Vuçiçi i përgjigjet kërkesës së shqiptarëve për ‘asociacion’
Jam i gatshëm të ulem e të bisedojmë me të gjithë, t`i dëgjoj të gjithë, por jo të dëgjoj përralla politike, veçse ato që i preokupojnë njerëzit në jetën reale në këtë terren
SHJ
13/03/2023 - 20:22
Sot qarkulluan disa raporte sipas të cilëve Vuçiçi kishte refuzuar kërkesën e shqiptarëve të Serbisë për krijimin e një asociacioni të ngjashëm me atë që kërkon Serbia në Kosovë. Pyetëm Adil Fetahun, i cili na tha se:
“Nuk është publikuar askund se kanë bërë ndonjë kërkesë formale tek organet e Serbisë për të themeluar bashkësi të komunave shqiptare, por edhe deputeti në Kuvendin e Serbisë, edhe udhëheqësit e tjerë politikë të komunave të Luginës së Preshevës, kanë thënë disa herë në deklaratat e tyre se ata kërkojnë reciprocitet; ajo që u jepet Serbëve në Kosovë, duhet t`u jepet Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, qoftë fjala për shkëputje e bashkim, qoftë për bashkësinë e komunave.
Këtë fakt e kanë theksuar edhe në Uashington e në Zvicër këto ditë në takim me senatorë amerikanë e zviceranë, ku ishte një delegacion me në krye Shaip Kamberin. Kryetari i Serbisë, pardje (11 mars) që ishte në një vizitë në Vranjë, e përmendi, se shqiptarët po kërkojnë bashkësi të komunave në Jug të Serbisë, apo reciprocitet (me Serbët në Kosovë) dhe këto kërkesa i cilësoi si të 'pakuptimta'!
Dhe shtoi se Shqiptarët e rëndomtë duan të jetojnë më mirë, e për këtë gjithnjë i kanë dyert e hapura tek ai dhe te cilido në Serbi për të biseduar. “Jam i gatshëm të ulem e të bisedojmë me të gjithë, t`i dëgjoj të gjithë, por jo të dëgjoj përralla politike, veçse ato që i preokupojnë njerëzit në jetën reale në këtë terren”, ka thënë Vuçiçi”.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 328 reads



