga zyrtarët e SHBA-së – ka vazhduar me veprimet e saj në veri të vendit. Në këtë kontekst, sipas tij, janë dëmtuar interesat e Kosovës, e cila synon integrimin euroatlantik.
“Për një gjë të tillë, bashkëpunimi dhe partneriteti i afërt me SHBA-në është esencial. Kur ai bashkëpunim dhe partneritet dëmtohet, atëherë duhet të shikojmë se ku është fajtori. Ne, si qytetarë të Kosovës, nuk mund t’i kërkojmë llogari Qeverisë amerikane, por duhet t’i kërkojmë llogari Qeverisë së Kosovës”, shprehet ish-ambasadori Gashi.
Ai thekson se, me gjithë kritikat “e merituara” që mund t’i adresohen Qeverisë së Kosovës, “nuk duhet humbur fokusin nga fakti që Beogradi vazhdon të jetë bartësi kryesor i destabilitetit në rajon”.
Borrell: Kosova t'i pezullojë operacionet e policisë rreth komunave në veri
Kosova duhet t'i pezullojë operacionet e policisë së saj rreth ndërtesave të komunave në veri të Kosovës, si hap i parë për uljen e tensioneve, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
"Dua të them se BE-ja e dënon fuqishëm dhunën në veri të Kosovës, që e kemi parë ditëve të fundit. Aktet e dhunës ndaj qytetarëve, mediave, forcave të rendit dhe KFOR-it janë të papranueshme", tha Borrell për gazetarët në Bruksel.
"Ne, si BE qëndrojmë prapa NATO-s dhe KFOR-it në përmbushjen e mandatit, në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë", shtoi ai.
Borrell tha se ka biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe se i ka ftuar "ta qetësojnë situatën menjëherë dhe pa kushte".
Ai, po ashtu, tha se BE-ja pret që palët të angazhohen në dialog dhe ta hapin rrugën për zbatimin e Marrëveshjes drejt normnalizimit të marrëdhënieve.
Paralelisht, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është duke bërë përpjekje që të organizojë një takim ad hoc mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, mëson Radio Evropa e Lirë.
Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, po përpiqet të organizohet në Bratislavë të Sllovakisë.
Sipas burimeve diplomatike, “kjo është një ide dhe një përpjekje” dhe se “ende nuk ka konfirmime nga palët se a janë të gatshme për një takim të tillë”.
Kryeqyteti sllovak është përmendur si vend i mundshëm ku do të mund të takoheshin të dy bartësit e dialogut, për shkak se që të dy janë ftuar të marrin pjesë në konferencën për siguri globale, Globsec, që po zhvillohet në Sllovaki.
Por, nga Qeveria e Kosovës i thanë Radios Evropa e Lirë se pjesëmarrja e Kurtit në këtë konferencë në Sllovaki, mund të anulohet.
"Ka qenë e planifikuar [që Kurti] të shkojë. Por, për shkak të zhvillimeve në vend është shtyrë pjesëmarrja. Nuk është definitive ende nëse do të marrë pjesë ose jo", thanë nga Qeveria e Kosovës.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është paraparë të marrë pjesë në një panel të mërkurën, me temën: “Rruga e hapur – Ballkani Perëndimor kthehet në punë”. Në këtë panel do të jetë i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Prania e Kurtit dhe Vuçiçit, si dhe e Lajçakut në këtë konferencë, është parë si mundësi që të organizohet një takim i përbashkët i tyre.
Për një takim të tillë, sipas burimeve diplomatike, Lajçak e ka edhe mbështetjen e disa prej shteteve më të rëndësishme perëndimore.
Një takim i tillë po shihet edhe si përpjekje për të ulur tensionet në veriun e Kosovës, zonë ku serbët lokalë po protestojnë kundër kryetarëve të rinj shqiptarë dhe po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.
Stano: Të dyja palët përgjegjëse për dhunën
Zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano, tha se dhuna në veri të Kosovës "ka ardhur nga të dyja palët", duke iu referuar Kosovës dhe Serbisë.
Nga përleshjet mes protestuesve serbë dhe ushtarëve të KFOR-it, të hënën në Zveçan, mbetën 35 ushtarë të plagosur, ashtu si edhe më shumë se 50 protestues.
"Eskalimin e shohim që nga e premtja, prandaj edhe [shefi i politikës së jashtme të BE-së, Joseph] Borrell dhe vendet anëtare [të BE-së] e kanë dënuar dhunën dhe kanë ftuar për uljen e tensioneve. U kanë thënë të dyja palëve", tha Stano për gazetarët në Bruksel.
"Kjo situatë nuk ka ardhur vetvetiu, por është pasojë e rrethanave dhe zhvillimeve, për të cilat janë përgjegjëse të dyja palët", shtoi ai.
Në pyetjen e gazetarëve se a do të thotë kjo situatë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka dështuar, Stano tha: "Jo, dialogu vazhdon, përpjekjet madje janë shtuar dhe dialogu është më i rëndësishëm se kurrë".
Kina shpreh mbështetje për Serbinë
Kina shprehu mbështetjen e saj për përpjekjet e Serbisë “për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial”, pas përleshjeve mes protestuesve serbë në Zveçan dhe trupave paqeruajtëse të NATO-s.
"Ne kundërshtojmë veprimet e njëanshme të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, duke iu referuar Qeverisë së Kosovës.
“Ne i bëjmë thirrje NATO-s të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve të rëndësishme dhe bëjë atë që në të vërtetë është e favorshme për paqen rajonale”, tshtoi Mao.
Rama “shenjon” Kurtin prapë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas incidenteve në veri të Kosovës, ndërsa u bën thirrje krerëve të shtetit që të dëgjojnë aleatët që situata të mos rëndohet edhe më shumë.
Lëndimi i ushtarëve të KFOR-it ngarkon me përgjegjësi të drejtëpërdrejtë dhunuesit e tyre të verbër dhe fatkeqësisht lëndon Kosovën në sytë e aleatëve e miqve të saj të pazëvendësueshëm! Sa më shumë zgjatet ky konflikt i rrezikshëm dhe i panevojshëm, aq më shumë lëndohet Kosova! Nga ky udhëkryq ku konflikti kthehet e rikthehet çdo vit si produkt i të shkuarës, me Serbinë që ekspozon trupat në kufirin ku fuqia e saj është e barabartë me zero dhe Kosovën që ekspozon ngurrimin e saj për të finalizuar dialogun, dilet vetëm me dialog e me aleatë të fuqishëm! Thirrja ime për t’i dëgjuar me vëmendje ata aleatë e për të mos u futur më thellë në shtegun jo vetëm të rrezikshëm, po edhe të kotë ku Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht bashkë me ushtarët e KFOR-it që po lëndohen fizikisht, s’është thirrje ndërkombëtare po nevojë kombëtare!
Perëndimi dënon dhunën e protestuesve
Grupe qytetarësh serbë që u mblodhën të hënën para zyrave të komunave veriore për të penguar hyrjen e kryetarëve shqiptarë, u përplasën me forcat paqeruajtëse të NATO-s. Përplasjet filluan pasi ushtarët e KFOR-it u bënë thirrje serbëve që t'u hapin rrugën dy makinave të forcave të posaçme të policisë së Kosovës. Protestuesit serbë hodhën gaz lotsjellës, gurë e mjete të tjera të forta mbi pjesëtarët e NATO-s. Ka të plagosur nga të dyja palët por ende nuk dihen hollësi.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara “dënojnë fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve sot në Zveçan, duke përfshirë përdorimin e eksplozivëve, kundër trupave të KFOR-it që kërkojnë të ruajnë paqen. Ne përsërisim thirrjen tonë për ndalimin e menjëhershëm të dhunës ose veprimeve që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, shkroi ai.
Ambasadori Hovenier, së bashku me diplomatët kryesor perëndimorë u takua pasdite me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për të diskutuar situatën në veri.
Ai ritheksoi shqetësimin për zhvillimet në zonë dhe nevojën për të ulur tensionet, ndërsa tha se i është kërkuar kryeministrit Kurti të marra hapa për të siguruar shtensionimin.
“Ka pajtim se shtensionimi i situatës duhet të ndodhë, por nuk e di se si do të ndodhë. Atë që Shtetet e Bashkuara po kërkojnë është se ne besojmë se nuk është e nevojshme që kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të punojnë çdo ditë në ndërtesat komunale. Për një afat të shkurtër, ne rekomandojmë që kjo të mos bëhet. Ashtu siç qeveria ka qenë në gjendje të gjejë mënyra që kryetarët të betohen në ndërtesa alternative dhe ta shmangin konfliktin dhe percepcionin për ngritjen e tensioneve. Një qasje e tillë, do të duhej të aplikohej edhe për punën e tyre”, tha ambasadori Hovenier.
Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian Tomáš Szunyog, tha se “BE-ja i dënon fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve në Zveçan, përfshirë përdorimin e mjeteve shpërthyese kundër trupave të NATO-s. E ritheksojmë thirrjen tonë për ndaljen menjëhershme të dhunës dhe uljen e tensioneve”.
Dhuna u dënua edhe nga diplomatët tjerë perëndimorë dhe udhëheqës institucionesh.
Vuçiçi paralajmëron me luftë në Kosovë
“Në Kosovë, do të ndodhë diçka që nuk e kemi parë deri tani”, presidenti serb Aleksander Vuçiç bëri disa parashikime të zymta për situatën aktuale të cilën e përshkroi si më të vështirën deri më tani.
“Kam frikë nga destabiliteti, madje edhe nga konfliktet e mëdha, sepse e di që serbët nuk mund të durojnë më, përderisa kryeministri i Kosovës Albin Kurti ëndërron që të bëhet si presidenti ukrainas, Volodimir Zelensky”, deklaroi Vuçiç për televizionin serb, Pink.
Vuçiç shtoi se ka komunikuar me zyrtarët europianë, të cilët i druhen një përshkallëzimi të ri pasi serbët, nga sa pohoi ai, patjetër do të protestojnë dhe do të kërkojnë kthimin e objekteve të tyre të uzurpuara.
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, një politikan serb i vijës së ashpër kur vjen fjala tek çështja e Kosovës, i tërhoqi veshin KFOR-it, duke i treguar ai nuk duhet të mbështetëse veprimet e njëanshme të Prishtinës.
“Tani po i ruajnë kryetarët me pretekstin e ruajtjes së paqes. Duket se po i ruajnë nga pronarët e objekteve, serbët, nga ata që punojnë atje, që janë të punësuar atje. Nuk mund të ketë në komunat serbë kryetarë të cilët nuk janë zgjedhur nga serbët”, tha Daçiç për Radio-Televizionin e Serbisë, teksa shtoi se forcat e armatosura serbe mbeten në gjendje gatishmërie të lartë.
Kurti: Gjendja e tanishme kërkon të qetësohet situata në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se gjendja e tanishme kërkon që të zbatohet Marrëveshja Bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si dhe të qetësohet situata në veri të Kosovës. Përmes një postimi në Twitter, Kurti tha se i ka bërë këto komente gjatë një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm Italian, Antonio Tajani.
Ai nuk dha detaje të tjera.
Daçiç paralajmëron për "destabilizim të rajonit"
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se “aktet e njëanshme” të autoriteteve të Kosovës rrezikojnë ta destabilizojnë rajonin dhe u bëri thirrje përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare që t'i marrin seriozisht ato. “Prishtina është kërcënimi më i madh për paqen dhe stabilitetin rajonal për momentin”, tha Daçiçi.
Mitrovica e Veriut dhe Leposaviqi kërkojnë të paguajnë për rrymën e shpenzuar
Kryetari i Mitrovicës, Erden Atiq, dhe ai i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kanë kërkuar nga institucionet kosovare, që ndërtesat publike të këtyre komunave të kyçen në sistemin energjetik të Kosovës dhe të paguajnë për energjinë elektrike të komunave që udhëheqin.
Këtë kërkesë ata ia kanë drejtuar Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Tregut (KOSTT) dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
“Gjithashtu kërkova që të na njoftojnë mbi borxhin që duhet paguar institucioneve të Republikës së Kosovës për rrymën e papaguar nga komuna që drejtoj”, shkroi Atiq në Facebook.
Edhe Hetemi tha se pret të njoftohet për faturën e papaguar të komunës që drejton.
Mitrovica e Veriut, së bashku me tri komunat e tjera në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, që nga përfundimi i luftës më 1999 nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar.
Faturat e energjisë së shpenzuar në veri, fillimisht janë paguar nga qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 nga Qeveria e Kosovës.
Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, më 2013 kanë arritur Marrëveshje për energjinë, që synon rregullimin e çështjes së furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike në katër komunat në veri, të banuar me shumicë serbe.
Por, kjo marrëveshje nuk është zbatuar dhe në qershor të vitit 2022, palët arritën pajtueshmëri për zbatimin e marrëveshjes ekzistuese për energjinë, përmes një udhërrëfyesi për energjinë.
Megjithatë, as ky udhërrëfyes nuk është zbatuar dhe gjatë vitit të kaluar, BE-ja ka pranuar se ka vonesa në zbatimin e tij, duke theksuar se përgjegjësinë përfundimtare për zbatimin e udhërrëfyesit e kanë Kosova dhe Serbia.
Tentim-sulme dhe vandalizime në veri të Kosovës ndaj mediave
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) tha se disa ekipe gazetarësh kanë qenë cak i tentim-sulmeve dhe disa makina janë vandalizuar, teksa ata po raportojnë nga veriu i Kosovës, ku serbët lokalë po protestojnë.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është tejet i shqetësuar me situatën e krijuar për mediet dhe gazetarët, të cilët po raportojnë nga këto komuna, andaj kërkon nga kolegët që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit”, u tha në njoftim.
AGK tha se ekipi i medias Periskopi është tentuar të sulmohet nga dy persona të maskuar në Zveçan.
“Në një fotografi dërguar AGK-së, shihet se bluza e një kolegu është shqyer si shkak i tentimit të sulmit, nga i cili fatmirësisht nuk ka të lënduar”.
Ndërkaq, vetura e Top Channel në Zveçan, me të cilën po udhëtonin gazetarë të mediave të ndryshme, sipas AKG-së, është vandalizuar “me slogane nacionaliste”.
Po ashtu, në Leposaviq makinat e RTV Dukagjinit dhe të ekipit Kallxo janë vandalizuar, duke u vizatuar mbi to slogane nacionaliste dhe duke ua mbuluar targat RKS (Republika e Kosovës).
AKG-ja ka kërkuar nga Policia e Kosovës dhe organizatat ndërkombëtare të sigurisë, që janë të pranishme në shtet, “që të mundësojnë raportim të sigurt dhe të papenguar të ekipeve mediale”.
Ministri serb i mbrojtjes: Po përfundojmë dislokimin e njësive ushtarake
Sipas Vuçeviqit, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, Millan Mojsilloviq, të hënën ka biseduar në telefon me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Angelo Michele Ristuccia.
Gjatë bisedës, siç tha Vuçeviq, Ristuccia tha se KFOR-i do të ofrojë siguri dhe paqe dhe nuk do të lejojë një konflikt midis Policisë së Kosovës dhe qytetarëve të komunitetit serb.
Ministri serb i Mbrojtjes tha se KFOR-i po mbron Policinë e Kosovës dhe kryetarët e rinj të komunave, të cilët ai i quajti “uzurpatorë të demokracisë”.
Shtimin e pranisë së trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, e cilësoi si reagim të vonuar të këtij misioni.
“Ata duhet të shkonin atje të premten, e jo sot. Mandati i tyre është që të mbrojnë paqen, stabilitetin dhe njerëzit. Ata sot nuk po mbrojnë njerëzit dhe institucionet. Ata po mbrojnë uzurpatorët”, tha Bërnabiq.
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha se deri në orën 14:00 të së hënës, do të përfundojë dislokimi i plotë i njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë, në përputhje me urdhrin e presidentit Aleksandar Vuçiq për rritjen e gatishmërisë luftarake.
Lista Serbe me kërkesë të re për tërheqjen e protestuesve
Pasditen e 29 majit, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë paraqitur një kërkesë të re, në mënyrë që protestuesit serbë të tërhiqen nga ndërtesat e komunave në veri, ku edhe janë tubuar.
Pas bisedës me një kolonel amerikan të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Igor Simiq dhe Dragisha Milloviq, nga Lista Serbe kërkuan që njësitë speciale të Policisë së Kosovës, të zëvendësohen me trupat e KFOR-it, në mënyrë që këta të fundit të ruajnë ndërtesat komunale.
Më herët gjatë ditës, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se ishin dy kërkesa që ua kishte përcjellë përfaqësuesve të KFOR-it dhe ambasadorëve të huaj në Prishtinë, në mënyrë që protestuesit serbë të tërhiqen.
"Kërkesat tona janë që sherifët - siç e quajnë veten - të paligjshëm, të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe t'i udhëheqin të afërmit e tyre. Dhe, të gjitha njësitë speciale në ndërtesën e komunës, përreth komunës, të tërhiqen në jug, sepse ky nuk është stacion policie, është bashki e qytetit", tha Rakiq, duke folur nga Zveçani.
Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, më herët gjatë së hënës deklaroi se protestuesit do të qëndrojnë deri në plotësimin e kërkesave të paraqitura.
“Ne nuk do të largohemi derisa ata të tërhiqen. Presim që KFOR-i të qëndrojë neutral ndaj statusit, të mos ofrojë mbrojtje për njësitë e paligjshme parapolicore, të ruajë paqen sepse ne jemi të interesuar për paqe. Qytetarët erdhën këtu për të mbrojtur paqen dhe familjet e tyre”, tha ai.
Pas rritjes së tensioneve në veri më 26 maj, Lista Serbe ka kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe Qeveria serbe që të ndërpresin apo pezullojnë dialogun me Kosovën, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Java fillon me tensione në veriun e Kosovës
Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë - është në negociata me KFOR-in dhe kërkon që kryetarët e rinj të mos hyjnë në objektet komunale. Kërkesë e saj është, po ashtu, që Policia e Kosovës t’i tërheqë njësitet speciale nga veriu.
Për orën 9:00 sot është paralajmëruar një takim i ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, me kryetarët e rinj të komunave. Tash për tash, vetëm kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, e ka konfirmuar për REL-in pjesëmarrjen në këtë takim.
Të premten grupe qytetarësh serb u përplasën me policinë e Kosovës e cila po ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe të hyjnë në zyrat e tyre. Zhvillimet e së premtes nxitën reagime të ashpra nga Beogradi, i cili ngriti shkallën e gatishmërisë ushtarake.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dënuan qeverinë e Kosovës për hyrjen me forcë në ndërtesat e komunave.
Të dielën në mbrëmje fuqitë perëndimore, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian, paralajmëruan “të gjitha palët kundër kërcënimeve ose veprimeve të tjera që mund të ndikojnë në një mjedis të sigurt, duke përfshirë lirinë e lëvizjes dhe që mund të nxisin tensionet ose konflikt”.
Kryetarët e rinj të tri komunave të banuara me shumicë serbe, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kundërshtohen nga serbët dhe përfaqësuesit politik të tyre, të cilët bojkotuan këtë proces zgjedhor.
Udhëheqësit e Listës Serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës, kërkuan të shtunën që Serbia të pezullojë të gjitha negociatat me qeverinë e Kosovës.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shtuar përpjekjet për të ndihmuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë, ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë.
Kosova dhe Serbia u pajtuan në muajin mars në Ohër të zbatojnë një plan të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, por tensionet vazhdojnë të mbeten të larta.
Tensioneve në veri Vuçiçi u përgjigjet me gadishmëri të lartë ushtarake
Grupe qytetarësh serb u përplasën të premten me policinë e Kosovës e cila tha se po ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe në veriun e vendit, për të hyrë në zyrat e tyre.
Policia hodhi gaz lotsjellës në hyrje të komunës së Zveçanit për të shpërndarë turmën e cila hodhi shashka dhe gurë mbi pjesëtarët e policisë, ndërsa i vuri flakën të paktën një makine të policisë.
Në një njoftim të policisë thuhet se pesë pjesëtarë të saj pësuan lëndime, ndërsa katër makina u dëmtuan gjatë përleshjeve. Rreth 10 persona kërkuan ndihmë mjekësore në një spital lokal duke u ankuar për lëndime të lehta dhe ndikimin e gazit lotsjellës.
Sipas policisë janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por ende nuk dihet vendi i saktë.Mediat në Serbi thanë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç nënshkroi një urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë së Serbisë në nivelin më të lartë dhe ka urdhëruar lëvizjen e njësive në drejtim të vijës kufitare me Kosovën.
Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç në një transmetim të drejtpërdrejtë televiziv në Beograd tha se është urdhëruar një lëvizje urgjente e trupave, meqë sipas tij, “është e qartë se terrori ndaj komunitetit serb në Kosovë po ndodh”.
Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier shkroi se Shtetet e Bashkuara i dënojnë veprimet e autoriteteve të Kosovës për të hyrë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë, shkroi ai.
Senatori amerikan Chris Murphy, duke shpërndarë postimin e ambasadori Hovenier tha se ka biseduar në telefon me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet për zhvillimet në veriun e Kosovës.
“Në takimin tim të hënën në Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti, ai nuk përmendi një plan për qasje në ndërtesat komunale. Si mik i Kosovës jam kapur tërësisht në befasi dhe ai duhet t'i japë fund këtij provokimi menjëherë. Po, këto komuna janë pjesë e Kosovës dhe nën juridiksionin e Prishtinës. Këta zyrtarë kanë të drejtën ligjore teknike për të hyrë në këto ndërtesa. Por pikërisht në këtë moment, me situatën kaq të tensionuar në veri, është një hap qëllimisht provokues dhe i panevojshëm”, shkroi senatori Murphy.
Me anë të një deklarate, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u shpreh se kjo qeveri i ndërmori këto veprime në kundërshtim me këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës.
“Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, thotë deklarata.
Rama në frymën e Blinkenit
“A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?! Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar”, shprehet Rama në Twiter.
Rama shprehet se kjo “panoramë” është e panevojshme dhe për këtë shton se në qendër të veprimeve Kosovë-Serbi duhet të vihet dialogu.
“Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, shtoi Rama
BE-ja dënon përplasjet në veriun e Kosovës
Bashkimi Evropian dënoi ashpër përplasjet në veriun e Kosovës “të iniciuara nga përpjekja e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale”.
Dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX, të cilit duhet t'i lejohet të zbatojë mandatin e tij në mënyrë paqësore, thuhet në reagimin e Be-së në të cilin theksohet se “të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të shtensionuar situatën dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë. BE-ja nuk do të pranojë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm ose provokues dhe ruajtja e paqes, dhe siguria në terren duhet të jetë përparësi”.
BE-ja ritheksoi se zgjedhjet e fundit të pjesshme në veriun e Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë dhe se një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes një dialogu real ndërmjet të gjitha palëve të interesit, që përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës, nën lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Kryetarët e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të këtij viti, u betuan një ditë më parë nëpër shkolla e ndërtesa të tjera publike në këto komuna, për shkaqe sigurie.
Një muaj më parë autoritetet e Kosovës organizuan zgjedhjet për kryetarë të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri me gjithë refuzimin e subjekteve politike serbe që të marrin pjesë në proces pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës dhe zyrtarët në Beograd kundërshtojnë rezultatin e këtij procesi zgjedhor. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shtuar përpjekjet për të ndihmuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë, ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë.
Kosova dhe Serbia u pajtuan në muajin mars në Ohër të zbatojnë një plan të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, por tensionet vazhdojnë të mbeten të larta.
Marrëveshja Kosovë - Serbi, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe ata për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kundërprotesta e Vuçiçit dhe paraljamërimi i tij
Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën të premten në kryeqytetin serb në një tubim të madh në mbështetje të presidentit Aleksandar Vuçiç, i cili po përballet me një revoltë të pashembullt kundër sundimit të tij autokratik, mes krizës së shkaktuar nga dy raste te vrasjeve ne masë, që tronditën kombin.
Tubimi sikur u vu nën hijen e një krize të re në Kosovë, ku grupe serbësh u përleshën me policinë e Kosovës dhe presidenti Vuçiç urdhëroi trupat serbe të viheshin në "gjendje të lartë gatishmërie". Ai tha se urdhëroi një lëvizje “urgjente” të trupave serbe drejt kufirit me Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Ai u tha pjesëmarrësve se menjëherë pas tubimit, do të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare për shkak të situatës në Kosovë. Sipas tij, autoritetet e Kosovës kanë pritur tubimin në Beograd dhe largimin e shumë njerëzve nga veriu i Kosovës për të sulmuar ndërtesat komunale në Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan.
Presidenti serb tha se Serbia po përballet me një periudhë të vështirë për Kosovën, ndërsa shtoi se do të luftojë për paqen.
"Unë do ta ruaj çdo sekondë të paqes, por në minutën e parë të sulmit ndaj serbëve në Kosovë, Serbia nuk do të rrijë duarkryq. Nëse doni ta dëboni Serbinë, nuk do t'i dëboni ata”, tha ai duke akuzuar vendet perëndimore se po dënojnë veprimet e Prishtinës, por vetëm pasi shqiptarët arritën të kryejnë atë që kishin vendosur.
Ai tha po ashtu se kjo ishte nata e fundit që flet si kryetar i Partisë Përparimtare Serbe sepse nesër do të japë dorëheqje nga ky post “për të qenë president i të gjithë qytetarëve”. Njëkohësisht ai paralajmëroi se më 28 qershor do të fillojë themelimin e Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin.
Duke iu përgjigjur thirrjes së Vuçiçit për atë që ai e quajti "tubimi më i madh në historinë e Serbisë", mbështetësit e tij, shumë nga të cilët kishin veshur bluza me portretin e tij, u dërguan me autobus në Beograd nga i gjithë vendi ballkanik, si dhe nga Kosova dhe Bosnja fqinje.
Organizatorët thanë se "qindra mijëra" veta morën pjesë në tubimin para parlamentit të Serbisë në mes të shiut dhe një stuhie që i shtyu shumë prej tyre të kërkonin strehë.
Atyre që punojnë në kompani dhe institucione shtetërore iu tha të merrnin një ditë pushimi nga puna për të marrë pjesë në tubim. Disa thanë se ishin paralajmëruar se mund të humbnin punën nëse nuk paraqiteshin në autobusët që filluan të mbërrinin disa orë para fillimit të tubimit.
Zyrtarët serbë thanë se tubimi do të nxis "unitetin dhe shpresën" për Serbinë.
Në tri protesta të mëdha antiqeveritare të mbajtura në fillim të këtij muaji në Beograd, demonstruesit kërkuan rrëzimin e presidentit Vuçiç si dhe dorëheqjen e dy zyrtarëve të lartë të sigurisë. Ata kërkuan gjithashtu tërheqjen e licencave të transmetimit për dy stacione televizive pro presidentit Vuçiç, që promovojnë dhunën dhe shpesh ftojnë kriminelë të dënuar lufte dhe figura të tjera të krimit.
Protestuesit opozitarë fajësojnë Vuçiçin për krijimin e një atmosfere dëshpërimi dhe ndarjeje në vend që sipas tyre çoi në mënyrë indirekte në të shtënat në masë me 3 dhe 4 maj, që lanë pas vetes 18 të vrarë dhe 20 të plagosur, shumë prej tyre nxënës shkolle që u vranë nga një nxënës 13 vjeçar.
Presidenti Vuçiç ka mohuar me forcë çdo përgjegjësi për të shtënat, duke i quajtur organizatorët e protestave të opozitës “grabitqarë” dhe “hiena” që duan të shfrytëzojnë rastet për të provuar të marrin pushtetin me forcë dhe pa zgjedhje.
Analistët besojnë se duke organizuar tubimin masiv, presidenti Vuçiç, i cili ka udhëhequr vendin për më shumë se 10 vjet me një kontroll të fortë mbi pushtetin, u përpoq të lërë nën hije protestat e opozitës me numrin e madh të pjesëmarrësve.
“Për herë të parë, Vuçiçi ka një problem”, tha analisti politik Zoran Gavriloviç. “Ata e kanë kuptuar që nuk kanë problem me opozitën aq sa me shoqërinë, pra me publikun që është zgjuar”, shtoi analisti Gavriloviç.
Presidenti Vuçiç ka lënë të hapur mundësinë që të kërkojë zgjedhje të reja parlamentare për muajin shtator, diçka që nuk ka gjasa të pranohet nga opozita në kushtet aktuale ku ai ka kontroll të plotë mbi të gjitha shtyllat e pushtetit, duke përfshirë median kryesore.
Aleksandar Vuçiç, një ish-ultranacionalist pro-rus, i cili tani pretendon se dëshiron ta fusë vendin në Bashkimin Evropian, pretendoi se "shërbimet e huaja të zbulimit " qëndrojnë pas protestave të opozitës. Ai tha se e kishte marrë informacionin nga agjencitë “simotra” të spiunazhit "nga lindja", domethënë nga Rusia.
Tubime të ngjashme të mëdha u mbajtën në Serbi në fillim të viteve të 90-ta, kur ish udhëheqësi serb Sllobodan Millosheviç mbajti fjalime të zjarrta që paralajmëruan shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë dhe nxiti masat për luftërat që pasuan.
Në këtë raport të përditësuar dhe të përmbledhur ka kontribuar Voa, REL-i dhe Top Channel
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 641 reads