Veliaj miratoi betonizimin e mëtejshëm të Tiranës ndërsa rrit rrogën e tij me 82%
Bashkia planifikon të japë më shumë leje ndërtimi dhe të rrisë tarifat për çerdhet dhe kopshtet
Mirela Ruko
21/07/2023 - 15:52
Dje ishte mbledhja e tretë e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Pikat më të rëndësishme ishin:
1. Planifikimi buxhetor afatmesëm 2024-2026, i cili u miratua nga Këshilli si draft i parë, ndërsa përfundimtari do të miratohet në dhjetor. Problemi me të është se Bashkia planifikon të japë më shumë leje ndërtimi dhe të rrisë tarifat për çerdhet dhe kopshtet. Gjithashtu vizioni për zhvillimin e qytetit është ai i "Tiranës turistike", i cili është modeli i qyteti në shërbim të turizmit dhe jo banorëve, të cilëve ua pamundëson çdo ditë edhe më shumë jetesën.
2. U miratua rritja e pagave të funksionarëve dhe punonjësve të niveleve të ndryshme, por më e rëndësishmja ishte rritja e pagës së Kryetarit të Bashkisë me 82%, edhe pse Këshilli Bashkiak kishte në kompetencën e tij që të miratonte një rritje minimale. Të vetmit që nuk iu rritën pagat ishin punonjësit e policisë bashkiake. Tre prej të cilëve, kur po dilja prej bashkisë, filluan të më tregonin për vështirësitë dhe shqetësimet e tyre.
3. Me rëndësi ishte dhe miratimi i projektvendimit, "Për trajtimin me subvencionin e qirasë të familjeve në nevojë". Ky projektvendim prek ata që nuk mund të përballojnë qiranë e tregut dhe ndihmohen financiarisht nga Bashkia. Për 29 (njëzet e nëntë) familje që kanë pësuar dëme si pasojë e zjarrit, tërmetit dhe përmbytjeve vota ime ishte pro. Vetëm për këto vota ime ishte pro!
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 83 reads