...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Thirrje për listë të përbashkët në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi për gjithë shqiptarët e Luginës – M. Salihu

Të bashkohemi në një listë unike; të bashkohemi për qytetarët, për vazhdimin e jetesës në Luginë; sepse është e vetmja rrugë për të nderur veten tonë, paraardhësit tanë, historinë, pronat dhe shtëpitë tona.

SHJ

18/11/2023 - 14:36

Përkitazi me Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare në Serbi, të 17 dhjetorit 2023.

Zgjedhjet tani janë duke u afruar dhe kjo kërkon mobilizim të të gjithë shqiptarëve në Serbi. Ndaj të bashkohemi në një listë unike; të bashkohemi për qytetarët, për vazhdimin e jetesës në Luginë; sepse është e vetmja rrugë për të nderur veten tonë, paraardhësit tanë, historinë, pronat dhe shtëpitë tona.

Le ta mbrojmë Luginën, strehën tonë!

Të ndarë e të përçarë, mbi baza politike e partiake, nuk i duhemi më as vetes sonë. Edhe pak vite e votuesit duhet t’i kërkojmë në varreza dhe kjo është një rrjedhojë e pashmangshme e përçarjes që askush prej nesh nuk duhet të ketë si synim.

Shumë prej nesh besojnë dhe veprojnë për një listë të përbashkët, e shumë të tjerë janë kundër kësaj rryme. Ata që pengojnë bashkimin nuk bëjnë tjetër veçse çojnë ujë në mullirin e atyre që nuk na duan në këtë vend, me apo pa vetëdije!

Mungesa e unitetit dhe mos bashkimi politik e partiak i shqiptarëve është interesi kryesor vetëm i palës që shkel pamëshirë të drejtat tona.

Cili është synimi dhe interesi ynë? Duam që 17 dhjetori të shënojë fitore apo dështim? Rezultati varet krejtësisht nga vendimi që marrim tani. Ndaj mendohuni mirë.

Për të shënuar fitoren e shumëdëshiruar është e rëndësishme të sensibilizojmë të gjithë qytetarët, të kërkojmë bashkimin e të gjitha subjekteve dhe liderave në shprehjen e plotë të kësaj formule.

Nga ana tjetër, të shthurur, do të kemi si rezultat subjekte dhe organizata që shkatërrojnë më shumë se ndërtojnë.

Rrjetet sociale kanë një rol i një rëndësie të veçantë dhe në vend që të tregojnë përralla apo t’i lënë hapësirë ankesave dhe mos pajtimeve, le të angazhohen në nxitjen e një liste unike.

Le të shndërrohen në frymëzues pozitivë për publikun e gjerë, të krijojnë mundësi bashkëbisedimi dhe shkëmbimi të ideve mes subjekteve politike, organizatave dhe figurave politike me një synim kryesor: përcaktimin e kandidatëve të një liste të vetme.

Shumë e thjeshtë për t`u realizuar: një kandidat për komunë mundësisht me rotacion, duke u nisur nga Medvegja e cila pasqyron më së miri “politikëbërjen” tone deri tani.

Të lëvizim nga vendi pra, të gjithë ne qytetarët e Luginës, të krijojmë këshill organizativ, të debatojmë dhe të kërkojmë “konsensin” për listë të përbashkët.

Mbështetje të madhe presim të vijë edhe nga Tirana, Shkupi dhe veçanërisht Prishtina ku ka një numër të madh të qytetarëve të ardhur nga Lugina. Ata janë këtu, shumica banorë pa dokumente.

T’i lëmë pas dore konfliktet që pengojnë bashkimin në një listë.

Ata që reagojnë kundër, përhapin thashetheme, denigrojnë, ankohen, mbrojnë këtë apo atë subjekt, kanë si qëllim të vetëm dështimin tone: mos t’ua jepim këtë kënaqësi. Le t’i refuzojmë!

Thirrja e vetme është kjo:

TË BASHKOHEMI PËR LUGINËN, PËR NJË TË ARDHMË PAQËSORE E TË SIGURTË, SIÇ E MERITOJMË.

Me respekt e përkushtim të thellë,

Muharrem Salihu

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA