Vuçiçi pranon autorësinë për Banjskën ndërsa Kurti dhe Osmani e shfajësojnë
Banjska për ne ishte e tmerrshme në aspektin taktik dhe prodhoi pasoja të caktuara - Vuçiçi
Ylli Përmeti
24/10/2023 - 13:14
“Banjska për ne ishte e tmerrshme në aspektin taktik dhe prodhoi pasoja të caktuara” tha Vuçiçi për një televizion serb të dielën, sipas REL-it. Ky i fundit në raportin e tij theksoi pohimin e Vuçiçit se perëndimi kërkon nga Serbia njohjen e Kosovës dhe jo faktin që po përmend unë këtu. Vuçiçi i bëri këto komente një ditë pasi u takua me pesë diplomatët perëndimorë. Mirëpo, për Kurtin nuk është fajtor Vuçiçi por “klani i Novi Sadit i udhëhequr nga ministri i mbrojtjes së Serbisë” ndërsa për Osmanin është përgjithësisht Serbia, jo Vuçiçi!
Kujtoj se pesçja kërkoi nga Kurti (edhe një herë) realizimin e “Zajednicës” sipas “marrëveshjes jomarrëveshje” të Ohrit, ndërsa ky fundit kërkoi “sigurinë e shtetit” por pa përmendur se nga kush ndërkohë pak ditë më parë kërkoi nga perëndimi që KFOR-i, në fjalët e tij, “të koncentrohet në kufi”.
Në fakt, Prishtina pranoi dështimin e saj për të ndëshkuar Serbinë për sulmin në Banjskë kur Besnik Bislimi, kryenegocatori i Kosovës për dialogun, tha “se fillimisht duhet të hiqen masat ndaj Kosovës” ndërsa “Serbisë nuk duhet t`i lejohet të bëjë agresion përsëri në Kosovë”. Hamendësisht, duke “koncentruar” forcat ushtarake sipas kërkesës së Kurtit.
Në fakt, as këtë qëllim nuk mund të realizojë Kurti meqënse mandatin e KFOR-it nuk e përcaktojnë dëshirat e tij por Këshilli i Sigurimit në OKB ku është anëtare dhe Rusia ndaj të cilës ai dhe Osmani ushqejnë armiqësi ndërkohë që dërgimi i kumtit të vizitës së pesçes ndaj dyshes ―se ka “unitet mes SHBA-së dhe BE-së që të punohet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”― s`ka asnjë efekt për Vuçiçin: sespe ai ka mundësi të vazhdojë lojën e tij të “bukur”.
Gjatë përpjekjes së diplomatëve perëndimorë pati dhe një paralajmërim nga ambasadori amerikan në Beograd se do të kishte “propozime interesante” për palët. Por deri tani s`i kemi parë ato.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 163 reads



