Vuçiçi “shpërthen” ndaj politikës së ndërsjellë të qeverisë “Kurti”
Retorika dramatike e Vuçiçit dhe lakejve të tij, duke përmendur “Stuhinë”, eksodin, luftën, është një recetë e njohur dhe e provuar pas vitit 1992. Retorika e tillë ka për qëllim homogjenizimin e serbëve të Serbisë me ata të Kosovës.
Adil Fetahu
04/07/2022 - 11:15
Në një konferencë për media, që e mbajti më 29 qershor, kryetari i Serbisë, nxënësi i Sheshelit e ministri i Millosheviçit, në stilin e dy të përmendurve, të cilin e ka përvetësuar mirë, nisi me gënjeshtra, lavdërime, frikësime e kërcënime, me qëllim të homogjenizimit të serbëve rreth idesë së tij luftënxitëse. Ai vet, konferencën e tij e quajti historike dhe më të ashprën në historinë e tij!
Shkas për atë konferencë (monolog), përplot gënjeshtra, lavdërime e kërcënime, ishte vendimi i Qeverisë së Kosovës për mospranimin e letërnjoftimeve të Serbisë për qytetarët serbë të Kosovës, dhe ndërrimi i targave të regjistrimit të automjeteve me regjistrimet e vjetra serbe, të kohës së okupimit të Kosovës: PR; KM; PZ; GL; UR; PE; Dj.
Këto vendime plotësisht të drejta të Qeverisë së Kosovës, Vuçiçi i cilësoi si “shkelje e të drejtave dhe presion mbi qytetarët serbë të Kosovës, si plan, presion, sulm dhe “stuhi,” për t’i detyruar ata të shpërngulen nga Kosova.
Me vite po durojmë gënjeshtrat e përfaqësuesve të Kuintit dhe përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës, dhe ata hiqen sikur janë shumë të mençur. Serbët i kanë përmbushur të gjitha marrëveshjet e Brukselit, kurse ata asnjë, dhe Brukseli heshtë. Dhuna juridike mbi serbët po vazhdon. Atyre nuk u intereson e drejta ndërkombëtare. Por populli ynë këtë nuk do ta durojë më, nuk do të durojë hyrjen e njësive shqiptare me tyta të gjata dhe automjete të blinduara. Populli në Serbi duhet ta dijë se pushteti i përkohëshëm (sic) i Kosovës, ka përkrahjen e Kuintit, me amerikanët të jenë më pak mendjemëdhenj në krahasim me të tjerët. Do të jetë interesante vera dhe vjeshta. Nuk ekzistojnë më parime në marrëdhëniet ndërkombëtare, por vetëm pjesa e poshtme e shpinës së tyre (lexo: prapanica, v.j.), e vendeve të Kuintit, të cilat janë të brengosura për naftën dhe ekonomitë e tyre. Unë iu lutem të zbresin nga fodullëku i tyre dhe të respektojnë të drejtën e atyre të cilët veçse i kanë vrarë. Shpresoj se nuk do t’iu shkojë mendja që atë ta përsërisin. E t’ua them të drejtën, ne nuk kemi më ku të shkojmë. Dhjetë vjet po përpiqemi të arrijmë kompromis, ndërsa ata vetëm shikojnë të na poshtrojnë dhe të na e ndjekin popullin tonë. Përgjigja jonë do të jetë esëll, por e vendosur dhe e vërtetë. Kurrëfarë aksionesh ushtarake nuk do të ndërmarrim, por iu lutem të mos tentojnë t’ua marrin pasurinë dhe ta përzënë popullin tonë. Deri më 30 shtator kanë kohë të mjaftueshme të mendohen. Mendoj se kjo është konfernca ime më e ashpër që e kam mbajtur, dhe ua kam thënë të gjitha në sy dhe për këtë kam hyrë në histori. E kanë plot gojën Ukrainë. Pajtohen dhe bëjnë me kokë kur ndryshohet Karta e Kombeve të Bashkuara për Ukrainën, ndërsa kur ajo përmendet në lidhje me Serbinë, atëherë janë disi të mendueshëm. Secili më Ajnshtajn se Ajnshtajni dhe më Hegel se Hegeli. Serbia do të reagojë në rrugë diplomatike, respektivisht me lutje, sepse nuk do të lejojë të përsëritet “Stuhia”. Kjo konferencë është lutja ime për t’ua tërhequr vërejtjen, ngaqë nuk di çfarë të them tjetër, përveçse ndaluni o njerëz”, përfundoi “monologun” e tij Vuçiçi, duke kërcyer prej teme në tjetren, prej subjekteve kosovare te ato ndërkombëtare.
Në mbështetje të Vuçiçit
Në përkrahje të fjalimit të Vuçiçit, kanë reaguar edhe kryeministrja Ana Bërnabiq dhe ministri i brendshëm Aleksandar Vullin etj. Kryetarja e Qeverisë së Serbise, Ana Bërbnabiq tha se”Ishte e befasuar kur dëgjoi konferencën e kryetarit Vuçiç për media, se ishte më i ashpër dhe më i sinqertë se kurrë më parë. Krejt atë që ka thënë – ekziston, gjithçka është e vërtetë absolute. Nuk ka një njeri serioz i cili mund t’ia kontestojë asnjë fjalë as tezë të fjalimit të tij. Shumica e shteteve të Perëndimit, kur flasin për luftën në Ukrainë i referohen Rezolutës 1244, kurse në rastin e Serbisë ajo nuk respektohet. Nuk mund të flitni për parimin themelor të të drejtës ndërkombëtare dhe të rendit juridik, e kjo është moscënimi i integritetit territorial të shteteve, e të mos e thoni se në rastin e Serbisë keni bërë gabim, se kështu nuk e respektoni atë parim. Serbia është i vetmi shtet që nuk sillet me cinizëm dhe që e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e saj, që nënkupton se integriteti territorial i shteteve është i pacënueshëm. Në marrëveshjen e Brukselit nuk ka asnjë dispozitë për targat, kurse Prishtina nuk i zbaton detyrimet nga ajo marrëveshje, ndërsa ne i kemi përmbushur të gjitha detyrimet tona”, ka përfunduar Bërnabiçka, krejt njësoj në stilin e Vuçiçit për digresion prej një teme në tjetrën.
Lidhur me këtë qendrim Vulini tha: “Nuk po kërcënojmë askënd, nuk do të ketë luftë, nuk do ta përdorim ushtrinë, po ju lutem shumë, mos tentoni të na i përzini fëmijët nga Veriu i Kosovë-Metohisë, mos tentoni ta bëni të qajë asnjë fëmi serb, mos tentoni ta përsëritni “stuhinë” se – nuk do të përfundojë mirë! Unë nganjëherë kam ndjenjën se Bashkimi Europian dhe Prishtina janë çmendur. Or budallenjë. A jeni ju normalë, të hyni në shtëpitë e serbëve e t’ua merrni automobilat, targat dhe të shtireni se ky është sundimi i ligjit”, kërcënoi megafoni i Vuçiçit (Vulini).
Kundër Vuçiçit
Në inervistën dhënë gazetës së sotme “Nova”, ish-kryetari i Serbisë, tash kryetar i Partisë Socialdemokrate të Serbisë, ka kërkuar nga kryetari aktual i shtetit të tij, Aleksandar Vuçiç që, për shkak të përgjegjësisë së tij politike për zgjidhje të këqija në organet e pushtetit, të japë dorëheqje. Ai tha se ministri (aktualisht ministër i mbrojtjes, v.j.) Nebojsha Stefanoviç, dhe ish-sekretarja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Dijana Hërkalloviç, me akuzat reciproke që i bëjnë njëri-tjetrit, në realitet më së tepërmi e akuzojnë Vuçiçin, sepse ata janë bashkëpunëtorët më të afërt të tij. Në këtë rast ai (Vuçiçi,v.j.) duhet të mbajë përgjegjësi politike për kuadrot e tij që nuk janë të vetmit si përjashtim, por janë bërë si rregull gjithë këtyre viteve. Por, në vend se Vuçiçi të mbajë përgjegjësi, ai shtiret si viktimë dhe komenti i vetëm i tij është që – organet kompetente ta bëjnë punën e tyre. Në kohën kur ishte kryetar i Serbisë, edhe kuadrot më të këqija të tij nuk kanë qenë nën dyshimin e përfshirjes në krimet monstruoze dhe në krimin e organizuar brutal. Për përfshirjet në krime të tilla, mjafton vetëm dyshimi, e lëre më dyshimi i bazuar, që personat më përgjegjës (krytari i shtetit, v.j.) të japë dorëheqje. Në çdo shtet normal, për këtë shkak do rrëzohej qeveria, ndërsa kryetari do jepte dorëheqje, e jo të luajë rolin e viktimës,- ka thënë Tadiq.
* * *
Retorika dramatike e Vuçiçit dhe lakejve të tij, duke përmendur “Stuhinë”, eksodin, luftën, është një recetë e njohur dhe e provuar pas vitit 1992. Retorika e tillë ka për qëllim homogjenizimin e serbëve të Serbisë me ata të Kosovës. Ekziston një vendim i pashpallur i organeve të Serbisë, që punonjësve të institucioneve serbe në Veri të Kosovës, nuk iu është lejuar të shkojnë në pushim veror. Është ky një veprim i frikësimit dhe homogjenizimit të tyre. Duke banalizuar çështjen e targave, nga çështje teknike në çështje politike, të të drejtave të njeriut dhe të sigurisë etnike, këtë mund ta bëjë vetëm një nxënës dhe trashëgimtar politik i Millosheviçit, i mësuar për të qeverisur duke krijuar frikë e panik në popull, për të ashpërsuar edhe më tepër marrëdhëniet ndëretnike e për të krijuar atmosferë për konflikte.
“Harrojnë” Vuçiçi, Bërnabiçka, Vulini e të tjerët, se shqiptarët nuk mund të hyjnë në territorin e Serbisë me targat e RKS, fakt që detyroi Qeverinë e Kosovës të zbatojë reciprocitet edhe për qytetarët e Serbisë të cilët hyjnë në Kosovë. Ata “harrojnë” se Kosova është shtet i pavarur, ka ligjet dhe rregullat e veta, të cilave duhet t’iu përmbahen të gjithë qytetarët e Kosovës. Targat e automjeteve nuk regjistrohen e jepen në bazë të përkatësisë kombëtare, por në bazë të rregullave të komunikacionit. Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, e tha haptas se Prishtina ka pasur të drejtë të vendosë për targat. Kurse Vuçiçi, Bërnabiçka, Vulini përzihen në punët e brendshme të organeve shtetërore të Kosovës, sepse për ata Kosova nuk është shtet, është shtet i rrejshëm, e ashtuquajtur Kosovë! Ata akoma jetojnë në iluzione se Kosova është Serbi!
Kur flet kundër Kuintit dhe shteteve të Perëndimit, Vuçiçi sikur ka marrë instruksione nga Harçenko e Llavrovi për ta sulmuar Perëndimin.
Po të funksiononte shteti ligjor në Serbi, me retorikën e përdorur në konferencën e tij, me të cilën përhapë informata të rrejshme, gënjeshtra, frikë e panik në popull, përdor fjalë që janë nxitje për luftë, ai do të përgjigjej për vepër penale sipas Kodit Penal të Serbisë (neni 343), por në Serbi Vuçiçi është mbi ligjin dhe mbi popullin, me të cilët manipulon si të dojë!
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 52 reads



