Vuçiçi i ‘shpall’ luftë Kosovës
Vuçiçi si kryetar i shtetit, i ka shpallë luftë shtetit të Kosovës, për ta kthyer në përbërje të Republikës së Serbisë
SHJ
31/05/2022 - 18:52
Kryetari i Republikës së Serbisë, në ceremoninë e inaugurimit për mandatin e dytë pesëvjeçar, sot bëri betimin solemn para deputetëve të Kuvendit të vjetër pa mandat, pasi ai Kuvend është shpërndarë, ndërsa, për shkak të manipulimit me përsëritjen e zgjedhjeve në disa qendra votimi, Kuvendi i ri nuk ka mund të krijohet ende.
Në betimin e tij solemn, për mandatin e kryetarit të Serbisë, Vuçiçi u betua se Kosovën e Metohinë do ta ruajë në përbërje të Serbisë, sepse kështu e ka të përcaktuar në Kushtetutën e shtetit të tij (30 shtator 2006); në preambulë, po edhe në dispozitën e nenit 114.par.3, në të cilën është përcaktuar teksti i betimit të kryetarit të Republikës. Në atë dispozitë teksti i betimit të kryetarit të Republikës është përcaktur si vijon:
“Betohem se të gjitha fuqitë e mija do t’ia kushtoj ruajtjes së sovranitetit dhe tërësisë së territorit të Republikës së Serbisë, duke përfshirë edhe Kosovën e Metohinë si pjesë përbërëse të saj, si dhe realizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të pakicave, respektimit të mbrojtjes së Kushtetutës dhe të ligjit, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Serbisë dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrat e mija”.
Në tekstin e betimit dhe në betimin e Vuçiçit ka kundërthënie, të cilat e përjashtojnë njëra-tjetrën. Nga njëra anë thotë se “do ta ruaj Kosovën e Metohinë në përbërje të Republikës së Serbisë”, e në anën tjetër thotë se “do ta ruaj paqen”.
Askush nuk e beson, madje as vet Vuçiçi, se “Kosova e Metohija” do të kthehen në mënyrë paqësore në përbërje të Serbisë. Nga ky qendrim del se me betimin e bërë edhe në mandatin e kaluar (2017) dhe të përsëritur sot, për mandatin e dytë, Vuçiçi si kryetar i shtetit, i ka shpallë luftë shtetit të Kosovës, për ta kthyer në përbërje të Republikës së Serbisë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, dje dhe sot tërë kohën kokorit rreth bisedës telefonike të Vuçiçit me Putinin, për sigurimin e gazit, thua se ajo marrëveshje (e padefinuar akoma) ka të bëjë me Kosovën, por nuk iu dëgjua zëri për kërcënimin dhe betimin e tij, se “do ta ruaj Kosovën e Metohinë si pjesë përbërëse të Serbisë”! --Adil Fetahu
Ja se ç`e shqetëson Voa-n:
Aleksandar Vuçiç, u betua të martën si president i Serbisë në mandatin e dytë, duke u zotuar se do ta mbajë vendin ballkanik në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe duke lënë të nënkuptohet ndërkaq se një qeveri e re që pritet të themelohet në muajt në vijim, mund të shqyrtojë mundësinë që t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
Pavarësisht votimit në favor të tri rezolutave të OKB-së që dënojnë agresionin e Rusisë në Ukrainë, Serbia mbetet i vetmi shtet evropian që nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Moskës.
Në fjalimin e tij përurues para përbërjes së vjetër të parlamentit serb, presidenti Vuçiç tha se përparësi e Serbisë do të jetë rruga e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe se qeveria e re, e cila duhet të formohet në korrik, do të duhet të punojë më shumë për të siguruar hyrjen në bllokun 27-anëtarësh dhe të shqyrtojë sanksionet kundër Moskës, ndonëse ai nuk iu referua në mënyrë qartë Rusisë.
“Formimi i një qeverie të re është me rëndësi të madhe për shkak të situatës në të cilën ndodhemi, një situatë e vështirë", tha ai. “Ne kemi nevojë për një qeveri, me legjitimitet të plotë, jo teknike”.
"Ne do të duhet të përballemi me sanksione dhe çudira të reja, të cilat mund të na dëmtojnë, kështu që ne do t'u kërkojmë partnerëve tanë evropianë të na ndihmojnë", tha presidenti serb.
Aleksandar Vuçiç, i cili fitoi bindshëm zgjedhjet presidenciale kryesisht me agjendën e tij pro-ruse, tha se dëshiron ta fusë Serbinë në Bashkimin Evropian gjatë mandatit të tij të ri.
Por, ai i ka kaluar vitet e fundit duke forcuar lidhjet me presidentin rus Vladimir Putin më të cilin bisedoi të dielën në telefon për t’u marrë vesh për një kontratë të re trevjeçare për furnizimin me gaz nga Rusia.
Serbia ka ritheksuar shpesh se mbështetja e Rusisë është e rëndësishme për shkak të kundërshtimit të saj ndaj pavarësisë së Kosovës.
Në tekstin e betimit të presidentit serb përmendte përkushtimi për ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Serbisë, duke përfshirë Kosovën, e cila shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s që i dha fund luftës në Kosovë.
Presidenti serb tha se vendi i tij nuk do të kërkojë anëtarësim në NATO dhe do të ruajë neutralitetin ushtarak.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 307 reads



