...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Voa: kronika e protestës së aerokontrollorëve dhe shkaqet

Dje më shumë se gjysma e kontrollorëve deklaruan “paaftësinë për të punuar në kushte të stresit”. Ky vendim pasoi një mosmarrëveshje gati një vjeçare me drejtuesit e kompanisë Albcontrol për thuajse përgjysmimin e të ardhurave mujore, pas rënies së fluksit të fluturimeve për shkak të pandemisë.

Voa

08/04/2021 - 19:19

Në Shqipëri, për të dytën ditë radhazi fluturimet në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të vendit “Nënë Tereza” kanë mbetur të bllokuara, si pasojë e situatës problematike të krijuar nga vendimi i kontrollorëve ajrorë për të ndërprerë aktivitetin. Për tre kontrollorë sot u njoftua urdhëri i ndalimit.

Dje më shumë se gjysma e kontrollorëve deklaruan “paaftësinë për të punuar në kushte të stresit”. Ky vendim pasoi një mosmarrëveshje gati një vjeçare me drejtuesit e kompanisë Albcontrol për thuajse përgjysmimin e të ardhurave mujore, pas rënies së fluksit të fluturimeve për shkak të pandemisë.

Ministria e Infrastrukturës ngriti padi të mërkurën pasdite ndaj disa prej kontrollorëve, të konsideruar prej saj si “organizatorë të një greve të paligjshme”. Prokuroria e Tiranës nisi që mbrëmë veprimet e para, dhe në polici u shoqëruan të paktën 24 kontrollorë. Ndërsa 21 prej tyre u lanë të lirë gjatë ditës së sotme, për tre të tjerë është nxjerrë një urdhër ndalimi nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Avokati i sindikatës së Transportit ajror, Rezart Kthupi tha se kjo është një akuzë që mund të ngrihet për punonjësit e administratës shtetërore dhe jo të një shoqërie anonime.

Nga ana tjetër autoritetet janë vënë në lëvizje për të zëvendësuar kontrollorët protestues, qoftë dhe me të huaj. Gjatë një mbledhjeje të Komitetit të Mbrojtjes Civile, Ministrisë së Infrastrukturës iu kërkua që “të marrë masat e nevojshme për të bërë operacional kontrollin e trafikut ajror, qoftë edhe duke zëvendësuar, nëse lind nevoja, kontrollorët e larguar me kontrollorë të rinj vendas ose të huaj”.

Po ashtu kjo ministri “u ngarkua të përcaktojë kriteret minimale të licencës sipas standardeve ndërkombëtare si dhe çdo kriter tjetër të nevojshëm për të filluar fluturimet sa më parë”, ndërsa “Autoriteti i Aviacionit Civil u ngarkua të marrë të gjitha masat e nevojshme për rifillimin gradual të operimit ajror dhe në rast nevoje, të liçensojë në mënyrë të përshpejtuar kontrollorët e trafikut ajror në përputhje me urdhrin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë”.   

Rama sjell kontrollorë ajrorë turq e grekë

Një ditë pas protestës së kontrollorëve ajrorë, që çoi në bllokimin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendin, sot rinisën fluturimet e emergjencës, ndërsa të premten, sipas deklaratave të ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, rifillojnë dhe linjat e tjera ajrore. Menaxhimi i trafikut, do t’i besohet një grupi kontrollorësh turq, dhe grekë, ndërkohë që kompania Albcontrol, është në kontakte me kontrollorët shqiptarë, për rikthimin e tyre në detyrë. Një hetim i nisur nga Prokuroria çoi të enjten në ndalimin e tre kontrollorëve të cilët dyshohet të kenë organizuar protestën

Një avion i kompanisë Air Albania, me një ngarkesë prej 100 mijë dozash vaksinash, u ul të enjten pasdite në pistën e aeroportit Nënë Tereza, pas njoftimit të autoriteteve se kishin siguruar shërbimin e organizmit të trafikut ajror, të paktën për fluturimet emergjente. Ndërsa të premten, siç bëri të ditur ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku “që nga orët e para të mëngjesit dhe gjatë gjithë ditës, do të fillojmë të kemi operime normale në aeroportin e Rinasit, për të gjithë udhëtarët e fluturimeve tregtare. Pra të gjitha kompanitë që janë të skeduluara dhe të gjitha kompanitë charter që operojnë në Republikën e Shqipërisë”.

Ministrja nuk bëri të ditur se si do të bëhej e mundur në kushtet e mungesës së kontrollorëve. Këtë e zbuloi në mbrëmje kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për televizionin ABC NEWS. “Sot gjithshka në kontroll. Kemi patur përgjigje nga kontrollorët e Turqisë. Nesër mbërron dhe një grup nga Greqia. Do punojnë bashkë për të garantuar vijimin e punës. Do të qëndrojnë këtu dhe është një akt i mirëfiltë solidariteti në kushte shumë të rënda dhe të pakuptueshme për askënd”, shpjegoi kryeministri. Ai bëri të ditur se dhe një pjesë e kontrollorëve shqiptarë “janë kthyer në punë, të gatshëm për të nisur punën” duke nënvizuar se “kjo nuk mbaron me kaq. Do të bëhet një proces shumë i vëmendshëm”, mbi atë çka ndodhi.

Edhe aeroporti “Nënë Tereza”, njoftoi mbrëmjen e së enjtes rinisjen e aktivitetit, duke publikuar oraret e fluturimeve si në nisje ashtu dhe në mbërritje.

Specialistët turq dhe grekë do të zëvendësojnë kolegët e tyre shqiptarë, të cilët të mërkurën nisën një protestë të paprecedentë për shkak të një vendimi të shoqërisë Albcontroll të prilllit të vitit të kaluar për thuajse përgjysmimin e të ardhurave të tyre mujore, si pasojë e rënies së fluksit të fluturimeve në situatën e pandemisë. Fillimisht ishte një grup i vogël kontrollorësh që deklaroi paaftësinë për të punuar për shkak të stresit financiar. Por nisja e procedurave të shkarkimit nga puna për ta, u bë shkak, që me të njejtin arsyetim, atyre t’u bashkoheshin dhe kontrollorë të tjerë.

Autoritetet folën sërish të enjten për “një grevë të paligjshme, me një prapavijë politike në prag të zgjedhjeve të 25 prillit” dhe reaguan gjithashtu me gjuhën e forcës. Policia ushtarake mori nën ruajtje kullën e trafikut ajror, ndërsa kontrollorëve që nuk kryenin detyrën ju kërkua të largoheshin nga mjediset e punës.

Albcontrol ngriti padi të mërkurën pasdite ndaj disa prej kontrollorëve, të konsideruar si “organizatorë të kësaj proteste”. Prokuroria e Tiranës nisi menjëherë veprimet e para, dhe në polici u shoqëruan të paktën 24 kontrollorë. Ndërsa 21 prej tyre u lanë të lirë gjatë ditës së sotme, për tre të tjerë është nxjerrë një urdhër ndalimi nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim. Menjëherë më pas avokati i tyre Rezart Kthupi, tha se “kjo akuzë nuk mund të ngrihet ndaj një punonjësi të një shoqërie anonime. Gjykoj se kjo mund të ngrihet vetëm ndaj një punonjësi që ushtron një funksion në një institucion shtetëror për shpërdorim detyre shtetërore. Nuk e di se me çfarë arsyeje prokuroria gjen këtë si vepër penale për të ngritur akuzën”.

Sipas procesverbalit të ndalimit, ku citohen dhe komunikime telefonike, të tre kanë “ndikuar te vartësit e tyre, për të plotësuar formularin e paaftësisë së përkohshme për punë me qëllim shmangien nga detyrimi ligjor për të ushtruar detyrën”. Për ndalimin e tyre pritet të shprehet gjykata.

Dita e tretë: rikthehet normaliteti

Aeroporti i vetëm ndërkombëtar i vendit, “Nënë Tereza”, iu rikthye normalitetit pas dy ditësh bllokimi për shkak të protestës së kontrollorëve ajororë të cilët në bllok deklaruan të mërkurën paftësinë për të punuar. Një grup kontrollorësh turq dhe grekë, u thirrën nga autoritetet për të garantuar vazhdimin e aktivitetit, ndërkohë që u bë e ditur se një pjesë e mirë e kontrollorëve shqiptarë janë rikthyer në punë. Avokati i tyre megjthatë tha sot se nuk kishte ndonjë informacion për situatën e re të krijuar.

Pas avionit të Air Albania-s, i cili u ul dje pasdite në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, me një ngarkesë prej 100 mijë vaksinash, sot rinisën normalisht dhe fluturimet e linjave ajrore.

Për dy ditë aeroporti mbeti i bllokuar, pasi kontrollorët ajrorë nisën një protestë të paprecedentë, për të kundërshtuar një vendim të prillit të vitit të kaluar të kompanisë Albcontrol për rishikimin e kontratës së punës, duke reduktuar ndjeshëm pagat e tyre mujore. Ndërsa bisedimet të martën me ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku nuk sollën asnjë rezultat, ata deklaruan paaftësinë për të punuar për shkak të stresit financiar. Fillimisht ishin një grup i vogël, të cilët iu bashkua më pas dhe pjesa tjetër.

Në mungesë të një zgjidhjeje të shpejtë, dhe për të zhbllokuar situatën e krijuar, autoritetet kërkuan ndihmën e një sërë strukturave homologe. Që dje në vend mbërritën një grup kontrollorësh turq, të cilët u pasuan sot nga një grup tjetër kontrollorësh grekë. Ndërkohë, sipas deklarimeve zyrtare, një pjesë e mirë e kontrollorëve shqiptarë duket se janë tërhequr nga vendimi i mëparshëm dhe i janë rikthyer punës. Madje i gjithë aktiviteti i sotëm në kullën e kontrollit, mësohet të jetë kryer nga specialistët shqiptarë.

Nuk ka një të dhënë se sa është numri i atyre që kanë rinisur punën. Edhe avokati i sindikatës së Transportit ajror, Rezart Kthupi, i tha Zërit të Amerikës se nuk kishte informacion për situatën e re. Zoti Kthupi ishte sot gjatë ditës në seancën përgatitore të procesit të hapur prej kontrollorëve në Gjykatën e Tiranës, për vendimin e Albcontrol-it të vitit të shkuar për reduktimin e pagave.

Nesër pritet seanca për tre kontrollorët e ndaluar nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim. “Nuk e dimë akoma, se çfarë do të kërkojë prokuroria. Ajo që do të kërkojmë ne është paligjshmëria e masës së arrestit dhe rrëzimi i të gjitha akuzave, pasi e vërteta është se është një akuzë e ngritur për qëllime të ndryshme nga ajo e respektimit të ligjit”, shpjegoi zoti Kthupi.

Sipas procesverbalit të ndalimit, ku citohen dhe komunikime telefonike, të tre kanë “ndikuar te vartësit e tyre, për të plotësuar formularin e paaftësisë së përkohshme për punë me qëllim shmangien nga detyrimi ligjor për të ushtruar detyrën”.

Gjykata e Tiranës, jep masën e arrestit për 3 kontrollorë ajrorë

Gjykata e Tiranës vendosi sot masën e arrestit me burg për dy kontrollorët ajrorë Armando Fezga dhe Muhin Mezini, dhe arrest shtëpie për kontrolloren Flora Ndreca.

Tre ditë më parë, ata u ndaluan pas hetimit të nisur nga prokuroria mbi bllokimin e aktivitetit në aeroportin “Nënë Tereza”, pasi kontrollorët në bllok deklaruan paaftësinë e tyre për të kryer detyrën. Prej kohësh, ata kundërshtonin një vendim të vitit të kaluar të kompanisë Albcontrol, për thuajse përgjysmimin e të ardhurave të tyre mujore, si pasojë e rënies së fluksit të punës nga situata e pandemisë.

Tre kontrollët e arrestuar akuzohen për shpërdorim detyre në bashkëpunim, pasi sipas hetimeve kanë “ndikuar te vartësit e tyre, për të plotësuar formularin e paaftësisë së përkohshme për punë me qëllim shmangien nga detyrimi ligjor për të ushtruar detyrën”.

Avokati i tyre Rezart Kthupi ironizoi vendimin e Gjykatës duke u shprehur se “sot është një ditë e gëzuar. U dënuan me burg puçistët dhe pengmarrësit e aeroportit të Rinasit”, tha ai duke shtuar se ndjehej moralisht i dërrmuar nga kjo situatë.

Sipas autoriteteve, një pjesë e mirë e kontrollorëve janë rikthyer në punë, ndërkohë që për zhbllokimin e gjendjes së krijuar, u thirrën dhe grupe kontrollorësh turq dhe grekë

*Përditësuar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA