Vuçiçi përgënjeshtron Kurtin: serbët e armatosur janë “serbë të Kosovës”
Serbët dhe jo njerëzit nga Serbia qendrore - siç gënjyen në mediat e Prishtinës - por nga Kosova u rebeluan, duke mos dashur të vuajnë më terrorin e [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti
SHJ
24/09/2023 - 08:57
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se sulmi në Banjskë ndodhi pasi “disa serbë të Kosovës” u rebeluan duke ngritur barrikada dhe duke nxitur më pas reagimin e policisë së Kosovës.
Në një adresim të drejtpërdrejtë televiziv, mbrëmjen e së dielës, ai tha se “tre serbë nga Kosova u vranë - dy nga snajperët - dy u plagosën rëndë dhe ka frikë për vrasjen edhe të personit të katërt”.
“Rreth orës 02:46 të natës së sotme, një grup serbësh nga ‘Kosova dhe Metohia’ vendosi dy kamionë si barrikada në Banjskë - në veri të Kosovës. Më pas shkoi policia e Kosovës dhe tentoi t’i largojë ato barrikada. Kishte një konflikt me serbët që vendosën barrikada dhe në atë konflikt mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe një person tjetër u plagos”, tha Vuçiq.
“Serbët dhe jo njerëzit nga Serbia qendrore - siç gënjyen në mediat e Prishtinës - por nga Kosova u rebeluan, duke mos dashur të vuajnë më terrorin e [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti”.
“Unë, në asnjë mënyrë, nuk dua ta justifikoj vrasjen e një polici shqiptar dhe as nuk mund ta justifikoj. Është një akt i dënueshëm dhe është diçka që nuk i duhej askujt”, tha presidenti serb.
Sipas tij, i vetmi fajtor për atë që po ndodh në veri, “është Albin Kurti”.
I pyetur nga gazetarët se nga i siguruan serbët lokalë uniformat me të cilat shihen në fotografi, Vuçiq tha se ato “nuk janë uniforma të ushtrisë serbe apo të policisë serbe”. Uniformat blihen kudo në treg, sipas tij.
“Nuk kemi mundur të flasim më herët, sepse nuk kemi kontroll efektiv në Kosovë që nga viti 1999. Na është dashur shumë kohë që ta hetojmë vetë atë që ka ndodhur”, tha Vuçiq.
Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe tha se në veri të Kosovës, policët duhet të jenë serbë.
Vuçiq tha se në ditët në vazhdim do të marrë vendime, që do t'ua komunikojë “qytetarëve dhe popullit tonë në Kosovë”, por nuk specifikoi se me çfarë kanë të bëjnë ato vendime.
Ai tha se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën “as formalisht, as joformalisht”, por shtoi se është i gatshëm të bisedojë.
Forcat paramilitare serbe sulmojnë policinë e Kosovës në veri
Një zyrtar i Policisë së Kosovës, me inicialet A.B, është vrarë dhe dy tjerë janë plagosur në orët e para të së dielës në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë përmes një postimi në Facebook, se Policia është sulmuar në atë pjesë.
Ai e ka quajtur sulmin si terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me “mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tone”.
Kurti ka thënë se polici i vrarë ka qenë rreshter.
Të dashur qytetarë,
Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda.
Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve.
Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur, shkruan Kurti
Çfarë ka thënë Policia?
Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se rreth orës 02:34 njësitet për reagim të shpejtë e kanë vërejtur se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë janë vendosur dy mjete të rënda kamionë (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi ajo është bllokuar.
“Njësitë e rendit të stacionit policor Zveçan, pas pranimit të informacionit, i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërritur në afërsi të vendit, ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”.
Policia ka thënë se njësitet e saj janë duke u sulmuar kohë pas kohe nga grupe të organizuara dhe të armatosura.
Kryeministri Kurti ka thënë se “kriminelët ekzekutorë” do të dështojnë dhe do të gjykohen.
Mjeku kujdestar në Klinikën Torakale ia ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë se një pjesëtari të Policisë ia kanë hequr një pjesë të granatës që i ka rënë në dorën e majtë dhe i ka depërtuar deri te pjesa e mushkërisë.
Osmani dënon sulmin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vrasja në veri është “planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe”.
“Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin”, ka thënë mes tjerash ajo.
Shefi i stafit të presidentes, Blerim Vela, ka thënë se “burrat e vegjël të gjelbër” të Serbisë kanë hyrë me mjete të blinduara 15 kilometra brenda territorit të Kosovës.
Sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç e ka nisur një agresion të pashembullt kundër Kosovës, por “ai do të dështojë”.
Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta prej majit, kur banorët e komunave me shumicë serbe në veri nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë prej zgjedhjeve që vetë i kanë bojkotuar.
Situata, me raste, është përshkallëzuar në dhunë.
Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të koordinohet për hapat e mëtejmë dhe të punojë drejt shtensionimit të situatës. REL-i
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 72 reads



