Vuçiçi provokon sërish: publikon hartën e Kosovës të pushtuar me flamurin serb
Vuçiçi fotografinë e publikuar në llogarinë personale e ka shoqëruar me mesazhin “Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por dhe nuk harron, dhe nuk do të lejojë që 17 marsi të ndodhë përsëri”
Dita
19/03/2021 - 09:07
Aleksandër Vuçiçi, presidenti i Serbisë, ka publikuar një hartë të Kosovës të mbuluar me flamurin serb. Kjo ka bërë që të shkaktojë zemërim në mesin e shqiptarëve, të cilët kanë filluar një fushatë për largimin e saj nga rrjeti social Instagram.
Një prej tyre është edhe aktivisti Shpend Lila, i cili ka reaguar ashpër duke kërkuar që të raportohet postimi i presidentit serb.
“Unë luftoj shumë për të drejtën dhe njerëzit e mi. S’kam asgjë kundër njerëzve të pafajshëm. Kemi heq shumë. Kjo është e papranueshme dhe e pavërtetë. Ju lutem ta raportoni në Instagram”, ka shkruar ai.
Edhe Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko ka reaguar pasi presidenti serb publikoi në rrjetet sociale hartën e Kosovës me flamurin serb.
Majko në një shënim shkruan se me këtë publikim presidenti serb tregoi se i pëlqen papajtueshmëria. Ministri thekson se ky është një problem i shtetit serb dhe i seriozitetit të zgjedhur në Beograd.
“Sovraniteti i Republikës së Kosovës garantohet nga NATO dhe jo nga instagrami”, shkruan Majko.
Vuçiçi fotografinë e publikuar në llogarinë personale e ka shoqëruar me mesazhin “Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por dhe nuk harron, dhe nuk do të lejojë që 17 marsi të ndodhë përsëri”.
Ndërkohë reagimet me komente në foton e tij kanë qënë masivisht negative lidhur me këtë gjest.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 4 reads



